Shqiptarët kanë një histori të gjatë të mbjelljes së dafinës në kopshte dhe tarraca dhe kanë gjetur 1001 mundësi për ta përdorur atë. Ajo besohet se sjell fat në familje dhe sipas gojëdhënave thuhet se mbjellja e bimëve të dafinës afër shtëpive, mënjanon goditjet e rrufeve.

Gjethet e dafinës vijnë nga familja Laurus Nobilis vendlindja e të cilës është Mesdheu. Kjo bimë hyjnore është e pasur me vitaminë C, vitaminë B dhe A. Kjo e fundit është një antioksidant natyral që njihet për vetitë në mbrojtjen e shikimit, por edhe mbrojtjen nga kanceri i mushkërive. Dafina ka në përmbajtjen e saj një nivel të lartë të mineraleve si bakri, potasi, kalcium, mangani, hekuri, zinku dhe magnezi. Potasi ndihmon në mbajtjen nën kontroll të rrahjeve të zemrës dhe tensionit të gjakut. Hekuri është thelbësor në prodhimin e qelizave të kuqe.

Dafina, kjo bimë e mrekullueshme dhe me aromë karakteristike ka një histori të gjatë plot me fakte interesante për madhështinë e saj.

Fillon si histori dashurie në mitologjinë Greke kur perëndia Apollon u marros pas nimfës Dafne. Apolloni u tall me perëndinë Eros dhe ky i fundit lëshoi dy shigjeta. Një prej floriri në drejtim të Apollonit dhe një prej plumbi në drejtim të Dafnes. Apollo u këput nga dashuria ndërsa Daphne nuk ndiente asgjë veç urrejtjes ndaj tij. Dafne u shndërrua në një bimë dhe Apolloni e bekoi me dhuratën e rinisë së përjetshme dhe pavdekshmërinë, ndaj gjethet e dafinës nuk prishen asnjëherë.

Dante Alighieri paraqitet me kurorë dafine rreth kokës, që do të thotë se ishte një poet i shkëlqyer, më i miri. Mark Twain kërkoi që në arkivol t’i vendosej vetëm një kurorë dafine. Termi “Laureat” “Bachelor” ose “Laurea”, rrjedhin nga “Laurel” pra Dafina, që do të thotë se meritojnë kurorën e perfeksionit.

Duke qenë se dafina që herët të sillte ndërmend perënditë dhe mbahej nga njerëzit me vetëvlerësim të lartë, kjo bimë mori famë si mbrojtëse e njeriut nga fatkeqësitë, magjitë dhe sëmundjet. Në shumicën e rasteve, gjethet e dafinës përdoreshin si hajmali, për t’u mbrojtur nga epidemitë.

Dafina është përdorur nga paraardhësit tanë për të përgatitur finjë (dezinfektant ose sapun) për të pastruar rrobat dhe enët e guzhinës, veçanërisht në rastet e shfaqjes së epidemive. Romakët e lashtë e përdornin dafinën për të trajtuar sëmundjet e mushkërisë.

Në ditët e sotme vlerat e dafinës shkojnë përtej dhe përfshijnë stomakun dhe veshkat. Këto gjethe fantastike kanë aftësi të detoksifikojnë trupin, ngadalsojnë procesin e plakjes, përshpejtojnë procesin e shërimit, mbrojnë organizmin nga infeksionet, mbajnë diabetin nën kontroll, përmirësojnë shëndetin e zemrës, reduktojnë inflamacionin, rregullojnë frymëmarrjen, përmirësojnë tretjen, lehtësojnë dhimbjet nga reumatizma, luftojnë bronkitin, parandalojnë gripin e shumë të tjerë.

Dafina dhe sistemi tretës

Gjethet e dafinës kanë një impakt të fortë në sistemin tretës si diuretik që ul nivelin e toksinave në trup dhe reagon ndaj helmimeve ushqimore. Përmbajtjet organike të gjetheve gjithashtu ndihmojnë me tretjen dhe qetësojnë një stomak të trazuar dhe zorrët.

Dafina dhe frymëmarrja

Vaji i dafinës mund të përdoret për të lyer kraharorin dhe ndihmuar me problemet me frymëmarrjen. Nëse nuk keni mundësi të përdorni vaj, mjafton të zieni ujë më dafinë dhe të shfrytëzoni avullin që do t’ju lehtësojë dhe do të eliminojë bakteret e rrezikshme që gjenden në sistemin e frymëmarrjes. Por kujdes se përdorimi i vajit të dafinës i ndalohet grave shtatëzëna.

Përmirëson shëndetin e flokëve

Nëse do të përmirësosh shëndetin e flokëve dhe të heqësh zbokthin atëherë përdor gjethe dafine. Lagi ato në ujë dhe fërko lëkurën e kokës pas larjes. Përbërësit e dafinës do të heqin zbokthin dhe zbusin lëkurën e thatë.

Dafina ka efekt anti-inflamator

Një nga vlerat më të çmuara të dafinës është se këto gjethe reduktojnë inflamacionin në organizëm. Gjethet kanë në përmbajtjen e tyre një element të njohur si parthenolide që redukton irritimin në zona të caktuara që mund të jenë prekur nga artriti.

Dafina ndihmon zemrën

Gjethet e dafinës kanë në përmbajtjen e tyre acid kafeik dhe rutin, dy elementë që i japin zemrës forcë. Rutina forcon kapilarët e gjakut në zemër, ndërkohë që acidi largon kolesterolin e keq nga sistemi kardiovaskular.

Parandalon kancerin. Kombinimi i fuqishëm i antioksidantëve që gjenden tek dafina mbrojnë organizmin nga radikalet e lira që shkaktojnë mutacion të qelizave të shëndetshme në kancerogjene. Këto përbërës parandalojnë një mutacion të tillë.

Dafina kundër ankthit dhe stresit
Dafina ka një efekt lehtësues, çlirues dhe qetësues. Trumza, borziloku dhe dafina kanë në përmbajtjen e tyre linalol një element që ul hormonet e stresit në organizëm. Ndaj gjethet e dafinës të ndihmojnë të qetësohesh edhe në momentet më stresuese kur ankthi është i lartë.

Dafina kundër diabetit. Gjethet e dafinës kanë lidhje direkte me rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak. Konsumimi i rregullt i gjetheve ul rrezikun e sëmundjes së diabetit. /AgroWeb.org