Përfitimet Shëndetsore Në Organizëm Nga Eleminimi I Ëmbëlsirave

Nëse një copë tortë me mollë ju bën të buzëqeshni vesh më vesh, por ju bën të ndiheni fajtorë më vonë, një efekt pozitiv kur refuzoni atë ëmbëlsirë është lumturia.

Rezultatet e tre eksperimenteve klinike që hulumtuan për vetëkontrollin dhe kënaqësinë e jetës, treguan se t’i thuash “jo” një pjate me ëmbëlsirë mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë.

Edhe pse eksperimentet nuk kishin të bënin drejtë për drejtë me efektet e refuzimit të ëmbëlsirës, ​​ato treguan se ushtrimi i vetëkontrollit rrit ndjesinë e mirëqenies dhe kontribuon drejtpërdrejt në gjendjen tuaj shpirtërore dhe mendore.

Vetëkontrolli shpesh “shoqërohet me lodhje dhe mohim të vetvetes sesa me kënaqësi dhe gëzim”, thonë studiuesit nga universitetet e Çikagos, Minesotës dhe Illinois.

Gjetjet e studiuesëve demonstrojnë se njerëzit që kanë aftësi më të madhe për të shmangur tundimin, ndihen më të lumtur dhe kanë më tepër vetëbesim.

Truri juaj do të çlirojë më tepër neurokimikate

A e mbani mend atë ndjesinë e mirë që merrni kur bëni një vepër të mirë? Këtë ndjesi mund ta rikrijoni duke bërë një zotim për të hequr dorë nga ëmbëlsirat.

Hulumtimet shkencore sugjerojnë se është e mundur të rrisni nivelet e endorfinës e cila ndihmon në uljen e stresit, jep eufori, lumutri dhe ul nivelin e dhimbjeve.

Duke vendosur dhe arritur qëllime të vogla si në këtë rast, trupi juaj do të jetë në gjendje të prodhojë dhe çlirojë më shumë endrofinë.

Me siguri do të humbisni peshë

Siç e dini, zvogëlimi i sasisë së kalorive është çelësi për të humbur peshë.

Mënyra më e lehtë për ta arritur këtë është të eleminoni ushqimet që përmbajnë shumë kalori, si pijet e ëmbëlsuara me sheqer dhe ëmbëlsirat!

Ju do të ruani masën muskulore

Ndërsa plakeni, masa muskulore fillon të humbasë, veçanërisht nëse nuk bëni rregullisht stërvitje me pesha.

Me sa duket, konsumi i tepërt i sheqerit pengon sintezën e proteinave që ndërton muskujt. Dhe sipas të dhënave të AgroWeb.org kjo përshpejton humbjen e muskujve.

Do të parandaloni shtimin e dhjamit në zemrën tuaj

Gjetjet e raportuara nga studime të ndryshme, të cilave AgroWeb.org iu referohet, demonstruan se konsumi i lartë i  pijeve me sheqer dhe ushqimeve të përpunuara me sheqerna të shtuara, ishin të lidhura me ruajtjen e yndyrës rreth organeve vitale, përfshirë zemrën.

“Ne e dimë që yndyra e ruajtur në këto organe rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit”, tha bashkëautorja e studimit Lyn Steffen, një profesoreshë ie asociuar e epidemiologjisë në Universitetin e Minesotës.

Pra, eleminimi i ëmbëlsirave ka të ngjarë të zvogëlojë shanset tuaja për të zhvilluar sëmundje të ndryshme.

Do të jeni më të mprehtë dhe do të mbani mend më shumë

Një studim i kryer tek kafshët nga Universiteti i Kalifornisë, zbuloi se një regjim ushqimor i pasur me sheqerna të përpunuara, ngadalëson funksionet e trurit, duke përkeqësuar kujtesën dhe të mësuarit.

Dhe kjo është një tjerër arsye se përse është mirë të kufizoni sa më tepër konsumin e ëmbëlsirave.

Do të dukeni më i ri

Një përfitim tjetër i eleminimit të ëmbëlsirave me sheqer është shmangia e plakjes së parakohshme të lëkurës.

Njerëzit me nivele të larta të sheqerit në gjak (një simptomë e diabetit) janë në rrezik më të madh për të prodhuar glikacion, një nxitës i inflamacionit që formohet kur proteina ose yndyra kombinohen me sheqerna si glukoza dhe fruktoza në qarkullimin e gjakut.

Ky proces, rezulton në ndryshime karakteristike strukturore, morfologjike dhe funksionale në lëkurë.

Do të bëni një gjumë më të qetë

Duke eleminuar yndyrnat e ngopura dhe sheqernat, mund të bëni një gjumë më të qetë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, konsumi i ulët i fibrave dhe konsumi i lartë i yndyrave të ngopura dhe sheqerit, ka treguar se shoqërohet me një gjumë jo të rehatshëm./AgroWeb.org

Aterioskleroza – Si Ndikon Konsumini I Mishit Në Formimin E Pllakave Arteriale


Arteriet transportojnë gjakun e pasur me oksigjen nga zemra në indet në të gjithë trupin.

Pllakat që krijohen nëpër arterie nga depozitat yndyrorë, ngushtojnë arteriet tuaja dhe pengon rrjedhën e gjakut.

Mënyra e të ushqyerit luan një rol të rëndësishëm në krijimin e këtyre pllakave ose ndryshe arteriosklerozës.

Çfarë ndikon në formimin e tyre?

Yndyrat e ngopura

Mishi dhe veçanërisht mishi i përpunuar, përmban elementë që nxisin zhvillimin e pllakave arteriale.

Yndyrat e ngopura rrisin nivelet e përgjithshme të kolesterolit, duke rritur sasinë e lipoproteinës me dendësi të ulët ose të kolesterolit të keq (LDL), në qarkullimin e gjakut.

Kolesteroli i keq rrit rrezikun e ateriosklerozës sepse përbën një përbërës të depozitimeve të pllakave arteriale.

Prandaj këshillohet të reduktoni sasinë e ushqmimeve që përmbajnë yndyrna të ngopura.

L-karnitina

L-karnitina është një aminoacid që gjendet në mishin e kuq, që gjithashtu kontribuon në formimin e pllakave arteriale.

Edhe pse trupi juaj ka nevoë për këtë aminocid, sasitë e mëdha të saj mund të rrisin rrezikun e ateriosklerozës.

Megjithatë efektet e dëmshme të L-karnitinës janë studiuar vetëm tek kafshët dhe ende nevojiten studime të mëtejshme tek njerëzit.

Mishi i përpunuar

Për të parandaluar formimin e pllakave arteriale, ju duhet të kufizoni konsumin e mishit të përpunuar sa më shumë që të jetë e mundur.

Ato janë të pasura me yndyrna të ngopura, gjë që rrit nivelet e kolesterolit.

Gjithashtu përmbajnë natrium, një mineral që rrit presionin e gjakut, i cili nga ana tjetër nxit arteriosklerozën.

Bëni zgjedhje të shëndetshme

Kurdo që keni mundësi, zgjidhni opsionet e mishit të papërpunuar ose të peshkut.

Mish i pulës dhe i peshkut përmbajnë dukshëm më pak L-karnitinë sesa mishi i kuq.

Ndërsa peshku gjithashtu përmban yndyrna të shëndetshme të pangopura, të cilat luftojnë pllakat arteriale.

Për më tepër, për shkak se burimet bimore të proteinave, të tilla si thjerrëzat dhe fasulet, kanë pak yndyrë të ngopur, merrni parasysh t’i konsumoni ato në vend të mishit./AgroWeb.org

Receta E Sallatës Me Elb, Domate Qershi, Misër Dhe Ullinj

Nëse jeni duke kërkuar për një recetë të re sallate, të veçantë dhe të ftohtë, kjo është receta e duhur për ju!

Ky është një version alternativ i recetës së makaronave klasike të ftohta, ose sallatës tipike të orizit dhe është vërtet e thjeshtë për t’u bërë.

Një pjatë e lehtë por në të njëjtën kohë shumë e shijshme falë shtimit të qiqrave, rukolës dhe borzilokut të freskët, që do t’i japë një aromë unike.

Kjo është një recetë që mund të përgatitet paraprakisht në shtëpi, të cilën ju mund ta merrni në zyrë ose ta shijoni gjatë një pikniku në natyrë!

AgroWeb.org ju fton të përgatisni vetë këtë sallatë të shijshme me elb, domate qershi, misër dhe ullinj.

