Shenjat e Mungesës së Vitaminës C – Produktet Ku Mund Ta Gjeni

Vitamina C është një ushqyesit më efikasë dhe më të mirë për organizmin.

Vlerat e kësaj vitamine janë të larmishme, por prania e saj është e domosdoshme në të mirë të sistemit imunitar, kundër sëmundjeve kardiovaskulare, problemeve me shtatzaninë, sëmundjeve të syve dhe rrudhave të parakohshme.

Siç ndodh rëndom edhe në rastin e vitaminave të tjera, shumë njerëz në vendin tonë nuk konsumojnë sasinë e duhur të kësaj vitamine të rëndësishme.

Kjo vjen si pasojë e ushqyerjes së shpejtë e të keqe dhe mungesës së suplementëve.

Kur organizmi nuk merr sasinë e mjaftueshme të kësaj vitamine, njeriu përballet me manifestimin e një sërë simptomash mendore dhe fizike.

Për më tepër, organizmi bëhet më i brishtë dhe më i ndjeshëm ndaj sëmundjeve kronike dhe akute.

Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org 7 shenjat që jep trupi kur mungon vitamina C

Vitamina C dhe Stresi

Stresi është i pashmangshëm gjatë ditës.

Ai nxitet nga një sërë faktorësh, ngjarjesh dhe mendimesh.

Mungesa e vitaminës C i shumëfishon këto faktorë nxitës të stresit, jo vetëm në frekuencë por edhe në përmasë.

Njerëzit që kanë mungesa të vitaminës C shpalosin sjellje të ngjashme me depresionin, ndihen më të lodhur dhe pa energji.

Probleme me dhëmbët

Vitamina C i mban dhëmbët dhe mishrat e tyre të shëndetshëm.

Mungesa e kësaj vitamine shkakton erozion dhe rënie të dhëmbëve.

Sistem të dobët imunitar

Mungesa e vitaminës C krijon një handikap në sistemin imunitar.

Jo vetëm që organizmi sëmuret shpesh, por edhe shërimi dhe rikuperimi është më i vështirë.

Një sistem i dobët imunitar e ka më të vështirë të mposhtë infeksionet dhe bakteret.

Plogështi

Anemia prek me qindra shqiptarë.

Plogështia është një prej simptomave të saj që vjen si pasojë e niveleve të ulëta të hemoglobinës.

Mungesa e vitaminës C shkakton anemi dhe probleme me prodhimin e qelizave.

Lëkurë problematike

Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm që luan rol në sintetizimin e kolagjenit.

Vitamina C parandalon dëmet e shkaktuara në lëkurë nga rrezet ultravjollcë.

Në mungesë të saj, lëkura do të humbë shkëlqimin, elasticitetin, pigmentin dhe do të shfaqen rrudhat.

Probleme me sytë

Vitamina C është e domosdoshme për sytë.

Në mungesë të saj do të keni një shikim të dobët dhe probleme të vazhdueshme me sytë.

Tharje të flokut dhe probleme me thonjtë

Vitamina C është e dobishme për flokët dhe thonjtë.

Në mungesë të saj, flokët do të përthahen dhe do të bien shpejt ndërsa thonjtë do të çahen më shpejt.

Gjakderdhje nga hundët

Mbi 90% e gjakderdhjes nga hundët vjen nga kapilarët e hundës.

Mungesa e vitaminës C i bën kapilarët më të brishtë dhe rrjedhimisht gjakderdhja është më e shpeshtë.

Shtim në peshë

Mungesa e vitaminës C rrit masën dhjamore në organizëm.

Kjo ndodh sepse trupi resht së përdoruri yndyrnat si burim energjie.

Vitamina C- Burimet Kryesore Ushqimore

Për fat të mirë, vitamina C gjendet në shumë burime ushqimore.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, Ju mund të merrni vitaminën C tek agrumet, përfshirë portokallet, limonët e verdhë dhe jeshil dhe qitro.

Shumë njerëz zgjedhin të marrin vitaminën C nëpërmjet lëngjeve, kryesisht të portokallit dhe qitros.

Vitaminën C mund ta gjeni edhe tek specat, spinaqi, domatja, banania, molla dhe pjeshka.

Perimet dhe Frutat Më Të Pasura Me Vitaminë C 

Vitamina C duhet marrë çdo ditë.

Burrat kanë nevojë për minimalisht 90 mg në ditë ndërsa gratë 75 mg.

1 gotë me lëng portokalli ofron 93 mg vitaminë C.

1 gotë me lëng qitro ofron 70 mg vitaminë C.

1 kivi ofron 64 mg vitaminë C

Gjysëm racioni me brokoli ofron 51 mg vitaminë C

Gjysëm racioni me luleshtrydhe ofron 49 mg vitaminë C.

Ju mund të merrni edhe suplementë, por këto të fundit nuk duhen përdorur kurrësesi si zëvendësues të burimeve ushqimore të saj.

Duhanpirësit, ata që pijnë alkol, vuajnë nga diabeti, të moshuarit, gratë shtatzënë dhe njerëzit e prekur nga sëmundjet kronike kanë nevojë për më shumë vitaminë deri në 500 miligramë në ditë./AgroWeb.org

*Informacioni i mësipërm është përgatitur nga një grup mjekësh shqiptarë dhe të huaj të shoqatës AlbaMedicum që kontribuojnë vullnetarisht në sistemin shëndetësor shqiptar.

 

Kamomil Qumësht Kanellë – Ëmbëlsoni Ditën Dhe Shëroni Trupin

Kamomili është një nga çajrat më të përhapur në botë, ashtu si edhe në Shqipëri.

Ky çaj ka aftësinë të ndihmojë trupin dhe organizmin të qetësohet, e të nisë ditën mbarë.

Kamomili shqiptar është një nga bimët mjekësore më të fuqishme, si pasojë e klimës dhe cilësisë së tokave ku rritet në gjendje të egër.

Sipas studimeve mjekësore, më shumë se një milionë filxhanë me çaj kamomili konsumohen çdo ditë në të gjithë botën.

Jo më kot kamomili është një nga çajrat më popullorë edhe në Shqipëri.

I kombinuar me qumësht dhe me pak mjaltë, çaji i kamomilit ngroh gjithë organizmin ndërsa fal qetësi mendore dhe shpirtërore.

Pse duhet të shtoni qumësht në çajin tuaj?

Qumështi i shtuar në çaj lidhet mjaft mirë me disa nga përbërësit e kamomilit duke shtuar vlerat për shëndetin.

Sa qumësht duhet të shtoni?

Në fakt nuk ka udhëzime të caktuara ose sugjerime se sa qumësht duhet t’i shtoni ndonjë çaji të veçantë. Kjo varet, më shumë se çdo gjë, nga shija juaj personale.

Megjithatë, shumica e çajrave nuk kërkojnë shumë qumësht.

Në përgjithësi, filloni duke shtuar një lugë gjelle qumësht në gotën e çajit, pasi e keni zierë e kulluar.

Përziejeni dhe shijoni çajin tuaj. Nëse është e nevojshme, shtoni nga një lugë gjelle qumësht deri sa t’ju pëlqejë.

Përgatitja

Përbërësit

1 gotë ujë

2 lugë kamomil

Qumësht

Mjaltë nëse dëshironi

Një shkop kanelle

Udhëzime

Ujin ku keni hedhur kamomilin e thatë vereni të ziejë. Hidhni brenda një shkop kanelle. Më pas kullojeni.

Shtoni pak e nga pak qumështin sipas shijes suaj.

Shtoni mjaltë nëse dëshironi.

Vlerat për shëndetin

Thithja e avullit që përmban ekstrakte kamomili zbut problemet e shkaktuara nga infeksioni i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Konsumoni kamomil për të ulur nivelin e stresit. Kamomili përmban apigenin, një përbërës që ka efekte që luftojnë ankthin.

Konsumimi i çajit të kamomilit rrit komplekset antibakterialë në trup dhe rrit imunitetin./AgroWeb.org

 

Krepa Shtëpie Për Një Mëngjes të Shijshëm, Të Shëndetshëm

Të shijshme, të lehta, të ëmbla e të kripura, krepa ka rrëmbyer zemrat e gjithë shqiptarëve me shijen e tyre fantastike.

Me mjaltë, çokokrem apo reçel, kombinuar me feta bananesh, biskota, arra e lajthi të thërmuarra. Me djathë të bardhë a kaçkaval, domate, kastraveca e sallatë jeshile.

Janë të panumërta mënyrat e kombinimit të krepave dhe shijes fantastike që ato ofrojnë në çdo kombinim.

