Burim jete. Bazë e rritjes ekonomike. Kjo është bujqësia e qëndrueshme. E lidhur ngushtësisht me vazhdimësinë, kjo çështje duhet të konsiderohet jetësore edhe nga aktorët kryesorë të sektorit bujqësor. Duhet të jetë prioritare. Siguria ushqimore është tejet e rëndësishme. Po ashtu duhet të jetë edhe përdorimi i përgjegjshëm i tokës, ujit dhe burimeve të tjera natyrore. Shfrytëzimi i tokës mbi kapacitete ka sjellë si pasojë rrezikun e një aktiviteti jo të qëndrueshëm bujqësor, kequshqyerje në të tashmen dhe pamundësi për të plotësuar nevojën jetike për ushqim të brezave të ardhshëm, Këto janë edhe sfidat kryesore të bujqësisë, asaj aktuale dhe bujqësisë të së ardhmes.

Sipas Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara (FAO) numri gjithnjë e në rritje i popullsisë, që deri në vitin 2050 pritet të kalojë 9 miliardë banorë, do të kërkojë rritjen e prodhimit bujqësor me 60%. Ndërkohë që sot, një sasi e madhe e produkteve bujqësore, rreth 1.3 miliardë tonë për vit shpërdorohen, duke sjellë pasoja të rënda financiare dhe mjedisore. Duket sikur për momentin kemi luksin të shpërdorojmë produktet bujqësore, por në të ardhmen do të na duhet shumë më shumë se çdo të mund të prodhojmë. Kombet e Bashkuara (UN) shprehen se kapaciteti i burimeve dhe teknologjive në dispozicionpër të përmbushur kërkesat për ushqim dhe produkte bujqësore për popullsinë në rritje mbetet i paqartë. Sipas Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga 11 përqind e sipërfaqes botërore, që është e përshtatshme për zhvillim bujqësor, 38 përqind është degraduar si pasojë e praktikave të këqija të menaxhimit të burimeve.

Pasojat e veprimtarive dëmtuese në bujqësi? Lidhen me fjalën rrezikshmëri. Prodhim i rrezikuar. Rritje ekonomike e rrezikuar. Biodiversitet i rrezikuar. Burime ujore të rrezikuara. Pamundësia është një tjetër koncept ngushtësisht i lidhur dhe tejet alarmant. Pamundësi për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të popullsisë. Zgjidhje? Duhet të gjejmë patjetër një. Për fat të mirë, përpjekjet janë intensifikuar dhe forcuar gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës.

Si do t’i përballojmë këto sfida?

Bujqësia e qëndrueshme duhet të jetë një nga prioritetet kryesore dhe përpjekjet për ta arritur atë duhet të zhvillohen njëkohësisht në të gjithë botën. Është zgjidhja e vetme për përmbushjen e nevojave për ushqim të gjeneratave të së ardhmes. Në të njëjtën kohë do të jetë një zgjidhje fitimprurëse, e qëndrueshme dhe miqësore ndaj mjedisit. Bujqësia e qëndrueshme ka si qëllim tjetër kryesor arritjen e barazisë sociale dhe ekonomike. Agjencitë ndërkombëtare, organizatat dhe institucionet po punojnë në bashkimin dhe intensifikimin e përpjekjeve për të arritur sa më shpejt drejt saj.

Bujqësia e qëndrueshme në Shqipëri

Shqipëria është ende shumë prapa në përpjekjet drejt bujqësisë së qëndrueshme. Është bërë fare pak për të. Shumë më shumë përpjekje dhe nisma duhet të ndërmerren. Fermerët shqiptarë nuk kanë njohuritë apo informacionin e duhur mbi standardet mjedisore në bujqësi. Në pjesën më të madhe të rasteve fermerët nuk arrijnë t’i plotësojnë këto standarde, pasi përdorin lëndë kimike të rrezikshme gjatë proceseve bujqësore, makineri të vjetra që dëmtojnë tokën etj. Infrastruktura e duhur dhe funksionale mungon. Varësia e ekosistemit, furnzimit me ujë dhe infrastrukturës nga ndryshimet klimatike ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në prodhimin bujqësor në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Bujqësisë rritja e qëndrueshme e prodhimit bujqësor do të arrihet nëpërmjet përmirësimit të furnizimit të tregut, zvogëlimit të raportit mes eksporteve dhe importeve dhe nëpërmjet mbështetjes së ekonomive të familjeve që punojnë në sektorin bujqësor.Vitet e fundit Qeveria po nxit përdorimin e teknologjive të reja në bujqësi, që duhet të jenë miqësore ndaj mjedisit, praktikave të drejta në bujqësi (GAP), veprimtarive të pas vjeljes, zvogëlimin e sasisë së mbetjeve, etj.

Shqipërisë i nevojitet mbështetje, udhëzim dhe mësim nga eksperienca e vendeve që kanë hartuar e zbatuar strategji të plota për të arritur në bujqësinë e qëndrueshme. Cilat janë disa prej strategjive kryesore që lidhen me të?

