Mënyrat për të Mbajtur nën Kontroll Nivelin e Sheqerit në Gjak

Një nga mënyrat më të domosdoshme për të mbajtur nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak është përzgjedhja e një regjimi të shëndetshëm ushqimor.

Ky i fundit është i dobishëm për të parandaluar progresin e diabetit të tipit dy dhe efektet anësore të ushqimeve të përpunuara dhe të ëmbla.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për pesë mënyrat ideale që ju vijnë në ndihmë kundër sheqerit të lartë në gjak.

Ushqimet e Përpunuara

Shumica prej këtyre ushqimeve përmbajnë karbohidrate dhe sheqerna shtesë të cilat arrijnë ta rrisin pa fre nivelin e sheqerit në gjak.

Hiqni dorë prej bukës së bardhë, ëmbëlsirave të pastiçerive dhe drithrave të ëmbëlsuar dhe zgjidhni bukë me drithëra të plotë, perime dhe fruta.

Pijet Dhe Ushqimet E Ëmbëlsuara

AgroWeb.org ju këshillon të hiqni dorë nga pijet dhe lëngjet e blera në market.

Frutat e plota, arrorët, kosi natyral me fruta pylli, karrotat ndihmojnë në balancimin e sheqerit në gjak.

Ato çlirojnë sheqerin natyral në gjak në mënyrë shumë të ngadaltë.

Mos harroni që edhe lëngjet e frutave të shtrydhura vetë, konsiderohen si një pije me sheqer ndaj duhen konsumuar me kujdes.

Më Shumë Perime dhe Proteina

Barishtet, sallatat dhe perimet duhet të përbëjnë të paktën gjysmën e ushqimit tuaj ditor.

Fibra që ato përmbajnë ju mban të ngopur për shumë gjatë dhe ekuilibron sheqerin në gjak.

Për më tepër, ato përmbajnë pak kalori.

Proteina nga ana tjetër ngadalëson çlirimin e karbohidrateve dhe sheqerit në gjak.

Proteinën e gjeni tek mishi pa dhjamë, peshku, veza, produktet e bulmetit, arrorët dhe farat.

Kujdes Me Etiketat

Nëse blini ushqime të paketuara, kontrolloni etiketat në mënyrë që të zbuloni sasinë e sheqernave të fshehur.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se këto të fundit gjenden tek drithërat, buka, salcat, ushqimet e gatshme dhe të përpunuara.

Sheqernat maskohen me terma të ndryshëm si glukozë, dekstrozë, ëmbëlsues, shurup e të tjerë.

Nëse një produkt përmbajn më shumë se 5 përqind sheqer për çdo gramë sasi atëherë mos e konsumoni.

Kujdes Me Alkolin

Alkoli mund të shkaktojë luhatje të forta në nivelin e sheqerit në gjak.

Pirja afatgjatë e tij nxit shtimin në peshë dhe rezistencën ndaj insulinës.

Të dyja së bashku rrisin shanset e shfaqjes së diabetit.

Për më tepër, kryeni aktivitet fizik dhe flini gjumë mjaftueshëm.

Të dyja janë thelbësore për mirëmbajtjen e nivelin të sheqerit në gjak./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Lulekopra, Barishtja e Verdhë e Lëndinave Shqiptare

Lulekopra është një barishte shumë popullore me një histori mjaft interesante. E hollë, e gjatë, lule verdhë.

Sot e gjejmë kudo, por në të shkuarën lulekopra ka qenë aq e çmuar sa mbahej e mbrojtur dhe ruhej me fanatizëm si bizhuteri e një rëndësie të madhe.

Lulekopra ka emrin botanik Anethum graveolens.

Vlera financiare e lulekoprës mund të ketë rënë ndjeshëm ndër shekuj, por hijeshia e saj aspak nuk njeh rënie.

Bima e lulekoprës ka vendlindjen në rajonin e Mesdheut, madje fushat e shpatet e Shqipërisë mbulohen me një tapet natyral lulesh fantastike me ngjyrë të verdhë.

Për mijëra vite me rradhë, lulekoprës i janë thurur lavde për vlerat mjekësore por edhe ato të kulinarisë.

Edhe Hipokrati, Babai i Mjekësisë e përdorte lulekoprën në përgatitjen e një recete për pastrimin e gojës.

Ushtarët në lashtësi përdornin farat e lulekoprës për të përshpejtuar shërimin e plagëve.

Fama e lulekoprës është shpërndarë në të gjithë historinë e njerëzimit.

Historia shumëngjyrëshe e lulekoprës

Ajo ka një shije unike që e bën shumë interesante. Për më tepër ajo vë vulën në çdo gatim në kuzhinë.

Gjethet, farat dhe lulet e kësaj bime janë fantastike.

Rritja e lulekoprës në kopësht

Bima e koprës rritet krenare dhe arrin një gjatësi domethënëse.

Asaj i pëlqen dielli dhe të jetë e mbrojtur. Preferon një terren të kulluar mirë dhe të mirëmbajtur.

Në kopësht ajo duhet mbajtur larg bimëve dhe luleve që pjalmojnë njera tjetrën.

Bima e koprës është e brishtë. Mjafton një erë dhe e rrëzon përtokë.

Ndaj ajo duhet mbajtur në një vend të mbrojtur në gjendje të lidhur, ku nuk ka rrezik.

Në verë, bima e koprës çel lulet e bukura plot erë dhe ngjyrë të verdhë.

Ka njerëz që përveç luleve janë të interesuar të shfrytëzojnë vlerat e plota të gjetheve të bimës.

Një bimë e vetme arrin të prodhojë plot fara që janë të përdorshme për vite të tëra.

Farat mund t’i mbillni direkt në kopësht por duhet të siguroheni që ato do të ujiten me bollëk.

Fidanët e hollë të koprës duhen të mbahen të paktën 30 centimetra larg nga njëri tjetri.

Rritja e koprës në ambiente të brendshme mund të bëhet në ato stinë kur dielli nuk mungon.

Bima do të jetë shtatvogël në krahasim me atë që rritet në ambientet e jashtme por shija do të jetë e njëjtë.

Fijet e holla të saj do të jenë të dendura por ju mund t’i jepni një formë të kënaqëshme për syrin.

Përdorimi i lulekoprës

Gjithçka përveç kërcellit mund të përdoret nga kjo bimë. E megjithatë ndryshimi qëndron tek intensiteti i shijes që do të merrni nga bima e mirë. Gjethet kanë aromë më të butë dhe mund të përdoren në gatimet me vezë, peshk, djathë dhe perime.

Lulet që çelin në majë të bimës kanë më shumë aromë dhe mund të përdoren në turshi.

Farat e bimës kanë shijen dhe aromën më të fortë. Ato janë fantastike nëse i përdorni në gatime si: supat, peshku dhe perimet.

Mund t’i përdorni në gatimin e bukës, përzieni me uthull ose t’i shtoni në sasi të vogla në ëmbëlsira, veçanërisht ato që përmbajnë mollë.

Përdorimi mjekësor i lukekoprës

Çaji i përgatitur me një lugë gjelle me fara kopre trajton problemet me tretjen dhe lemzën.

Për më tepër ajo trajton edhe dhimbjet e barkut dhe stimulon prodhimin e qumështit tek gratë lehonë.

Nëse dëshironi thonj të bukur e të fortë zhysni duart në lëngun e farave të koprës, një bimë nga e cila ne marrim shumë përfitime./AgroWeb.org

Mënyra Më E Shëndetshme Për Të Gatuar Çdo Perime

Perimet e shëndetshme mund të gatuhen në shumë mënyra të ndryshme, disa prej të cilave janë: kaurdisja, gatimi me avull, zierja dhe pjekja.

Duke qenë se metodat e gatimit janë të larmishme, konsumatori duhet të përzgjedhë mënyrën e duhur për të përfituar nivelin maksimal të vlerave të perimeve.

AgroWeb.org ju liston më poshtë rregullat që duhen ndjekur për gatimin e shëndetshëm të perimeve.

Rregulli Më I Rëndësishëm I Gatimit Të Perimeve

Nëse dëshironi të përfitoni më shumë prej perimeve, mos i zieni kurrë ato.

Çdo ushqyes që kanë perimet tretet në ujë, thonë ekspertët.

Nga ana tjetër, gatimi me avull ruan shumicën e ushqyesve.