Krepat janë ideale për një mëngjes të shëndetshëm, të shijshëm që të bën ta nisësh ditën me humor të mirë, por ato janë ideale gjithashtu edhe për t’u konsumuar në vaktet e ndërmjetme.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë fantastike në përgatitjen e krepave në shtëpi.

Përgatitja e Krepave në Shtëpi

Përbërësit

500 ml qumësht

3 kokrra vezë

Kripë

250 gr miell

50 gr gjalpë

Përgatitja

Hedhim në një tas të madh miellin dhe pak kripë.

I përzjejmë bashkë e më pas nisim të hedhim nga pak qumështin duke trazuar pa ndërprerje brumin.

Pasi kemi hedhur gjithë qumështin e brumi ka marrë formë të njëtrajtshme hedhim vezët e rrahura.

Përzjejmë mirë masën derisa të bëhet homogjene.

Më pas, tek masa e përgatitur shtojmë gjalpin të cilin e kemi shkrirë më parë.

AgroWeb.org u sugjeron të bëni kujdes që gjalpin e shkrirë të mos e hidhni të nxehtë.

Trazojini mirë të gjithë, derisa të keni arritur një masë të njëtrajtshme dhe të lëngshme.

Më pas vendosni një tigan që nuk ngjit në zjarr. Përmes një furçe kuzhine lyejeni me pak gjalpë.

Hidhni në qendër të tiganit një garuzhde me brumin e krepave dhe me ndihmën e garuzhdes hapeni brumin në formën e petës në të gjithë sipërfaqen e tiganit.

Lëreni të piqet për 2 minuta dhe me pas kthejeni nga ana tjetër, lëreni dhe dy minuta që të piqet.

Vijoni kështu me të gjitha krepat derisa të mbarojë brumi i përgatitur.

Mbushja e krepave bëhet sipas preferencave.

Mund të mbushet me djathë të bardhë, domate e kastraveca, djathë kaçkavall e ton peshku e gjithashtu për krepa të ëmbla mund të përdorni mjaltë, çokokrem apo reçel të kombinuar me biskota e lajthi të thërmuara. /AgroWeb.org

Mollët Dibrane Sjellin Lëngun e Parë Natyral në Shqipëri

Thonë që çdo qytet ka një aromë. Disa janë të lehta e disa që të dehin. Kushdo që ka shkuar në Dibër e kupton mirë se për çfarë po flasim.

Aroma ndjellëse e luleve të blirit dhe ajo kundruese e mollëve janë shenja që je në Peshkopi.

Por po të pyesësh Veip Salkurtin, një dibran 24 karatsh, ai me siguri ka dhe një aromë të tretë: atë të suksesit që vjen nga prodhimi i lëngut Kop Frut nga mollët e Peshkopisë.

Por sigurisht që historia nuk nis këtu. Para se të prodhonte vetë lëngun e mollës, në fabrikën e vetme në Shqipëri që prodhon lëng frutash 100% organik, Salkurti së bashku me shumë fermerë të zonës shihnin se si u kalbeshin mollët pa mundur të shtrydhnin prej tyre asnjë fitim.

“Kjo ishte pjesa që të dhimbte më shumë”, kujton Salkurti për AgroWeb.org.

“Në atë kohë ishte e pamundur që të prodhoje lëng molle. Alternative ishte që t’i shisje mollët, t’i shihje të kalbeshin ose të prodhoje lëng në mënyrë artizanale.

Dhe kështu nisa dhe unë të eksperimentoj duke bërë lëng molle në shtëpi dhe duke ëndërruar që një ditë unë do të kisha një fabrikë që do të prodhonte 100 lëng organik molle”

Por Salkurti jo vetëm e ëndërroi, por e skicoi pikë pas pike, duke blerë edhe një magazinë të madhe me qëllim që një ditë aty të strehonte mollët.

“E dija që një ditë mollët e Peshkopisë do të vinin këtu”, të thotë gjithë krenari ndërsa tregon magazinën e madhe prej 2000 metra katrorë me një kapacitet prej 500 ton mollë, pjesa më e madhe e të cilave janë të mbjella në fermën e tij.

Në 10 hektarët e tij, ai ka mbjellë varietete të ndryshme, që nga Starkinga tradicionale e Dibrës tek Goldsmith dhe disa varietete franceze.

Pemët e mollës duan kohë që të maturohen, por Salkurti as në fillimet e tij nuk e ka pasur me ngut. U deshën disa vite, para se mollët tij të nisnin të jepnin frytet e para.

Ndërkohë ai vazhdonte të eksploronte dhe interesa të tjera.

“Në fillim të viteve ’90 kam sjellë lopët e para të rracës franceze në Shqipëri në Kala të Dodës.

Ishte një ekperiencë shumë e mirë dhe kontaktet e vazhdueshme me Francën më bënë që të shikoj me prioritet pemëtarinë dhe të sjell në Dibër dhe Shqipëri biznesin e prodhimit të lëngut natyral të frutave”.

Por koha fluturon dhe vitet e fundit kanë qenë më të mirat për të, duke qenë se shumë fermerë të zonës kanë nisur të sjellin mollët e tyre në fabrikën e Kop Frut.

“Ne presim që edhe fermerë të tjerë edhe nga zona e Korçës të vijnë dhe të sjellin mollët e tyre këtu duke qenë se ne prodhojmë lëngje të varieteteve të ndryshme të mollëve.

Në vetëm një orë, ne mund të përpunojmë 1 ton fruta”, thotë Namik Shehi, administratori i Kop Frut.

Por Salkurti dhe bashkëpunëtorët e tij nuk i vendosën të gjithë vezët në një trastë. Përpos investimit, ata arritën të marrin financim nga skema IPARD-Like e Bashkimit Evropian dhe nga projekti i USAID/AgroCapital për të financuar fabrikën e tij të prodhimit të lëngjeve.

“Ne nuk humbasim më asnjë mollë tani. Por prodhojmë 100% lëng organik frutash”, thotë Salkurti gjithë krenari.

Përmes katër dhomave frigoriferike, kompania Kop Frut mban mollët e freskëta, gati për t’u shtrydhur në një lëng natyral, që i ka munguar prej kohësh tregut vendas.

“Lëngjet e Kop Frut nuk kanë as sheqer dhe as përbërës të tjerë. Ato janë 100% natyrale dhe ne i qëndrojmë besnikë cilësisë tonë”.

Për t’i mbajtur çmimet në nivele të konkurueshme, Kop Frut ka bërë një kombinim të disa varieteteve të mollëve, nga ato të ëmbla të Starkinges, tek më të athtat, me premisën për t’i eksportuar më pas në tregun evropian.

Cilësia e lartë dhe fakti që është një lëng 100% organik i prodhuesve sigurinë se tregu evropian do ta presë shumë mirë lëngun e mollës me stampën Made in Albania./AgroWeb.org

Si të Mbillni Mandarina në Shtëpinë Tuaj

Janë frutat më të dashura të dimrit. Të ëmbla, të lehta dhe delikate, me aromë fantastike mandarinat që nuk mungojnë asnjëherë në tryezat e shqiptarëve.

E ndërsa të gjithë rendim drejt tregjeve për të blerë frutat e dëshiruara, një mënyrë e zgjuar për të patur këtë frut gjatë gjithë stinës të freskët në tryezë është mbjellja e tyre në vazo, në shtëpi.   

Blini në tregun e fidanëve dhe luleve apo në farmaci bujqësore, një fidan mandarine paksa të rritur (2-3 vjeçare) që të përftoni rezultatet më të mira.

Merrni një vazo plastike ose balte (me vrima në pjesën fundore) të thellë deri në 35 centimetra dhe me një diametër prej 45-50 centimetra.

Përdorni guralecë që të siguroni qarkullimin e plotë të ajrit, mbusheni me dhe të plehëruar dhe vendoseni pemën në vazo.

Lëreni vazon në ndriçimin e diellit për 8-10 orë në ditë dhe mos e teproni me vaditjen.

Mandarina do të paktën 6-9 muaj të piqet dhe kur të marrë ngjyrën karakteristike, atëherë jeni gati t’i mblidhni.

Nëse dëshironi, mund të zgjidhni edhe farat e mandarinave për një rrugëtim më të plotë të kësaj agrumeje të dashur

Blini mandarina organike, sepse mandariant jo-organike përmbajnë shpesh fara që nuk mbijnë. Dheu që do të përdorni duhet të jetë pjellor e të përmbajë fertilizues natyralë dhe minerale.

