Kemi më shumë se prej një ore që udhëtojmë. Pasi kemi çarë përmes trafikun e rënduar të Tiranës, makina ka nisur të gjarpërojë sërish nëpër rrugë, kur papritur ulet shpejtësia dhe mjeti ndalet. “Ky nuk është saktësisht drejtimi ku na thanë të shkojmë, por mendoj se ky është vendi", thotë shoferi.
Hedh sytë nga dritarja dhe shoh një ndërtesë e lartë, por jo më shumë se një katëshe, nga e cila varet vetëm një mbishkrim me shkronja të kuqe dhe blu ku shkruhet “Peshore 90”.

“Po. Jemi fiks aty ku duhet”.

Kemi mbërritur në Shën Vlash të Durrësit, fshatin me shtëpitë e renditura sup më sup dhe aromën karakteristike të pemëve frutore dhe drurëve që digjen nëpër oxhaqe, për të takuar Ardian Çitozin, i cili prej 8 vjetësh eksporton gështenja në Itali.
Ardiani na përshëndet përzemërsisht, ndërsa shkon dorën nën flokët e dendur. “Ja më gjetët më në fund”, thotë ndërsa na drejton për nga magazina e tij, të cilën e ka quajtur “Peshore”.

“Pra doni të flisni për gështenjat”, të thotë ndërsa të hedh një vështrim zhbirilues përtej syzeve optike. ”Eshtë biznes i mirë, por do të zgjasë pak nëse nuk e trajtojmë mirë gështenjën dhe nëse nuk fusim edhe varietete të tjera përveç gështenjave të egra, të cilave po i’ua shohim hajrin dhe po i eksportojmë në Evropë”, thotë ndërsa tregon për AgroWeb të gjithë procesin e pastrimit dhe paketimit të gështenjave që shkojnë më pas në tregun Italian.

“Me thënë të drejtën më kanë intriguar shumë si fruta dhe ia propozova idenë e biznesit një mikut tim Italian, i cili në momentin e parë ishte dyshues për cilësinë e gështenjave tona”, thotë Ardiani teksa risjell në kujtesë hapat e parë të biznesit të tij.

Ardian Çitozi, një prej eksportuesve më të mëdhenj të gështenjave në Shqipëri. Foto: Agroweb

Por në fund arriti ta bindte se ia vlente t’i hynin këtij biznesi, paçka sa i çmendur dhe aventuresk mund të dukej. “E nisëm duke eksportuar sasi shumë të vogla dhe tani ja kemi dalë të eksportojmë pjesën më të madhe të gështenjave në Itali”, të thotë gjithë krenari.

Ardian Çitozi eksporton 800-1200 ton gështenja në sezon nga 3.500-4000 ton që eksportohen në total në Shqipëri. Ndërkohë që këtë vit synon të kapë shifrën e 2000 ton, për shkak dhe të kërkesës së lartë për gështenjën tonë, e cila dikur çuditërisht konsiderohej një ushqim për të varfërit.

Kompania e Çitozit “Lea 2011″, është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës. Në vitin 2014 të ardhurat e tij nga shitjet kapën vlerën e 170 milionë lekë. Shifër, të cilën Ardiani shpreson ta rrisë në vitin e ardhshëm, duke qenë se ai është çertifikuar së fundmi edhe me standardet HACCAP përmes projektit B-REDI të USAID, duke bërë që eksportet e gështenjës së tij të marrin vulën e cilësisë.

Në Shqipëri aktualisht operojnë pesë operatorë të mëdhenj dhe tregu pritet të zgjerohet. Sipas të dhënave të Doganës së Durrësit, në vitin 2015 janë eksportuar drejt Italisë 100 kamionë me gështenja ose 2500 tonë. Çmimi i eksportit ka qenë 1.3 euro për kilogram, duke siguruar për kompanitë më shumë se 3.2 milionë euro të ardhura.

Jo më larg se në vitin 2011 eksportoheshin vetëm 20 kamionë gështenja ose afërsisht 650 mijë euro. Për nga vlera, gështenja është një treg i vogël, por rëndësia lidhet me volumin e zinxhirit të përfitimit.

Gështenja e Tropojës ajo që kryeson eksportin, duke qenë gështenja e vetme shqiptare që përmbush kriteret e cilësisë për t’u eksportuar në BE. Kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore. “Kërkesa është e lartë dhe e shoh si një sektor shumë premtues në afatgjatë, por ne duhet duhet të sjellim dhe varietete të tjera që kërkon tregu evropian.”, thotë Ardiani.

Gështenja e Tropojës janë të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin cilësinë e kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Studime të shumta kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera lokale. Dhe po t’iu shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin bio dhe freskia e Alpeve ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije.

Gjatë proesit të paketimit të gështenjave për eksport në firmën "Lea 2011". Photo: Agroweb

Këto gështenja në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë.

Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha. Brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë eksponenciale numrin ekzistues, duke përmbushur në këtë mënyrë urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre.

Përgjithësisht sektori i arrorëve (arrat, lajthitë, gështenjat dhe bajamet) shihet si një sektor me potencial të lartë për eksport për shkak të shumë avantazheve: që nga klima e favorshme tek kushtet e tokës, fitimi i lartë, kërkesa e papërmbushur e tregut ndërkombëtar dhe duke qenë se nuk kërkon shumë marketing dhe kërkesa për ruajtje.

Përvoja e fundit dhe rritja e shpejtë e drurëve frutorë tregojnë se fermerët shqiptarë janë të etur dhe të shpejtë në adoptimin e teknologjive moderne të prodhimit. Në të njëjtën kohë kosto e punës është shumë e ulët duke krijuar një avantazh në këtë aspekt.

Nga ana tjetër afërsia e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe procesi i saj i anëtarësimit për t'u bërë anëtare e BE gjithashtu ofrojnë avantazhe të shumta. Që nga kosto e ulët e transportit dhe regjimit tarifor preferencial për të gjithë prodhimet shqiptare të eksportuara në BE, duke bërë që ato të jenë konkuruese në treg./AgroWeb.org/