Cilësia e jetës në Shqipëri? Mund të rendisim një sërë problemesh e shqetësimesh, por një ‘vrasës’ i ri duket se endet në ajër duke kërcënuar qindra jetë shqiptarësh, është një ‘vrasës i heshtur’. Pikërisht kështu cilësohet ajri i ndotur, sepse çdo grimcë ajër që thithim, çdo pikë ujë që pimë, e çdo ushqim që konsumojmë preket nga ndotja. Shqiptarët nuk mund të jenë të izoluar nga efektet e një mjedisi të ndotur.

Në fakt, edhe pse qytetarët shqiptarë mund të jenë të ndërgjegjshëm për këtë, statistikat e fundit nga Forumi Ekonomik Botëror e rendisin Shqipërinë në 5 vendet e para që janë më të rrezikuar nga ndotja.
Sipas këtij Forumi, Shqipëria ka ajër më të ndotur se Kina dhe se Bosnje Hercegovina, duke dalë në përfundimin se rajoni i Ballkanit ka ajrin më të ndotur në rang botëror.

Renditja i referohet të dhënave të vitit 2012 nga Mbikqyrja Globale e Shëndetit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas këtyre statistikave, shkalla e vdekshmërisë përsa i përket ndotjes së ajrit për 100 mijë banorë është 171.4, pra afërsisht 5,000 qytetarë shqiptarë në vit rrezikojnë vdekjen nga ky shkak.

Ky Forum liston 10 vendet me risk më të lartë duke nisur nga vendi i dhjetë me Serbinë me 137.2 vdekje për 100 000 banorë, e ndjekur më sipër nga Rumania, Ukrahina, Sierra Leone, Kina, Shqipëria, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Koreja e Veriut dhe në vend të parë Gjeorgjia me 292.3 vdekje.

 

 

Në Shqipëri 44% e emetimeve të gazeve serrë vijnë nga sektori energjitik, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Botëror.

Sipas statistikave të UNECE, ndotja e ajrit, mbetjet urbane, uji i pijshëm dhe higjiena publike mbeten problemet më madhore për Shqipërinë.

Duke qenë një nga parakushtet për integrimin në BE, çështjet klimatike kanë nisur të merren seriozisht në konsideratë nga qeveria, e cila së fundmi ka nxjerrë një akt nënligjor, sipas së cilës të gjithë makinat e vjetra do të taksohen ekstra për shkak të ndotjes në mjedis.

Agjencia Kombëtare e mjedisit, në raportin e vitit 2014, shënon se problematik mbetet numri i ditëve që tejkalojnë standartin ditor të BE-së (50 µg/m³). Në Tiranë vetëm në një zonë, nga katër të monitoruara, rezulton se norma e ndotjes u tejkalua në 102 ditë të vitit.

Edhe pse kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2, këtyre të dhënave mund t’u gëzohemi për shumë pak kohë, nëse ne nuk kemi politika të forta për çështjet klimatike, sugjerojnë ekspertët.

Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion të AgroWeb.org, rezulton se energjia dhe transporti, të ndjekura nga bujqësia dhe sektori i mbetjeve janë kontribuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serrë në Shqipëri. Respektivisht energjia-transport me (57.29%), e ndjekur nga bujqësia me (16.85%), përdorimi i tokës dhe pyjet (8.88 %) dhe në fund mbetjet me (2.31%).

Siç shihet qartë dhe nga të dhënat, kontribuesit më të mëdhenj të CO2 janë energjia dhe transporti. Ulja e emetimit të gazit, për të cilin Shqipëria është zotuar dhe në Samitin e Klimës në Paris kërkon një revolucion në energji dhe në prodhim.
Shqipëria, përmes votimit në parlament në 13 Korrik 2016, ratifikoi marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike me 87 vota pro, duke respektuar këtë moment historik dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje ambicioze, që konsiderohet një revolucion për njerëzimin.

Lajm madhor për Klimën nga SHBA dhe Kina

Kina dhe Shtetet e Bashkuara, dy vendet me emetimet më të mëdha, që kanë sjellë pikërisht krizën më të madhe botërore të ndotjes, ratifikuan formalisht të shtunën Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Ky lajm është hap shumë i madh për përmbushjen e ambicjes globale që marrëveshja të hyjë në fuqi në fund të këtij viti, duke mos pritur vitin 2020.

Këto dy vende që së bashku përbëjnë 40% të emetimeve globale të gazeve serrë - tashmë janë vendet e para ekonomikisht të mëdha që miratojnë formalisht Marrëveshjen e Parisit.

Zyrtarisht u miratua që marrëveshja të hyjë në fuqi tridhjetë ditë pasi të paktën 55 vende, që përfaqësojnë të paktën 55% të emetimeve globale të gazrave serrë ta ratifikonin atë. Për shembull, të marra së bashku, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë rreth 40% të emetimeve globale ndërsa bashkë me Rusinë, Indinë dhe Japoninë përbëjnë 55% të emetimeve të gazeve serrë.

Gjithsecili mund të kontribuojë

Ka shumë mënyra të thjeshta për të ulur emetimin e gazit, shumë prej të cilave do t’ju kursejnë dhe para. Mund të bëni një termoizolim më të mirë të shtëpisë që të jetë ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë, mund të përdorni llampa më ekonomike. Të fikni dritat në dhomat ku nuk qëndroni, të përdorni më pak makinën dhe më shumë transportin publik apo biçikletën, të shpërdoroni më pak ushqimin dhe të konsumoni më pak mish.

Shqipëria në vitin 1998 nënshkroi Konventën e Aarhusit, një dokument juridik ndërkombëtar që përcakton një sërë rregullash, të drejtash e detyrimesh në fushën mjedisore dhe vetëm në vitin 2000 kur parlamenti e ratifikoi atë, nisën përpjekjet për hartimin e përmirësimin e legjislacionit mjedisor. Kjo konventë i sanksionon publikut edhe të drejtën të ankohet në gjykatë për probleme mjedisore.

Pra në vend që të presin që Qeveria, shqiptarët i kanë të gjitha mundësitë për të shfrytëzuar maksimalisht fuqinë që i jep ligji. Është koha për të vepruar, madje pak më shpejt se ‘vrasësi i heshtur’./AgroWeb.org