Ndiqni hapat e mëposhtëm:

Dheu në vazo duhet të jetë i lagësht.

Mbusheni vazon e vogël me dhè deri në 2.5 centimetra nga sipërfaqja

Prijeni mandarinën në gjysmë dhe merrni një farë

Farën duhet ta fusni të paktën 1 centimetër nën tokë, në mes të vazos

Përdorni një shishe spërkatëse për ta ujitur pjesën e sipërfaqes së vazos

Mbulojeni vazon me një qese plastike. Lidheni me llastik dhe shpojeni qesen me laps duke krijuar vrima të vogla.

Vendoseni vazon në një vend me diell dhe të ngrohtë

Herë pas here spërkateni me ujë. Dheu nuk duhet të jetë i thatë.

Pas dy javësh, kur filizat të kenë çelur, hiqeni mbulesën plastike. Nëse bima ka nevojë për më shumë diell, përdorni një llampë speciale për të zëvëndësuar ndriçimin natyral. Filizët kanë nevojë për 8 orë diell çdo ditë.

Kujdesuni që të ushqeni filizët me fertilizues organik.

Mbrojini nga insektet dhe hiqni gjethet e thara.

Kur filizët të jenë rritur mjaftueshëm, duhen transferuar në një vazo më të madhe.

Kujdesuni që filizët të jenë të ngopur me ujë.

Këto janë dy mënyrat më të thjeshta për kultivimin e mandarinave në shtëpi sugjeruar nga AgroWeb.org, falë të cilave agrumja e preferuar nuk do t’ju mungojë kurrë./AgroWeb.org

 

Një Gotë me Çaj Mali Shqipërie – Krenaria e Traditës

Tokat shqiptare janë të bekuara me thesarin natyral të bimës madhështore të Çajit të Malit.

Nuk është aspak çudi që jo vetëm vendasit, por edhe të huajt që takojnë kulturën shqiptare mbeten të mahnitur nga kura e shpirtit siç shpesh e quajnë zakonin e të pirit të çajit avullues të malit shqiptar.

Diçka është e sigurt, asnjë vend në botë nuk prodhon këtë cilësi bime, si kjo jona.

Sipas burimeve të AgroWeb.org, kërkesat e tregjeve të huaja për varietetin shqiptar të çajit të malit, Sideritis Raeseri janë në kulmin e tyre.

Çaji i Malit shqiptar të humbet mendjen me aromën unike, të përfshin në nostalgjinë e kohëve të kaluara dhe të ringjall ndjesitë e plota të shijes.

Çaji i Malit është një nga produktet më të kërkuara dhe më të vlerësuara në të gjitha komunitetet shqiptare që jetojnë në Evropë, Amerikë dhe deri në Australi.

Por shpesh edhe tregu vendas gjendet pothuajse bosh nga kërkesa e madhe për çaj mali.

Zakoni i shqiptarëve është grumbullimi dhe blerja e sasive të mëdha të çajit të malit gjatë verës dhe fillim vjeshtës, për ta përdorur të ngrohtë deri në pranverë.

Mungesa e çajit të malit në treg i lë të apasionuarit pas tij të varen tek bustinat me çaj pluhur pudër plot me kimikate aromatike!

Vlerat e Fuqishme të Çajit të Malit

Çaji i Malit ndihmon me shëndetin e aparatit tretës dhe përmban antioksidantë natyralë.

Plot me flavonoidë dhe antioksidantë

Studiuesit kanë zbuluar se bimët e familjes Sideritis përmbanin substanca të rëndësishme që luftonin mikrobet dhe infeksionet. Të gjitha këto bimë përmbanin vajra esencialë.

Ul tensionin e gjakut

Një studim i fundit zbuloi se ekstraktet që vinin nga familja e bimëve Sideritis ulnin nivelet e tensionit të gjakut dhe qetësonin enët e gjakut.

Studimi i kryer ka nxjerrë në pah se doza domethënëse të ekstrakteve në fjalë ndihmonin në zgjerimin e enëve të gjakut, uljen e tensionit të gjakut dhe uljen e presionit ndaj zemrës.

Studimet gjithashtu konfirmuan rolin pozitiv të këtyre bimëve për shëndetin e zemrës.

Megjithatë, studime të mëtejshme janë të nevojshme përpara se çaji shqiptar i malit të merret në konsideratë për trajtimin e sëmundjeve të zemrës.

Mbron sistemin tretës

Studiuesit zbuluan se pirja e çajit të malit nga bima e Sideritis ulte inflamacionin në sistemin tretës.

Kjo ndodh falë pranisë së fenolëve dhe antioksidantëve që gjenden natyralisht në këto bimë.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se inflamacioni dhe toksiciteti uleshin për një periudhë afatgjatë. Kjo si pasojë e aftësive mbrojtëse të çajit shqiptar të malit.

Përgatitja e çajit shqiptar të malit

Përgatitja e çajit të malit kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës.

Ju mund t’i hidhni ato në ujë të nxehtë dhe të ulni temperaturën, duke mundësuar zierjen e lëngut për 5 deri në 10 minuta.

Shija e këtij çaji është tokësore, por nëse përdorni lulet, do të ndjeni edhe aromën e tyre. Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë dhe limon sipas dëshirës.

Në malet e Shqipërisë rritet varieteti Sideritis Raeseri. Ky lloj nuk duhet ngatërruar me specien Sideritis Syriaca, e cila gjendet në të gjitha vendet e Mesdheut dhe të Ballkanit./AgroWeb.org

Jufkat, Një Recetë e Thjeshtë Për T’i Gatuar Me Mjeshtëri Në Shtëpi

Jufkat e bëra në shtëpi, janë krenaria e çdo amvise shqiptare.

Këto petë të arta brumi gatuhen me produkte të freskëta dhe pa substanca artificiale.

Ato përgatiten me vezë, thahen, copëtohen ose marrin forma të ndryshme.

Përgatitja e jufkave është mjeshtëri më vete.

Zona e Dibrës në veçanti njihet si gurëthemeli i kësaj tradite shqiptare që sipas të dhënave të AgroWeb.org ka fituar mjaft popullaritet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Makaronat e freskëta gatuhen me drith të plotë të një cilësie të lartë të bluar në mulli.

Mielli përzihet me qumësht, vezë dhe kripë.

Brumi lihet në një vend të thatë  për të ardhur në mënyrë natyrale.

Më pas, brumi hapet dhe pritet në shirita të hollë të cilët duhen tharë.

Është shumë e rëndësishme që jufkat të qëndrojnë në një vend të ajrosur mirë për të parandaluar mykun.

Receta e Jufkave

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë e të lehtë për gatimin e jufkave në shtëpi.

Përbërësit:

7 të verdha veze

1 vezë e plotë

1 kg miell

Qumësht

Përgatitja:

Përzieni miellin me vezët dhe shtoni qumësht deri sa brumi të zihet siç duhet.

Qumështi duhet hedhur ngadalë për aq sa ka nevojë formimi i brumit.

Pasi brumi të jetë i njëtrajtshëm, futeni në një enë, mbështilleni me napë dhe lëreni të vijë për një orë.

Pasi brumi të ketë ardhur, filloni formoni kuleçë të vegjël.

Hapja e kuleçëve është një proçes që mund të bëhet më i lehtë duke përdorur niseshte.

Petat e hapura duhet të jenë të mëdha, në të njëjtat përmasa të tepsive.

Secila prej petave të hapura duhet vendosur mbi një copë të pastër për tu tharë.

Nuk duhet ta teproni me tharjen, sepse më pas prerja e shiritëve do të vështirësohet.

Pas tharjes, secila prej petave duhet rrumbullakosur si rulo dhe prerë hollë.

Fijet e formuara mund t’i shpurpurisni dhe t’i vendosni mbi copat e pastra e të mëdha për tu tharë.

Pasi të jenë tharë plotësisht, jufkat duhen vendosur në qese ose kuti.

Jufkat mund t’i përgatisni shumë thjesht sipas recetave të ndryshme që përdoren për gatimin e makaronave.

Jufka është një produkt që ofron shumë energji por edhe ushqyes thelbësorë që vijnë në formën e fibrës, vitaminave, mineraleve dhe karbohidrateve.

Jufka është baza e ushqimeve të shëndetshme, plot vlera dhe që kënaqin shqisat. Ashtu si makaronat e përgatitura në shtëpi, jufkat janë një burim i shkëlqyer i karbohidrateve komplekse që ndihmojnë në çlirimin e ngadaltë të energjisë.

