Të vendosura në periferi të Tiranës por edhe në gjithë vendin, pishinat janë zgjidhja më e shpejtë e çdokujt për t'u freskuar dhe për të përballuar temperaturat e larta të verës. Jo më kot janë cilësuar si “biznesi që po konkurron detin”. Të lehta për t'u arritur nga të gjithë për shkak të distancës së tyre, pishinat janë ndër më të frekuentuarat gjatë gjithë sezonit veror.

Por sa të sigurta janë pishinat në Shqipëri? Sipas specialistëve të Drejtorisë së Shëndetit Publik, pishinat duhet të dezinfektohen me klor dy herë në ditë, në darkë dhe në mëngjesin e ditës së nesërme. Por, neglizhenca e pronarëve të tyre bën që uji të ndotet me baktere, duke sjellë irritime të lëkurës së pushuesve.

Nuk janë të pakta rastet kur frekuentuesit e pishinave preken nga sëmundje të lëkurës, e nuk mungojnë as rastet kur ata i janë drejtuar mjekut për ndihmë të specializuar.

Agroweb.org sjell një informacion të detajuar mbi rrezikun e pishinave me ujë me klor dhe masave që duhet të merrni për të parandaluar efektet e padëshirueshme që shfaqen në lëkurën dhe trupin e njeriut.

Mbipopullimi i pishinave rrit më shumë problemet

Menaxhimi i numrit të personave që duhet të mbajë një pishinë është thelbësor. Ka një rregull të fiksuar për kapacitetin e numrit të pushuesve që duhet të mbajë një pishinë.

Llogaritja bëhet në bazë të metrave katrorë të pishinës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, norma e sipërfaqes së llogaritur në hapësirën e një pishine duhet të jetë 3-4 metra katrorë për person. Por siç edhe të gjithë jemi dëshmitarë, në Shqipëri ky standard jo vetëm që nuk respektohet, por mbipopullimi i pishinave është jashtë çdo norme të lejuar.

Për pasojë, numri i personave që preken kryesisht nga infeksionet dhe problemet me lëkurën është tepër i lartë.

Gjatë stinës së verës, mesatarisht brenda 24 orëve në shërbimin e infektivit vetëm në kryeqytet paraqiten deri në 50 pacientë me probleme kryesisht me infeksionin e lëkurës, veshëve apo syve.

Skuqje, djegie, infeksione, kruarje sysh dhe lëkure

Prezenca e ujit me klor mund të shkaktojë skuqje të lëkurës, djegie, kruarje sysh dhe lëkure, si dhe infeksione veshi. Klori përdoret për shkak të tre efekteve kryesore që ai ka, në mbajtjen e pishinës së pastër, vret bakteret dhe mikrobet dhe oksidon ujin nga vajrat apo kremrat e trupit.

Klori që përdoret si dezinfektant, shkatërron amoniakun që ndodhet në ujin e pishinave, duke formuar disa produkte kimike që quhen kloramina. Efektet kimike të tyre nuk janë të vogla. Për shkak të aromës së fortë kloramina ndikon në skuqjen dhe kruarjen e syve, shkakton alergji të ndryshme si dhe është i lidhur me disa sëmundje të lëkurës.

Sa më shumë të qëndrohet në pishinë aq më shumë klorina futet në lëkurë duke sjellë çrregullime të ndryshme. Mund të shkaktojë tharje të flokëve dhe lëkurës dhe cilësohet gjithashtu edhe si shkaktar i shtimit të rrudhave në fytyrë.

Bëni dush para dhe pasi të futeni në pishinë

Ky është rregulli numër 1. Bërja e një dushi me ujë të pastër para se të futesh në pishinë ndihmon në largimin e djersës, e cila ka një veti problematike në ndërverpimin me klorinën, duke mundësuar futjen e saj në lëkurë.

Nëse hyn në pishinë me trupin e djersitur, klori ndërvepron menjëherë me djersën dhe shkakton irritim të lëkurës dhe skuqje.

Rregulli numër 2. Bëni dush pasi dilni nga pishina, duke përdorur një sapun natyral për trupin.

Pini sa më shumë ujë natyral për të qendruar sa më shumë të hidratuar.

Merrni sa më shumë ajër të pastër në mënyrë që të pastroni mushkëritë./AgroWeb.org