A është Bio? A ke përdorur pesticide? Se mos është OMGJ?! S’po dimë më ç’po hamë! Për të githë shqiptarët skeptikë që nuk u besojnë betimeve të rrufeshme të tregëtarëve se ajo që po shesin është BIO, AgroWeb ju njofton se së shpejti në parlament do të miratohet ligji për prodhimin biologjik (bio) në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Projektligji “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre” ka mbërritur në parlament dhe pritet të diskutohet në komisionet parlamentare si edhe me grupet e interesit.

AgroWeb ka mundur të sigurojë relacionin përkatës, që shpjegon risitë e këtij ligji dhe çdo të thotë ai për fermerët dhe konsumatorin.

Burime nga Ministria e Bujqësisë bënë të ditur për AgroWeb se grupi i punës që ka hartuar ligjin është konsultuar gjerësisht me ekspertë nga CIAM - Itali, si edhe është konsultuar edhe me ekspertë të Komisionit Evropian.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti pohoi se “Ligji i ri krijon qartësi, së pari se çfarë quhet prodhim bio dhe së dyti si shkohet tek prodhimi bio, që nga fidanët që nuk duhet të jenë të modifikuar gjenetikisht, inputet që nuk duhet të jenë kimike, por vetëm plehu organik e deri tek ambalazhimi e paketimi.

Për t’u futur në tregje brenda apo jashtë vendit, kërkohet një çertifikim i saktë dhe rigoroz i procesit të prodhimit biologjik, thotë Ministri Panariti, por avantazhi është që një prodhim biologjik mund të shitet 4 apo 5 herë më shtrenjtë se një prodhim i zakonshmëm. Për këtë tregjet janë të garantuara, madje ne nuk kemi kapacitete për të mbuluar kërkesat e tregut”, shton ai.

Ministri i Bujqësisë garanton se për të gjitha ato ferma që do të futen në procesin e çertifikimit të prodhimit organit do të ketë lehtësira fiskale dhe subvencionim, duke shprehur bindjen se se prodhimi organik ka avantazh për Shqipërinë.

Cilat janë risitë e ligjit?

Në relacion shpjegues ekspertët saktësojnë se ligji i ri sjell një sërë përparësish
- Përcakton në mënyrë më të qartë objektivat, parimet dhe rregullat për prodhimin biologjik, në mënyrë që të sigurohet transparenca dhe besimi i konsumatorit;
- Përcakton produktet dhe substancat që lejohen të përdoren në prodhimin biologjik;
- Përcakton metodat që duhet të përdoren në bujqësinë biologjike dhe në përpunimin e ushqimit biologjik;
- Ndalon përdorimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht (OMGJ-të) në bujqësinë biologjike;
- Përcakton rregullat për etiketimin e produkteve biologjike;
- Përcakton sistemin e kontrollit për prodhimin biologjik dhe përcakton autoritetet përgjegjëse për kontrollin në çdo hallkë të prodhimit biologjik,
- Përcakton rregullat për importin e produkteve biologjike nga vendet e tjera.

Në Ministrinë e Bujqësisë do të ngrihet Komisioni për Prodhimin Biologjik, i cili është përgjegjës për miratimin dhe mbikëqyrjen e trupave të kontrollit.

Si do të dallohen produktet Bio nga konsumatori?

Në ligjin e sipërpërmendur përcaktohen qartë rregullat për etiketimin e produkteve biologjike. Produktet biologjike, që plotësojnë kërkesat e këtij ligji, mbartin në etiketë termat “biologjik”, ose shkurtimet “bio” ose “eko”.
Produktet që përmbushin kërkesat e këtij ligji duhet të përmbajnë në etiketim detyrimisht edhe logon kombëtare të posaçme. Gjithashtu, përveç logos kombëtare, në etiketimin e produkteve biologjike mund të përdoren edhe logot private.