Por ndryshe nga sheqernat e thjeshtë të cilët rrisin shpejt dozat e energjisë, jufkat e bëjnë atë më të qëndrueshme dhe të balancuar./AgroWeb.org 

 

Strudel me Mollë – Për t’i Shtuar edhe më shumë Shije Festave

Është një ndër ëmbëlsirat më të shijshme dhe më të thjeshta për t’u përgatitur.

Ndonëse me origjinë gjermane, receta e strudelit me mollë sot është bërë pjesë e kuzhinës së çdo shteti në botë.

Me një aromë fantastike dhe kombinim magjik për shijes mes mollëve dhe kanellës, kjo ëmbëlsirë e lehtë është më idealja për t’u përgatitur dhe ofruar miqve apo më të dashurve në ditët e festave që po vijnë.

Strudeli me mollë është një ëmbëlsirë që mund të shoqërohet mjaft mirë me kafe, çaj por edhe me akullore të ndryshme.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së strudelit në shtëpi, një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar familjen me një ndër ëmbëlsirat më të shijshme.

Përgatitja e Strudelit me Mollë në Shtëpi

Përbërësit

1kg miell

1 kg mollë

Një lugë gjelle kanellë

200 gr rrush i thatë

250 gr gjalpë i freskët

400 gr sheqer pudër

100 gr galetë (bukë e thekur, e bluar)

Një lugë kafeje me kripë

Përgatitja

Sitim miellin, e hapim në mes, shtojmë kripën dhe e brumosim me ujë të ftohtë si për petë byreku me qëllim që të hapet mirë.

Brumin e lëmë pak në qetësi që të fitojë elasticitet.

Duhet të kemi parasysh që petët të mos thahen se nuk mblidhen kur të përgatisim strudelin.

Mollët i pastrojmë, u qerojmë lëkurën dhe i grijmë në copa të holla, i përzjejme me galetë, sheqer, me rrush të thatë dhe kanellë.

Lyejmë petët me gjalpë dhe i shtrojmë njëra mbi tjetrën.

Përsipër i lyejmë me gjalpë dhe i mbështjellim në formë roleje me mollë në mes.

Strudelin e pjekim në furrë me nxehtësi mesatare dhe e presim në copa si gjithë pastat e tjera.

Shënim: Në vend të petës së zakonshme përdoren edhe petë milfej ose thjeshtë brumë sfolat.

Kjo ëmbëlsirë serviret e ftohtë./AgroWeb.org

Ushqimet Më të Mira Kundër Kolesterolit

Stili i jetesës dhe ushqyerjes luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të kolesterolit.

Nëse vuani nga kolesteroli i lartë atëherë aktiviteti fizik, heqja dorë nga duhani dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të bëjnë një ndryshim domethënës.

Studimet e AgroWeb.org tregojnë se nëse ushqeheni me produkte që janë miqësore me zemrën, atëherë do të ulni natyralisht kolesterolin dhe do të pakësoni rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Vaji i ullirit ekstra i virgjër

Studimet shpjegojnë se vaji i ullirit ekstra i virgjër është i mbushur me acide yndyrore mono-të-pangopura që parandalojnë aterosklerozën dhe ulin nivelet e kolesterolit.

Shtoni 10 gramë vaj ulliri ekstra të virgjër në ushqimet tuaja ditore dhe do të ndieni ndryshim. Vajin e ullirit mund ta përdorni në sallata, perime, peshk ose mish pule.

Avokado

Avokadot janë të pasura me acide yndyrore mono-të-pangopura dhe janë një burim i shkëlqyer i një substance bimore të quajtur beta-sitosterol që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe uljen e niveleve të kolesterolit.

Përpiquni të shtoni avokadot në ushqimet tuaja. Me të mund të bëni një supë të shijshme ose sallatë.

Farat e linit

Farat e linit janë një burim i pasur me acide yndyrore omega 3, fitoushqyes dhe fibër. Ato ndihmojnë në uljen e rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të nivelit të kolesterolit.

Mënyra më e thjeshtë për të përfshirë farat e linit në ushqimin tuaj është t’i përzieni ato me lëngje me bazë qumështi ose me fruta dhe perime.

Hudhra

Disa studime mbi hudhrën dhe përbërësin e saj aktiv, alicinën, sugjerojnë se konsumi i rregullt ka ndikim domethënës në parandalimin e mpiksjes së gjakut dhe arteriosklerozës.

Ndaj nëse konsumoni dy ose tre thelbinj hudhër në ditë do të mund të ekuilibroni nivelet e kolesterolit.

Kakaoja pluhur

Kakaoja pluhur përmban flavanolë të cilët ndihmojnë jashtëzakonisht shëndetin kardiovaskular dhe funksionojnë si antioksidantë. Rrjedhimisht ato ulin nivelet e kolesterolit.

Mënyra më e thjeshtë për të shtuar kakaon në ushqyerjen tuaj ditore është në lëngjet me bazë frutash. Ose duke zëvëndësuar çokollatën në ëmbëlsirat e pjekura.

Tërshëra

Ulja e kolesterolit mund të jetë një mision shumë i thjeshtë nëse hani tërshërë në mëngjes.

Tërshëra përmban një substancë të njohur si beta-glukan që përthith kolesterolin e keq dhe e nxjerr atë nga trupi.

Mjaftojnë dy racione me tërshërë dhe kolesteroli i keq mund të ulet me 5% në 5 javë, pa ndikuar në kolesterolin e mirë.

Spinaqi

Perimet si spinaqi janë të pasura me luteinë, një substancë që ndihmon në uljen e rrezikut nga ataku në zemër duke parandaluar mpiksjen e gjakut. Shtoni të paktën 170 gramë spinaq ose barishte të tjera në sallata ose gatime të ndryshme dhe do të ndiheni më mirë.

Arrat

Mos hiqni dorë nga arrat. Studimet më të fundit kanë treguar që arrat munden të ulin kolesterolin e keq me 9 përqind. Kjo vlen nëse konsumoni 42 gramë arra 6 ditë në javë për një muaj./AgroWeb.org

Mënyrat Fantastike të Përdorimit të Sodës në Shtëpi

Soda e Bukës është një nga përbërësit më të jashtëzakonshëm përsa i përket shumë përdorimeve të saj në gjithë shtëpinë.

Pasi të lexoni udhëzimet ndiqni në fund të artikullit një video të shkurtër, të përgatitur nga Agroweb.org mbi përdorimet e sodës në shtëpi.

Soda ka efekte mrekullibërëse përtej asaj që njohim të gjithë, duke nisur nga heqja e njollave tek bardhësia e rrobave, pastrimi i enëve të kuzhinës, pastrimi i mobiljeve apo sendeve të ndryshme në shtëpi e deri tek  kujdesi për dhëmbët e higjena personale etj.

AgroWeb.org i’u liston më poshtë disa nga mënyrat e përdorimit të sodës së bukës në shtëpi.

Disa nga Metodat Efikase të Përdorimit të Sodës

-Pastë dhëmbësh në kushtet e shtëpisë

Përzieni pak sodë buke me vaj arre kokosi, vaj esencial menteje dhe me të mund të përgatisni një pastë dhëmbësh efikase kundër baktereve.

-Deodorant natyral

Përzieni sodën e bukës me niseshten e misrit dhe disa pika me vaj esencial livandoje dhe përdoreni pastën nën sqetulla.

-Eksfoliant

Soda e bukës largon qelizat e vdekura, shkatërron bakteret dhe e mban lëkurën të butë dhe të ushqyer.

-Kundër insekteve

Vendosni sodë buke në vendin ku insektet shfaqen më shpesh dhe shumë shpejt do të keni një ambient të çliruar nga insektet.

-Kundër aromave

Soda e bukës largon aromat e këqija në frigorifer dhe përçon shumë freski në të.

-Kundër njollave

Soda e bukës rekomandohet për heqjen e njollave dhe shkëlqimin e tenxhereve atëherë kur larësi ju lë në baltë.

-Kundër mushkonjave

Përzieni sodën e bukës me ujë dhe me të lyeni zonën ku ju kanë pickuar mushkonjat.

Më pas shpërlajeni me ujë të ftohtë.

-Pastrimi i tubave

Përdorni gjysëm filxhani me sodë buke dhe një filxhan me uthull.

Hidhni në lavaman një tenxhere me ujë të valuar dhe më pas salcën e uthullës dhe sodës së bukës.

Pas 30 minutash, lëshoni sërish ujë të nxehtë dhe tubat do të jenë të pastër./AgroWeb.org

Fasule me Pastërma – Shije Tradite nga Duart e Amvisave

Për shumë njerëz gjella me fasule është një vepër arti për shijen.

