Mini patëllxhanët apo patëllxhanët bebe janë më të veçantat e përdorura në kuzhinën shqiptare. Ato janë porosia e veçantë e amvisave shqiptare tek fshatarët, të cilët sipas kërkesës i mbledhin këto perime kur ato janë në përmasa shumë të vogla. Kryesisht mini patëllxhanet përdoren nga amvisat në Përmet, Skrapar e Gjirokastër.

Këto perime të vogla janë më të kërkuarat e amvisave shqiptare pasi përdoren për përgatitjen unike të Glikosë së Patëllxhanit, një recetë tipike shqiptare, e njohur si traditë përmetare. Ndërkohë, këto patëllxhane të vogla përdoren edhe për sallata shumë të shijshme verore.

Ndonëse ndryshojnë në përmasa, vlerat ushqyese të mini patëllxhanit janë të njëjta me ato të patëllxhaneve normale. Kjo perime është ndër më të preferuarat jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë ndërsa përfitimet shëndetësore të tij janë tepër të larta.

AgroWeb.org sjell një recetë të ëmbël dhe një të kripur se si mund të shijoni mini patëllxhanet e veçanta shqiptare, atë të glikosë përmetare dhe sallatës verore.

Si të përgatisim glikonë e patëllxhanit

Përgatitja e glikosë me mini patëllxhanë është art më vete. Si fillim, me një thikë pastrojmë hollë lëkurën e mini patëllxhaneve si dhe presim bishtin e patëllxhanit.

Pas këtij procesi, përgatisim në një enë ujin me gëlqere dhe vendosim mini patëllxhanet duke i lënë deri në tre orë. Më pas mini patëllxhanet i nxjerrim nga uji me gëlqere dhe i shpëlajmë mirë me ujë të bollshshëm derisa të sigurohemi që uji i gëlqeres është larguar tërësisht.

Pas këtij procesi, përgatisim sherbetin. Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i lëmë të vlojmë për rreth 15 minuta. Më pas në enën me sherbet vendosim mini patëllxhanet dhe i valojmë përreth 10 minuta ndërsa zjarrin e vendosim në nivel të ngadaltë. Pasi i heqim nga zjarri, i lëmë në tenxhere për një ditë të plotë ndërsa shtojmë vaniljen. Ditën tjetër, i hedhim lëngun e limonit dhe i vendosim sërish në zjarr duke i vluar për pak, derisa sherbeti të lidhet.

Sipas dëshirës, mini patëllxhaneve mund tu vendosim në brendësi edhe një bajame të bardhë. Pas këtij procesi, glikotë e patëllxhanit janë gati. Pasi ftohen i vendosim në vazo qelqi dhe i ruajmë në frigorifer.

Përbërësit:

1 kg mini patëllxhane
1 kg sheqer
2 lugë lëng limoni
2 lugë të vogla vanilje
2 gota të mëdha me ujë
Bajame (aq sa mini patëllxhanë kemi)
Ujë gëlqere

Fantastike për sallatat verore

Mini patëllxhanet janë shumë të shijshme e plot vlera kur konsumohen në formën e sallatës. Të pjekura e të marinuara me pak vaj ulliri, kripë e uthull balsamike ato janë një shoqërues i përkryer i gjellëve të ndryshme apo tavave verore. Kjo sallatë mund të konsumohet shumë mirë edhe për një darkë të lehtë bashkë me kos të freskët.

Përgatitja e sallatës me mini patëllxhane është krejt e lehtë. Marrim një grusht të plotë me patëllxhana të vogla dhe i lajmë me ujë të bollshëm, me kujdes u pastrohet me thikë pjesa e bishtit. Ato priten në dy pjesë në formë gjatësore. Më pas mini patëllxhanët i vendosim në një tavë dhe i kriposim. I fusim në furrë dhe i lëmë përreth 15 minuta derisa volumi i tyre të bjerë.

I kontrollojmë me një pirun për të kuptuar nëse janë zbutur dhe pjekur mjaftueshëm dhe pasi të jenë zbutur i heqim nga furra dhe i lëmë të ftohen. Në një tas të vogël hedhim tre ose katër lugë vaj ulliri, disa thelbinj hudhre të prerë hollë dhe një lugë uthull balsamike. Pasi të jenë të ftohur mini patëllxhanet i vendosim në një tas sallate dhe i marinojmë me masën e përgatitur me vaj ulliri, uthull balsamike dhe hudhra./AgroWeb.org