Pjesa më e madhe e perimeve përmbajnë folat dhe vitaminë C, të cilat nuk përshtaten mirë me temperaturën e lartë.

Gatimi në mikrovalë nga ana tjetër, arrin të ruajë një pjesë të ushqyesve sepse procesi i gatimit është i shkurtuar.

Perimet Me Ngjyrë Të Kuqe, Verdhë, Portokalli Dhe Jeshile

Perimet me ngjyra të ndezura si domatet, specat, patatet e ëmbla, kungulli dhe karrotat janë ndër burimet më të pasura të karotenoidëve, antioksidantë të fuqishëm për organizmin.

Këto antioksidantë çlirohen falë nxehtësisë, ndaj perime të tilla duhen kavërdisur me temperaturë mesatare ose të lartë.

Gatimi në furrë është gjithashtu një opsion i mirë sepse nxjerr në pah vlerat më të mira të perimeve.

Barishtet

Spinaqi, lakrat e egra e të tjerë përmbajnë acid oksalik, një substancë që parandalon përthithjen e kalçiumit dhe hekurit.

Gatimi shpërbën këtë acid dhe trupi arrin të përthithë ushqyesit.

Barishtet janë gjithashtu një burim i shkëlqyer i vitaminave B dhe C, të cilat shkatërrohen me nxehtësinë.

Mënyra e duhur për të gatuar barishtet është ai me avull për maksimumi 10 minuta.

Më pas mund t’i kavërdisni me pak hudhër dhe vaj ulliri që të përfitoni edhe vitaminat A, E dhe K.

Perimet Ngjyrë Vjollcë

Lakra e kuqe, panxhari, patëllxhani dhe qepa e kuqe përmbajnë substanca të rëndësishme që luftojnë inflamacionin dhe mbrojnë zemrën.

Ato nuk duhen zier dhe nuk duhen gatuar me avull sepse humbasin vitaminat.

Për këto perime, mënyra më e mirë e gatimit është pjekja ose skuqja e shpejtë.

AgroWeb.org ju këshillon se patëllxhani nuk duhet qëruar sepse shumica e fibrës është akumuluar pikërisht tek lëkura.

Brokoli Dhe Lulelakra

Lakrat e vogla, brokoli dhe lulelakra përmbajnë substanca të rëndësishme që mbrojnë kundër kancerit.

Këto substanca ruhen vetëm nëse perimet gatuhen me avull dhe më pas të spërkaten me pak vaj ulliri.

Yndyra në fjalë lehtëson përthithjen e vitaminave.

Një tjetër opsion është që t’i hidhni perimet në një tenxhere me ujë të nxehtë dhe t’i mbani për 30 sekonda ose një minutë.

Më pas, duhet t’i transferoni menjëherë në një enë të mbushur me ujë me akull.

Në këtë mënyrë do të ruani shijen dhe ngjyrën e perimeve.

Legumet

Fasulet, qiqrat, thjerëzat janë një burim i shkëlqyer proteinash, por për shumë njerëz ato shkaktojnë gazra dhe fryrje.

Për të shmangur këtë aspekt negative, AgroWeb.org rekoman që legumet të mbahen në ujë gjatë gjithë natës ose për të paktën 8 orë.

Më pas ato duhen zier dhe plotësuar me hudhra, rozmarinë, kripë, trumzë dhe vaj ulliri.

Hudhra

Hudhra përmban alicinë, e cila ofron shumë përfitime për zemrën.

Alicina çlirohet vetëm në rastet kur hudhra shtypet ose grihet hollë.

10 minuta pas grirjes hudhra mund të përdoret në gatim.

Ajo rekomandohet të hidhet në pjesën përfundimtare të gatimit për të dhënë më shumë shije dhe vlera./AgroWeb.org

Akullore Shtëpie me Arra të Pjekura – Shije e Përsosur

Krejt e lehtë, e shëndetshme dhe me shije të freskët.

Akullorja e shtëpisë është padyshim një delikatesë fantastike, e cila shijon pa masë, sidomos tani që temperaturat janë rritur.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë të mrekullueshme të përgatitjes së akullores me qumësht dhe arra të pjekura.

Kërkon pak mundim dhe pak përbërës por të mrekullon me shijen e saj freskuese.

Mund ta kombinoni me fruta të ndryshme sipas dëshirës e ta konsumoni në çdo kohë të ditës, ajo do t’ju freskojë dhe ëmbëlsojë menjëherë mendjen edhe shpirtin jo vetëm ju por edhe më të dashurve tuaj.

Përgatitja e Akullores së Shtëpisë me Qumësht dhe Arra 

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

4 filxhanë çaji me qumësht

4 kokrra vezë

1 filxhan çaji sheqer

Një lugë çaji vanilje

1 lugë gjelle niseshte

1 filxhan me arra të pjekura

Përgatitja 

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të zjeni qumështin dhe ta lini të ftohet pak ndërkohë vendosni arrat të piqen në furrë të parangrohur për 10 minuta.

Më pas, rrihni vezët bashkë me sheqerin dhe hidhini në tenxheren ku keni qumështin.

Merrni pak nga masa e qumështit shkrini niseshtenë dhe hidheni masën në tenxheren e qumështit.

Përziejeni mirë dhe vendosini në zjarr shumë të ngadaltë duke i përzjerë vazhdimisht në mënyrë që masa të mos nisë të zjejë pasi priten vezët.

Kur masa të trashet, AgroWeb.org ju udhëzon ta largoni nga zjarri.

Hidhini arrat e pjekura dhe vaniljen.

Vendoset në kupa ose në një tas të madh dhe pasi ftohet në temperaturë ambjenti futet në zonën e ngrirjes së frigoriferit.

Sapo të ftohet dhe të ngrijë sa duhet është gati për t’u servirur.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me reçel qershie apo luleshtrydhe, fruta të thata etj.

Për një shije edhe më fantastike, këtë akullore mund ta përdorni edhe në shoqërimin e kekëve të ndryshëm apo edhe krepave të ëmbla.

Nëse preferoni akulloren mund ta shoqëroni edhe me copëza çokollate apo biskotash të ndryshme./AgroWeb.org

Magnezi, Jetësor për Shëndetin e Zemrës

Pamjaftueshmëria e përbërësve si magnezi, është një problem i madh që ndodh shumë shpesh, veçanërisht nëse ushqimi juaj nuk përmban burime të këtij minerali që për fatin tonë të mirë gjendet në sasi të mëdha në ushqimet me bazë bimore.

Nëse nuk jeni duke marrë doza të mjaftueshme të këtij minerali atëherë shanset janë të larta që të përballeni me sëmundjet e diabetit, osteoporozës madje edhe sëmundjet e zemrës.

Mungesa e magnezit nuk ndodh gjithmonë për faj të ushqimit të varfër. Ndonjëherë, sëmundjet kronike ose mosha ndikojnë në aftësinë e trupit për të përthithur këtë mineral.

Njerëzit nuk marrin magnez mjaftueshëm për shkak të sëmundjeve të veshkave, problemeve me tretjen, përdorimin e tepruar të antibiotikëve ose abuzimin me alkolin.

Magnezi luan një rol kryesor në shumë procese të shëndetit të njeriut. Ai përdoret nga çdo organ apo pjesë e trupit, duke nisur nga zemra, veshkat e deri tek muskujt.

Magnezi është një mineral thelbësor. Ai ndihmon trupin të rregullojë përthithjen e vitaminave dhe mineraleve të tjera si kalciumi, kaliumi, bakri, zinku dhe vitamina D.

Më poshtë do të gjeni disa të dhëna interesante mbi mënyrën se si magnezi ndikon çdo pjesë të organizmit.

Shëndeti i zemrës

Nëse kombinoni një dietë me yndyrna të pakëta dhe me ushqime të pasura me magnez, ju do të përfitoni tension të ulët të gjakut dhe rrjedhimisht një rrezik më të ulët të shfaqjes së sëmundjeve që i kanosen zemrës.

Kocka më të forta

Duke qenë se magnezi ndihmon në aktivizimin e vitaminës D të akumuluar në organizëm, ai ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kockave dhe në formimin e kristaleve kockorë më të fortë.

Sheqernat në gjak

Studimet kanë treguar se marrja e dozave të mjaftueshme të magnezit ndihmon në uljen e rrezikut të diabetit të tipit 2.

Ankthi

Nivelet e ulëta të magnezit janë shkaktarë të ankthit. Studimet sugjerojnë se marrja e këtij minerali të rëndësishëm ndihmon në shuarjen e simptomave të ankthit.