E në të vërtetë ashtu është, sepse fasulja në vetvete është një bishtajore e plotfuqishme në vlera, ushqyes, vitamina e minerale.

Gjella me fasule është një traditë e pazëvëndësueshme për çdo familje shqiptare.

Për shumë syresh, fillimi i javës është ‘Dita e Fasuleve’.

Në fakt, asgjë nuk ka të krahasuar me një pjatë të ngrohtë ‘me groshë’ në ditët e ftohta të dimrit.

E nëse i kombinojmë fasulet me mishin e thatë, atëherë me siguri një pjatë nuk mjafton.

Më poshtë AgroWeb.org i’u përcjell një recetë të thjeshtë por shumë të shijshme për gjellën me fasule dhe mish të thatë sipas AgroWeb.org

Përgatitja e Fasuleve me Mish të Thatë në Shtëpi

Përbërësit:

Për 4 persona rekomandohen përbërësit e mëposhtëm

4-5 copa pastërma

2 filxhan çaji fasule

2 kokrra me qepë

1 spec jeshil

1 domate

Vaj ulliri

kripë

Spec djegës sipas dëshirës

Përgatitja

Përgatitja e gjëllës fillon që në mbrëmje. Fasulet vendosen në një enë të mbushur me ujë dhe mbahen gjithë natën.

Në një enë tjetër vendosen copat e mishit të thatë që të zbuten dhe tu dalë kripa.

Të nesërmen nis përgatitja e gjellës.

Hiqni fasulet dhe mishin e thatë nga enët përkatëse dhe shpërlajini.

Vendosni tenxheren në zjarr, mbusheni me ujë dhe hidhni fasulet.

Sapo të kenë marrë një valë, derdheni ujin dhe më pas mbusheni sërish me ujë të pastër.

Vendoseni tenxheren sërish në zjarr.

Në një tigan të thellë hidhni vaj ulliri dhe shtoni qepën e prerë hollë.

Kavërdiseni deri sa të marrë një ngjyrë kafe të çelët.

Shtoni specin e prerë hollë.

Domaten kalojeni në rende dhe hidheni lëngun që të shmangni aciditein e lartë në gjellë.

Pasi të jenë kavërdisur për disa minuta, fërgesën e hedhim në tenxheren me fasule së bashku me copat e mishit të thatë.

Nëse do të përdorni tenxhere me presion gjella përgatitet në 40 minuta.

Nëse do të përdorni një tenxhere normale, gjella bëhet gati në 95 minuta.

Zierja është në varësi të fasules, nëse është e re apo e vjetër.

Në minutat e fundit të zierjes shtoni kripën.

Gjatë servirjes mund të shtoni spec djegës sipas preferencës.

Në ditët e ftohta të dimrit, fasulja me mish të thatë kombinohet mirë me domatet turshi ose kos.

 Vlerat shëndetësore të fasules

 Fasulja është një burim i shkëlqyer fibre.

Kjo bishtajore e rëndësishme përbën një mënyrë të shëndetshme për të marrë proteina por pa yndyrna, karbohidrate apo kolesterol.

 Vlerat e mishit të thatë

Kur konsumohet në sasi të moderuara, mishi i thatë ofron proteina, yndyrna të shëndetshme, kolesterol të ulët, zink dhe karbohidrate.

Pastërmaja mund të piqet në prush, ose mund të gatuhet me fasule e të hahet me turshi. Kjo është receta më e preferuar dimërore për çdo familje shqiptare./AgroWeb.org

Degëzat e Bredhit – Lëngu i Veçantë i Natyrës

Halat e freskëta të bredhit lëshojnë një lëng të lehtë me shije të ngjashme me atë të limonit, ndërsa ato të bredhit të vjetër do të lëshojnë një lëng më të fortë, paksa më të hidhur dhe të plotë.

AgroWeb.org këshillon që zgjedhja më e mirë është ajo e mbledhjes së halave sa më të gjelbra të mundshme, pasi ato janë më të freskëtat.

Gjethet halore të bredhit përmbajnë shumë vitaminë C, minerale dhe beta karoten.

Halat e freskëta, sythat e boçeve dhe degët e bredhit të bardhë ose atij të zi, të dy të gjendur në Shqipëri, së bashku kanë funksione bimore, madje përdorimet e tyre arrijnë deri aty sa të përdoren edhe në fermentimin e birrave artizanale.

Gonxhet e freskëta të halave të bredhit kanë ngjyrën më të bukur. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, ato kanë një nivele të jashtëzakonshme të përmbajtjes së vitaminës C.

Nëse i thani ose i ruani në ngrirje, këto gjethe halore do t’ju japin vitaminën e nevojshme dhe do të luftojnë inflamacionet në organizëm.

Gjethet halore përmbajnë karotenoidë dhe janë të pasur me minerale si kaliumi dhe magnezi. Që në kohërat e lashta, këto maja të mprehta të gjelbra janë përdorur për largimin e kollës dhe shërimin e fytit, sidomos gjatë periudhës së dimrit.

Gjilpërat e gjelbra kanë shumë klorofil që ndihmon në shërimin e plagëve, mbajnë nën kontroll oreksin, dhe transporton oksigjenin në qeliza.

Klorofili neutralizon radikalet e lira, mban sheqerin në gjak nën kontroll, përshpejton shërimin e plagëve dhe izolon metalet helmuese në organizëm.

Si të përgatisësh çajin nga haloret e bredhit

Merrni disa degëza nga bredhat, nga ato të rejat dhe të sapoçelurat ose nga degët më të vjetra nëse doni, shkëputini halat dhe lajini mirë me ujë të rrjedhshëm.

Më pas gjethet halore nga pjesa e majës së degëzimeve, që është edhe pjesa më e mirë për t’u përdorur në përgatitjen e çajit.

Këto gjethe halore – copëtojini dhe shtypini mirë. Shtypja jo vetëm që do të aktivizojë vlerat e thella të bredhit, por edhe do ta lehtësojë përthithjen e substancave mirëbërëse.

Më pas masën e përftuar e ndani dhe e vendosni nëpër filxhanë.

Shtoni nëpër filxhanë ujin e valuar nga çajniku dhe çaji me gjethet halore të bredhit do të jetë gati.

AgroWeb.org këshillon të shtoni mjaltë të mirë dhe disa pika limon që ta ktheni shijen e çajit të bredhit më afër çajrave, të cilat i konsumoni rregullisht.

Përdorime të tjera:

Halat e bredhit, njëlloj si në rastin e rozmarinës mund të përdoren në lëngje frutash dhe sallatash.

Ato mund të lihen në enë me ujë të pijshëm për një orë dhe do të lëshojnë të gjitha vlerat dhe ushqyesit. Këtë ujë mund ta pini më pas njëlloj si ujin me limon.

Haloret e bredhit mund të përdoren në supë, sallatë, perime të zgarës dhe gatime të ziera.

Ato shkojnë shumë me drithërat dhe bishtajore, pasi shumëfishojnë përthithjen e mineraleve.

Mund të përdoren për përgatitjen e salcave, majave dhe funksionojnë edhe si pasurues të mirë të vajit ekstra të virgjër të ullirit./AgroWeb.org

Këshillat Më të Mira – Si të Zgjidhni Dhe të Ruani Arrat e Freskëta

Arrat e paqëruara nga lëvozhga mund të qëndrojnë të freskët për një deri në dy vjet. Vetë lëvozhga është mburoja më e mirë natyrore e këtyre produkteve.

Pra nëse blini arra shqiptare të stinës të paqëruara, ato mund të qëndrojnë të freskët deri në fundvitin e ardhshëm, gjithnjë nëse i ruani me kujdes në një vend të freskët.

Në fotot ilustruese do të gjeni fakte të rëndësishme mbi cilësitë dhe vetitë e arrave.

Si t’i zgjidhni?

Gjëja më e saktë është t’i shijoni. Arrat e freskëta vijnë në lëvozhga më të zeza se të zakonshmet.

Kjo ndodh pasi ende nuk janë zbardhur nga ngjyra e lëvores së butë mbështjellëse. Cipa e thelpinjve të arrave të freskëta hiqet lehtë dhe është më e njomë.

Por edhe aroma është faktor. Nëse arrat që gjeni në treg mbajnë erën e holluesit të bojës ose të diluentit, dijeni që ato janë të prishura ndaj hidhini në kosh.

Ruajtja në të ftohtë garanton freskinë

Ju mund të ruani freskinë e arrave shqiptare duke i mbajtur në një ambient të ftohtë.