Përbërësit

320 g elb

160 g ullinj

400 g domate qershi

200 g qiqra të pjekura

100 g misër

10 g majdanoz

15 g rukola

Borzilok për shije

Vaj ulliri ekstra i virgjër

Kripë për shije

Piper i zi për shije

Përgatitja

Për të përgatitur këtë sallatë, së pari vendosni një tenxhere plot me ujë të kripur në sobë dhe lëreni të ziejë.

Sapo uji të fillojë të vlojë, hidhni elbin dhe gatuajeni për 40 minuta. Ndërkohë, copëtoni ullinjtë dhe domatet dhe hidhini në një tas së bashku me qiqrat e pjekura dhe misrin.

Sapo elbi të përfundojë zjeri, kullojeni dhe ftoheni nën ujë të rrjedhshëm.

Shtojeni në një enë bashkë me përbërësit e tjerë duke hedhur edhe rukolën dhe borzilokun e grirë.

Në fund spërkateni me vaj ulliri dhe piper të zi sipas dëshirës.

Përziejini mirë dhe vendoseni sallatën në frigorifer për të paktën dy orë dhe më pas shërbejeni.

Këshilla

Nëse dëshironi ju mund të provoni ta pasuroni këtë sallatë edhe me djathë ose pak gjizë të kripur.

Ju mund ta ruani këtë sallatë në frigorifer për 2 ditë./AgroWeb.org

Çmimet Më Të Larta Që Nga 2019 – Rritet Kosotja e Bukës

Në shtator, indeksi i çmimeve të konsumit në grupin “Bukë dhe Drithëra” u rrit me 4.3% në raport me shtatorin 2020.

Këto ishin ritmet më të larta të rritjes që nga janari 2012, raportoi INSTAT. Pas një qetësie gati 10-vjeçare, çmimet e drithërave nisën rritjen e dukshme gjatë vitit 2020, të nxitura nga një kërkesë jo e zakontë në të gjithë botën nga frika e bllokimeve në lëvizje. Me heqjen e kufizimeve, çmimet patën një periudhë stabël gjatë verës 2021, por nisën rritjen e shpejtë për shkak se korrjet nuk ishin të mbara prej efekteve të ndryshimeve klimatike.

Një ton grurë në tregjet ndërkombëtare kushtoi në fundjavë 740 dollarë, me një rritje vjetore 26%. Industrialistët e miellit në vend pohuan se rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare po reflektohet në mënyrë graduale.

Që nga fillimi i vitit disa furra në vend kanë rritur çmimin e bukës me 10 lekë, duke e çuar në 80 lekë në disa raste buka që shitej 80 lekë tani shitet 90 lekë dhe ajo shitej 90 lekë shitet me 100 lekë, me një shtrenjtim rreth 15%.

Gjatë gushtit, çmimi i miellit u rrit 5 lekë për kilogram. Operatorët paralajmërojnë se rritja e miellit do të shkojë deri 20%, për shkak të krizës të prodhimit të grurit në botë. Rritje të lartë këtë vit parashikohet të ketë edhe për çmimin e makaronave si ato të importit dhe të prodhuar në vend, për shkak të shtrenjtimit të fortë të miellit të grurit për prodhimin e tyre.

Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e Industrialistëve të miellit, thotë se rritja e çmimit të grurit do të jetë e përkohshme dhe çmimi do të varet nga prodhimi i vitit që vjen. Kur çmimi i grurit rritet fermerët priret të prodhojnë më shumë grurë. Kjo sjellje reflektohet kudo në botë. Rritja e prodhimit sjell edhe rënien e çmimeve.

Mirëpo tregu i bukës në Shqipëri nuk ka treguar elasticitet ndaj periudhave kur ulet çmimi në tregjet ndërkombëtare. Ulja reflektohet tek mielli, por jo të nënproduktet e tij sidomos buka. Çmimi i artikullit më të konsumuar në vend nuk ulet në rastet kur çmimi pëson rënie.

Nisur nga çmimet e larta, fermerët në zonat më prodhuese të vendit, Lushnjë dhe Fier, kanë nisur të mbjellin grurë. Nga korrjet e këtij viti ata fituan më shumë se me perimet, të cilat i kanë në bazë të kultivimit.

Shumë fermerë që disponojnë mjete që punojnë tokën të tilla si traktorë po marrin edhe toka me qira për t’i mbjellë me grurë, por më shumë gjasë, nëse prodhimi global rritet vitin që vjen ato nuk do të marrin fitimet e parashikuara këtë vit./Burimi:Monitor

9 Përfitimet E Jashtëzakonshme Shëndetësore Të Jogës

Joga përmirëson: fleksibilitetin, forcën, tretjen, shëndetin mendor dhe lista vazhdon…

Për të filluar me ushtrimet e jogës nuk ka rëndësi nëse jeni fleksibël apo jo, ajo çka ju duhet është praktika dhe përqëndrimi.

Nëse jeni kurioz të mësoni se cilat janë disa nga përfitimet shëndetësore të jogës, AgroWeb.org ju fton të lexoni më poshtë.

Ju do të keni një shpinë të shëndetshme

Një studim i vitit 2011 krahasoi skanimet e shtyllës kurrizore të mësuesve të jogës me ato të njerëzve që nuk praktikonin joga. Dhe sigurisht, mësuesit e jogës kishin shpinë më të fortë dhe rrjedhimisht më pak dëmtime.

Joga rrit përqendrimin

Dëshironi të rrisni përfqëndrimin dhe të shpejtoni aftësitë e funksionit të trurit tuaj ? Sipas hulumtimeve të kryera ndër vite, të cilave AgroWeb.org i referohet, për këtë mjafton të shpalosni dyshekun tuaj të jogës dhe filloni duke u ushtruar.

Ju jep më shumë energji

Sipas një studimi të vitit 2017 të publikuar në revistën amerikane “Frontiers in Psychology” (kufinjtë e psikologjisë), joga mund të ketë efekte të krahasueshme me ushtrimet e tjera që rrisin fuqinë.

Ju ndihmon të humbisni peshë

Edhe pse ekzistojnë lloje të shumta ushtrimesh që ju ndihmojnë të digjni më shumë kalori, joga mund të jetë gjithashtu një opsion shumë i mirë.

Studiuesit besojnë se kjo ka të bëjë me aftësinë e jogës për të zvogëluar kortizolin, një nga hormonet e stresit që shkaktojnë shtim të peshës.

Përmirëson cilësinë e gjumit

Siç e kemi përmëndur shumë herë, mbajtja nën kontroll e stresit ndihmon për të bërë një gjumë më të qetë. Dhe duke qenë se joga zvogëlon kortizolin, ju do mund të bëni një gjumë më të rehatshëm.

Do të keni ekuilibër më të mirë dhe kocka të forta

Praktikimi i jogës ndihmon në ndërtimin e dendësisë së kockave dhe kyçeve të forta. Kjo ju ndihmon të bëheni më të vetëdijshëm për lëvizjet e trupit, duke ju dhënë më shumë kontroll mbi ekuilibrin dhe qëndrimin tuaj.

Largon dhimbjen tek gjunjët

Praktikmi i jogës ka treguar se ndihmon në përmirësimin e dhimbjeve të gjurit, veçanërisht tek njerëzit që vuajnë nga osteoartriti.

Përmirëson shëndetin e zemrës

Praktikimi i këtyre ushtrimeve, mund të ndihmojë në përmirësimin e indeksit të masës trupore, niveleve të presionit të gjakut dhe kolesterolit.

Lehtëson depresionin dhe ankthin

Joga ndihmon në luftimin e stresit, sepse ju meson shumë teknika relaksimi. Gjithashtu mund të ulë nivelet e kortizolit dhe të përmirësojë humorin tuaj, si pjesë e një plani trajtimi për depresionin.

Për të përfunduar, mund të thuhet me plot gojë se joga është më shumë sesa vetëm disa poza të bukura, ajo ju forcon fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht./AgroWeb.org

Ushqimet E Përditshme Që Ndihmojnë Shëndetin Mendor

Me përfundimin e pandemisë dhe rifillimin e jetës normale, ju mund të ndiheni edhe më të shqetësuar se sa ishit më parë.

Prandaj është shumë e rëndësishme të gjenden mënyra që na ndihmojnë me këto sfida të shëndetit mendor.

Një mënyrë e shkëlqyer për të mbështetur shëndetin tuaj mendor dhe për t’u ndier më mirë është regjimi ushqmor.