Magnezi gjendet natyralisht në disa ushqime, pesë prej të cilave AgroWeb.org ju fton t’i zbuloni më poshtë.

Farat e kungullit: Farat janë të mbushura me magnez. Çdo racion ofron 48% të dozës së rekomanduar ditore të këtij minerali.

Spinaqi: Barishtet dhe zarzavatet janë ndër ushqimet më të shëndetshme që duhen konsumuar. Spinaqi në veçanti ka sasi të mëdha të magnezit.

Shqemet: Këto arrorë të rëndësishëm ofrojnë 29 përqind të dozës së rekomanduar ditore të magnezit. Ato janë lehtësisht të ngrënshme çdo ditë, sepse kanë shumë vlera dhe janë të shijshme.

Pazia: Është një barishte e pasur me ushqyes dhe vlera. Çdo racion ofron 38 përqind të dozës së rekomanduar ditore të magnezit.

Fasulet e zeza: Bishtajoret përmbajnë sasi të larta të magnezit por fasulet e zeza në veçanti janë më të mirat. Çdo racion i tyre ofron 30 përqind të dozës së rekomanduar ditore./AgroWeb.org

Hernia – Kurat Më Të Mira Natyrale Për Lehtësimin e Dhimbjeve

Hernia është një problem mjekësor që shkakton shumë dhimbje e që ndonjëherë mund të të marrë jetën.

Ky problem kërkon trajtim mjekësor, por ka edhe disa kura natyrale që mund ta plotësojnë atë.

Hernia ndodh kur një organ i caktuar depërton në të çarën e një muskuli apo një indi rrethues.

Hernia është më e përhapur në zonën e barkut por mund të shfaqet edhe në pjesën e sipërme të kofshës, kërthizë dhe ije.

Kurat Natyrale Kundër Hernies

Lëngu i Aloe Verës

Aloe vera përmban përbërës natyralë kundër inflamacionit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org lëngu i saj rekomandohet për njerëzit që përjetojnë dhimbje nga hernia dhe duhet pirë esëll çdo mëngjes për kohëzgjatjen e dhimbjes.

Kompresat E Ftohta

Hernia shoqërohet me inflamacion, skuqje dhe dhimbje barku.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org kompresat e ftohta në zonën e caktuar pengojnë përhapjen e dhimbjes, inflamacionit dhe fryrjes.

Xhenxhefili

Xhenxhefilin mund ta konsumoni si lëng ose në formën e tij natyrale.

Ai mbron stomakun dhe ezofagun nga akumulimi i lëngjeve gastrike që ndodhin në rastin e hernias.

Jamballi (Likuirica)

Hernia mund të shkaktojë dëme të shtresës së stomakut dhe të ezofagut.

Lëngu i jamballit ka efekt shërues për këto zona të trupit.

Çaji i jamballit mund të stimulojë rritjen e indeve të dëmtuara dhe të zbusë dhimbjen.

Rënia Në Peshë

Mbipesha është një faktor rreziku për pacientët e prekur nga hernia.

Nëse humbisni në peshë, trupi do të ketë më pak presion dhe simptomat mund të zhduken në mënyrë natyrale.

Hani vakte të vogla që stomaku të ketë një punë më të lehtë.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju këshillon të shmangni ushqimet pikante dhe acidike që treten me vështirësi.

Këto ushqime nxisin inflamacionin në shtresën e stomakut dhe vështirësojnë shërimin.

Piperi I Zi

Piperi i zi pluhur qetëson indet e stomakut dhe zbut inflamacionin.

Ai stimulon shërimin e zonave të trupit që janë prekur nga hernia.

Stresi

Stresi dhe ankthi është një faktor madhor për formimin e hernias.

Hormonet e stresit dobësojnë organet dhe metabolizmin.

Kryeni aktivitet të lehtë fizik, bëni masazhe dhe terapi aromash kundër stresit.

Merreni Shtruar Me Palestrën

Aktivtetet e stërmundimshme fizike siç është ngritja e peshave të rënda ndikon ndjeshëm në shfaqjen e hernias.

Pini shumë lëngje dhe ushqehuni me ushqime të pasura me fibër që të lehtësoni lëvizjen e zorrëve.

Lëngjet e Perimeve

Lëngjet e karrotës, spinaqit, qepës dhe brokolit janë të shkëlqyera kundër inflamacionit dhe dhimbjeve të hernias.

Ato përshpejtojnë shërimin nga hernia.

Shtoni pak kripë në këto lëngje që të përmirësoni efektin e tyre.

Kurat e mësipërme duhen marrë në konsideratë si trajtime shtesë për shërimin e shpejtë në shumicën e rasteve të hernias.

Problemet serioze të hernias duhen trajtuar me ndihmë të specializuar mjekësore./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Për Kocka të Forta – Magnezi apo Kalciumi?

Akumulimi i kalciumit dhe niveli i kolesterolit të keq janë dy nga shkaktarët kryesorë të atakut në zemër

Kalçiumi është padyshim një nga mineralet më të rëndësishëm për shëndetin e kockave, por me sa duket magnezi është aleati më i rëndësishëm për formimin e kockave të forta, gjatë periudhës së adoleshencës.

Këto janë gjetjet e një studimi të ri të Shoqatave Akademike të Pediatrëve, të cilave u referohet ky artikull i AgroWeb.org.

Këto gjetje zbehin rëndësinë e suplementeve të ndryshme të kalciumit. që besoheshin se janë ndihmës të kockave dhe dhëmbëve të fortë.

A janë me të vërtetë këto suplementë aq të suksesshëm sa duken?

Ekspertët zbuluan se akumulimi i kalciumit dhe niveli i kolesterolit të keq ishin dy nga shkaktarët kryesorë të atakut në zemër.

Megjithatë, një studim i kohëve të fundit, tregoi se kalciumi nga burimet dietike kishte një ndikim më të mirë në mirëqenien e kockave (veçanërisht te femrat pas menopauzës) se kalciumi i marrë nga suplementet.

Burimi më i mirë për kalciumin

Ekspertët shpjegojnë se ushqimi mbetet burimi më i mirë për kalciumin.

Sipas tyre, njerëzit që përftojnë sasinë e rekomandueshme të kalciumit nga ushqimet nuk kanë nevojë për suplemente shtesë.

Ata shprehen se ndonëse nevoja për suplementet e vitaminës D është e madhe, marrja e sasive të mëdha të suplementeve të kalciumit rrit rrezikun e gurëve në veshka dhe problemeve të tjera me shëndetin.

Marrja e këtij mikroushqyesi nuk ka të njëjtin efekt si kalciumi që merret nga ushqimi.

Në ditët e sotme, konsumatorët përballen me mitet e fryra të industrisë së bulmetit, sipas të cilës konsumi i produkteve të pasterizuara siç janë qumështi ose djathi rrisin nivelet e kalciumit.

Megjithatë, kjo rezulton të jetë pjesërisht e vërtetë, sepse procesi i purifikimit krijon karbonat kalciumi, që nuk futet dot në qeliza pa një agjent ndërlidhës.

Për rrjedhojë, trupi e përthith kalciumin forcërisht dhe e dorëzon atë në kocka, inde dhe gjak.

Një gjë e tillë shkakton osteoporozë, pra sëmundjen më të përhapur të kockave.

Nga ana tjetër, studimet e lartpërmendura kanë konfirmuar se marrja dhe përthithja e magnezit nga të rinjtë është në fakt elementi thelbësor për dendësinë e kockave.

Rëndësia e dozave të magnezit për organizmin

Nga të dhënat e AgroWeb.org rezulton se, dozat e magnezit të marrë nga burime ushqimore janë të rëndësishme në shtimin e mineraleve të kockave te fëmijët.

Këta të fundit kanë nevojë për shumë ushqyes që të kenë kocka të shëndetshme, dhe magnezi është një prej tyre.

Kalciumi është gjithashtu i rëndësishëm, por fëmijët dhe adoleshentët që marrin doza të ulëta të këtij minerali, kanë më shumë nevojë për magnez.

Sigurisht specialistët rekomandojnë që prindërit t’u japin fëmijëve ushqime të pasura me kalcium që të ndihmojnë në krijimin e kockave të forta, por nga ana tjetër ata duhet të garantojnë edhe doza të vazhdueshme dhe të mjaftueshme të magnezit.