Arrat prishen kur ekspozohen në temperatura të ngrohta për periudha të gjata kohore. Nuk duhet t’i ruani afër sobës.

Nxehtësia ndryshon strukturën e arrave gjë që i bën ato të ndryshojnë aromë dhe shije.

Ku t’i ruani arrat?

Pasi i keni blerë arrat, futini në frigorifer ose tek zona e ngrirjes në varësi të periudhës kur dëshironi t’i përdorni. Nëse do t’i përdorni menjëherë, vendosini në diku në ndarjet e frigoriferit, në të kundërt vendosini tek ngrirja që të keni mundësi t’i përdorni për një periudhë më të gjatë kohore.

Si të kujdeseni për arrat?

Sigurohuni që kur të vendosni arrat në frigorifer, t’i mbani larg ushqimeve me aromë të fortë si peshku, lakra, qepët. Arrat munden të përthithin aromat përrreth tyre dhe kështu dëmtohet edhe shija e tyre.

Këshilla e fundit

Qërojini arrat vetëm kur të jeni gati për t’i përdorur. E njëjta gjë vlen edhe për bluarjen e tyre.

Nëse nuk jeni gati për t’i përfshirë arrat në gatimet tuaja, mos i lëvizni nga frigoriferi. Kështu do t’i keni të freskëta për shumë gjatë./AgroWeb.org

Fyt i Acaruar dhe Kollë – Lehtësimi me Kurat Natyrale në Shtëpi

Dhimbjet në fyt, acarimi i tij dhe ngacmimet e kollës janë simptomat më të shpeshta që prekin shëndetin.

Është koha kur virozat, gripi dhe i ftohti kërcënon hapur organizmin tonë.

Problemet nisin me problemet në kapërcimin e ushqimit dhe sidomos kollën dhe teshtimat e njëpasnjëshme që shkaktohen pa pushim për shkak të acarimit të fytit.

Por nëse mendoni se mënyra më e shpejtë për të përballuar acarimet e fytit dhe dhimbjet e shkaktuara prej tij është një vizitë në farmaci, zgjidhja është edhe më e shpejtë brenda në shtëpinë tuaj.

AgroWeb.org  u sugjeron një listë me kura natyrale, përbërësit e të cilave gjenden lehtë në kuzhinën e secilit prej nesh.

Mjaftojnë pak minuta në përgatitjen e secilës prej tyre dhe problemet me fytin do të largohen.

Është vet natyra që ofron zgjidhje të shumëfishta për çdo problem shëndetësor përfshirë këtu edhe problemet dhe komplikacionet që vijnë nga i ftohti.

Katër kura natyrale nga AgroWeb.org për lehtësimin e fytit të acaruar

Limoni

Përdorni një çaj të ngrohtë limoni me mjaltë.

Kombinoni lëngun e dy kokrra limoni dhe një lugë gjelle mjaltë në një filxhan çaji me ujë të ngrohtë.

Përzjeheni dhe pijeni ngadalë. Përsëriteni këtë 2 deri në 3 herë në ditë.

Uthulla e Mollës

Në një filxhan çaji, hidhni një lugë gjelle me uthull molle,  një lugë gjelle lëng limoni dhe një lugë gjelle mjaltë.

Shtoni ujë të ngrohtë përzjeheni dhe pijeni ngadalë.

Përsëriteni këtë çaj dhe konsumojeni deri tre herë në ditë.

Shumë shpejt do të ndjeni lehtësimin e dhimbjeve nga fyti dhe inflamacioni.

Kanella

Në një gotë me ujë të ngrohtë shtoni një lugë gjelle kanellë pluhur dhe një lugë gjelle piper të zi pluhur.

Përzjeni solucionin dhe bëni me të gargare.

Përdoreni këtë kurë një herë në ditë, për një javë rresht dhe do të jeni tërësisht të shëruar.

Hudhrat  

Konsumoni një thelpi hudhër çdo ditë në mënyrë që hudhra të çlirojë në trup përbërësin e fuqishëm të njohur me emrin acilinë.

Ajo do të vrasë bakteret që shkaktojnë dhimbjen e fytit.

Përdoreni këtë kurë çdo ditë për një javë.

Jo vetëm që fyti do të shërohet por organizmi do të përfitojë edhe shumë vlera të tjera shëndetësore./AgroWeb.org

Trileçe, Ëmbëlsi e Parezistueshme – Si Ta Përgatisni

Një ëmbëlsirë klasike e lehtë, shumë e dashur për shqiptarët, gosti fisnike për miqtë, fantastike për festat është Trileçe.

Është një ëmbëlsirë plot finesë, e thjeshtë në përgatitje dhe me pak përbërës por shija e saj është unike. Aq sa vështirë se mund t’i rezistosh.

Shoqërohet në një mënyrë fantastike me çajra të ndryshëm të ndryshëm por mbi të gjitha ëmbëlsira perfekte për të mbyllur me shijen më të mirë drekat apo darkat familjare.

Trileçe është ëmbëlsira perfekte për të ëmbëlsuar shpirtin dhe organizmin në çdo orë të ditës.

Me shijen e saj të kombinuar mes qumështit e krem karamelit kjo ëmbëlsirë është mahnitëse dhe shumë e dëshiruar nga të gjithë.

AgroWeb.org u përcjell më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së trileçes në shtëpi, një mënyrë e lehtë për të ëmbëlsuar familjen apo të dashurit tuaj.

Si të përgatisim Trileçen në shtëpi 

Përbërësit

1 l qumësht

500 ml krem qumështi (krem pana)

10 kokrra vezë

10 lugë gjellë sheqer

10 lugë miell

350 qumësht i kondesuar (qumësht panda)

300 ml karamel (gjeni në supermarkete)

Përgatitja e pandispanjës

Në një enë hedhim vetëm të bardhat e vezëve dhe të verdhat i lëmë në një enë tjetër mënjanë.

Hedhim sheqerin në enën ku kemi të bardhat e vezëve dhe i rrahim derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe e trashë.

Më pas, rrahim të verdhat e vezëve dhe i shtojmë tek masa e përgatitur me të bardhat e vezëve dhe sheqerin.

I përzjejmë derisa të njëtrajtësohen.

Më pas, shtojmë gradualisht miellin dhe njëkohësisht e trazojmë masën pa ndërprerje me qëllim që volumi i masës të jetë i njëjtë.

Ngrohim furrën në temperaturën 250 gradë.

Përmes një furçe kuzhine lyejmë me pak vaj tavën dhe hedhim në të masën e përgatitur dhe e lëmë të piqet në këtë temperaturë për 5 minuta, më pas gradën e nxehjes e ulim në nivelin 150.

E lëmë të piqet edhe për 10 minuta të tjera.

Përgatitja e Qumështit

Hedhim qumështin e kondesuar në një enë bashkë me qumështin e lëngshëm.

I përzjejmë derisa qumështi i kondesuar të tretet plotësisht.

Më pas shtojmë kremin e qumështit (pana). I përzjejmë mirë që të jenë një masë.

Heqim kekun ose pandispanjën nga furra. Pasi të jetë ftohur i presim në formë katrorë dhe hedhim përsipër masën e qumështit.

E lëmë derisa pandispanja të përthithë qumështin plotësisht.

Në fund, u hedhim sipër karamelin e lëngshëm. /AgroWeb.org

Vuani Nga Mungesa e Magnezit? Zbulojeni Këtu

Magnezi luan një rol thelbësor për sistemin imunitar, nervat, muskujt, zemrën dhe kockat. Ai është i përfshirë në më shumë se 300 reagimet biokimike të trupit.

Mungesa e magnezit ndikon fort në vyshkjen e çdo organizmi të gjallë dhe vlen për bimët dhe sidomos për njerëzit.

Për këtë arsye, duhet të mësoni më shumë për mungesën e magnezit, simptomat, shkaktarët dhe faktorët e rrezikut. Për më tepër, në AgroWeb.org do të mësoni edhe për burimet ushqimore më të pasura me magnez.

Mungesa e Magnezit dhe Shenjat që jep Organizmi

Ndonëse shumë njerëz nuk marrin sasitë e nevojshme të magnezit nëpërmjet ushqimit, pamjaftueshmëria e mirëfilltë e këtij minerali është e rrallë.

Kjo vjen falë veshkave, të cilat mbajnë nën kontroll sasinë e kësaj kripe minerale që shkarkohet nëpërmjet urinës.

Ndaj nëse ndiheni të shëndetshëm, me siguri nuk jeni të prekur nga pamjaftueshmëria e magnezit.

