Që një vend të cilësohet si toka e mjaltit, i nevojiten dy gjëra: lule dhe bletë. Por për ta bërë fitimprurës duhet vetëm një: matematikë. Sepse pavarësisht sa strategë mund të tregohemi në teori, në fund janë numrat ato që tregojnë nëse kemi kapur fundin apo po arrijmë majën. Formula njihet: Shitje – Shpenzime = Fitim. Mjalti, duke qenë ëmbëlsuesi natyral më i njohur në botë, ka një tregëti globale që kap vlerën e 600 milion dollarëve në vit. Por për shkak të përdorimit të gjerë, konsumi i mjaltit në mbarë botën është aq i madh saqë kërkesat mezi arrihen të përballohen. Nga ana tjetër kosto për të hapur një bletari nuk është veçanërisht e lartë. Po të krahasohet kjo dhe me koston e bizneseve të tjera të vogla dhe me një plan të mirë menaxhuar, mjalti mund të sigurojë fitime të larta, çka na çon edhe një herë tek formula: Shitje (kërkesë e lartë)-Shpenzime( të ulëta)= Të ardhura të larta. Eshtë e gjitha matematikë.

Këtë formulë duket se e kanë kuptuar mirë duke e praktikuar në masë edhe fermerët shqiptarë, të cilën kanë filluar të merren gjithnjë e më shumë me bletari dhe me prodhimin e mjaltit, të ndihmuar sigurisht dhe nga kushtet e favorshme klimaterike që janë jetike për këtë biznes. Por, përpos potencialit të madh që ky biznes ka në vend, pjesa më e madhe e prodhimit vjen nga biznesi familjar, i cili kultivon një numër modest koshere bletësh.

Fermerët shqiptarë prodhojnë rreth tre ton mjaltë, kryesisht të zonës së jugut të vendit

Të dhënat statistikore tregojnë se gjatë një viti, fermerët shqiptarë prodhojnë rreth tre mijë ton mjaltë, kryesisht të zonës së jugut të vendit. Fermerët nga ana e tyre e shohin këtë si një biznes shumë premtues dhe janë të interesuar për të investuar në bletari jo vetëm në jug, por dhe në veri të vendit, ku kushtet klimaterike janë tejet të favorshme.

E megjithëse natyra nuk mban me hatër, bletët ashtu si dhe lulet duhet të konkurojnë në lojën e revolucionit, ku më e mira nxjerr më të mirën. E njëjta formulë është e aplikueshme edhe në biznes. Nuk mjafton të kesh vetëm një ide të mirë për një dyqan, por fermerit i duhet të ketë një plan të mirëmenduar biznesi, në mënyrë që të zgjerojë tregun. Siç është dhe rasti i fermerit Eugen Skërmo i Mjaltit Morava nga Korça.

Dashuria e Skërmës për biznesin e bletarisë duket se po i sjell dhe frutet e para, duke qenë se shumë shpejt mjalti Morava do të shtrihet në shumë dyqane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Skërma është në rrugë të mbarë dhe kompania e tij tashmë ka krijuar një emër në treg, duke shitur mjalt të një cilësie shumë të lartë. “Kur isha fëmijë jam rritur mes bletëve dhe mjaltit. Në atë kohë më dukej si diçka shumë argëtuese, tani është biznes”, thotë Eugeni, i cili i përket gjeneratës së tretë të familjes Skërmo, që merret me bletari dhe me prodhimin e mjaltit. Në Korçë, prodhimi i mjaltit përbën 1/5 e prodhimit total të të gjithë vendit, i cili shitet në tregun lokal, por edhe eksportohet për shkak të kërkesës së lartë.

 Exportet vjetore të Shqipërisë në Dollarë Amerikanë - Mjalt natyral. Burimi :Index Mudi

Në përgjithësi mjalti ynë është vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtarë me shumë cilësi dhe vlera të larta ushqyese. Ekspertët sugjerojnë që fermerët shqiptarë të drejtohen nga biznesi i mjaltit, duke qenë se dhe kërkesa për të është shumë e lartë dhe klima i favorizon, pasi janë lulet ato që bëjnë diferencën. Lulëkuqet mund të rriten në shumë vende në Evropë, por ato duket se çelin më intensivisht në Shqipëri në çdo të çarë apo cep që gjejnë, duke nxjerrë kokat e tyre të kuqe të shndritshme drejt diellit. Dhe jo vetëm lulëkuqet, por çdo lloj i imagjinueshëm luleje të egër, që e gjen nëpër shkrepat e gërxhet e vendit tonë.

Sepse janë lulet ato që iu japin fuqi bletëve, të cilat më pas na japin mjaltin kaq të veçantë, që na e duan e kërkojnë kaq shumë të huajt. Në shekuj me rradhë kanë qenë të shumtë shkrimtarët dhe filozofët, të cilët kanë vënë theksin tek cilësitë e mjaltit shqiptar. Duke nisur që nga filozofi i madh Aristotel, i cili i thurte lavde mjaltit që Ilirët e kthenin në verë.

Deri në vitin 1932 të gjithë kosheret e bletëve ishin tradicionale me kuti druri të madhësive të ndryshme. Në vitin 1953 sipas statistikave 77% e tyre vijonin të ishin tradicionale duke prodhuar një mesatare prej 5 kg mjaltë në vit, ndërkohë që kosheret e lëvizshme shkonin në 20 kg. Sot prodhimi shkon në 3 mijë ton në vit, duke plotësuar nevojat e tregut lokal dhe duke shkuar për eksport, siç është dhe rasti i mjaltit Morava, që eksportohet në Amerikë. “Nuk është punë e lehtë. Ne kemi punuar shumë për të rritur markën tonë për të hyrë në tregun amerikan. Sot mjalti ynë shitet në një sërë supermarketesh në New York, Philadelphia dhe New Jersey”, thotë me krenari Skërmo për mjaltin e tij, i cili së fundmi ka nisur të kërkohet edhe në Kinë. Por ka një problem. “Ne nuk arrijmë t’i plotësojmë kërkesat e tregut të tyre me sasi shumë mëdha mjalti. Sepse thjesht nuk kemi aq prodhim. Thjesht nuk i përballojmë dot”, thotë Skërma duke konfirmuar kështu problemin me të cilin ndeshen dhe shumë fermerë të tjerë, me prodhim të ulët dhe kërkesa të larta. Fakt ky, që e bën mjaltin tonë shumë konkurues, duke u tregëtuar me një çmim të lartë.

Hendeku i madh mes konsumimit të produkteve të bletëve në Shqipëri dhe sasisë së disponueshme paraqet një mundësi fitimprurëse për sipërmarrësit për tu shfrytëzuar. Kërkesa është e lartë, shpenzimet e pakta, pasi kërkon pak kapital dhe mbi të gjitha mund të bëhet nga shtëpia dhe mbi të gjitha është me fitim të lartë. Një biznes i ëmbël, si nga të ardhurat që gjeneron si nga mjalti që prodhon.