Lexuesit e AgroWeb.org janë të mirëinformuar për rëndësinë e të ngrënit ushqime të pastra e pa kimikate. Tani që tregjet janë të mbushura me fruta dhe perime nga më të larmishmet, dëshira për t’i konsumuar menjëherë të vjen natyrshëm.

AgroWeb.org do t’ju tregojë për disa këshilla praktike për pastrimin e duhur të frutave dhe perimeve. E vërteta është se nuk ju nevojiten detergjentë, locione të dedikuara për të pastruar perimet dhe frutat. Uji është ai që ju nevojitet dhe maksimumi mund të shtoni uthull ose sodë buke.

Si të pastroni siç duhet perimet dhe frutat

Mënyra më e mirë për të pakësuar sasinë e baktereve të padëshiruara është t’i lajmë në ujë të rrjedhshëm të ftohtë deri në 10 gradë më të ftohtë se perimet dhe frutat. Shpëlajini në ujë të rrjedhshëm për 30-60 sekonda. Nuk ka nevojë t’i mbani në ujë. Fërkojini që të largoni papastërtitë.

Përpara se t’i gatuani ose t’i prisni, pastroni mirë sipërfaqet e gatimit, enët, thikat dhe çdo gjë tjetër që do të përdorni. Lani edhe duart me sapun dhe ujë. Përpiquni që të shmangni ruajtjen e perimeve dhe frutave për shumë kohë.

Larja dhe më pas ruajtja në frigorifer e perimeve dhe frutave, përshpejton rritjen e baktereve dhe kalbjen e tyre. Ndaj perimet dhe frutat duhen larë pak përpara përdorimit.

Larja është e rëndësishme në varësi të produktit

Lloje të ndryshme produktesh kërkojnë mënyra të ndryshme pastrimi. Më poshtë do të gjeni  udhëzime të qarta për mënyrën e pastrimit, sipas produkteve të ndryshme që përdorni në shtëpi.

Frutat e pyllit dhe rrushi

Shpëlajini me ujë të ftohtë e të rrjedhshëm. Mos i lejoni të qëndrojnë në ujë. Hiqni kokrrat e kalbura që të shmangni shpërndarjen e mikroorganizmave.

Barishtet

Prini pjesën e bazës së barishtes dhe largoni gjethet e jashtme ose ato të dëmtuara. Zhytini në një enë të mbushur me ujë të ftohtë për disa minuta. Nëse jeni veçanërisht të shqetësuar për ndotjen e baktereve shtoni gjysmë gote me uthull për çdo gotë me ujë të ftohtë.

Më pas shpëlajini gjethet e barishteve në ujë të rrjedhshëm për 30 deri në 60 sekonda. Thajini gjethet nga uji me letër kuzhine.

Mollët dhe produkte të ngjashme

Lajini dhe fërkojini fort që të hiqni dyllin ose papastërtitë e tjera.

Erëzat e freskëta
Futini në një enë me ujë të ftohtë dhe fërkojini lehtë. Më pas thajini me letër kuzhine.

Kërpudhat

Përdorni një furçë të butë për të larguar papastërtitë dhe më pas një leckë të lagur.

Pjeshkët dhe frutat e buta

Pjeshkët duhen larë butësisht nën ujë të rrjedhshëm dhe të thahen me letër kuzhine.

Pjepri dhe shalqini

Frutat me lëkurë të fortë dhe të pangrënshme siç janë pjepri dhe shalqini apo edhe portokalli duhen larë përpara se t’i qëroni, sepse bakteret e jashtme mund të transferohen brenda tulit.

Karrotat dhe perimet e nëntokës

Produktet si karrotat ose patatet kanë nevojë që të fërkohen me furçë, e cila më pas duhet pastruar edhe ajo./AgroWeb.org