Fermerët shqiptarë kanë nisur të eksperimentojnë me kultivimin e një varieteti të veçantë të bamjes së kuqe. Kjo perime e veçantë në ngjyrë por e njohur për vlerat shëndetsore po rritet në sasi të kufizuara duke plotësuar së pari nevojat e disa restoranteve të njohur në kryeqytet.

Së shpejti, pritet që bamja e kuqe të forcojë statusin e saj në tregun e perimeve të Shqipërisë dhe të transformohet në një produkt të lakmuar dhe të preferuar për të gjithë konsumatorët që janë në kërkim të vlerave më të mira shëndetsore.

Bamja njihet si një ushqim i pasur me antioksidantë që ndihmon në rimëkëmbjen e organizmit të goditur nga sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit dy, problemet me tretjen apo radikalet e lira.

Ekspertët e AgroWeb.org shprehen se bamja e kuqe dhe ajo e gjelbër janë një burim i shkëlqyer vitaminash dhe mineralesh përfshirë: kalciumin, hekurin, magnezin, fosforin, kaliumin, sodiumin dhe zinkun apo vitaminat A, B1, B2, B3, B5, B6, B9 dhe C.

Këto të fundit e bëjnë bamjen një nga perimet më të pasura në vlera. Për më tepër, bamja përmban një sërë amino acidesh të dobishme për shëndetin tonë.

Studimet tek brejtësit kanë zbuluar se bamja ul kolesterolin. Ushqimet me fibër dhe antioksidantë janë të dobishme për njerëzit që vuajnë nga diabeti, pikërisht sepse ulin kolesterolin.

Bamja përmban sasi të konsiderueshme të vitaminës A dhe antioksidantëve siç janë beta karoteni, ksantheina dhe luteina. Antioksidantët janë tejet të fuqishëm në shkatërrimin dhe neutralizimin e radikaleve të lira, nënprodukte të rrezikshme të metabolizmit qelizor.

Ekspertët e AgroWeb.org sugjerojnë se përfshirja e bamjeve në ushqimet tuaja e pajis organizmin me shumë fibër që përmirëson tretjen. Bamja është një burim i mrekullueshëm i vitaminave dhe mineraleve si kaliumi që është i nevojshëm për ruajtjen e ekuilibrave të lëngjeve në trup.

Ekstraktet e farave të bamjeve përmbajnë një antioksidant që ka efekt kundër stresit ndërkohë që menaxhimi i tij është një aspekt i domosdoshëm kundër diabetit. Vitamina A tek bamja mbron shëndetin e lëkurës, përmirëson shërimin dhe pakëson njollat, aknet dhe rrudhat.

Fibra e tretshme tek bamjet ndihmon diabetikët sepse mban të qëndrueshme nivelet e glukozës në gjak dhe ndikon përthithjen e sheqernave nga zorrët. Përmbajtja e lartë e vitaminës C e bën bamjen të nevojshme për forcimin e sistemit imunitar./AgroWeb.org