Ka ushqime që mund të dëmtojnë shëndetin mendor, ashtu siç ka edhe ushqime që e ndihmojnë atë.

AgroWeb.org në këtë artikull iu njeh me disa nga ushqimet që konsumohen në përditshmëri, të cilat mbështesin shëndetin tuaj mendor.

Vezët

Të filloni mëngjesin tuaj duke konsumuar vezë, mund të jetë gjithçka që ju nevojitet për tu ndjerë më mirë.

Të pasura me omega-3, zink, vitaminë B dhe jod, vezët jo vetëm që do t’iu ndihmojnë në ngritjen e humorit, por do t’ju mbajnë të ngopur për më gjatë. Vezët duhet të jenë pjesë e regjimit tuaj ushqimor për të mbështetur shëndetin mendor.

Barishtet

Barishtet jo vetëm që mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit tuaj të përgjithshëm, duke ulur kolesterolin, duke mbështetur shëndetin e kockave dhe duke ulur rrezikun e diabetit të tipit 2, por ato mund të luajnë një rol në përmirësimin e humorit tuaj.

Këto bimë janë një burim i fuqishëm i folatit, i cili ndihmon në prodhimin e dopaminës, kimikateve të trurit që iu bëjnë të ndiheni mirë.

Arrat

Nëse po kërkoni për meze të lehtë për të mbështetur shëndetin tuaj mendor, anashkaloni patatet e skuqura dhe në vend të tyre konsumoni disa arra.

Arrat përmbajnë selen, i cili ka treguar se ul nivelet e ankthit, depresionit dhe të lodhjes.

Produktet e detit

Edhe pse disi të nënvlerësuara, ushqimet e detit padyshim që janë të shkëlqyera për shëndetin mendor.

Për shembull një racion me goca deti, siguron 30% të konsumit të rekomanduar ditor të hekurit. Siguron mbi 300% të vitaminës B12 dhe mbi 600% të zinkut, thonë ekspertët. Dhe janë këto lëndë ushqyese që janë thelbësore për shëndetin e trurit dhe prodhimin neurotransmetuesëve./AgroWeb.org

Pse Është E Rëndësishme Të Pastroni Pjatalarësen – Zgjidhja Natyrale

Me të drejtë mund t’ju duket e tepërt të pastroni pjatalarësen, pasi ajo është projektuar për të larë enët.

Por e vërteta është është se edhe pjatalarësja ka nevojë të pastrohet herë pas here, veçanërisht nëse e përdorni shpesh.

Pse është e nevojshme të pastroni pjatalarësen?

Pjatalarëset largojnë mbetjet e ushqimit me ndihmën e ujit të nxehtë dhe detergjentit.

Por me kalimin e kohës, mbetjet e ushqimit mund të bllokojnë kalalet kulluese të ujit.

Për pasojë sasia e ujit që qarkullon gjatë cikleve të larjes dhe shpëlarjes është më e vogël.

Si përfundim, enët tuaja mund të mbesin pa u shpëlarë mirë dhe në to të ketë ende mbetje ushqimore.

Për këtë arsye këshillohet që ajo të pastrohet rregullisht.

Nëse e përdorni çdo ditë, AgroWeb.org ju këshillon që të pastroni filtrin e saj një herë në muaj.

Por nëse e përdorni rrallë edhe filtri mund të pastrohet më rrallë.

Në këtë mënyrë jo vetëm që pjatalarësja juaj do pastrohet në mënyrë efektive, por ju mund të zgjasni edhe jetën e pajisjes tuaj

Si të pastroni pjatalarësen në mënyrën e duhur?

Lajmi i mirë është se nuk është e vështirë të pastroni lavastoviljen tuaj dhe se të gjithë përbërësit për pastrimin e saj janë në kuzhinën tuaj!

Për këtë do t’ju duhet:

Uthull e bardhë e distiluar

Sodë buke

Peshqir

Sapun enesh

Pastroni tubin e shkarkimit të ujit

Filloni duke boshatisur pjatalarësen dhe gjeni ku ndodhet tubi i kullimit të ujit në lavastoviljen tuaj.

Më pas me anë të një peshqiri ose cope largoni mbetjet e ushqimit në kanalin kullues.

Një kullim i mirë do të rrisë efikasitetin e pastrimit dhe do të parandalojë dëmtimin e pjatalarëses në të armdhen.

Lani filtrin

Shumë pjatalarëse kanë filtra të lëvizshëm. Nëse nuk jeni të sigurt se ku gjenden filtrat tek pjatalarësja juaj, hidhini një sy manualit të pajisjes tuaj.

Lajeni filtrin në ujë të nxehtë me sapun. Inspektoni vendin ku vendoset filtri për copëza ushqimi ose mbeturina të tjera dhe largojini ato.

Bëni një cikël larjeje me uthull

Për këtë mbushni një filxhan me uthull të bardhë dhe hidheni në vendin e ilaçit të enëve. Përdorni ujë të nxehtë për të kryer këtë proces.

Uthulla e bardhë është një pastrues fantastik, që do të largojë aromën e keqe dhe dezinfektojë paisjen tuaj.

Bëni një cikël larjeje me sodë buke

Pasi të ketë përfunduar cikli me uthull, hidhni në vendin e ilaçit të enëve një filxhan me sodë buke. Vazhdoni duke vepruar njëjtë si me uthullën e bardhë.

Pastroni guarnicionin rreth derës

Guarnicioni i gomës rreth derës mund të ndotet nga përdorimi i përditshëm.

Për ta pastruar përdorni një peshqir dhe ujë të nxehtë me sapun për të larguar çdo papastërti.

Fshini pjesën e përparme

Me anë të një peshqiri të njomur me ujë të nxehtë dhe me sapun, pastroni pjesën e përparme të makinës.

Dhe nëse keni një makinë larëse enësh prej çeliku inox, përdorni pastruesin përkatës për t’i dhënë asaj më shumë  shkëlqim./AgroWeb.org

Pse vaksinat kundër COVID-19 kanë efekt të kufizuar?

Pas prezantimit të programit të vaksinimit masiv kundër COVID-19, u bë e qartë se efikasiteti i vaksinave nuk zgjat përgjithmonë.

Ndërkohë që diskutimet rreth dozave shtesë të vaksinave po vlojnë, ajo që dihet për kohëzgjatjen e imunitetit ndaj COVID-19, është ende duke u eksploruar.

Studimet imunologjike kanë dokumentuar një rënie të vazhdueshme të niveleve të antitrupave tek individët e vaksinuar.

Përcjellja afatgjate e pjesëmarrësve në provat e vaksinave, zbuloi një rrezik në rritje të të ashtuquajturave infeksione të përparuara dhe të dhënat shëndetësore nga vende të tilla si Izraeli, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera me një shkallë të lartë vaksinimi, tregojnë se vaksinat COVID-19 po humbasin fuqinë e tyre, të paktën kur bëhet fjalë për të luftuar përhapjen e infeksionit. Pse?

Në shembullin e vaksinës Pfizer, efektiviteti është më i fortë me 92.2 për qind, midis një jave dhe dy muaj pas marrjes së dozës së dytë. Me kalimin e kohës, efikasiteti bie për 6 për qind çdo dy muaj, sipas një studimi që përfshinte më shumë se 44,000 njerëz nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Pas katër deri në gjashtë muaj, efikasiteti vlerësohet në 84 për qind”, ka thënë shefi ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla ka transmetuar rrjeti televiziv amerikan CNBC.

“Kemi parë të dhënat nga Izraeli për rënien e imunitetit dhe statistikat që tregojnë rënie 100 për qind të mbrojtjes kundër shtrimeve në spital. Pas gjashtë muajsh, ajo bie në 90 deri në 80 për qind”, tha Bourla, duke shtuar se kompania është e bindur se doza e tretë do të rrisë përsëri imunitetin kundër variantit Delta.

Izraeli ka zbatuar programin më të shpejtë të vaksinimit në botë, që nga mesi i dhjetorit 2020. Gati 6 milionë nga gjithsej 9.3 milionë njerëz morën të paktën një dozë Pfizer, ndërsa gati 2.2 milionë morën një dozë të tretë në fund të gushtit. Por, në atë kohë filloi të regjistrohej një rritje e numrit të të infektuarve.
Si funksionojnë vaksinat?

Shumë shkencëtarë kanë thënë se nuk është e pazakontë që efikasiteti i vaksinave të bie me kalimin e kohës.

