Lulëkuqja që rritet kudo në Shqipëri është e njohur për vlerat e saj të rëndësishme shëndetësore. Po të pyesni gjyshërit tuaj do t’ju tregojnë më shumë për aftësitë e lulekuqeve për të qetësuar dhe vënë në gjumë fëmijët. Lulëkuqja ishte një nga lulet më të preferuara të Venusit, perëndeshës romake të bukurisë dhe dashurisë. Prej shekujsh lulekuqet janë pranuar si simbol i qetësisë, gjumit dhe paqes.

Në vendin tonë deri sot lulëkuqja nuk është kultivuar dhe është rritur në mënyrë të pavarur si bimë e egër. Por duke parë kërkesat e tregut për lulen e saj me vlerë, kultivimi është me leverdi ekonomike. Në Shqipëri, lulëkuqja e fillon lulëzimin nga fillimi i Majit dhe vazhdon deri në fund të Qershorit. Lulëkuqja është e përhapur dhe rritet e zhvillohet thuajse kudo në vendin tonë. Kërcenjtë e lulëkuqeve jetemot janë përdorur nga amvisat shqiptare si pjesë e grupit të barërave të egër në përgatitjen e byrekut të famshëm me lakra të egra së bashku me hithrat dhe lëpjetat.

Shkenca tregon që lulekuqja përmirëson dhe shton jetën. Ajo ka aftësinë të fuqizojë sistemin imunitar, mbrojë shëndetin e zemrës, përmirësojë shikimin, forcojë kockat, rrisë qarkullimin e gjakut, ndihmojë tretjen, rregullojë sistemin nervor, dhe parandalojë diabetin e tipit 2.

Por lulet e vogla të kuqe prodhojnë edhe fara të ngrënshme që janë të mbushura plot me minerale, substanca të shëndetshme, por edhe me alkoloidë që nëse merren në doza të mëdha mund të kenë efekte të forta.

Farat magjike sot i gjejmë në shumë ushqime të përgatitura me vaj lulëkuqeje ose fara siç janë: paninet, salcat, sallatat, supat, buka dhe ëmbëlsirat. Këto fara të vogla nga një lule që të themi të drejtën nuk ta mbush shumë mendjen janë shumë të fuqishme. Doza të vogla të këtyre farave mund të kenë një efekt të jashtëzakonshëm në trup. Por le t’i hedhim një sy së bashku se çfarë mund të bëjë kjo lule me petale të kuqe si gjaku.

Efekti qetësues. Disa nga aspektet më të studiuara të lulëkuqes janë efektet analgjesike të saj. Nëse konsumon fara lulëkuqeje, atëherë mund të zbusësh dhimbjet, veçanërisht ato të kokës dhe të përshpejtosh proçesin e shërimit. Farat janë të pasura me zink dhe si rrjedhojë ndihmojnë metabolizmin për të përshpejtuar proçesin e rimëkëmbjes.

Fuqizon sistemin imunitar. Studime të shumta kanë provuar lidhjen që ekziston mes zinkut dhe sistemit imunitar . Zinku që gjendet me bollëk në çdo farë lulëkuqeje arrin të stimulojë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe të forcojë reagimet e trupit ndaj substancave dhe agjentëve të huaj.

Përmirëson shikimin. Me plakjen, sytë tanë fillojnë e na lënë në baltë. Megjithatë kjo nuk duhet të na demoralizojë. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të ndaluar proçesin e përkeqësimit të shikimit. Antioksidantët janë të nevojshëm për të na mbrojtur sytë. I tillë është edhe zinku që gjendet në sasi të mëdha tek lulëkuqja. Zinku e mban shikimin të forte dhe ngadalëson degjenerimin makular - që është edhe shkaktari kryesor i humbjes së shikimit tek personat mbi 70 vjeç.

Mbron zemrën. Hekuri është një nga mineralet më të çmuar që gjenden tek lulëkuqja. Siç e dimë, hekuri është një përbërës integral në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Kur rrisim dozën e hekurit, ne përmirësojmë qarkullimin e gjakut dhe si rrjedhojë nivelin e oksigjenit në pjesët më vitale të trupit. Nëpërmjet hekurit, ne zvogëlojmë simptomat e anemisë, marrim më shumë energji dhe përshpejtojmë proçesin e shërimit.

Ndihmon me tretjen. Nëse vuani nga konstipacioni ose diarea, atëherë keni nevojë për më shumë fibër në dietën tuaj. Farat e lulëkuqes kanë çuditërisht një nivel shumë të lartë të fibrës që rregullon lëvizjet e zorrëve në favorin tuaj. Farat e lulëkuqes kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e dhimbjeve dhe inflamacionit dhe promovojnë funksionimin normal të sistemit të tretjes.

Diabeti i Tipit 2. Nivelet e ulëta të zinkut në organizëm janë tregues i rëndësishëm i nivelit të diabetit të tipit 2. Nëse dëshiron të mbrohesh nga kjo epidemi globale, atëherë duhet të shtosh zinkun në dietë. Përse mos të përdorësh fara lulëkuqeje atëherë?!

Funksionet e nervave. Shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht rolin e kalciumit në trupin tonë. Kalciumi është nga të paktët minerale që forcon funksionimin e sistemit nervor. Lulëkuqet kanë një nivel të lartë kalciumi dhe me to mund të bësh një tonik të shijshëm për nervat dhe të mbash larg çregullimet nervore.

Shëndeti i kockave. Kalciumi është gjithashtu i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Kalciumi tek lulëkuqja mund t’ju japë kockave tuaja forcë dhe elasticitet me kalimin e moshës dhe të parandalojë dobësimin e tyre, osteoporozën apo çregullime të tjera.

Tensioni i gjakut. Cilësitë analgjesike dhe anestetike të lulëkuqes mbrojnë shëndetin e zemrës në shumë mënyra të tjera. Potasi që gjendet tek farat e lulëkuqes zbut tensionin në arteriet dhe enët e gjakut dhe promovon një qarkullim sa më normal të gjakut. Një gjë e tillë parandalon zhvillimin e arteriosklerozës dhe si rrjedhojë sëmundje të zemrës me pasoja fatale./AgroWeb.org