Ky mineral ka një rol thelbësor në tretjen dhe asimilimin e kalciumit nga organizmi dhe në cilësinë e kockave.

Doza e Rekomanduar Ditore për magnezin është 350-400 mg, por trupi mund të ketë nevojë për dyfishin e saj për të funksionuar në mënyrë ideale. Për një performancë më të mirë, merrni magnez gjatë ditës në sasi të vogla.

Burimet më të pasura të magnezit janë ushqimet, ndaj sigurohuni të konsumoni më shumë barishte, spinaq, pazi, avokado, fiq, fara kungulli, fasule të zeza, arrorë, banane dhe kakao./AgroWeb.org

Letra e Aluminit dhe Rreziku që Vjen nga Kuzhina

Letra e aluminit nuk mungon asnjëherë në raftet e kuzhinës. Këtë letër shkëlqyese e përdorim për të mbështjellë çdo gjë që gjejmë në kuzhinë.

Por a është e sigurt për një përdorim kaq masiv? AgroWeb.org ka përgjigjen e duhur të bazuar në mjaft studime dhe kërkime shkencore.

A duhet të shqetësohemi për praninë e aluminit?

Shkencëtarët kanë zbuluar sasi të larta të aluminit në trurin e pacientëve që vuajnë nga sëmundja e Alzhaimerit. Kjo substancë ngadalëson ritmin e zhvillimit të qelizave të trurit.

Ka të dhëna shkencore që provojnë se alumini në shumë produkte kozmetike siç janë deodorantët mund të inkurajojë zhvillimin dhe rritjen e kancerit të gjirit.

Këto të dhëna kanë shkaktuar mjaft shqetësim dhe kanë motivuar njerëzit që të zgjedhin produkte pa alumin në mënyrë që të kenë një higjenë personale pa toksina.

Megjithatë, të njëjtët njerëz nuk kanë arritur dot të heqin dorë nga letra e aluminit.

A e dini sa alumin përthithim nga kjo letër nëse e përdorim për të pjekur ushqimet e preferuara? A na kanoset rrezik prej saj? A mund të gatuajmë me të?

Metalet e enëve që përdorim për gatim, dashje pa dashje përfundojnë në pjatën tonë.

Kjo është arsyeja përse njerëzit që vuajnë nga mungesa e hekurit duhet të gatuajnë në enë prej hekuri. E njëjta logjikë vlen edhe për ata që duan të rrisin nivelet e aluminit.

Për fat të keq, një studim ka treguar se sasia e aluminit që çlirohet nga letra në fjalë gjatë procesit të gatimit është përtej limitit të lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sasia e çliruar e aluminit nga kjo letër nuk varet vetëm nga temperaturat e ushqimit.

Ushqime acidike siç janë limoni ose domatja përshpejtojnë procesin e lëshimit të këtyre substancave dhe e shkrijnë aluminin në ushqim shumë më shpejt se zakonisht.

Nëse e keni të vështirë të hiqni dorë prej letrës, atëherë më mirë përdoreni për të ruajtur ose ngrirë ushqimet në frigorifer.

Letra e aluminit nuk është armiku i vetëm në kuzhinë. Shumë prej tenxhereve kanë shtresa alumini.

Nëse dëshironi të jeni më të sigurt, atëherë zgjidhni enë hekuri, qeramike ose çeliku dhe mbi të gjitha hiqni dorë nga letra e aluminit.

Ju duket e vështirë? Për fat të mirë ka shumë alternativa të mira të kësaj letre të dëmshme: letra kalk kuzhine, napa ose letër dylli. Ruajini perimet në ujë të freskët në frigorifer.

Mund të përdorni napa, gjethe misri, madje edhe lëkurë banane për të ngrohur në avull ushqimet tuaja, ose përdorni enë qelqi për t’i ruajtur ato.

Qëndroni larg kapakëve plastikë. Vullneti është çelësi i një jete të sigurt. Nëse dëshironi, ju mundeni të jetoni një jetë pa letër alumini./AgroWeb.org

Ku Kanë Humbur Xixëllonjat e Shqipërisë?

Çdo herë që AgroWeb shkruan për xixëllonjat tërheq gjithmonë interesin e lexuesve të shumtë dhe besnikë, të cilët janë të shqetësuar pse gjithnjë e më pak i ndeshin këto bukuri plot dritë që na sjellin ndërmend momentet më të bukura të fëmijërisë.

Është i madh malli për stinët e bukura të kaluara në natyrë, nën mantelin e qiellit plot yje dhe në praninë e xixëllonjave të cilat me shkëlqimin e tyre shpesh e bënin natën ditë.

Kur është hera e fundit që ke parë një xixëllonjë? Nëse nuk e mban mend, atëherë ka kaluar shumë kohë dhe nëse i ke parë rrallë problemi mbetet serioz.

Çfarë po ndodh në të vërtetë?

Bletët nuk janë të vetmet specie në zhdukje, pasi edhe fluturat po hasin vështirësi. Por me xixëllonjat situata është mjaft problematike.

Prej vitesh, shkencëtarët kanë paralajmëruar shuarjen e 2,000 specieve të ndryshme të xixëllonjave.

Nuk është aspak çudi. Dora e njeriut në mjedis është shkatërrimtare. Krijesa të ndryshme ‘janë pa shtëpi.”

Xixëllonjat shumohen dhe jetojnë në pyje, pranë liqeneve dhe lumenjve, nëpër kopshte dhe lëndina.

Por kur betoni zapton çdo hapësirë të gjelbër, xixëllonjat humbasin habitatin e tyre.

Sikur betoni të mos mjaftonte, ekzistenca e tyre ndikohet për keq edhe nga pesticidet dhe ndotjet e shkaktuara nga njeriu.

Xixëllonjat rrëfejnë më së miri shëndetin e mjedisit që na rrethon.

Sipas Dokumentit Shkencor Mbi Xixëllonjat, ato po shuhen në mbarë botën si rezultat i degradimit dhe humbjes së habitatit të tyre, ndotjes së lumenjve, përdorimit në rritje të pesticideve dhe ndotjes së vazhdueshme të ndriçimit në zonat e banuara nga njerëzit.

Xixëllonjat janë pjesë e trashëgimisë së biodiversitetit. Ato janë krijesa ikonë dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shumë kultura dhe qytetërime.

Këto insekte fluturuese janë si zanat e përrallave. Ato janë epitoma e mbrëmjeve më të bukura verore dhe dashuria e parë me mrekullitë e natyrës për shumë prej nesh.

Nëse humbasim xixëllonjat, do të këpusim njëherë e mirë atë fillin e hollë që na lidh me magjinë e nënës natyrë dhe botës së mrekullueshme të saj. Njeriu nuk mundet ta përballojë një humbje të tillë, sado e parëndësishme në dukje.

Ajo që ne mundemi të bëjmë është të krijojmë mundësi nëpër kopshtet tona për xixëllonjat duke:

• shmangur përdorimin e kimikateve.
• lejuar krimbat dhe kërmijtë të shërbejnë për ushqimin e larvave të xixëllonjave
• fikur dritat e verandave apo kopshteve
• krijuar bimësi të bollshme për to.

Këto hapa mund të duken të rëndomtë, por ruajtja e xixëllonjave ka shumë rëndësi. Habitatet e xixëllonjave shfrytëzohen edhe nga shumë krijesa të tjera të natyrës si zvarranikët, zogjtë, amfibët dhe shumë specie të tjera.

Sa më shumë krijesa të natyrës të humbasim aq më pak do të investohemi në aspektin emocional.

Xixëllonjat janë të domosdoshme të vazhdojnë misionin e tyre si ambasadorë të magjisë së natyrës./AgroWeb.org

Lajthia Shqiptare – Ringjallja e një Tregu të Sigurtë

Shqipëria pësoi gjatë viteve të tranzicionit dëmtime të mëdha të sipërfaqeve  me drufrutorë.

Pas mbi 20 vitesh, fermerët po i rikthehen rimbjelljes duke gjetur rrugë të reja fitimi.

Në Jug të Shqipërisë, interesimi më i madh është për agrumet kryesisht në zonat bregdetare, si dhe për arrat dhe lajthitë në zonat në brendësi.

Lajthia si të gjitha bimët e tjera arrore,  është mbjellë afër vreshtave, por edhe si pengesë në formë gardhesh për të mbrojtur arat nga vërshimet e lumenjëve dhe përrenjëve.

