A ju kanë zënë sytë ndonjëherë domate të zeza sterrë? Epo duhet të dini që ato kanë dalë në treg, të paktën në atë Evropian. Me emrin botanik Indigo Rose, këto domate të çuditshme janë shumë të shijshme dhe plot vlera shëndetësore.

Indigo Rose është një varitetet me ngjyrë jo të zakontë të domates. Ky frut është i zi së jashtmi dhe i kuq flakë nga brenda. Këto ngjyra, me të cilat shqiptarët krenohen vazhdimisht, nuk jemi mësuar t’i shohim tek domatja. E megjithatë, domatja e zezë është shumë e shijshme dhe plot me antioksidantë.

Domatja e zezë është një shartim mes domateve të kuqe dhe atyre ngjyrë vjollcë, duke u renditur kështu në listën e ushqimeve super të shëndetshme.

Ky frut i modifikuar nga shkencëtarët në Amerikë, përmban një antioksidant të veçantë të quajtur antocianinë (anthocyanin). Kjo e fundit është përgjegjëse për të luftuar sëmundjet si diabeti dhe obeziteti. Ajo shërben edhe si pigment për t’i dhënë domates atë ngjyrën vjollcë të errët.

Kur domatet ngjyrë vjollcë shartohen me domatet e kuqe, rezultati është një domate e zezë.

Domatja e zezë është një shartim mes domateve të kuqe dhe atyre ngjyrë vjollcë. Foto: WebLibrary

Ishte pikërisht Profesor Jim Myers nga Universiteti i Oregon-it që shartoi domatet në një fazë të studimit të tij për vlerat shëndetësore të domates. Kur Myers dhe ekipi i tij zbuluan që domatet ngjyrë vjollcë përmbanin anthocyanin, që i jep të njëjtën ngjyrë edhe boronicave, vendosën t’i shartonin me të kuqet dhe kështu arritën të krijonin një specie me ngjyrë të zezë, e cila do i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më shumë për rolin e antioksidantëve në shëndetin e njeriut. Duhet theksuar që ky nuk është një produkt i modifikuar gjenetikisht.

Kompanitë tregëtare Britanike, që kanë përfituar të drejtën e shitjes pretendojnë që Indigo Rose, krejt ndryshe nga domatet e tjera në ngjyrë të errët, nuk është aq e ëmbël sa domatja normale dhe ka një nuancë pikante që e bën perfekte për ta ngrënë të pjekur ose në sallata. Për më tepër, ajo ka një ekuilibër mes sheqernave dhe acideve gjë që e bën shumë optimale për konsumim.

Gjatë proçesit të rritjes, këto domate janë të gjelbra dhe nxihen ndërsa qëndrojnë të ekspozuara në dritën e diellit, sepse anthocyanins prodhohet kur drita bie në kontakt me lëkurën. Domatja duhet të piqet ose të nxihet krejtësisht, në mënyrë që të çlirojë nivelin e duhur të sheqernave dhe acideve.

Në Shtetet e Bashkuara, fermerët e mbledhin domaten plot 91 ditë pas mbjelljes. Myers dhe ekipi i tij tani synojnë të transformojnë edhe domaten qershi, duke i dhënë asaj antioksidantin e çmuar dhe shumëfishuar shijen dhe vlerat e saj.

A mendon se një domate e tillë e zezë do të pranohej edhe nga tregu shqiptar? Jepe edhe ti mendimin tënd ./AgroWeb.org