Akullorja është një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë, që nga ana tjetër shoqërohet me ndjenjën e pangatërrueshme të fajit. Ditë të tilla të Gushtit ku vapa përvëlon si prush, zgjojnë dëshirën për një akullore të ftohtë me shije fantastike: fruta pylli, vanilje apo çokollatë. A e keni vrarë ndonjëherë mendjen për përbërësit e vërtetë të akullores që blini në treg? Recetat mund të kenë ndryshuar, por ajo që duhet të dini është se shumica e akulloreve që shiten në treg sot janë përbërje kimike të transformuara në pako joshëse shumëngjyrëshe.

Akulloret përmbajnë përzierje kimike dhe substance si propylene glycol, ethyl acetate dhe ngjyruesin Yellow 5 që ndikon tek alergjitë, azma, migrena, ankthi dhe problemet në sjellje. Për më tepër akulloret e paketuara bukur janë të pregatitura me vajra të hidrogjenizuar, shurup misri me fruktozë dhe qumësht pluhur. Ndonëse legjislacioni në shumë vende perëndimore nuk i detyron prodhuesit e akulloreve të listojnë të gjithë përbërësit e akullores, informacioni për to gjendet shumë lehtë.

Disa prej akullorve komerçiale përmbajnë diethyl glycol një kimikat shumë i lirë që përdoret edhe në substancat që heqin bojën. Tek akulloret që kanë shije qershije gjendet kimikati Aldehyde C-17, një lëndë e djegshme që përdoret në bojëra, plastikë. Akullorja me shije vanilje ka në përbërjen e saj piperonal një kimikat që përdoret kundër parazitëve. Akulloret me shije ananasi kanë në përbërjen e tyre një kimikat të njohur si Ethyl Acetat që përdoren për të pastruar lëkurën dhe tekstilet. Ajo që është më e frikshmja është që avulli që lëshon Ethyl Acetat shkakton dëme kronike të mushkërive, mëlçisë dhe zemrës.

Rreziqet që vijnë nga akulloret e vjetëruara

Helmimi është rreziku kryesor që vjen nga një akullore e paketuar dhe e vjetëruara, ose e sezonit të shkuar. Duhet të dini që data e skadencës nuk duhet të jetë informacioni i vetëm që mund t’ju mjaftojë për të vendosur nëse një akullore është e sigurt për t’u ngrënë apo jo. Duhet të shikoni më kujdes nëse akullorja ka një paketim të hapur, të fryrë ose nëse është ruajtur në kushte optimale.

Shumica e akulloreve që shiten në treg janë përbërje kimike të transformuara në pako joshëse shumëngjyrëshe. Foto: WebLibrary

Akulloret e vjetëruara kanë tendencën të jenë objektiv më i lehtë i baktereve të dëmshme. Këto baktere lulëzojnë në ushqime të pasura me proteina siç janë vezët, shpendët, mishi, peshku dhe produktet e bulmetit. Ngrirja e ngadalëson rritjen e baktereve, por jo domosdoshmërisht i vret ato. Rreziku qëndron nëse ju keni lënë një akullore të hapur në frigorifer, e cila tashmë me siguri është kthyer në “shtëpinë”e baktereve. Sapo ta nxirrni nga frigoriferi, bakteret do të lulëzojnë menjëherë duke shtuar rrezikun e helmimit. Këshillohet të mos konsumoni akullore, paketimi i së cilës lë për të dëshiruar, sepse jeni në rrezik. Sigurohuni që akullorja është tërësisht e ngrirë dhe jo e qullët. Sigurohuni që frigoriferi gjithashtu të jetë i ngrirë në mënyrë solide. Nëse blini një akullore në market, ajo shkrin rrugës për në shtëpi dhe nëse ju e fusni sërish në frigorifer jeni sërish të rrezikuar nga bakteret.

Akulloret e pahapura ose të ruajtura në mënyrë perfekte në -17 gradë celcius mund të jenë të sigurta për konsum deri në 2 muaj. Nëse planifikoni ta mbani më gjatë se aq atëherë mbështilleni me karton ose qese plastike me vakum për të ruajtur cilësinë e akullores.

Si të dalloni një akullore jo cilësore

Nëse dëshironi të mësoni se si dallohet një akullore që nuk është cilësore, duhet ta shikoni me kujdes. Akulloret që janë të prishura e që jo domosdoshmërisht kanë një shije të keqe kanë kristalë akulli të formuar në majë të saj dhe në bishtin e kaushit të paketuar.

Akullorja më e mirë...bëhet në shtëpi

Sidoqoftë, akulloret janë një mënyrë shumë e mirë për të marrë yndyrna të shëndetshme, kalcium, enzima, vitamina dhe minerale, gjithnjë nëse përdor qumësht të vërtetë, vezë të vërteta dhe shurup të shëndetshëm. Pregatitja e akullores është diçka shumë e thjeshtë edhe nëse nuk keni kohë ose dëshirë. Mjafton të bëni një zgjedhje mes vajrave vegjetalë, antifriz-it, bojërave të vajit, pastruesit të bojës dhe asaj lëndës që shkatërron parazitët dhe ushqimeve të vërteta. Recetat janë të ndryshme dhe variojnë nga shija por kryesisht një recetë e thjeshtë kërkon qumësht, vezë, sheqer, reçel, niseshte, vanilje, arra ose bajame./AgroWeb.org