Në rastin e COVID-19, me kalimin e kohës është bërë e qartë që antitrupat që merren përmes vaksinimit më dobët i njohin variantet e virusit SARS-Cov-2 në krahasim me llojin fillestar që shkakton pandeminë.

Megjithatë, mbetet e paqartë se deri në çfarë mase dhe nëse mekanizmat mbrojtës të sistemit imunitar që mbrojnë njerëzit e vaksinuar nga format e rënda të sëmundjeve, shtrimi në spital dhe vdekja, bien gjithashtu.

“Gjërat po zbehen, por jo në mënyrë të barabartë”, thotë Nicole Doria-Rose, një imunologe në Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të Shteteve të Bashkuara në Bethesda, në shtetin e Merilendit, shkruan revista Nature.

“Antitrupat ‘neutralizues’ që mund t’i hasin viruset para se të infiltrojnë qelizat, mund të mos kenë fuqi të lartë të qëndrueshmërisë. Niveli i këtyre molekulave zakonisht rritet pas vaksinimit, dhe pastaj ulet me shpejtësi gjatë muajve të mëvonshëm. Kështu funksionojnë vaksinat”, thekson Doria-Rose.
Jetëgjatësia e përgjigjes së qelizave imunitare

Por, përgjigjet e imunitetit të qelizave janë afatgjata. Jennifer Gommerman, imunologe në Universitetin e Torontos në Kanada, shpjegon: “Imuniteti qelizor do t’ju mbrojë nga sëmundjet”.

Qelizat B të kujtesës, të cilat mund të aplikojnë shpejt më shumë antitrupa në rast të ekspozimit të përsëritur ndaj virusit, kanë tendencë të mbahen, përfshirë qelizat T, të cilat mund të sulmojnë qelizat tashmë të infektuara. Qelizat B dhe T sigurojnë një masë shtesë të mbrojtjes, nëse SARS-CoV-2 kalon përmes vijës së parë të mbrojtjes së trupit, shpjegon revista Nature.

Kur kërcënimi i infeksionit në trup kalon, përgjigja imune zvogëlohet – qelizat B dhe T nuk duhet të jenë më në gjendje gatishmërie dhe ato fillojnë të vdesin. Niveli i antitrupave, i cili është më së lehti për t’u matur, bie gjatë disa muajve derisa të rrafshohet.

Këto procese që ndodhin në trup janë normale, ka thënë për gazetën The Atlantic, Deepta Bhattacharya, një imunologe nga Universiteti i Arizonës.

“Në fillim keni një ngritje të madhe dhe më pas një rënie”, ka thënë Bhattacharya.

Arsyeja për këtë është se nëse organizmi nuk e zvogëlon përgjigjen imune ndaj ndonjë patogjeni që has dhe vazhdon të grumbullojë antitrupa, ai do të kishte shpërthyer prej kohësh.

Gjithashtu, përpjekja për të mbajtur një rezervuar kaq të madh të imunitetit do të “kërkonte shumë energji – madje as që di se ku t’i mbanit të gjitha ato qeliza”, thotë Marion Pepper, një imunologe në Universitetin e Uashingtonit.

Nivelet e antitrupave do të bien në muajt pas vaksinimit ose infeksionit, por kjo nuk do të thotë se ato do të bien në zero, tha Bhattacharya. Edhe pse shumica e qelizave B vdesin, disa mbeten në palcën e eshtrave dhe lëshojnë molekula që luftojnë në nivele më modeste viruset, por ende në nivele që mund të shënohen.
Memoria e qelizave imune

Edhe pse jeta e qelizave B me jetë të gjatë mund të ndryshojë, disa studime kanë sugjeruar se këto qeliza janë të afta të mbijetojnë për dekada si fabrika antitrupash. Qelizat e tjera imune, qelizat B të kujtesës, qarkullojnë në të gjithë trupin si agjentë të fjetur që janë gati të vazhdojnë të prodhojnë antitrupa sa herë që të jetë e nevojshme.

Të gjitha këto qeliza B mund të vazhdojnë të zgjerohen dhe të rrisin aftësinë e tyre për të shkatërruar virusin, me muaj pasi vaksina ose patogjeni largohet nga trupi, në një formë të përshpejtuar të zhvillimit të antitrupave.

“Cilësia e antitrupave në trup përmirësohet me kalimin e kohës”, ka theksuar Bhattacharya për gazetën The Atlantic. “Duhen shumë më pak prej tyre për t’ju mbrojtur”, ka theksuar ai.

Në një prej studimeve afatgjata, e cila ka shqyrtuar njëkohësisht tri shtylla të sistemit të imunitetit – antitrupat, qelizat B dhe qelizat T – studiuesit zbuluan se vaksinimi stimulon imunitetin qelizor të qëndrueshëm.

Numri i qelizave B të kujtesës vazhdon të rritet për të paktën gjashtë muaj dhe me kalimin e kohës ato bëhen më të mira në luftën kundër virusit. Numri i qelizave T mbetet relativisht i qëndrueshëm.

“Pra, ju keni këtë rezervë”, thotë John Wherry, një imunolog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Pensilvanisë Perelman në Filadelfia, i cili drejtoi studimin.

“Antitrupat qarkullues mund të jenë në rënie, por sistemi juaj i imunitetit është i aftë të bëhet gati për veprim përsëri shpejt”, ka thënë Wherry./Burimi: TopChannel

Marramendja Një Nga Shenjat E Hershme Të Demencës

Shumë njerëz mendojnë se shenjat e para të demencës janë harresa e detajeve të rëndësishme si datat dhe fakte specifike.

Por në realitet shumë nga veprimet e përditshme mund të jenë shenja paralajmëruese të zhvillimit të kësaj sëmundje neurodegjenerative.

Sipas një studimi në të cilin AgroWeb.org u mbështet, tregoi se edhe një lëvizje e thjeshtë si të çuarit në këmbë dhe mënyra se si ndiheni pas këtij veprimi, mund të jetë një shenjë e hershme e demencës.

Çfarë treogn studimi i fundit për demencën dhe shenjat e hershme?

Një studim i botuar në revistën “Neurology” (Neurologjia) në Tetor të 2020, eksploroi lidhjen e mundshme midis demencës dhe hipotensionit ortostatik.

Një gjendje që i bën njerëzit të ndjejnë marramendje kur ngrihen në këmbë për shkak të një rënieje të papritur të presionit të gjakut.

Studiuesit vunë re se tek pacientët ku presioni i gjakut ndryshoi më shumë me kalimin e kohës, rreziku për t’u prekur nga demenca ishtë më i lartë.

Megjithatë ata pranuan se ky studim ishte vetëm vëzhgues dhe nuk mund të përcaktonte një shkak dhe pasojë midis kësaj lidhjeje.

Ata arritën në përfundimin se gjetjet e tyre mund të sigurojnë një mjet të vlefshëm për monitorimin e sëmundjes, vlerësimin e rrezikut dhe përfundimisht parandalimin e zhvillimit të sëmundjes.

“Presioni i gjakut kur njerëzit ndryshojnë pozicion nga ulur në këmbë duhet të monitorohet,” tha Laure Rouch, autore e studimit nga Universiteti San Francisko, në Kaliforni.

“Është e mundur që monitorimi i rënieve të presionit të gjakut mund të jetë një mënyrë premtuese për të ndihmuar në ruajtjen e aftësisë së të menduarit dhe kujtesës, kur njerëzit plaken.”, shtoi në fund ajo.

Por ky nuk ishte studimi i parë që hulumtoi një lidhje të mundshme midis ndjesisë së marramendjes kur ngriheni në këmbë dhe zhvillimit të demencës.

Në një studim të vitit 2016, një ekip studiuesish nga Qendra Mjekësore Erasmus në Holandë, ndoqën afërsisht 6,000 pjesëmarrës për një mesatare prej 15 vitesh.

Rezultatet e tyre zbuluan se ata që kishin episode të përsëritura të presionit të ulët të gjakut dhe ndjenin marramendje gjatë ngritjes në këmbë kishin më shumë gjasa të zhvillonin demencë më vonë.

Studimi/ Pfizer 93% efektive në parandalimin e shtrimit të të rinjve në spital

Vaksina Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit ishte 93 për qind efektive në parandalimin e shtrimeve në spital te të rinjtë e moshës 12 deri në 18-vjeç, sipas analizave të publikuara sot nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Studimi u krye në periudhën qershor-shtator, kur ishte i pranishëm një variant delta jashtëzakonisht ngjitës i koronavirusit, raporton Reuters.