Nga të dhënat e AgroWeb.org, shumë fermerë shqiptarë janë të nxitur për kultivimin e lajthive:

  • nga mundësitë e klimës së zonës,
  • tregu i shitjes së tyre është krejt i sigurtë,
  • si pasojë e ekzistencës së kompanive prodhuese të ëmbëlsirave
  • mundësia e artë për eksport drejt tregjeve të huaja

Specialistët e bujqësisë tregojnë se interesimi për lajthitë ka bërë që vit pas viti, sipërfaqet me drufrutorë të shtohen.

Kultivimi i tyre madje nuk prek as sipërfaqet bujqësore, por zonat afër lumenjve.

Sot Shqipëria ka rreth 50 000 rrënjë të kultivuara në shkallë vendi.

Pothuaj të gjitha të kultivarit të fidanëve Visoka dhe gjysma kultivohen në rrethin e Fierit.

Gjithashtu ka edhe mbi 11 mijë hektarë grumbuj pyjor me lajthishte të egra, të klasifikuara në llojin shkurre.

Këto toka të mbuluara nga lajthi të degraduara, shpesh preferohen për kullota apo për përdorime të tjera.

Disa fermerë kanë filluar të besojnë që me pak ndërhyrje, këto toka mund të kthehen në burim të ardhurash.

Për lajthinë nuk ka fare vështirësi gjetja e tregut, sepse është një kulturë që përdoret së tepërmi nga kompanitë e mëdha si në industrinë e çokollatave apo edhe frutave të thata.

Kjo kulturë është shumëvjeçare dhe e rezistueshme dhe gjen përdorim të gjerë kudo.

Një pemishte lajthish e mirëmbajtur prodhon nga 1.5 – 2.0 ton për hektar, ose rreth 50% të rendimentit për hektar të arrave.

Lajthitë vilen me dorë dhe kështu sigurohet që të ruhet vazhdimësia e prodhimit.

Rreth 86% e gjithë prodhimit shqiptar të lajthive vjen nga katër rajone, Fier, Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër.

Përafërsisht 55% e prodhimit vjen nga rrethi i Fierit dhe 11% nga ai i Lezhës. Të gjithë rrethet e tjerë japin 5% ose më pak të prodhimit total.

Turqia është vendi që realizon mbi 70 për qind të prodhimit dhe eksportit të lajthisë në botë, dhe vetëm gjatë 20 viteve të fundit ka vjelë më shumë se 24,5 miliardë dollarë të ardhura nga ky produkt.

Lajthia është arrori më i shtrenjtë nga të gjithë të tjerët, më i kushtueshëm se arra dhe gështenja, falë cilësive të veta shumë unike./AgroWeb.org

Dëmet Në Organizëm Nga Pijet Energjike – Rreziku Në Një Kanaçe

Konsumimi i pijeve me kafeinë që premtojnë “energji” është rritur ndjeshëm në 10 vitet e fundit.

Sipas studimeve, pijet energjike përbëjnë 20% të produkteve ushqimore që gjenden në treg. Me rritjen e pranisë së tyre në treg, po aq i lartë është edhe rreziku helmatisës nga taurina ose mbidoza nga kafeina.

Përbërësit kryesorë të një pije energjike janë taurina, kafeina, ekstrakti i guaranës dhe xhinsengu.

Këtij lëngu që premton energji të shpejtë, i shtohen aminoacide, vitamina dhe karbohidrate për ta shitur si një pije që tek tuk ka edhe vlera.

Pijet energjike reklamojnë se rrisin qëndrueshmërinë, përmirësojnë performancën, rrisin përqendrimin dhe forcën.

Prodhuesit e këtyre pijeve energjike shënjestrojnë konsumatorët e rinj që kërkojnë më shumë adrenalinë.

Këto pije konsumohen masivisht në festa që zgjasin për orë të tëra. Në shumicën e rasteve, festëdashësit i përziejnë me alkol duke e vënë veten akoma më shumë në rrezik.

Të rinjtë dhe adoleshentët janë veçanërisht të joshur nga pijet energjike, për shkak të reklamës, por edhe nga mungesa e njohurive për rreziqet që vijnë nga këto pije.

Ajo që duhet të dimë është që një nga elementët që shkaktojnë shqetësim është taurina. Kjo substancë që gjendet në lëngjet me kafeinë dhe sheqer është një amino acid në trajtë të lirë që gjendet tek ushqimet, por që prodhohet edhe nga vetë trupi.

Taurina natyrale në fakt i bën mirë trupit dhe mund ta gjeni në qumështin e lopës, mishi, peshku, vezët dhe tek produktet e detit.

Efektet anësore të taurinës

Taurina, në formën natyrale të saj ka efekte pozitive në sistemin kardiovaskular, sistemin nervor dhe atë imunitar.

Duke qenë se mendohet të largojë ankthin, ajo kundërvepron me efektet e kafeinës në pijet energjike. Disa studiues argumentojnë se ky efekt i bën njerëzit ta konsumojnë më shumë duke krijuar kështu një rreth vicioz varësie.

Studimet kanë lënë të kuptojnë që pijet energjike ndikojnë në shumë sëmundje duke nisur nga tensioni i lartë i gjakut, ishemia dhe ataku në zemër.

Vendet Skandinave e kanë ndaluar tërësisht konsumimin e këtyre pijeve pas vdekjes së 3 konsumatorëve dhe shqetësimeve që vijnë si pasojë e përzirjes së këtyre pijeve me alkol.

Ajo që duhet të dini është doza ditore e taurinës duhet të jetë nga 100 deri në 500 miligramë. Disa pije energjike përmbajnë edhe 1000 miligramë taurinë të prodhuar në mënyrë sintetike.

Disa njerëz pijnë të paktën 8 kanaçe në ditë që përkthehet në 8000 miligramë Taurinë. Një sasi kaq e madhe ka të njëjtin efekt si droga.

Forca dhe fuqia nuk kërkojnë magji. Energjia, ajo e vërteta, vjen nga një ushqim i pasur me ushqimet e duhura. Ekspertët rekomandojnë që të shmangni krejtësisht pijet energjike, të famshme për nivelin e lartë të kafeinës dhe sheqerit. Qëndroni larg tyre, sepse pretendimet për një gjallëri të menjëhershme janë të pavend./AgroWeb.org

Si Të Rrisni Speca Djegës në Vazot e Shtëpisë

Specat djegës ndezin gatimet tuaja por edhe zbukurojnë shtëpitë me ngjyrat e tyre aq të bukura. Në vend që t’i blini në treg, rritini vetë në shtëpi që mos t’ju mungojnë kurrë.

AgroWeb.org do t’ju mësojë se si të rrisni vetë specat djegës duke nisur që nga fara.

Shumica e shitësve të farave do t’ju mundësojnë një larmi farash të llojeve të specave djegës të intensitetit të ndryshëm. Nëse nuk ju pëlqejnë farat, mund të blini fidanë, por ndryshe nga farat, larmia e fidanëve është më e kufizuar.

Farat duhet t’i mbillni në vazo të vogla të mbushura me komposto dheu me pleh organik dhe pleh të kulluar mirë. Vazot vendosini në një vend të ndriçuar mirë, siç është parmaku i dritares. Temperaturat e larta përshpejtojnë çeljen e filizave.

Temperatura ideale e dheut duhet të jetë 21 gradë celcius ose më shumë. Për të siguruar këtë, mund ta vendosni vazon nën një shtresë me ngrohje elektrike, por nëse i mbillni në pranverë nuk do të keni probleme të tilla.

Filizat duhen rritur deri sa të kenë çelur tre deri në katër tufa gjethesh. Më pas mund t’i transferoni në një vazo më të madhe.

Pasi të ketë kaluar rreziku i ngricave, nxirrini vazot një herë në ditë për një javë në ballkon që filizat të forcohen. Ata do të jenë gati për t’u zhvendosur në një hapësirë tjetër dhe nuk do të përjetojnë shokun e të ndërruarit ambient.

Kushtet e rritjes

Nuk është çudi që specat djegës rriten mirë në temperatura të nxehtë. Ato mund t’i mbillni në një vend të ndriçuar mirë por nëse është ftohtë sigurohuni t’i mbështillni me shtresa plastike. Temperatura ideale e ajrit duhet të jetë 20 deri në 32 gradë.

