Kam qenë fare e vogël kur disa miq të gjyshit tim, të cilët jetonin në fshatin Kus, poshtë Qafë Krrabës, na sillnin thasë me fruta të kuqe të vogla, që disa kohë më pas mësova se quheshin dëllinja.

Deri në dimër familja ime nxirrte si për qërasje një broke me lëngun e tyre, lëng të cilin e quanin magjik. Pija ishte si birrë, e gazuar por pak e athët dhe në Shqipërinë e Mesme e quajnë Hardiç. Emri i frutit magjik njihet në latinisht si Juniperus, e me këtë emër e përdorin dhe disa zona në Shqipëri, por që i referohen rakisë ose xhinit që prodhohet nga ky frut.

Dëllinja është magjike, sepse me pijen që mund ta prodhoni lehtësisht në shtëpitë tuaja, pastroni veshkat dhe sistemin urinar, trajtoni problemet e stomakut sidomos tretjes si dhe pastroni mushkëritë tuaja nga sekrecionet. Dëllinja vilet në shtator dhe në Pazarin e Ri një kilogram dëllinjë e kuqe kushton 200-300 lekë. Pasi të keni blerë një sasi, të paktën 2-3 kilogram, duhet ta lani mirë e ta pastroni nga gjethet. Në një damixhan qelqi ose një tjetër enë por që të jetë qelq, futni dëllinjat dhe shtojini ujë. Raporti është një kilogram dëllinja me 4 litra ujë. Për 40 ditë rradhazi, ena duhet të rrijë në një vend të errët e të thatë, e pasi të mbushet koha, ju mund të shijoni lëngun magjik. Nëse i fusni gjatë verës me dëllinja të vjetra, shishja duhet të hapet për 4-5 javë. Kjo pije e përfituar zgjat për disa kohë, pasi duhet të veproni në këtë mënyrë; Kur të hapni enën ditën e parë ju do të merrni një sasi të caktuar, një apo dy litra Hardiç, e po atë sasi që morrët ju do e zëvendësoni sërish në damixhan me ujë të pastër. Kështu do të veproni, pra sa herë të merrni një broke Hardiç, në damixhan do e zëvendësoni me po aq sasi uji. Kjo zgjat deri në momentin kur ju do kuptoni vetë se cilësia e lëngut që përfitoni e ka humbur shijen e fortë të fillimit.

Emri i frutit magjik njihet në latinisht si Juniperus, e me këtë emër e përdorin dhe disa zona në Shqipëri. Foto: WebLibrary

Vlerat e Hardiçit

Dëllinja përmban një sërë acidesh organike të rëndësishme për trupin e njeriut gjithashtu sheqerna natyrale, kalium e kalcium.

Ndër vlerat kryesore të dëllinjës dhe lëngut magjik është pastrimi i mushkërive. Shpesh dëllinja përdoret për pastrimin e bronkeve nga infeskionet dhe sekrecionet. Pas ndihmesës për mushkëri të pastra vjen stomaku të cilën Hardiçi e ndihmon në tretjen e ushqimit si dhe nga djegiet apo forma të ngjashme ulçere. Efekti tjetër pozitiv i dëllinjës është vërtetuar në sistemin urinar e veshka. Konsumimi i lëngut që përfitohet nga to, pastron veshkën dhe shëron cise që shpesh hasen te femrat.

Gjithashtu përdorimi i Hardiçit ndikon në uljen e kolesterolit, diabetit dhe sasisë së ujit të tepërt në trup.

Dëllinja mund të përdoret dhe në formë vaji, i cili përdoret për çlirim të kontraktimeve muskulare./AgroWeb.org

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.