Sidoqoftë, të dhënat nga 19 spitale treguan se midis 179 pacientëve të shtruar për koronavirus, deri në 97 për qind ishin të pa vaksinuar, që është një konfirmim tjetër i efektivitetit të vaksinës.

Raporti i CDC bazohet në studimet e kryera nga kompania për këto grup-mosha, të cilat treguan një përgjigje të lartë imune ndaj koronavirusit, por të cilat nuk ishin krijuar për të treguar efikasitet kundër shtrimit në spital. Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim te fëmijët mbi 12-vjeç, dhe kompania po kërkon miratimin për përdorim të vaksinës edhe te fëmijët e moshës mbi pesë vjeç.

Një panel ekspertësh nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave pritet të rishikojë të dhënat mbi përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët e vegjël më vonë këtë muaj. “Të dhënat e CDC përforcojnë rëndësinë e vaksinimit për të mbrojtur të rinjtë amerikanë nga koronavirusi,” thuhet në studim./Burimi:Topchannel

Si Të Pastroni Veshët Nga Dylli Në Disa Hapa Të Thjeshtë Natyralë


Dylli që akumulohet në vesh shërben si një lubrifikant natyral por edhe për të mbrojtur veshin nga mikro organizmat që synojnë të futen brenda.

Dylli përbëhet nga yndyra dhe qeliza të vdekura të cilat së bashku mbrojnë veshët nga infeksionet.

Megjithatë, ekspertët rekomandojnë pastrimin e rregullt të veshëve sepse akumulimi i tepërt i dyllit mund të bllokojë dëgjimin.

Nga ana tjetër, ekspertët janë kategorikisht kundër përdorimit të kunjave, karficave apo sendeve të tjera të mprehta për heqjen e dyllit.

Madje ata nuk rekomandojnë as kunjat me pambuk pasi mund ta shtyjnë më shumë dyllin.

Më poshtë, do të gjeni të renditura nga AgroWeb.org, disa këshilla natyrale për pastrimin e veshëve nga dylli i tepërt.

Uji i Oksigjenuar

Ky solucion natyral ndihmon në eliminimin e dyllit të tepërt pa rrezikuar kanalin e veshit.

Ai pakëson bakteret dhe e mban veshin të pastër.

Përzieni sasi të barabarta të ujit natyral dhe ujit të oksigjenuar dhe përdorni një pipëz për të hedhur në secilin vesh 2-3 pika nga ky solucion.

Glicerina

Glicerina është e shkëlqyer për të zgjidhur problemet me veshin.

Ajo zbut dyllin dhe e pastron veshin.

Ju mund të hidhni në secilin vesh disa pika glicerinë të lëngshme dhe ta mbani kokën mënjanë për 3 minuta.

Kjo procedurë duhet bërë një herë në javë.

Uthulla e Mollës

Përveç pastrimit të veshëve nga dylli, uthulla e mollës ndihmon edhe në rregullimin e pehashit të veshit.

Pëzieni sasi të barabarta të uthullës dhe ujit të vakët dhe më pas me një pipëz hidhni disa pika në secilin vesh dhe mbajeni kokën mënjanë për 3 minuta.

Kjo kurë duhet përsëritur një herë në muaj./AgroWeb.org

Ushqimet Të Cilat Bëhen Të Dëmshme Nëse e Teproni


Maturia në ushqyerje është një faktor i rëndësishëm për shëndetin e mirë.

Nëna Natyrë na ka dhuruar një sërë burimesh të shëndetshme ushqimore, e megjithatë edhe ato e kanë një kleçkë.

Sado i mirë e i shëndetshëm të jetë një ushqim, nëse njeriu e tepron, ai bëhet i dëmshëm.

Po të lexoni më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për ushqimet e mira me të cilat nuk duhet ta teproni për të mirën e shëndetit tuaj.

Avokado

Avokado është një burim i shkëlqyer i yndyrnave të shëndetshme mono-të-pangopura.

Këto yndyrna përmirësojnë shëndetin e lëkurës por edhe ndihmojnë në uljen e kolesterolit.

Nga ana tjetër, konsumi i tepërt i yndyrnave të tilla nuk është një ide e mirë, për vetë faktin se në avokado ofron shumë kalori, plot 250 për copë.

Arrorët

Arrorët janë një burim i shkëlqyer i yndyrnave të shëndetshme dhe i bëjnë mirë zemrës.

Megjithatë, arrorët kanë 80 përqind yndyrë plus shumë kalori.

Ngrënia e sasive jo të tepruara të arrorëve është plotësisht e rekomanduar, por nëse hani me grushta nuk do ju bëjnë mirë. Ato nxisin dhimbje koke dhe plogështi.

Peshku Ton i Konservuar

Ky peshk përmban shumë proteina dhe acide yndyrore omega-3 që janë shumë të rëndësishme për shëndetin.

Megjithatë, nëse ju e teproni me peshkun ton atëherë do të keni në organizëm sasi të mëdha mërkuri që është i rrezikshëm për shëndetin.

Djathi

Djathi, bashkë me produkte të tjera të bulmetit, është një burim i mirë i kalçiumit dhe proteinës.

Këto të dyja janë të domosdoshme për kockat dhe zemrën.

Por nëse ju e teproni me djathin, sidomos atë të picës që shkrihet e është plot yndyrë, mos prisni të keni përfitime prej tij.

Zgjidhni gjithmonë djathëra që kanë pak kripë dhe yndyrë.

Mishi i Kuq Dhe I Pulës

Mishi në përgjithësi është një burim i shijshëm proteine që na ndihmon për rritjen e kockave dhe muskujve. Por mishi i kuq ka shumë yndyrë dhe mund të nxisë sëmundjet kardiovaskulare.

Mishi i kuq duhet ngrënë jo më shumë se dy herë në javë.

Mish i pulës është i shëndetshëm, por vetëm nëse e merrni nga  një fermer i besuar.

Prodhimet industriale të mishit të pulës janë të mbushura me antibiotikë që janë të dëmshëm për njeriun.

Patatet

Patatet, përfshirë këtu ato të ëmblat, janë padyshim të shijshme dhe me vlera.

Ama, nga ana tjetër ato kanë shumë kalori dhe karbohidrate që nëse e teproni bëhen të dëmshme për shëndetin.

E njëjta gjë vlen edhe për karrotat dhe panxharin të cilat përveç se kanë shumë karbohidrate kanë edhe sheqerna që ndikojnë tek niveli i sheqerit në gjak./AgroWeb.org

Përgatisni Qoftet E Shijshme Të Korçës Vetë në Shtëpi


Janë të famshme kërnackat e Korçës. Tradita e tyre është e lashtë sa vet qyteti i bukur i juglindjes së Shqipërisë.

Të shijshme, të ngrohta, të sapo pjekura në zgarë aroma e tyre është e pamundur të mos ndjellë shijen për t’i konsumuar menjëherë.

Receta e kërnackave është trashëguar brez pas brezi nga amvisat nikoqire korçare duke e shndërruar këtë gatim në një ndër më të preferuarit e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Nuk ka turist të huaj që të vizitojë Shqipërinë e të mos provojë shijen fantastike tradicionale të kërnackave.

Sot, falë famës dhe shijes së tyre kërnacat e Korçës shërbehen në lolake tipike, të hapura me produkte të zgarës ku padyshim specialiteti kryesor i ofruar janë pikërisht qoftet tipike korçare.

Pavarësisht se gjenden lehtësisht në çdo cep sidomos të qyteteve të mëdha, të përgatitura në shtëpi nën kujdesin e amvisave shqiptare aroma e tyre mbush gjithë shtëpinë me dëshirën për t’i shijuar.

Shoqërohen në mënyrë fantastike me sallata të ndryshme, salcë kosi të freskët, sallatë me ullinj, sallata të ndryshme të stinës por edhe me patate apo perime të pjekura në zgarë gjithashtu ose furrë.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të përgatitjes së kërnackave të Korçës krejt lehtë dhe plot shije në shtëpi.

Përgatitja e Kërnackave në Shtëpi

Përbërësit

1 kg mish viçi

5 kokrra qepë mesatare të grira hollë

3 kokrra vezë

200 gr bukë të njomur

Rigon

Piper i zi

Kripë sipas dëshirës

Majdanoz

Përgatitja

Të gjithë përbërësit përzihen në një masë të vetme e cila përpunohet me dorë derisa të jetë homogjene.

Lihet për dy orë që të marinohet.

Nga masa e përgatitur merren porcione të cilave u jepet  një formë e gjatë 10 deri në 12 centimetra.