Specat djegës preferojnë një dhè të pasur me pleh organik dhe ushqyes për perimet. Zona përreth bimës duhet të jetë e njomë, por jo shumë e lagur dhe as e thatë.

Nëse e teproni me ujin, specat do e humbasin elementin djegës. Bima çel më shumë fruta nëse e rrisni në një vazo.

Ndaj, të pasurit një shtëpi të vogël nuk është justifikim për mosrritjen e tyre. Mjafton një vazo dhe do të përfitoni shumë speca djegës. Lulet e bimës duhen pllenuar me dorë ose me një furçë të vogël.

Mbledhja e specave

Duhet të prisni deri sa specat të marrin ngjyrën e thellë të së kuqes, portokallisë, të verdhës, vjollcës apo çfarëdo lloj ngjyre tjetër të varietetit që keni blerë.

Nëse ju pëlqejnë specat që janë pak djegës atëherë mblidhini kur janë jeshilë, por sa më gjatë të qëndrojnë në bimë, aq më përvëlues do të jenë.

Specat janë shumë më të mirë kur konsumohen të freskët nga bima, por mos e hani menjëherë nëse nuk jeni të sigurt për nivelin e djegies që mund të përballoni. Disa speca janë aq djegës sa mund t’ju përvëlojnë për orë të tëra.

Nëse dëshironi të masni nivelin e djegies së specit, përfshijeni në ushqimin që keni gatuar. Disa speca të tjerë mund të thahen ose të ngrihen për ruajtje më të gjatë.

Specat e thatë mund të ruhen në formën e tyre të plotë ose të grihen si pluhur./AgroWeb.org

Hurmat E Arabisë, Nëntë Llojet Më Të Shëndetshme

Hurmat e Arabisë janë fruta të shijshme dhe shumë të shëndetshme.

Në të vërtetë, hurmat e Arabisë është një term që përfshin me dhjetëra varietete frutash që janë të shëndetshme.

Në Shqipëri, dyqane të ndryshme kanë lloje të ndryshme të hurmave të arabisë.

Në këtë artikull, AgroWeb.org ka renditur 9 hurmat më të mira të Arabisë.

Hurmat Ajwa

Këto njihen si ‘Mbretëresha e Hurmave’ sepse besohet të kenë qenë të preferuarat e Profetit Muhamed të fesë Islame.

Ato janë të buta dhe më të thata.

Këto hurma njihen për aftësinë që kanë në forcimin e imunitetit.

Hurmat Medjool

Ky frut rritet në vende me klimë të nxehtë e të thatë siç është Lindja e Mesme, Afrika dhe Kalifornia.

Ato nuk përmbajnë sheqer dhe janë ideale për pacientët diabetikë.

Këto hurma janë të pasura me vitamin, minerale dhe energji.

Hurmat Kalmi

Këto fruta e kanë origjinën nga Omani.

Janë fruta të zeza, të vogla me formë cilindrike.

Ato janë të pasura me kalium dhe parandalojnë diarenë.

Hurmat Mabroom

Këto hurma njihen si fruta të cilësisë së parë.

Janë natyralisht të pasur me minerale dhe antioksidantë.

Janë të ëmbla dhe përtypen me lehtësi.

Hurmat Ambera

Këto hurma mbajnë vulën e cilësisë më absolute të frutave të thata.

Ato vijnë nga Medina, në Arabinë Saudite.

Janë të mëdhaja në përmasa dhe kanë aftësi të përmirësojnë shërimin natyral të organizmit.

Hurmat Khudri

Kanë formë cilindrike dhe gjenden në përmasa mesatare ose të mëdha.

Kanë ngjyrë kafe me nuance të kuqe dhe të japin energji të menjëhershme që në kafshatën e parë.

Hurmat Zahidi

Janë hurmat më të shijshme të Iranit.

Kanë një ngjyrë të çelët të verdhë dhe formë rrumbullake.

Këto hurma përmbajnë sasi të larta të vitaminave A, B, C dhe minerale që përmirësojnë qarkullimin e gjakut.

Hurmat Safawi

Vijnë nga Arabia Saudite dhe janë të ëmbla e të mëdha.

Këto hurma përdoren kryesisht për të trajtuar aneminë dhe intoksikimin.

Hurmat Sukarri

Edhe ky varietet vjen nga Arabia Saudite.

Janë tejet të ëmbla dhe të qullëta.

Ato të japing një dozë të menjëhershme energjie./AgroWeb.org

Si të Mbillni Lule Sarandën – Hijeshi, Ngjyra, Aromë në Mjediset Tuaja

Bukenvile apo Lulja e Sarandës është një bimë kacavjerrëse e cila shpërthen në lule të vogla plot ngjyra dhe aromë.

Ajo gjendet në shumë variacione,  por më karakteristikja është ngjyra rozë e ndezur.

Në qytetin e Sarandës kjo bimë zbukuron ballkonet dhe kopshtet e pothuaj të gjitha shtëpive, duke u kthyer në lulen karakteristike të këtij vendi.

Nëse doni ta keni bukenvilen në shtëpinë tuaj, mjaftojnë vetëm disa hapa për ta mbjellë.

AgroWeb.org ju këshillon se fidanët e Lule Sarandës i gjeni në pikat e tregtimit me shumicë të luleve dekorative por mund t’i porosisni edhe në pikat e tregtimit të luleve.

Vendosni ku doni ta mbillni

Lulja e Sarandës, lulëzon në vende të ngrohta dhe të thata.

Në qytete ku klima është më e favorshme kjo bimë mund të mbillet dhe jashtë, por në vende me temperatura të ulëta është mirë që të mbillet në vazo. Kështu mund ta fusni brenda gjatë muajve të dimrit.

Bukenvilet rriten në vende ku temperaturat gjatë natës nuk bien poshtë 16 gradëve, dhe temperaturat maksimale nuk  kalojnë 39 gradë.

Gjeni një vend me diell

Lulja e Sarandës është një bimë që kërkon rrezet e diellit në mënyrë që të rritet sa më mirë.

Mundohuni që vazoja të jetë në një pozicion ku e kapin rrezet e diellit, pasi asaj i nevojiten të paktën 6 orë ekspozim në diell që të lulëzojë.

AgroWeb.org ju udhëzon që të zgjidhni pleh me minerale dhe të thatë.

Bukenvilet nuk rriten nëse dheu në të cilin mbillen ka shumë lagështirë, prandaj sigurohuni që plehu që do të përdorni të jetë i thatë.

Nëse doni, në fund të vazos hidhni disa guralecë të vegjël, që uji të qarkullojë më shpejtë.

Si ta mbillni

Merrni një vazo të madhe, lulja e Sarandës ka nevojë për një bazament të qëndrueshëm.

Në fillim vendosni disa guralecë, më pas shtëpi plehun e thatë.

Në mes të vazos gërmoni një gropë sa të mbulohen rrënjët e fidanit plotësisht.

Shtoni dhe pak pleh, dhe shtypeni ngadalë zonën rreth kërcellit të lules.

Ujiteni me masë

Bukenvilet dobësohen nëse kanë shumë ujë, dhe nuk arrijnë të çelin lulet, por qëndrojnë të gjelbërta gjatë gjithë vitit.

Nga ana tjetër nuk duhet të lejoni dhe që dheu i vazos të thahet plotësisht.

Gjeni një të mesme të artë, ujiteni aq sa të shikoni që plehu është i njomë mjaftueshëm.

Krasitni që të lulëzojë

Lulja e Sarandës ka nevojë për krasitje, në mënyrë që të forcohet dhe që të marri një formë të mirë.

AgroWeb.org ju këshillon që ta krasisni pasi bima të ketë rrëzuar lulet.

Mund të prisni disa centimetra degët e saj, në mënyrë që në pranverë të jetë akoma dhe më e fortë.

Lule që kacavirren

Duke qenë se bukenvilet janë bimë që kacavirren, do të vini re që ajo do të filloj të kërkojë një mbështetje.

AgroWeb.org ju sugjeron që vazon ta vendosni në një vend që të ketë mjaftueshëm hapësirë dhe ku degët e saj të arrijnë të gjejnë një mbështetje./AgroWeb.org

Ushqimet Më të Mira Kundër Kolesterolit

Stili i jetesës dhe ushqyerjes luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të kolesterolit.

Nëse vuani nga kolesteroli i lartë atëherë aktiviteti fizik, heqja dorë nga duhani dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të bëjnë një ndryshim domethënës.

