Këshilla kryesore që dëgjojmë gjatë verës është të mbrohemi…të mbrohemi fort nga dielli. Kremrat kundër diellit duhet të jenë me faktor të lartë, por ndonjëherë sado të kujdesshëm të jemi, dielli na përvëlon. Pasojat e djegies i shohim vetëm në shtëpi kur dalim para pasqyrës. Skuqja është e tmerrshme. Ndjesia e djegies është shumë e dhimbshme, e pakëndshme, por edhe jo e hijshme në aspektin fizik.

Hapi i parë që duhet të bësh është të konsumosh një pilulë anti-inflamatore siç është aspirina ose ibuprofeni, rekomandojnë dermatologët.

Hapi i dytë është bërja e një dushi me ujë të vakët për të hequr klorin, kripën ose rërën që shkaktojnë irritime të mëtejshme të lëkurës. Nëse përdorni vaskën, shtoni pak sodë buke ose tërshërë që të zbusë djegien. Mos qëndroni në banjë më shumë se 15-20 minuta sepse do të rrezikoni shëndetin e lëkurës. Thahuni me butësi.

Hapi i tretë është ushqyerja e lëkurës me kremëra të pasur me aloe vera, glicerinë dhe shumë përbërës të shëndetshëm. Idealja është që kremërat të kenë qëndruar në frigorifer që ndjesia e freskisë t’ju shoqërojë gjatë gjithë kohës. Aloe Vera është fantastike për të luftuar djegien. Mjafton të shtrydhni pak nga gjethet e saj dhe të fërkoni xhelin mbi zonën e djegur. Kështu, enët e gjakut do të vihen në punë duke qetësuar dhimbjet. AgroWeb gjatë verës vërejti më shumë se tre raste kur pushuesit kishin marrë me vete vazot me aloe vera të kultivuar nga shtëpia, për t'i bërë ballë djegieve nga dielli.

Përdorni kompresa. Mund të përdorni edhe kompresa të zhytura në qumësht të skremuar, të bardha vezësh ose çaj jeshil. Proteinat tek qumështi dhe të bardhat e vezëve qetësojnë djegien, ndërsa çaji jeshil ul inflamacionin. Gjithashtu mund të përdorni kompresa në ujë të ftohtë me sodë buke ose me uthull molle dhe dhimbjet do qetësohen.

Konsumoni fruta. Dielli i tepërt jo vetëm që përthan lëkurën, por edhe dehidraton të gjithë organizmin. Kjo është arsyeja përse ndiheni shumë të lodhur pasi keni kaluar një ditë në plazh. Merrni masa të menjëhershme duke pirë shumë ujë dhe konsumuar fruta të pasura me ujë siç janë shalqini, pjepri ose rrushi.

Përdorni patate. Merrni 1-2 patate të vogla dhe përzijini deri sa të marrin lëngëzohen. Vendosini mbi lëkurë dhe lejojeni të thahet. Më pas bëni një dush të freskët për të shpëlarë trupin.

Vitaminat. Merrni kapsula me vitaminë E dhe aplikojeni direkt në lëkurën e djegur. Funksionon më së miri dhe përshpejton shërimin.

Përdorni kos. Të gjithë e njohim atë ndjesinë që na jep kosi i ftohtë mbi lëkurën e përcëlluar. Të vjen të ulërasësh por duron se e di që të bën mirë. Përdorni kos të thjeshtë të bërë në shtëpi që është i pasur me probiotikë dhe enzima. Lyeni me kos zonat e djegura dhe qëndroni të lyer për 5 minuta. Shpëlahuni me ujë të freskët.

Këshilla e fundit, por jo nga rëndësia është që të shmangni diellin nga ora 11:00 deri në orën 16:00 dhe të përdorni krem me faktor mbrojtës të lartë. Dielli është më i fortë, por ju mund të jeni më të zgjuar./AgroWeb.org