Piqen në zgarë me qymyr ose në mungesë të saj futen në furrë të spërkatura me vaj.

Nga kjo masë përgatiten rreth 30-40 kërnacka.

Shërbehen me pjatanca ovale dhe me sallata të ndryshme dhe qepë të grira hollë fare sipër tyre si dhe erza./AgroWeb.org

Kur Nuk Duhet Konsumuar Hudhra – Rastet Problematike Për Shëndetin


Hudhra është shumë më tepër se një barishte që përdoret për garniturë.

Ajo është e pasur me shumë ushqyes të shëndetshëm që mirëmbajnë shëndetin e njeriut.

Ngrënia e hudhrës së freskët mund të përmirësojë shëndetin, mund të shmangë disa sëmundje, por nëse futeni në kategoritë e mëposhtme të listuara nga AgroWeb.org mund të bëhet problematike.

Njerëzit Që Nuk Duhet Të Hanë Hudhër

Njerëzit Që Vuajnë Nga Mëlçia

Hudhra lufton bakteret dhe virozat.

Kjo aftësi i shtyn njerëzit që të hanë më shumë për të parandaluar hepatitin.

Megjithatë, hudhra nuk rekomandohet kundër hepatitit.

Për më tepër ajo stimulon stomakut dhe zorrët dhe ul sasinë e acidit gastrik në sistemin tretës duke ndikuar edhe tek tretja.

Nëse keni simptoma të rënda, hudhra do t’i përkeqësojë ato.

Njerëzit Që Vuajnë Nga Diarea Jo-Bakteriale

Nëse njerëzit që vuajnë nga diarea hanë hudhër të freskët, ajo do të stimulojë zorrët dhe do të përkeqësojë edemën në to duke e përkeqësuar situatën.

Ndaj nëse jeni të prekur nga diarea, kini kujdes me hudhrën.

Pacientët Që Do T’i Nënshtrohen Një Ndërhyrjeje Kirurgjikale

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, njerëzit që do të bëhen operacion duhet të ndalojnë së ngrëni hudhër për të paktën 2 javë përpara ndërhyrjes sepse mund të përkeqësojë gjakderdhjen.

Gratë Shtatzëna Dhe Ato Lehonë

Nëse hudhra konsumohet në sasi normale, ajo konsiderohet e sigurtë gjatë shtatzanisë.

Megjithatë nëse përdoret për kura mjekësore të caktuara dhe në sasi të mëdha, hudhra nuk rekomandohet as për gratë shtatzëna as për ato lehonë.

Njerëzit Që Vuajnë Nga Tensioni I Ulët I Gjakut

Hudhra e ul tensionin e gjakut.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org ulja e tensionit është aq e ndjeshme sa mund të përkeqësojë shëndetin e njerëzve që vuajnë nga ky problem.

Njerëzit Që Kanë Probleme Me Sytë

Njerëzit që kanë probleme me sytë nuk duhet të hanë hudhër.

Konsumi afatgjatë i hudhrës dëmton sytë, sidomos tek njerëzit që kanë tashmë një problem të tillë.

Hudhra nxit gjakderdhjen dhe mund të rrisë rrezikun e humbjes së shikimit./AgroWeb.org

Sekretet e Gatimit Perfekt të Sarmës Me Lakër Të Bardhë


Sarma është një specialitet fantastik dhe i hershëm i amvisave shqiptare dhe atyre të Ballkanit që trashëgohet dhe pasurohet brez pas brezi.

Sarma me lakër është padyshim një gatim që ndez të gjitha shqisat e shijes dhe dëshirës.

Gatimi i saj tingëllon shumë i lehtë. Fundja, çfarë mund të ketë kaq të vështirë se të mbushësh një fletë lakër me mish e oriz?

Kjo ide është e gabuar.

Gatimi i sarmës kërkon durim dhe kohë.

Amvisat që janë lexuese besnike të AgroWeb.org kanë ndarë me ne sekretet e thjeshta të gatimit të sarmës.

Sipas tyre, gatimi perfekt i sarmës ka dy elementë bazë të cilët duhen respektuar me fanatizëm.

Sekreti i parë qëndron tek përzierja e mishit, orizit dhe erëzave për të paktën 10 minuta.

Përzierja duhet bërë me duar dhe ky minutazh është i domosdoshëm që të gjithë përbërësit të marinohen me njëri tjetrin dhe të përthithin veçoritë e më të mirat e njëri tjetrit.

Sekreti i dytë është zierja.

Zierja e lakrës duhet bërë në zjarr të ngadaltë.

Ndoshta është kjo arsyeja që amvisat thonë se sarma nuk është një gatim që mund ta nisësh në orën 10 të mëngjesit e ta përfundosh në mesditë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni recetën më të mirë të sarmës me lakër të bardhë.

Përbërësit:

1 lakër mesatare

1 kg mish viçi i grirë

4-5 kokrra qepë mesatare

1 filxhan çaji oriz

Gjysëm luge gjelle me kripë

Një lugë çaji piper të zi pluhur

Një lugë gjelle gjalpë pa kripë

Një lugë gjelle me salcë domate.

4-5 lugë vaj ulliri

Përgatitja:

Grijmë qepët hollë.

Mishin e grirë e hedhim në një tas të thellë.

Lajmë orizin, e kullojmë dhe e shtojmë tek mishi.

Hedhim piperin, qepën e grirë shumë hollë, kripën dhe vajin e ullirit.

I përziejmë me dorë për 10 minuta,

Ndërkohë vendosim lakrën e plotë në një tenxhere me ujë dhe pak kripë të marrë një valë sa të zbuten gjethet e lakrës.

Pasi të jenë zbutur i ndajmë një e nga një ndërsa kërcellin e hedhim.

Fletët e lakrës i shpëlajmë me ujë të ftohtë dhe i vendosim në një kullesë.

Ndajmë 4-5 fletë mënjanë.

Pastaj marrim një fletë lakër dhe hedhim nga një lugë gjelle me mbushje

E mbështjellim dhe i vendosim në një tas të thellë.

Pastaj marrin një tenxhere të madhe, hedhim pak vaj vegjetal dhe sipër vendosim disa gjethe lakre.

Sipër tyre vendosim sarmat një e nga një deri sa të mbushet tenxherja.

Të gjithë sarmat i mbulojmë me gjethe të plota lakre.

Sipër tyre hedhim dy lugë vaj ulliri.

Vendoseni tenxheren në zjarr pa shtuar ujë.

Ndërkohë sapo të marrë valë lëngu i lëshuar nga lakra, ulim temperaturën.

Sarmat duhen zier në zjarr të ngadaltë për deri në dy orë.

Herë pas here fusim lugën e drurit në anët e tenxheres  për të kontrolluar nëse lakra është ngjitur në tenxhere.

Në një tigan, hedhim një lugë salcë domateje dhe një lugë gjalpë të butë pa kripë.

I kavërdisim lehtë dhe shtojmë një gotë me ujë dhe pak kripë.

Të gjithë masën e hedhim sipër sarmave, duke u siguruar që të gjitha anët e sarmave janë të spërkatura me ujin me salcë.

Sarma duhet zier deri sa i gjithë uji të avullojë në zjarr të ngadaltë.

Më pas atë mund ta servirni të ngrohtë.

Nëse ju mbetet sarmë për të nesërmen, ngroheni në tigan duke hedhur dy-tre lugë gjelle me ujë të pijshëm./AgroWeb.org

Byreçka Shtëpie – Nga Duart e Amvisave Shqiptare


Lagjet e Shqipërisë kanë një gjë të përbashkët: byrektoret.

Secili prej jush mund të betohet që byrektorja e lagjes së vet është më e mira, por kur vjen puna tek byreçkat, fitorja i shkon amvisave duararta që i gatuajnë byreçkat në shtëpi e me shumë dashuri.

Byreçkat nuk janë kurrë të mërzitshme. Ato konsumohen në mëngjes ose në vaktet mes mëngjesit dhe drekës.

Byreçkat janë të larmishme sepse mund të mbushen me perime, kërpudha, gjizë, djathë, mish të grirë, qepë e domate, spinaq apo presh.

Më poshtë do të gjeni recetën e një prej lexueseve të AgroWeb.org për gatimin e byreçkave.

Për mbushjen AgroWeb.org sugjeron më poshtë dy receta me mbushje spinaqi dhe qepë me domate.