Por nga ana tjetër, disa probleme shëndetësore, pirja e tepruar e alkolit, disa medikamente dhe një regjim jo i shëndetshëm ushqimor e bëjnë mungesën e magnezit të pashmangshme.

Ajo që shumë prej njerëzve përjetojnë në rastin e këtij minerali quhet si Sindroma e Nivelit të Papërshtatshëm të Magnezit.

Shenjat që jep organizmi kur mungon magnezi janë shumë të rëndësishme.

Nëse keni dhimbje dhe shtrëngime muskujsh, mërzi të vazhdueshme, energji të dobët dhe probleme me gjumin, duhet të kryeni analizat për të kontrolluar nivelin e magnezit në trup.

Rreziku nga sasitë e pakta të magnezit

Njerëzit që vuajnë nga diarea ose problemet me tretjen janë më të rrezikuar nga nivelet e ulëta të magnezit.

Njerëzit e prekur nga diabeti i tipit 2 kanë sasi më të ulëta të magnezit për shkak të urinimit të shpeshtë.

Të moshuarit kanë më pak magnez në organizëm se të rinjtë, sepse ata kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundjet kronike.

Për më tepër, medikamentet që ato konsumojnë ulin nivelet e magnezit, por nga ana tjetër, mosha ngadalëson përthithjen e magnezit në stomak.

Pamjaftueshmëria ndaj magnezit vërehet kryesisht tek ata që abuzojnë me alkolin.

A keni nevojë për suplementë?

Nivelet e ulëta të magnezit janë shqetësuese, por nuk duhet të merrni suplementë pa u konsultuar me mjekun.

Po nëse e teproni me magnezin?

Gjasat që ta teproni me magnezin vetëm duke e marrë nga ushqimi janë të pakëta.

Por nëse merrni suplementë, atëherë mund të rrezikoni duke marrë më tepër magnez.

Nëse e teproni do të përballeni me diare, të përziera, dhimbje të forta barku dhe aritmi’.

Magnezi mund të ndërveprojë me antibiotikët, medikamentet për tensionin e gjakut, diabetit dhe ato për nxitjen e urinimit.

Megjithatë duhet të konsultoheni gjithnjë me një mjek profesionist.

Burimet ushqimore të magnezit

AgroWeb.org ju rekomandon të ushqeheni me ushqime të pasura me magnez.

Gratë e moshave 19 deri në 30 vjeç kanë nevojë për 310 mg magnez në ditë.

Gratë e moshave mbi 30 vjeç kanë nevojë për më shumë.

Të gjitha barishtet e gjelbra, farat dhe arrorët janë burimet më të pasura me magnez.

Zgjidhni bajamet, arrat, farat e susamit, kungullit dhe linit janë ideale. Ushqime të pasura me magnez janë edhe fasulet e zeza dhe bananet./AgroWeb.org

*Informacioni i mësipërm është përgatitur nga një grup mjekësh shqiptarë dhe të huaj të shoqatës AlbaMedica që kontribuojnë vullnetarisht në sistemin shëndetësor shqiptar.

Çomlek me Lepur të Egër – Tradita Plot Shije

Nëse ka një recetë që fiton mbi të gjitha fantazitë e shijes, e që lë mënjanë paksa amvisat ai është: çomlek me lepur të egër gatuar nga vet gjahtarët.

Mënyra e gatimeve të egra nga gjahtarët është speciale, tejet e shijshme e mbi të gjitha e veçantë në botën e kulinarisë.

E tillë është receta e çomlekut me lepur të egër. Magjepsëse dhe e plotë në aromë, për këtë pjatë nuk mbeten fjalë ç’të thuash, thjeshtë të lëpish gishtat  dhe t’i dorëzohesh shijes së saj.

Ndërsa dihet se durimi është një nga tiparet dalluese të gjahtarëve për një gatim ideal të lepurit të egër procesi është pak i gjatë.

Lepuri pasi pastrohet mirë dhe pritet në pjesë, fillimisht lihet për dy-tre orë në ujë e më pas marinohet për 12 orë.

Ky proces bëhet për t’i dhënë mishit të lepurit një shije të plotë e fantastike kombinuar me pjesën tjetër të përbërësve, qepëve, hudhrave dhe domateve.

Më poshtë AgroWeb.org përcjell një recetën tipike të gjahtarëve. Recetën në përgatitjen e një prej gatimeve më speciale që sigurisht mbetet ndër më të pëlqyerat e gjithë trevave shqiptare.

Përgatitja e Çomlekut me Lepur në Shtëpi

Përbërësit

Një lepur i egër vogël, i freskët 1 kg

1 kg qepë të thata

1 kokërr hudhër e plotë

4-5 domate të kuqe të bëra mirë

Kripë

Piper pluhur

Piper kokërr

Gjethe dafinash

Një lugë gjelle me uthull

Gjysmë gote me verë të kuqe ose të bardhë sipas preferencës

Përgatitja

Si fillim mishin e lepurit të ndarë në copë e lëmë në një enë me ujë përreth 2-3 orë duke e ndërruar ujin rreth dy-tre herë.

Më pas, AgroWeb.org i’u udhëzon që mishin e lepurit ta marinoni në vaj ulliri, erëza të ndryshme piper, dafina, uthull e limon.

E lëmë të marinohet rreth 12 orë para se të gatuhet.

Pas marinimit, mishin e lepurit e vendosim në një tenxhere me pak vaj ulliri dhe e vendosim në zjarr.

E kavërdisim pak dhe hedhim një litër ujë.

Ndërkohë, në një tigan hedhim vaj ulliri bashkë me hudhrat e pastruara. Secilin thelpi e ndajmë më dysh në mënyrë që të lëshojë sa më shumë aromë.

I kavërdisim hudhrat me vajin e ullirit për pak sekonda e më pas shtojmë qepët e grira.

I kavërdisim derisa qepët të zverdhen e më pas hedhim domatet e grira në rende. I kavërdisim sa të nisin vlimin. Më pas salcën e krijuar i’a shtojmë lepurit që po zjen.

Shtojmë kripën, piperin dhe dafinën dhe i lëmë të zjejnë për 45 minuta në zjarr të ngadaltë.

Procesin e zjerjes, sipas preferencës mund ta transferojmë edhe në furrë duke hedhur çomlekun e përgatitur në një tavë e më pas e pjekim.

Çomleku me lepur të egër është gatim jashtëzakonisht i shijshëm.

Ai shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të lehta, sallata jeshile me limon apo edhe patate të furrës. Por edhe me turshi të ndryshme e salcë kosi./AgroWeb.org

Për Muskuj të Fortë – Frutat që Duhet të Zgjidhni

Nëse po përpiqeni të rrisni masën muskulare ose të shëroni muskujt, frutat janë të vetmet që nuk ju vijnë ndërmend.

Por gaboheni. Frutat janë po aq të rëndësishme sa çdo ushqim tjetër.

Kaliumi që ato përmbajnë ndihmon muskujt, karbohidratet parandalojnë djegien e muskujve dhe antioksidantët i mbrojnë ato nga dëmet e oksidimit.

Kaliumi për muskujt

Kaliumi është një mineral që promovon ekuilibrin e elektroliteve, por ai bën më shumë se kaq.

Ju keni nevojë për kalium të mjaftueshëm për të rritur nivelin e proteinave dhe masës muskulare.

Çdo frut mund të plotësojë nevojën ditore për kalium por pjepri, banania, portokalli, kivi, kumbullat dhe kajsitë e thara janë veçanërisht të mira.

Karbohidrate dhe proteina

Karbohidratet i japin organizmit energji, por nëse nuk merrni mjaftueshëm atëherë trupi do të djegë muskujt për të marrë energji.

Studimet tregojnë se nëse stërviteni dy herë në javë, atëherë të paktën gjysma e kalorive tuaja duhet të burojë nga karbohidratet që janë ushqyesit makro në çdo frut dhe rrjedhimisht janë një zgjedhje e shëndetshme për muskujt.

Zgjidhni rrushin, dardhën, qershitë, ananasin dhe hurmat e Arabisë.

Antioksidantët mbrojnë muskujt

Stërvitja agresive shkakton reagime kimike që dëmtojnë qelizat, ndaj sigurohuni të merrni shumë antioksidantë dhe kryesisht nga ushqimi.

Frutat janë më të pasurat me antioksidantë, përfshirë vitaminën C, karotenoidët dhe flavonoidët.

Furnizohuni me antioksidantë që të mbroni muskujt duke konsumuar më shumë mango, qitro, mollë dhe fruta pylli.

Më shumë fruta

Mënyrat se t’i përfshini frutat në stilin tuaj të ushqyerjes janë të panumërta.

