Fermerët dhe agrobizneset vendase do të përfitojnë fonde nga Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri mbështetur nga BERZH, me qëllim rritjen e aksesit në financime për fermerët vendas dhe agrobizneset.

BERZH po ofron një instrument të ndarjes së riskut prej 25 milionë euro, i cili pritet të gjenerojë deri në 50 milionë euro kredi të lëvrueshme nga Banka Intesa Sanpaolo për klientët vendas të agrobiznesit.

Ky portofol kredish do të mbështetet nga një fond për mbulimin e humbjeve të para, vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare.

Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare që siguron punësim për më shumë se 50 për qind të popullsisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 për qind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet shumë pak i shërbyer nga institucionet financiare, ku kreditë për agrobiznesin përbëjnë vetëm 2 për qind të kreditimit total për ekonominë.

Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri, i prezantuar nga BERZH dhe qeveria shqiptare në fillim të vitit 2016, e adreson këtë sfidë, duke përmirësuar aksesin në financime për agrobizneset vendase përmes linjave të dedikuara të kredisë ose nëpërmjet instrumentave të ndarjes së riskut të huadhënies me institucionet financiare pjesëmarrëse në këtë program.

Qeveria është angazhuar që të mundësojë deri në 36 milionë euro brenda një periudhe 3-vjeçare në mbështetje të programit, ndërsa BERZH po ofron deri në 100 milionë euro për financime dhe instrumenta të ndarjes së riskut. Te dy këta elementë do të aktivizojnë edhe 80 milionë euro të tjera investime nga institucionet financiare pjesëmarrëse të programit.

Drejtori i zyrës së BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli deklaroi se “pesë institucione financiare pjesëmarrëse në Program, janë të angazhuara që të rrisin kreditimin ndaj sektorit të agrobiznesit dhe kanë pritshmëri të larta për rritjen e investimeve gjatë muajve në vijim. Rritja dhe forcimi i konkurueshmërisë në sektorin e agrobiznesit do të gjenerojnë një rritje të qëndrueshme në ekonominë shqiptare, një qëllim ndaj të cilit ne si BERZH jemi fuqimisht të angazhuar.”

Perveç instrumentave financuese, ky program përfshin edhe asistencë teknike për t’i mbështetur institucionet financiare në zgjerimin e huadhënies, si dhe shërbime këshillimore nëpërmjet programit të BERZH të Këshillimit për Bizneset e Vogla, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë sektor, të rrisin performancën e tyre në një larmi fushash dhe të bëhen më të kreditueshme.

BERZH vazhdon gjithashtu të mbështesë institucionet shqiptare me aktivitete specifike në favor të reformave sektoriale, në koordinim me partnerë të tjerë zhvillimi.

Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 1 miliardë euro në rreth 75 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Banka është aktive në të gjithë sektorët e ekonomisë me një fokus të veçantë tek infrastruktura dhe energjia ku kërkesat dhe potenciali janë të larta. Prioritetet strategjike të BERZH për periudhën 2016-2018 për vendet ku Banka investon janë ri-energjizimi i rritjes, konsolidimi i integrimit rajonal dhe adresimi i sfidave globale.

Nën konceptin e ri të tranzicionit të BERZH, Banka synon të promovojë gjashtë elementët e tranzicionit si fleksibiliteti, integrimi, përfshirja, “gjelbërimi”, qeverisja e mirë dhe konkurueshmëria të cilat janë elemente parësore të ekonomive të suksesshme dhe të qëndrueshme të tregut. Burimi: ATSH