Studimet e AgroWeb.org tregojnë se nëse ushqeheni me produkte që janë miqësore me zemrën, atëherë do të ulni natyralisht kolesterolin dhe do të pakësoni rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Vaji i ullirit ekstra i virgjër

Studimet shpjegojnë se vaji i ullirit ekstra i virgjër është i mbushur me acide yndyrore mono-të-pangopura që parandalojnë aterosklerozën dhe ulin nivelet e kolesterolit.

Shtoni 10 gramë vaj ulliri ekstra të virgjër në ushqimet tuaja ditore dhe do të ndieni ndryshim. Vajin e ullirit mund ta përdorni në sallata, perime, peshk ose mish pule.

Avokado

Avokadot janë të pasura me acide yndyrore mono-të-pangopura dhe janë një burim i shkëlqyer i një substance bimore të quajtur beta-sitosterol që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe uljen e niveleve të kolesterolit.

Përpiquni të shtoni avokadot në ushqimet tuaja. Me të mund të bëni një supë të shijshme ose sallatë.

Farat e linit

Farat e linit janë një burim i pasur me acide yndyrore omega 3, fitoushqyes dhe fibër. Ato ndihmojnë në uljen e rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të nivelit të kolesterolit.

Mënyra më e thjeshtë për të përfshirë farat e linit në ushqimin tuaj është t’i përzieni ato me lëngje me bazë qumështi ose me fruta dhe perime.

Hudhra

Disa studime mbi hudhrën dhe përbërësin e saj aktiv, alicinën, sugjerojnë se konsumi i rregullt ka ndikim domethënës në parandalimin e mpiksjes së gjakut dhe arteriosklerozës.

Ndaj nëse konsumoni dy ose tre thelbinj hudhër në ditë do të mund të ekuilibroni nivelet e kolesterolit.

Kakaoja pluhur

Kakaoja pluhur përmban flavanolë të cilët ndihmojnë jashtëzakonisht shëndetin kardiovaskular dhe funksionojnë si antioksidantë. Rrjedhimisht ato ulin nivelet e kolesterolit.

Mënyra më e thjeshtë për të shtuar kakaon në ushqyerjen tuaj ditore është në lëngjet me bazë frutash. Ose duke zëvëndësuar çokollatën në ëmbëlsirat e pjekura.

Tërshëra

Ulja e kolesterolit mund të jetë një mision shumë i thjeshtë nëse hani tërshërë në mëngjes.

Tërshëra përmban një substancë të njohur si beta-glukan që përthith kolesterolin e keq dhe e nxjerr atë nga trupi.

Mjaftojnë dy racione me tërshërë dhe kolesteroli i keq mund të ulet me 5% në 5 javë, pa ndikuar në kolesterolin e mirë.

Spinaqi

Perimet si spinaqi janë të pasura me luteinë, një substancë që ndihmon në uljen e rrezikut nga ataku në zemër duke parandaluar mpiksjen e gjakut. Shtoni të paktën 170 gramë spinaq ose barishte të tjera në sallata ose gatime të ndryshme dhe do të ndiheni më mirë.

Arrat

Mos hiqni dorë nga arrat. Studimet më të fundit kanë treguar që arrat munden të ulin kolesterolin e keq me 9 përqind. Kjo vlen nëse konsumoni 42 gramë arra 6 ditë në javë për një muaj./AgroWeb.org

Pa Mëngjes – Sa Dëmtohet Zemra dhe Organizmi

Keni ngrënë mëngjes sot? Nëse jo, atëherë duhet të dini diçka serioze

Shumë njerëz mendojnë se ngrënia e mëngjesit është pa shije dhe një humbje kohe.

Të tjerë mendojnë se mëngjesi është një mënyrë e rëndësishme për të filluar ditën dhe se ky është vakti më i rëndësishëm nga të gjithë.

Njerëzit që qëndrojnë larg mëngjesit pretendojnë se nuk janë të uritur ose vakti nuk ka rëndësi.

Ata që ushqehen pas lindjes së diellit thonë se i mban ata të ngopur gjatë ditës dhe ndihmon në mbajtjen e peshës nën kontroll.

Një studim i ri i jep të drejtë njerëzve që besojnë se është e dobishme për të ngrënë mëngjes, por jo për të njëjtat arsye.

Çfarë rrezikoni pa mëngjes?

Studimi, i cili u publikua në Revistën e Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë sjellë nga AgroWeb.org, hulumtoi ushqimin dhe zakonet e mëngjesit të burrave dhe grave që nuk kishin sëmundje të zemrës apo sëmundje të veshkave.

U studiuan tre grupe kryesore. Një grup hëngri më pak se 5% të konsumit total të kalorive të ditës në mëngjes, një tjetër hëngri më shumë se 20% në mëngjes dhe një grup i tretë konsumoi mes 5-20% të kalorive ditore në mëngjes.

Studiuesit e famshëm amerikanë zbuluan se rreziku i arterieve të ngurtësuara, u shfaq më i lartë mes atyre që humbnin mëngjesin ose që konsumonin fare pak gjatë këtij vakti.

Grupet e rrezikuara gjithashtu u gjetën të kenë bel dhe masë trupore më të madhe.

Gjithashtu patën edhe tension më lartë të gjakut. Por edhe prirje më të larta më të larta për diabet.

Thënë thjesht nga AgroWeb.org: Personat që konsumojnë mëngjese të plota treguan formë më të mirë fizike, tension më të mirë të gjakut dhe zemër më të shëndetshme.

Rezultatet janë të rëndësishme për profesionistët e shëndetësisë.

Ato mund të përdoren si një mesazh i thjeshtë për ndërhyrjet në bazë të jetesës dhe strategjitë e shëndetit publik, si dhe për të informuar rekomandimet ushqimore.

Kjo nuk do të thotë që ju duhet të hani 5 pjata me ushqim çdo mëngjes. Ka shumë ide të shëndetshme të mëngjesit për të zgjedhur.

Por fakti kryesor është që nëse e doni zemrën tuaj, mos vraponi pa karburant në stomak./AgroWeb.org

Supa e Peshkut – Vlera Befasuese për Shëndetin

Lëngu i peshkut është një alternativë vegjetariane e lëngut të kockave të mishit që ofron një larmi befasuese vlerash shëndetsore.

Me uljen e temperaturave, rikthehet dashuria për supat të cilat ngrohin stomakun dhe shpirtin. Nga pikëpamja shëndetsore, shumë prej supave të cilat jemi mësuar të konsumojmë janë klasike.

Ato përmbajnë perime organike dhe drithëra të plota. Por mbi të gjitha edhe supa e peshkut është një nga këto receta klasike, e shëndetshme dhe e shijshme. Është nga ato supa prej të cilave nuk heq dorë aq lehtë.

Lëngu i peshkut është një alternativë vegjetariane e lëngut të kockave të mishit që ofron një larmi befasuese vlerash shëndetsore.

Nëse nuk e keni provuar akoma, atëherë është koha që ta përgatisni menjëherë duke ndjekur këtë recetë të AgroWeb.org.

Supa e peshkut është e dobishme për shëndetin. Ajo përmirëson shëndetin e tiroides, forcon shëndetin e trurit dhe ju ndihmon të hidratoheni pas një aktiviteti të mundimshëm fizik.

Supa e ngrohtë e peshkut, përgatitet duke kombinuar peshkun ose frutat e detit me perimet dhe lëngun e tyre.

Supa përftohet nga zierja e shumë përbërësve në të njëjtën kohë deri në çlirimin e plotë të aromave të përbashkëta.

Supa e Peshkut në Shtëpi

Përbërësit

3-4 peshq të plotë, bashkë me kokën, lëkurën dhe halat

3 lugë gjelle me vaj ulliri

2 qepë të grira

1 karrotë e prerë

3 shirita selinoje të copëtuara

4 thelpinj hudhër

1 copë e vogël xhenxhefili e grirë

Një tufë majdanoz

1 gjethe dafine

Çerek gote me uthull molle

3 litra ujë

Kripë

Përgatitja Krejt Lehtë

Hidhni vajin e ullirit në një tenxhere dhe kavërdisni perimet për 30 minuta deri sa të zbuten dhe lërini mënjanë.

Shtoni në tenxhere uthullën e mollës, peshqit dhe ujin. Ziejini së bashku. Me një lugë druri hiqni shkumën dhe mbetjet e padëshiruara që ngjiten në sipërfaqe.