Në fund të çdo vakti mund të ëmbëlsoheni me një frut.

Frutat janë një zgjedhje fantastike edhe pas aktivitetit fizik.

Përzijeni frutin e preferuar me kos ose pluhur proteinash dhe merrni ushqyesit për të cilat trupi ka nevojë për të ardhur në formë dhe për t’u ndjerë më i gjallëruar./AgroWeb.org

Pazia, Laboti, Hithra – Vlerat Cilësore Për Organizmin

Mësoni mbi vlerat e jashtëzakonshme të tre prej lakrave të egra më të shëndetshme të natyrës

Lakrat e egra janë nga bimët më të pasura me vlera të jashtëzakonshme, që gjendet kudo në Shqipëri.

Në këtë grup hyjnë edhe bimët që ngjasojnë me spinaqin, por që rriten kryesisht në gjendje të egër siç janë Pazia, Laboti dhe Hithra.

Lexoni vlerat e tyre mirëbërëse të listuara nga AgroWeb.org.

Hithra

Hithrat kurojnë simptomat e alergjive veçanërisht ato të shkaktuara nga poleni dhe pluhuri.

Hithra përdoret në trajtimin e sëmundjeve të Alzheimer, artritit, bronkitit, gurëve në veshka, sklerozës, e shumë të tjerave.

Nëse e vendosni hithrën në gishta ose në zona të tjera të prekura nga artriti, dhimbjet mund të qetësohen deri ne 85%.

Hithrat stimulojnë sistemin limfatik dhe fuqizojnë sistemin imunitar.

Kjo bimë ndihmon në shkatërrimin e gurëve në veshka dhe ndihmon me shkarkimin e ujërave të tepërt, ul tensionin e lartë të gjakut, ndihmon me sëmundjet respiratore, mbron shëndetin e tiroideve, shpretkës dhe pankreasit.

Mjafton të zieni hithrat në ujë të valuar dhe lëngun ta konsumoni çdo ditë.

Konsultohuni me mjekun sepse hithrat mund të ndikojnë tek një sërë ilaçesh.

Hithrat çlirojnë nga simptomat e artritit, luftojnë alergjitë, ndihmojnë me diabetin, i japin forcë fetusit tek nënat shtatzëna dhe ndihmojnë me prodhimin e qumështit për gratë lehona.

Pazia

Pazia rregullon nivelet e sheqerit në gjak, parandalon radikalet e lira, përmirëson tretjen, forcon sistemin imunitar, ul temperaturën, lufton inflamacionin, pastron organizmin dhe forcon shëndetin e trurit.

Pazia është një burim i mirë i kalciumit, magnezit dhe vitaminës K.

Konsumimi i mjaftueshëm i vitaminës K çon në modifikimin e proteinave të kockave.

Përmirëson përthithjen e kalciumit dhe parandalon formimin e osteoporozës.

Pazia përmban sasi të larta të kaliumit dhe të ulëta të natriumit.

Ajo përmban antioksidantë që ulin tensionin e gjakut dhe stresin e zemrës.

Mban emrin botanik Beta vulgaris subsp. cicla. Pazia është një burim fantastik vitaminash, ushqyesish dhe përbërësish organikë që përfshijnë vitaminën K, C, A, E, riboflavinën dhe vitaminën B6.

Ajo përmban magnez, mangan, kalium, hekur, natrium dhe bakër.

Laboti

Mjaftojnë katër deri në pesë gjethe të labotit të egër për të shfrytëzuar lëngun dhe pastruar gjakun.

Laboti i egër (Chenopodium Album) përmban shumë minerale të rëndësishme siç janë: kalciumi, hekuri, kaliumi, fosfori, magnezi dhe zinku.

Laboti përmirëson oreksin, përmirëson nivelet e hemoglobinës dhe është i pasur me aminoacide.

Lëngu i gjetheve të labotit përdoret në mjekësinë popullore kundër paraziteve intestinalë.

Nëse fëmijët tuaj vuajnë nga ky problem, atëherë duhet të konsumojnë labot të egër rregullisht për disa ditë.

Si ta konsumoni

Merrni 10-15 ml lëng të gjetheve të labotit. Shtoni kripë deti dhe pijeni tre herë në ditë pas çdo vakti. Gjethet e labotit të egër janë ideale për mëlçinë, tëmthin dhe shpretkën.

Nëse dëshironi të ruani shëndetin e sistemit tretës, atëherë duhet të konsumoni 10 ml të lëngut të gjetheve të labotit të egër.

Laboti i egër ndihmon dhe funksionon kundër gurëve në veshka. Merrni gjethet, shtypini dhe grijini deri sa të nxjerrin lëng dhe merrni 10-15 mg në ditë me ose pa ujë.

Këto bimë mund të përdoren në sallata apo supa, pas zierjes, por edhe lëngu i tyre ka shumë vlera, ashtu si edhe vetë gjethet./AgroWeb.org

Lemza – Të Kujtojnë Vërtetë? Apo Ke Probleme me Shëndetin?

Lemza shkaktohet nga një kontraktim i papritur dhe i pavullnetshëm i diafragmës.

Ky kontraktim ndodh në të njëjtën kohë me atë të laringitit dhe mbylljes së plotë të kordave të zërit.

Lemza ndodh pa asnjë arsye specifike dhe nuk është alarmuese.

Në shumicën e rasteve, lemza ikën vetë dhe nuk ka nevojë për trajtime shtesë.

Ju mund të përjetoni një lemzë të vetme ose disa me një interval konstant.

Nëse lemza zgjat shumë, atëherë tregon një problem serioz mjekësor, sipas ekspertueve të AgroWeb.org.

Lemza e tejzgjatur prek më shumë burrat se gratë.

Gjërat Që Nuk i Dinit për Lemzën

  • Ekspertët janë akoma në mëdyshje për arsyet e shfaqjes së lemzës.
  • Lemza e përsëritur është tregues i sëmundjeve si azma apo hemoragjia cerebrale.
  • Lemza e tejzgjatur shkakton komplikacione të tjera si pagjumësia apo depresioni.
  • Nëse lemza zgjat më shumë se 48 orë, duhet të vizitoheni tek një mjek.

Shkaktarët e Lemzës

  • Ushqimet e nxehta dhe pikante që irritojnë nervat e ezofagut.
  • Gazrat në stomak
  • Ushqyerja e tepërt dhe e shpejtë
  • Ndryshimet e papritura të temperaturës
  • Pijet e gazuara
  • Buka e thekur
  • Pijet alkolike

 Lemza e Tejzgjatur dhe e Përsëritur 

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, lemza e përsëritur tregon:

  • Inflamacion të zorrëve
  • Probleme me frymëmarrjen, azëm ose pneumoni.
  • Lëndime traumatike të trurit ose hemoragji cerebrale
  • Reagime psikologjike, stres, ankth ose gjendje shoku
  • Hiperglicermi ose diabet

Komplikacionet Që Mund Të Shkaktojë Lemza

  •  Rënie në peshë si pasojë e vështirësisë në ushqyerje
  • Pagjumësi
  • Lodhje dhe plogështi si pasojë e mungesës së gjumit dhe paaftësisë në ushqyerje
  • Probleme me komunikimin
  • Depresion

Si Ta Largosh Lemzën

Ekspertët e AgroWeb.org rekomandojnë të provoni hapat e mëposhtëm për ta larguar lemzën më shpejt.

  • Pini ujë me akull ngadalë
  • Mbani frymën për një kohë të shkurtër disa sekonda dhe përsëriteni 3 ose 4 herë çdo 20 minuta.
  • Kur gëlltiteni, ushtroni pak presion në hundë, duke e mbullur lehtas
  • Bëni garbarë me ujë shumë të ftohtë
  • Pini 3 gllënka ujë duke mbajtur frymën
  • Kafshoni një limon
  • Përtypni pak sheqer
  • Pini pak uthull molle
  • Merrni frymë brenda një qeseje letre, duke mbuluar hundën dhe gojën
  • Uluni duke mbajtur këmbët shtrënguar pranë kraharorit

Si Ta Parandalosh Lemzën

  • Shmangni ndryshimet e temperaturës
  • Mos pini alkol dhe pije të gazuara
  • Shmangni ushqyerjen e tepërt
  • Përtypuni ngadalë. /AgroWeb.org

*Informacioni i mësipërm është përgatitur nga një grup mjekësh shqiptarë dhe të huaj të shoqatës AlbaMedicum që kontribuojnë vullnetarisht në sistemin shëndetësor shqiptar.