Të qënit aristokrat kërkon para, tituj por edhe shije të veçantë krejt ndryshe nga preferencat dhe mundësitë e njerëzve të zakonshëm. Ndonjëherë të duket sikur ndasitë mes njerëzve të thjeshtë dhe aristokratëve janë të pakapërcyeshme përveç se kur bëhet fjalë për shpargun, ashtu modernisht i quajtur edhe asparagu.

I gjithë Mesdheu nga Spanja në Itali e më tutje në Turqi është angazhuar në rritjen e shpargut. Fermerët lodhen shumë për ta mbledhur këtë perime të çmuar të pranverës që shijohet nga të gjithë njësoj, pavarësisht perceptimit si një perime borgjezie!

Pas viteve 1990, kur shkëmbimet tregëtare më fqinjët nisën të intensifikoheshin, shqiptarët patën prezantimin e tyre të parë më shpargun. Në Kosovë, kultivimi i shpargut është kthyer në një biznes të mirëfilltë dhe solid. Por fermerët Shqiptarë nuk kanë pasur një marrëdhënie të lehtë me këtë bimë, e megjithatë kjo nuk i ka ndaluar ata të investojnë në kultivimin e shpargut për të përballuar nevojat në rritje të tregut vendas.

Historianët Francezë thonë që Mbreti Luis XIV ishte i marrosur pas shpargut. Ai urdhëroi ndërtimin e serave të veçanta në kopshtet e Versajës për të rritur shpargun. Kjo perime u bë shumë e preferuar në kuzhinën Franceze të shoqërisë së lartë. Shpesh ai u quajt “Mbreti i Perimeve” ndonëse pseudonimi më i saktë do të ishte “Perimja e Mbretërve”. Legjendat thonë që Egjiptianët dhe Romakët e lashtë kanë qenë gjithashtu të magjepsur pas shpargut. Perandori August ngarkoi një ushtri të tërë për të korrur kërcenjtë e shijshëm. Nuk është çudi që vetë Çezari dhe Kleopatra kremtonin dashurinë e tyre me shijet e shpargut veçanërisht sepse shpargu ka veti afrodiziake. Çezari thuhej që para se të hante shparguj, i spërkiste ato me vaj trëndafili.

Vlerat shëndetësore të Shpargut
- Shpargu është një perime me pak kalori dhe shumë fibra. Në 100 gramë shparguj gjenden 20 kalori.
- Shpargujt e freskët janë një burim i pasur antioksidantësh siç janë: luteina, zea-ksanthina, karoten dhe kripto ksanthina. Së bashku këto përbërës flavonoidë ndihmojnë në largimin e radikaleve të lira nga organizmi.
- Shpargujt e freskët janë një burim i pasur folati. Në 100 gramë shparguj gjenden 14% të dozës së rekomanduar ditore të acidit folik. Studimet shkencore kanë treguar që konsumimi i rregullt i folatit gjatë periudhës para shtatzanisë dhe deri në fazat e para të saj parandalon defektet tek fëmijët e sapolindur.
- Kërcenjtë janë të pasur me vitaminat komplekse të grupit B, që janë thelbësore për funksionet e metabolizmit dhe enzimat e qelizave
- Shpargujt e freskët përmbajnë edhe vitamina të tjera antioksidante siç janë: vitamina C, vitamina A dhe vitamina E. Konsumimi i rregullt i ushqimeve të pasura me këto vitamina ndihmon trupin të zhvillojë rezistencë të fortë kundër infeksioneve dhe radikaleve të lira.
- Shpargujt janë gjithashtu një burim i mirë i vitaminës K. 100 gramë shparguj përmbajnë 35% të dozës së rekomanduar ditore. Vitamina K luan një rol të rëndësishëm për shëndetin e kockave. Ato gjithashtu kufizojnë dëmet e neuroneve në tru dhe kanë një rol thelbësor në trajtimet e pacientëve që vuajnë nga sëmundja e Alzheimer.

Receta e ditës me shparg

Shpargujt kombinohen shumë mirë me vezët dhe gjalpin, sidomos me një salcë të njohur me emrin Hollandaise. Në një tigan të thellë hidhni dy lugë ujë dhe dy lugë uthull bashkë me disa kokrra të shtypura peperi të zi. Hidhni një gjethe dafine dhe një copë qepe të prerë. Zijeni përbërjen deri sa të ngelet në një masë të njëjtë me atë të një luge gjelle ose pak më shumë. Hidheni këtë lëng në një enë tjetër dhe shtoni dy lugë leng limoni. Në një tigan hidhni 125 gramë gjalpë. Merrni tre vezë, hiqni të bardhat dhe ruajini për më vonë. Të verdhat e vezës futini në një blender. Hidhni një lugë çaji me kripë dhe përzijini së bashku. Shtoni lëngun e uthullës me piperin dhe limonin dhe gradualisht hidhni gjalpin e shkrirë e të ngrohtë. Përzijeni dalëngadalë deri sa e gjithë masa të jetë kremoze. Hidheni menjëherë mbi shpargujt e zier ose të gatuar me avull. Sipër tyre mund të hidhni pak piper të zi ose lëkurë limoni të grirë./AgroWeb.org/