Që të përftohen vlerat më të mira, zierja duhet të jetë e ngadaltë dhe të zgjasë deri në tre orë. Një pjesë të lëngut në tenxhere mund ta ndani mënjanë dhe ta përdorni në gatime që duan lëng peshku për bazë.

Pas zjerjes, nxirrni peshqit dhe pastrojini nga halat. Kullojeni lëngun e peshkut dhe hidheni në një tenxhere të pastër.

Mishin e peshkut të pastruar nga halat bashkojeni me perimet dhe hidhini në tenxheren e lëngut të peshkut. Lërini të zjejnë bashkë për 20 minuta të tjera dhe supa është gati.

Kjo supë është pjesë e rëndësishme e një stili të shëndetshëm ushqyerje për Tiroiden, Stomakun dhe Trurin. Atë mund ta ruani në në një kavanoz jo të mbushur plot dhe ta fusni në ngrirje./AgroWeb.org

Kura me Mjaltë dhe Hudhra – Efekte të Forta në Organizëm për Pesë Ditë

Kohët e fundit, jeta është bërë shumë e shpejtë, ashtu si ushqimet.

Ky ritëm është shkaktar i shumë sëmundjeve të rrezikshme siç është diabeti, mbipesha, problemet me tretjen e të tjera.

Regjimet e shëndetshme ushqimore janë kthyer në një mënyrë efikase për ta ushqyer trupin me vitamina e minerale.

Hudhra dhe mjalti janë dy përbërës të rëndësishëm të mjekësisë popullore për të trajtuar sëmundje e çrregullime.

Uthulla e mollës gjithashtu është një nga ushqimet më të shëndetshme që i vjen në ndihmë organizmit.

Kombinimi i këtyre tre përbërësve formon një kurë natyrale të plotfuqishme që lufton një sërë sëmundjesh të rënda.

Hudhra ka vlera të fuqishme kundër inflamacionit dhe forcon sistemin imunitar.

Hudhra përmban sasi të mëdha të manganit, kalciumit, fosforit, seleniumit, vitaminës B6 dhe asaj C.

Uthulla e mollës është ideale kundër problemeve me tretjen, mbipeshën dhe dhimbjeve të stomakut.

Mjalti është antioksidant, antibakterial dhe armik i mikrobeve.

Ai është i mbushur me vitamina dhe minerale.

Nëse do të zgjidhnim një term tjetër për të përshkruar mjaltin, ai me siguri do të ishte “ multivitaminë.”

Mjalti shton energjinë, forcon sistemin imunitar, pakëson alergjitë, zbut kollën, fytin e lënduar, lufton infeksionet dhe parandalon përhapjen e qelizave të dëmshme.

AgroWeb.org rekomandon kurën e mëposhtme e cila duhet provuar në stinën e dimrit.

Përbërësit

1 filxhan me mjaltë

10 thelpinj hudhër

1 filxhan me uthull molle

Udhëzimet

Përziejini të gjithë përbërësit deri sa të përfitoni një masë homogjene.

Më pas, masën hidheni në një kavanoz qelqi dhe ruajeni në frigorifer.

Përpiquni të konsumoni dy lugë gjelle nga kjo kurë shëndetsore çdo mëngjes.

Efektet janë më të forta gjatë pesë ditëve të para të konsumit të kurës me uthull, mjaltë dhe hudhra./AgroWeb.org

Mishi i Pulës me Viza të Bardha – Çfarë Duhet të Dini Kur ta Blini

Shqiptarët po konsumojnë mish pule më shumë se ndonjëherë më parë, sepse është burimi më ekonomik dhe më i përballueshëm në treg i proteinave.

Dhe ndërsa pulat janë kthyer në një burim popullor ushqimi, nuk duhet të vijë asnjë surprizë që fermerët duhet të nxjerrin në treg produkte pule me shpejtësi rekord.

Në Shqipëri pjesa më e madhe e mishit të pulës vjen nga importi, pasi oferta vendase nuk e përballon dot kërkesën e konsumatorëve.

Por ka një efekt anësor!

Mishi i gjoksit të pulës është zakonisht me një ngjyrë rozë lehtësisht të tejdukshme.

Por nëse i keni kushtuar vëmendje gjokseve të mishit të pulës që blini në treg, sidomos atij të importuar, atëherë do të keni vërejtur disa vija të bardha në sipërfaqe.

Këto vija të bardha janë tregues i një çrregullimi anormal të muskujve të pulave të quajtur “vizat e bardha

Nuk ekzistojnë studime që të tregojnë se një mish i tillë pule është i dëmshëm për konsumim. Por një anomali e tillë tregon për kushtet në të cilat janë rritur pulat.

Çrregullimi i Vizave të Bardha dëmton cilësinë e mishit në masën mbi 200%.

Sipas një studimi të botuar në Revistën Italiane të Shkencave të Kafshëve kjo ndosh pasi rritet përmbajtja e yndyrnave të dëmshme. Shikoni fotot AgroWeb në fund të lajmit për dallimet.

Ajo që po haset gjithnjë e më shumë tek prodhuesit e pulave të importit është fakti që pulat duhet të rriten sa më shumë dhe sa më shpejt.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, pulat nisen për në treg kur arrijnë një mesatare peshe prej mbi 2,5 kg që e arrijnë në vetëm 47 ditë.

Jo më larg se disa dekada më parë, do të duheshin 70 ditë që pulat të arrinin gjysmën e asaj peshe.

Pse po ndodh? Kërkesa në rritje për pula është përgjegjësja e kësaj situate. Qendrat kërkimore raportojnë se konsumi mesatar i pulave është rritur disa herë më tepër krahasuar me vitet 70.

Çfarë mund të bëjnë konsumatorët për të? Zgjidhja është relativisht e lehtë: Kontrolloni mishin para se të blini atë. Vizat e bardha janë të lehta për t’u dalluar dhe për t’u shmangur nga konsumatorët./AgroWeb.org

Zgjedhje e Mirë

Zgjedhje e Dyshimtë

Vezë Të Pjekura Në Furrë – Unike Për Një Mëngjes Plot Shije

Një shije krejt unike dhe e papërsëritshme.

Krahas mënyrave tradicionale të përgatitjes së vezëve, të skuqura sy apo tigani, omletë apo të ziera, kjo është një tjetër recetë fantastike që të përfshin tërësisht.

Përgatitet në vetëm pak minuta dhe kombinimet e saj janë të pafundshme.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron përgatitjen e vezëve të pjekura në furrë, të quajtura ndryshe si Vezët në Formën e Reve.

Përgatitja e Vezëve të Pjekura në Furrë

Përbërësit

(Përbërësit përzgjidhen në bazë të numrit të personave që do të gatuani)

4 vezë

Kripë

Piper i zi i bluar

Një filxhan çaji me djathë kaçkavall i grirë

Përgatitja

Ndani të bardhën e vezëve nga e bardha. Të bardhat e vezëve vendosini në një tas të madh qelqi ndërsa të verdhat në një tas të vogël.

Në tasin ku keni vendosur të bardhat e vezëve shtoni kripë dhe piper.

Përmes një rrahëse vezësh ose mikseri rrihni të bardhat e vezëve derisa të krijohet një masë e fryrë si shkumë e palëvizshme.

Më pas, shtoni djathin kaçkavall të grirë, nëse dëshironi gjatë rrahjes së të bardhave të vezëve mund të shtoni qepë të njoma të grira shumë hollë, apo edhe speca të kuq ose erëza si majdanoz i grirë hollë apo nenexhik.

Një e nga një, krijoni katër masa të njëjta të rrumbullakëta dhe vendosini në një tavë ku keni shtruar letër pjekjeje.

Katër masat me shkumën e vezëve të bardha formojini në formën e foleve, me një gropëz në mes.

Futini në furrën e parangrohur dhe piqini derisa të bardhat e vezëve të marrin në sipërfaqe ngjyrë të artë, përreth tre minuta.

Pas tre minutash ku të bardhat e vezëve janë forcuar nga pjekja, me kujdes në gropëzat e formuara më pas vendosni të verdhat e vezëve që keni lënë mënjanë.

Hidhuni sipër pak kripë e piper dhe futini në furrë edhe për 3 minuta të tjera. Vezët e shijshme në formën e reve janë gati.

Vlerat e vezëve

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori.

Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori. /AgroWeb.org