Mendimi i ekspertëve

Enver Isufi, drejtues i Institutit të Bujqësisë Biologjike, në një intervistë për AgroWeb, e konsideron një hap shumë pozitiv ligjin e ri, duke theksuar se “Bujqësia bio përdor inpute apo plehra e pesticide të padëmshme për njerëzit dhe mjedisin.

Këto inpute janë të regjistruara në standartet përkatëse. Fermat bio duhet ta respektojnë listën e plehrave, pesticideve, farërave, higjienën e tokës, higjienën e ujit etj.

Nga ana fizike, produktet bio i dallon vetëm etiketa me logon përkatëse. Lidhur me një lloj konfuzioni që është krijuar tek konsumatori, për tabela, shënime apo artikuj ku shkruhen “mish bio”, “vezë bio”, apo “ferma bio”, thotë zoti Isufi duke shtuar se: “Një pjesë e njerëzve i quajnë produktet e tyre të paçertifikuara, si produkte bio vetëm për të joshur konsumatorët. Por logo bio është një status që ja jep vetëm trupa e çertifikimit”- shprehet Drejtori i Institutit të Bujqësisë Biologjike. 

Eksperti Isufi thotë se “Shqipëria ka një potencial të madh për të prodhuar produkte bio. Kjo për disa arsye: Së pari, Shqipëria përdor të paktën 10 herë më pak plehra, pesticide për njësinë e sipërfaqes, krahasuar me bujqësinë Europiane. Së dyti, terreni ynë në 75 % të tij, është kodër-mal, alpe, ku ka shumë produkte natyrale ose me përdorim minimal të inputeve. Do ishte një politikë shumë moderne e qeverisë, nëse do të shpallte një inisiativë afatgjatë “BIO-ALBANIA”- shprehet Isufi për AgroWeb.

 Që të quhet bio, një produkt ushqimor duhet vërtetë të jetë rritur pa pesticide sintetike, pa hormone të rritjes artificiale, pa antibiotikë, pa plehra kimikë apo modifikues gjenetikë. Foto: WebLibrary

Po çfarë është ushqimi bio?

Shumë prej nesh mund të mendojnë së produktet bio janë thjesht produkte natyrale, të rritura në ferma dhe pa ndërhyrje kimike. Kjo është vetëm një pjesë e së vertëtes. Që të quhet bio, një produkt ushqimor duhet vërtetë të jetë rritur pa pesticide sintetike, pa hormone të rritjes artificiale, pa antibiotikë, pa plehra kimikë apo modifikues gjenetikë; por duhet gjithashtu të përpunohet dhe transportohet sipas rregullave e standardeve të lejuara dhe të mirëpërcaktuara nga organizmat përgjegjës. 

Produkti bio është produkti natyror, që rritet sipas cikleve specifike natyrore, në një tokë të mirë-trajtuar bujqësore, pa agresorë të huaj, që dëmtojnë përbërjen e produktit, tokën, ambientin dhe sigurisht shëndetin tonë, që jemi konsumatorët fundorë të këtyre produkteve.

Prodhimi Organik në Shqipëri

Toka bujqësore shumë pjellore, moti i ngrohtë dhe klima e butë e bëjnë Shqipërinë një burim ideal të prodhimit organik. Por deri më sot mungonte një ligj i mirëfilltë për çertifikimet Bio. Çertifikimit Bio është një mjet i rëndësishëm për fermerët shqiptarë veçanërisht për eksportin e produkteve të tyre.

Raporti Bota e Bujqësisë Organike - Statistikat dhe tendencat 2015, thotë se Shqipëria ka 662 hektarë tokë organike që përbën 0.1% të totalit të tokës bujqësore.

Sipas një studimi të FiBL-së mbi sektorin organik ndërkombëtar, prodhimi organik në Shqipëri ka marrë shumë rëndësi e po rritet ndjeshëm në vitet e fundit (link). Sipas raportit, suksesi i mbledhjes së bimësisë së egër të çertifikuar me standarde organike është veçanërisht mbresëlënës. E ardhmja e bujqësisë shqiptare, duket se është një Shqipëri Bio. /AgroWeb.org