USAID– të prodhohet më shumë, në më pak tokë

Sipas USAID, bujqësia e qëndrueshme mund të arrihet nëpërmjet integrimit të mjedisit të shëndetshëm, ekonomisë ripërtëritëse, barazisë sociale, produktivitetit të qëndrueshëm në kohë dhe gjithashtu përmirësimit të jetesës. USAID prezanton një strategji të thjeshtë: prodhimtari më të lartë, në më pak tokë. Kjo strategji fokusohet në qëndrueshmërinë mjedisore, në zinxhirin furnizues bujqësor dhe tokat shumë-përdorimëshe. USAID promovon në të gjithë botën ato praktika që rrisin në mënyrë të qëndrueshme sistemin e prodhimtarisë së fermave. Nëpërmjet këtyre nismave synohet përmirësimi i cilësisë së tokës, ulja e përdorimit të pesticideve dhe herbicideve, përdorimi i sistemeve të menaxhimit mjedisor, sistemet e sigurta të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së habitatit. USAID mbështet bujqësinë e sigurt dhe të qëndrueshme, që përdor teknika të prekshme dhe të arritshme ekonomike dhe gjithashtu që është e kujdesshme ndaj përgjegjshmërisë sociale.

Në Qershor të vitit 2012 USAID dhe një grup partnerësh lancuan Sfidën e Re të Madhe - Neksusi i Energjisë / Bujqësisë. Kjo përpjekje botërore ka si synim rritjen e aksesit në energjinë e pastër, vecanërisht në vendet në zhvillim. Ky program mbështet zhvillimin ekonomik, nëpërmjet ofrimit të zgjidhjeve të pastra dhe efektive mbi përdorimin energjisë nga fermerët dhe bizneset bujqësore. Rritja e sigurisë ushqimore dhe ripërtëritjes ekonomike janë objektivat kryesore të kësaj iniciative. Partnerët themelues të Fuqizimit Bujqësor: Një Sfidë e Madhe për Energjinë dhe Zhvillimin (Powering Agriculture: An Energy Grand Challenge for Development)  nëpërmjet burimeve të përbashkëta financiare kanë financuar iniciativën e dytë të Thirrjes Botërore për Inovacion (Global Innovation Call) për nismën .Qëllimi kryesor i saj është dhënia e çmimeve individuale që variojnë nga $500,000 në $2,000,000 Dollarë për Zgjidhjet mbi Energjinë e Pastër. Aplikimet për thirrjen e dytë përfunduan në 12 Shkurt, 2015. Tri projekte nga Shqipëria iu përgjigjën kësaj thirrje duke aplikuar.

Pesë parimet e FAO

FAO bazohet në pesë parime kryesore për drejtimin e zhvillimit strategjik ndaj bujqësisë së qëndrueshme. Përdorimi efektiv, ruajtja dhe mbrojtja e burimeve natyrore. Mbrojtja dhe përmirësimi i jetës në zonat rurale dhe mirëqenia sociale. Adaptimi i komuniteteve dhe ekosistemeve ndaj ndryshimeve klimatike dhe Qeverisja e drejtë.

Bujqësia e Qëndrueshme dhe Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian i konsideron investimet në zonat rurale dhe bujqësi, thelbësore në uljen e varfërisë dhe kequshqyerjes. Strategjia e Bashkimit Evropian për bujqësi të qëndrueshme fokusohet në investime në ferma për të “ndihmuar një shtet të sigurojë vetë ushqimin për të ulur në këtë mënyrë varësinë nga mbështetja e jashtme.”

Për vendet e Bashkimit Evropian përfitimi i njohurive të duhura është thelbësor në zbatimin efektiv të politikave mbi adaptimin, sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit. Në nivel botëror, rajonal apo kombëtar. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të investojë për të ndihmuar popujt e vendeve në zhvillim për të patur akses në këto produkte. Krijimi i mundësive për akses në informacion është thelbësor. Teknologjia, kërkimi dhe zhvillimi do të shtrojnë udhën drejt bujqësisë së qëndrueshme. Bashkimi Evropian ka vendosur rregulla strikte dhe kosto të larta për të gjitha veprimet me ndikim negativ në ambient dhe që keqpërdorin burimet natyrore.Në këtë mënyrë nxitetzbatimi i praktikave të bujqësisë së qëndrueshme.

Kërkimi Indikativ Strategjik për Shqipërinë për vitet 2014-2020 i Komisionit Evropian, shkruan se publiku dhe prodhuesit shqiptarë nuk zotërojnë njohuritë e duhura mbi standardet mjedisore apo ushqimore në ferma apo për proceseve të përpunimit. Nëpërmjet IPARD-Like, një skemë grantesh që synon zhvillimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, Bashkimi Evropian synon “ zhvillimin gradual të bujqësisë shqiptare, në përputhje me standardet, vecanërisht në fushën e mbrojtjes së mjedisit, sigurisë dhe cilësisë ushqimore, mirëmbajtjes së kafshëve, si dhe shëndetit të bimëve e kafshëve.” Skemat IPARD-Like mbështesin investimet në prodhimtarinë bujqësore në katër sektorë bujqësorë prioritarë: qumështi, mishi, frutat dhe perimet, me qëllim rritjen e furnizimit të tregut me produkte të sigurta dhe miqësore ndaj mjedisit.

Bujqësia e së ardhmes është vetëm një. Bujqësia e qëndrueshme, e vetmja që garanton trashëgimin e tokës dhe produkteve të saj tek ata që pas nesh do të vijnë.