Përbërësit për 10 byreçka

Gjysmë kg miell të bardhë

Gjysmë luge gjelle me kripë

Një filxhan çaji ose më shumë për përgatitjen e brumit

Dy lugë vaj luledielli

Mbushja nr 1

1 kilogram spinaq

2 kokrra qepë të njoma

2 kokrra vezë

Pak djathë

Mbushja nr 2

4 kokrra qepë

4 kokrra domate

Kripë dhe piper

Përgatitja

Ndizeni furrën në 190 gradë C

Merrni një tas dhe përzieni miellin dhe kripën.

Hidheni ujin ngadalë dhe punojeni brumin me duar.

Sasia e ujit varet nga brumi ndaj mund ta rregulloni masën ndërkohë që punoni brumin.

Shtoni vajin dhe punojeni sërish me duar.

Lëreni brumin të vijë për 10-15 minuta duke e mbuluar me një pecetë të pastër.

Në një tas tjetër përgatisni mbushjen e përzgjedhur duke i përzier të gjithë përbërësit e sugjeruar më lart.

Pasi të ketë ardhur brumi, bëni kuleçë të vegjël të cilët më pas mund t’i hapni me okllai.

Secili kulaç mund të ndahet në katër pjesë drejtkëndore të cilat mund t’i prini në shirita të gjatë.

Shiritat prej brumi mund t’i mbushni një e nga një me nga një lugë gjelle nga mbushja e përzgjedhur dhe t’i mbështillni duke i dhënë formën e trekëndëshit.

Byreçkat vendosini në një tepsi të cilën më parë e keni lyer me vaj.

Byreçkat mund t’i lyeni në sipërfaqe me pak gjalpë dhe t’i fusni në furrë.

Pjekja e tyre zgjat 30 minuta ose derisa të marrin një ngjyrë të artë.

Byreçkat serviren të ngrohtë dhe duke u shoqëruar me kos./AgroWeb.org 

Për Forcimin e Kujtesës – Produktet që ju Duhen Çdo Ditë


Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni se i keni të vëna?

Kujtesa e dobët është një problem që prek miliona njerëz në botë dhe që në përdtishmëri mund të jetë me të vërtetë një kokëçarje.

Problemet me kujtesën janë gjithnjë e në rritje me kalimin e moshës.

Ato ndikohen dhe nxiten nga problemet me gjumin, stresin, depresioni, mungesa e vitaminës B, tiroidja, alkoli, duhanpirja dhe ilaçet.

Në raste më të rënda, kujtesa e varfër nxitet edhe nga skleroza apo sëmundja e Alzheimerit.

Ky artikull i AgroWeb.org trajton probleme më të thjeshta me kujtesën që nuk kanë të bëjnë me sëmundjet e lartpërmendura.

Sëmundjet e rënda te kujtesës, kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor dhe jo thjesht kura natyrale që mund të përgatiten në shtëpi.

Më poshtë do të zbuloni ushqimet që ju nevojiten për një mendje në formë.

Bajamet për kujtesë të mirë 

Bajamet përmirësojnë kujtesën dhe fuqinë e trurit.

Ato janë të pasura me antioksidantë dhe acide yndyrore Omega-3  të cilat janë fantastike për kujtesën dhe për shëndetin e syve.

Zhysni 5-10 bajame në ujë dhe të nesërmen grijini në mikser pa lëkurë.

Masën e përftuar ziejeni duke e bashkuar me një gotë qumësht.

Shtoni mjaltë dhe pijeni çdo ditë për 30-40 ditë.

Rozmarina  për kujtesë të mirë 

Kjo bimë fantastike është ideale për kujtesën dhe për trurin.

Ziejeni një tufë rozmarinë në ujë për pesë minuta. Kullojeni lëngun dhe shtoni mjaltë.

Pijeni çdo ditë për 3-4 javë.

Ju mund të përdorni edhe vaj esencial rozmarine duke e nuhatur çdo ditë.

Vaji i peshkut

Suplementët me vaj peshku përmirësojnë kujtesën dhe funksionet e trurit.

Acidet yndyrore tek vaji i peshkut parandalojnë formimin e pllakave të trurit që kanë lidhje me sëmundjen e Alzheimerit.

Merrni 600 mg vaj peshku çdo ditë.

Ushqehuni rregullisht sa të keni munduesi me salmon, sardele, harengë dhe skumbri.

Frutat e pyllit

Frutat e pyllit siç janë boronicat, qershitë dhe manaferrat janë një burim i shkëlqyer flavonoidësh që përmirësojnë funksionin e trurit dhe kujtesën.

Konsumojini ato rregullisht që të merrni vlerat më të mira.

Ndër ushqimet e tjera më të mira për shëndetin e trurit, sipas të dhënave të AgroWeb.org janë avokado, panxhari, lëngu i kockave të mishit, brokoli, selinoja, vaji i arrës së kokosit dhe çokollata e zezë./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Lakra e Kuqe – Tri Herë Më Me Vlerë Se e Bardha


I thonë Lakra e Kuqe, por në të vërtetë ngjyra e saj është një vjollcë e thellë e ndezur, shija e së cilës të befason qiellzën.

Lakra e kuqe është pjesë e tryezës sonë, jo vetëm për festa. Nëse mendoni që lakra e kuqe me lakrën e bardhë ndryshojnë vetëm nga ngjyra, ta dini se gaboheni rëndë.

Lakra e kuqe është nga ato perime që është e shijshme kur hahet e gjallë ose e gatuar.

Lakrën e kuqe mund ta hamë në sallata, mund ta gatuajmë më avull apo ta përziejmë në një pjatë me perime të tjera.

Fibra që gjendet tek lakra e kuqe njihet për punën e shkëlqyer në parandalimin e konstipacionit dhe rregullimin e sistemit tretës.

Lexoni më poshtë nga AgroWeb.org, listën e përfitimeve fantastike që merrni nga lakra e kuqe, e cila kultivohet me sukses në shumë rajone të Shqipërisë.

Lakra e kuqe apo Lakra e bardhë?

Të dyja lakrat janë të mira për shëndetin e njeriut, por lakra e kuqe është më e fuqishme në aspektin shëndetësor.

Lakra e kuqe përmban 85% të dozës ditore të vitaminës C, ndërsa lakra e bardhë ka vetëm 47 përqind.

Besoje ose jo, lakra e kuqe ka më shumë Vitaminë C se sa portokallet.

Për më tepër, lakra e kuqe është nga ato të pakta perime me nivelin më të ulët të mbetjeve të pesticideve në lëkurën e saj.

Lakra e kuqe ka 10 herë më shumë vitaminë A se lakra e bardhë. Kjo e fundit ka dy herë më shumë vitaminë K se sa lakra e kuqe.

Kur vjen puna tek hekuri, lakra e kuqe ka dyfishin në krahasim me lakrën e bardhë. Sa i përket antioksidantëve, lakra e kuqe është triumfatore dhe superiore.

Fuqi shtesë për sistemin imunitar

Lakra e kuqe është e pasur me vitaminën C, një antioksidant i rëndësishëm për sistemin tonë imunitar.

Ajo stimulon qelizat e bardha duke krijuar një sistem të fortë mbrojtës në organizmin tonë.

Sistemi imunitar është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj raportit të oksidantëve dhe antioksidantëve, duke qenë se prodhimi i pakontrolluar i radikaleve të lira, mund të dëmtojë sistemet e mbrojtjes.

Radikalet e lira prodhohen në trup dhe dëmtojnë qelizat. Antioksidantët janë mekanizmat më të mirë mbrojtjes dhe përzënë nga trupi të gjithë qelizat e dëmshme.

Lakra e kuqe ka aq shumë vitamin C sa që është një nga ushqimet me nivel më të lartë antioksidantësh në të gjithë zinxhirin ushqimor.

Lufton inflamacionet dhe artritin

Lakra e kuqe ka elementë të rëndësishëm që luftojnë inflamacionin. Shkencëtarët kanë provuar që konsumimi i lakrës së kuqe ka një efekt pozitiv në reduktimin e enjtjeve.

Inflamacioni mund të shkaktojë dhimbje dhe ënjtje në kyce dhe gjymtyrë, ndaj një dietë e pasur me fruta dhe perime përfshirë lakrën e kuqe është e nevojshme.

Ushqime të tilla anti inflamatore janë kura më natyrale në betejën kundër artritit dhe komplikacioneve që vijnë prej tij.

Ul rrezikun e osteoporozës, sëmundjes së kockave

Lakra e kuqe është e pasur me vitaminën K. A e dinit që vitamina K rrit masën e një proteine specifike të nevojshme për ruajtjen e kalciumit në kocka, duke ulur kështu rrezikun e osteoporozës?

