Rreth 30 shkencëtarë nga universitetet më të njohura evropiane nga Austria, Gjermania, Sllovenia, së bashku me kolegë nga Shqipëria kanë zhvilluar kërkime studimore mbi lumin Vjosa, për të parë efektet që pritet te ketë ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit.

Profesor Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës, teksa foli për vlerat e lumit të Vjosës, bëri thirrje për të ndaluar ndërtimin e hidroicentralit.

‘Gjatë një jave do të studiojmë ekosistemin unik të Vjosës. Nëse HEC-i do të ndërtohet këtu, të gjithë dalim të humbur. Para se të ndërtohet një HEC duhet të bëhen studime të ndikimit në mjedis. Këtu dëmet ekologjike do të ishin të mëdha, jo vetëm për sa i përket përmbytjes që do shkaktonte humbjen e florës dhe faunës në zonë, por do të ulte edhe nivelin e ujrave nëntokësor. Vjosa është lumi i fundit, i egër natyror në Evropë. Dëmi do jetë edhe për gjeneratat që do vijnë’, tha Fritz Schiemer.

Kërkimet e shkencëtarëve janë shtrirë në 5 km gjatësi dhe 2 km gjerësi në afërsi tëfshatit Kutë, i cili sipas tyre mund të përmbytet nga rezervuari i digës, nëse HEC-i i Poçemit do të ndërtohet.

Në rezolutën e miratuar për Shqipërinë pak javë më parë në Parlamentin Evropian, një paragraf i veçantë i kushtohet pikërisht përpjekjeve të shtetit për të ndërtuar një hidrocentral në lumin e Vjosës. Parlamenti Europian ka këshilluar qeverinë shqiptare që jo vetëm të heqë dorë nga planet për ndërtimin e kaskadës në Vjosë, por për më tepër të krijojë Parkun Kombëtar të Vjosës.

Mrekullia 270 kilometra e gjatë Vjosës, e shtrirë nga malet e Pindit në Greqi në Detin Adriatik, rrezikohet nga ndërtimi i një dige 25 metra të gjatë që pa dyshim do të shkatërrojë një nga pjesët ekologjikisht më të vlefshme të lumit. Por, lajmi se lumi i Vjosës është kthyer në çështje edhe për Parlamentin Europian, gëzon të gjithë ata që prej muajsh kanë protestuar dhe kanë sensibilizuar opinionin publik.

Më herët, aktivistë nga EcoAlbania në Shqipëri, Riverwatch nga Austria, EuroNatur nga Gjermania dhe 38 banorë të zonës e kanë paditur zyrtarisht Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit në lidhje me ndërtimin e digës së Poçemit.

Sipas ambjentalistëve, projekti i hidrocentralit do të shkatërronte të gjitha karakteristikat që ka lumi i Vjosës si ishujt me zhavorrë, pyjet aluviale dhe diversitetin e jetës së shpendëve. Gjithashtu banorët janë të shqetësuar se me gërryerjen e lumit, tokat e tyre do të përmbyten duke e bërë zonën përreth lumit të pajetueshme. Në Shqipëri planifikohet ndërtimi i rreth 400 hidrocentraleve, fakt i cili kërcënon të gjithë lumenjtë e Shqipërisë. /AgroWeb.org