Mjalti, ai i miri, organiku dhe natyrali është një produkt i kërkuar dhe i çmuar për të gjithë shqiptarët. Ky nektar i ëmbël shpesh është cilësuar si “ari i lëngshëm” dhe si rrjedhojë çmimet e tij mund të jenë të shtrenjta. Megjithatë, ndodh shpesh që çmimi i mjaltit në treg nuk reflekton cilësinë e mjaltit që njerëzit blejnë dhe konsumojnë. Një pjesë e mirë e mjaltit që shitet në mbarë vendin është i rremë.

Nuk është as i vërtetë as organik, përkundrazi përmban gjithëlloj aditivësh, që do të thotë se njerëzit bien pre e mashtrimit dhe paguajnë një sasi të madhe lekësh duke menduar se po blejnë mjaltë cilësor. Problemi me mjaltin e falsifikuar - origjina e së cilit është e panjohur, është gjithëpërfshirës. Në formën e tij origjinale, mjalti përmban polen, dyllë bletësh dhe disa produkte të tjera.

Çdo lloj poleni është i veçantë në aspektin gjeografik dhe tregon qartazi rrugëtimin e bletës dhe lulet e preferuara të saj. Kur mjalti përpunohet, prodhuesit e nënshtrojnë mjaltin në një proçes filtrimi të hollë që heq të gjitha ‘papastërtitë’. Ky proçes e bën mjaltin të pagjurmueshëm dhe jo të pastër në aspektin e cilësisë.
Në shumicën e rasteve të mjaltit të importuar, prodhuesit përdorin edhe shije artificiale dhe përbërës të tjerë që largojnë të gjithë elementët unikë të mjaltit. Duke e bërë atë të “padukshëm”, prodhuesit ia heqin të gjitha vlerat shëndetësore mjaltit. Janë pikërisht ato ‘papastërti’ që e bëjnë mjaltin plot vlera për njeriun.

Konsumatorët nuk janë plotësisht të informuar për nivelin alarmant të mjaltit jo cilësor që shitet në treg. Si mundet të dallojë konsumatorit mjaltin e vërtetë nga ai i manipuluar?

Më poshtë do të gjeni këshillat e AgroWeb që do e bëjnë më të lehtë dallimin e mjaltit cilësor nga ai falso.

1. Mjalti i vërtetë ka grimëza të vogla brenda tij, që janë pjesë e polenit, hojeve ose bletëve dhe që janë të ngrënshme. Mjalti i rremë është tepër i kulluar për të qenë i vërtetë. 

2. Mjalti i vërtetë është i dendur dhe i trashë, ndërsa ai i rremi është i hollë.

3. Mjalti i vërtetë ka një aromë të ëmbël dhe të kënaqshme, ndërsa mjalti i rremë nuk ka një aromë specifike ose ka mban një erë të thartë.
4. Mjalti i vërtetë nuk ngjit si zamkë kur e fërkon mes gishtave. Ai i rremi nga ana tjetër është plot me ëmbëlsues të rremë që e bëjnë të ngjitshëm.

5. Shija e mjaltit të vërtetë është e lehtë dhe shuhet pas disa minutash. Shija e mjaltit të rremë është shumë e ëmbël dhe zgjat për shumë kohë.

6. Mjalti i vërtetë nuk formon bulëza kur ngrohet, por karamelizohet. Mjalti i rremë formon bulëza dhe nuk karamelizohet kurrë.

7. Mundohuni të blini mjaltë direkt nga një bletë-rritës i besueshëm. Tek ata keni mundësinë ta provoni mjaltin dhe të merrni përgjigje të sakta për çdo pyetje në lidhje me mjaltin në shitje.

8. Kujdes me etiketën. Mjalti i vërtetë duhet të përmbajë vetëm një përbërës - mjaltë! Disa prodhues ose kompani shtojnë përbërës të tjerë në listë, shije, ëmbëlsues, aditivë, dhe elementë artificialë. Ai nuk është mjaltë i vërtetë. Disa prej aditivëve të shtuar përfshijnë: shurup misri, niseshte, glukozeë ose shurup sheqeri. Produktet që mbajnë emërtime jo fort të qarta në etiketë janë qartësisht shumë larg mjaltit. Legjislacioni në fuqi, jo domosdoshmërisht detyron shitësit e mjaltit të theksojnë nëse kanë shtuar aditivë tek mjalti, dhe fakti që në një etiketë ju nuk gjeni të shkruar informacione të metejshme, nuk do të thotë që po blini mjaltë të vërtetë.

Ja disa mënyra se si mund të përcaktoni vërtetësinë dhe origjinalitetin e mjaltit.

Hidhni pak mjaltë në një fetë bukë. Nëse mjalti është i rremë, buka do të laget për shkak të lagështisë në lëng. Nëse mjalti është i vërtetë, buka nuk qulloset, përkundrazi bëhet e fortë për pak minuta.

Hidhni mjaltë në një gotë me ujë. Mjalti i rremë shkrihet shpejt, ndërsa ai origjinali jo. Mjalti origjinal rri i mbledhur dhe zhytet në fund të gotës. Na tregoni më shumë për metodat tuaja të veçanta se si arrini të dalloni mjaltin e vërtetë nga ai i rremi./AgroWeb.org