Disa studime mbi përfitimet e vitaminës K kanë zbuluar që marrja në sasi të mëdha të kësaj vitamine ndalon gërryerjen e kockave tek njerëzit që janë të diagnostikuar me osteoporozë.

Masa kockore e njeriut formohet gjatë njëzet viteve të para të njeriut. Ajo vazhdon të qëndrojë e plotë në mënyrë konstante deri në moshën 40 vjecare.

Masa kockore tek gratë reduktohet pas menopauzës dhe vazhdon të bjerë ndjeshëm deri në moshën 70 vjecare. Ky proces rrit rrezikun e frakturave të kockave.

Prandaj kockat duhen ruajtur me kujdes dhe vitamina K është e nevojshme për të vonuar dhe parandaluar gërryerjen e kockave.

Lufton sëmundjet kronike

Sëmundjet kronike si Alzherimeri, Huntington, Parkinson etj prekin 45 milionë njerëz në botën duke dëmtuar qelizat e trurit në mënyrë progresive deri në shkatërrrimin e tyre.

Lakra e kuqe ka antioksidantë të pasur që parandalojnë ose kthejnë mbrapsht dëmtimet në ADN.

Mbron stomakun

Ushqimet probiotike i japin sistemit tonë tretës një dozë të mirë bakteresh të nevojshme. Këto baktere krijohen në kombinimin e duhur të lakrës së kuqe, kripës dhe gjatë procesit të fermentimit./AgroWeb.org

Si Ta Përdorni Uthullën e Mollës Për Çlirimin e Shpejtë Nga Gripi


Stina e vjeshtës dhe dimrit përkon me fillimin e episodeve të vazhdueshme të gripit, virozave, të ftohurës, infeksioneve e bajameve të acaruara.

Në shumicën e rasteve, kurat për trajtimin e këtyre problemeve shëndetësore janë farmaceutike, ku mund të përmendim antibiotikët apo medikamentet e ndryshme që pihen në formë çaji.

Këto të fundit përbëjnë alternativa të shpejta që gjenden lehtë e që mund të zbusin simptomat e këtyre problemeve.

Megjithatë, nganjëherë, zgjidhja për këto probleme qëndron në kuzhinë.

Një prej produkteve më të mira kundër temperaturës së lartë, gripit e infeksioneve është uthulla, vlerat e së cilës përshkruhen qartë në këtë artikull të AgroWeb.org

Shurup Për Kollën

Përzieni sasi të barabarta të mjaltit dhe uthullës së mollës.

Konsumojeni herë pas here dhe do të vëreni se si aroma e të dy përbërësve do të zhbllokojë rrugët e frymëmarrjes dhe do të shpërbëjë sekrecionet.

Uthullën e mollës mund ta përzjeni edhe me ujë në sasi të barabarta e të konsumoni nga një lugë gjelle 3-4 herë në ditë.

Kundër Urthit

Në një gotë uji të mbushur plot hidhni një lugë çaji me uthull molle dhe pijeni para ose gjatë një vakti.

Uthulla ndalon stomakun të prodhojë aciditet të tepërt dhe sjell ekuilibrin e duhur në sistemin tretës.

Uthulla Ul Temperaturën

Nëse prekeni nga temperatura e lartë mos hezitoni të përdorni uthullën, pavarësisht aromës së ndezur të saj.

AgroWeb.org rekomandon kompresat në ballë me uthull molle.

Nëse aroma mund t’ju duket e rëndë, mund ta holloni me ujë.

Një tjetër mënyrë është si më poshtë:

Në një legen hidhni një gotë uji me uthull dhe dy gota të njëjta me ujë.

Merrni një palë çorape të trasha, mundësisht nga ato që zgjaten deri tek gjuri dhe futini në legen.

Pasi të jenë lagur mirë, shtrydhini dhe vishini.

Këmbët mbështillini me qese plastike dhe mbajini për 10-15 minuta.

Këtë trajtim krejtësisht natyral mund ta përsërisni disa herë sepse uthulla ul temperaturën duke përthithur nxehtësinë nga këmbët./AgroWeb.org

Efektet e pandemisë – 40% më shumë shtrime në psikiatri

Situata shëndetësore e krijuar nga pandemia e Covid-19 ka ndikuar edhe për 2021 në treguesit e shërbimit spitalor publik.

Sipas raportit të monitorimit të Ministrisë të Shëndetësisë në spitalet shtetërore, për periudhën janar-prill 2021, janë trajtuar 11% më pak pacientë me sëmundje të ndryshme se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në total, në spitalet publike, numri i pacientëve të shtruar për këtë periudhë është 73,556 nga 82,790 pacientë të shtruar në 2020.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë, për 4-mujorin e parë të 2021, shtrimet e pacientëve në spitale janë ulur 11%. Rënien më të lartë e kanë rastet e trajtuara nga urgjencat mjekësore. Në 2020 në urgjencat mjekësore u trajtuan 264,055 pacientë nga 50,462 pacientë që janë trajtuar për janar-prill 2021. Për pacientët e trajtuar në kardiokirurgji, shtrimet këtë vit janë ulur 5%, krahasuar me janar-prillin e 2020. Në raport me 2020, për këtë vit ka pasur rritje të pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike me 40%.

Arjana Rreli, psikiatre, tha se në shërbimin ambulator ku trajtohen rastet e lehta, sic është ankthi, janë shtuar rastet pas tërmetit të 26 nëntorit. Një tjetër faktor shtesë që ka ndikuar në shtimin e rasteve është dhe pandemia.

Në 2020, grupi i të sëmurëve që u penalizuan më shumë ishte ai i pacientëve me probleme onkologjike, të cilët nuk mundën të merrnin trajtimin sipas grafikëve. Mjekët onkologë pohuan se vjet pati një rritje të stadeve të avancuara të sëmundjeve tumoriale, pasi dallimi i hershëm u pengua nga frika e pacientëve për infektimet me Covid-19.

Silvana Çeliku, shefe e shërbimit të Onkologjisë në QSUT, tha për “Monitor” se edhe për 2021 vazhdojnë të vijnë pacientë në stade të avancuara të sëmundjes, për shkak të diagnostikimit me vonesë nga frika e infektimit me Covid-19.

“Shërbimi Onkologjik, pavarësisht pandemisë të Covid-19 ka vazhduar punën me të njëjtin ritëm. Një fakt tjetër jo i mirë është ardhja me vonesë e rasteve të para, të cilat nga frika e virusit paraqiten tek ne në stade më të avancuara gjë që rrezikon shumë jetën e tyre dhe vështirëson mjaft trajtimin e sëmundjes”, nënvizon znj. Çelniku.

Për këtë vit, kontrollet e grave për kancerin në qafën e mitrës janë rritur 88%, sipas raportit të monitorimit të Ministrisë të Shëndetësisë. Për janar-prill të 2021 janë kryer 2,686 depistime (ekzaminim për të kapur në kohë sëmundjen) me kancerin në qafën e mitrës nga 320 që ishin në 2020. Rritje ka pasur edhe për pacientët që ndjekin kimioterapinë. Nga 6,635 pacientë të trajtuar me radioterapi në janar-prill të 2020, këtë vit janë 7,597 pacientë, apo 13% më shumë.

Sipas drejtueses së Shërbimit Onkologjik në QSUT, depistimi bëhet për të kapur herët ose për të parandaluar një sëmundje. Depistimi i kancerit në qafën e mitrës kryhet nga Shërbimi Parësor. “Pra ne bëjmë fushata depistimi në popullata të shëndosha, me paptest apo mamografi në mënyrë që të zbulojmë ato gra që janë të sëmura, por në faza fillestare, si dhe të identifikojmë ato që kanë mundësi zhvillimi të sëmundjes në të ardhmen. Pra nëpërmjet depistimit zbulon dhe parandalon sëmundjen”, tha onkologia Silvana Çelniku.

Në 2020, për shkak të pandemisë në Qendrën Spitale Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) u kufizuan ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara, ndërsa nuk e ndërprenë ndërhyrjet kirurgjikale për rastet e shfaqura me komplikacione.  Në 2020, në total shtrimet në spitale ranë 29% krahasuar me 2019.

Lidhur me trajtimin e pacientëve me barna të listës së rimbursueshme në 2021 krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një rritje rreth 1% e ndikuar nga trajtimet e rimbursimit për të infektuarit me Covid-19. /Burimi:Monitor