Lista e Ilaçeve Që Dëmtojnë Fort Trurin dhe Kujtesën

Numri i njerëzve që pësojnë efekte anësore dhe komplikime të shkaktuara nga barnat dhe ilaçet është tronditës.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetit janë më shumë se 1.5 milion raste të regjistruara në botë.

Çdo lloj ilaçi i marrë me recetë mund të shkaktojë një lloj rreziku shëndetësor. Humbja e kujtesës është një nga efektet anësore më të zakonshme. AgroWeb.org ju sjell një informacion shumë të rëndësishëm mbi gjithçka duhet të dini.

Qetësuesit dhe Ilaçet e Gjumit

Është vërtetuar nga raste të shumta që pilulat e gjumit mund të shkaktojnë humbje të kujtesës. Ambien është një nga ilaçet më të përdorura që shkakton këtë problem madje është quajtur edhe “ilaçi i harresës”.

Njerëzit që përdorin këtë medikament përjetojnë halluçinacione; ecin në gjumë, madje ngasin makinën po në gjumë. Marrja e këtij ilaçi për trajtimin e problemeve të gjumit nuk i jep trurit gjumin ripërtëritës që ka nevojë për të riparuar dhe ruajtur vetë. Ajo shkakton gjendje të ngjashme me të qenit i dehur ose të qenit në koma.

Mjekimet me Statina

Ilaçet më të këqija për trurin janë barnat statine të cilat përdoren për uljen e niveleve të kolesterolit. Truri ka nevojë për kolesterolin për funksionimin e duhur, për kujtesën, të mësuarit dhe të menduarit e shpejtë. Këto barna mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin e trurit dhe kujtesën.

Mjekimet me Ilaçet ANTI

Antihistaminikët, antibiotikët, antihipertensivët, ilaçetet kundër depresionit, antipsikotikët, antispasmodikët dhe të gjitha medikamentet e tjera që fillojnë me ANTI-ndikojnë në nivelet e acetilkolinës.

20 Ilaçet me efekt anësor Humbjen e Kujtesës

Antidepresantët triciklik • Ilaçet e tensionit të lartë • Metildopa • Mjekimet kundër dhimbjeve me përmbajtje heroine, kodeine, morfine • Ilaçet e kemioterapisë • Interferonet • Antipsikotikë si Haldol ose Mellaril • Epileptikët si Fenitoin ose Dilantin • Ilaçet e ankthit si Seconal, Phenobarbital, Amytal, Nembutal • Antihistaminikët • Quinidine • Beta Bllokuesit sidomos për glaukomën • Antibiotikët • Naproxen • Litium • Steroidet • Insulina • Pilula gjumi si Sonata, Ambien, Lunesta • Ilaçet e Parkinsonit si glikopirrolat, skopolamina, atropina • Ilaçet qetësuese si benzodiazepinat Ativan, Dalmane, Valium, Xanax.

Sipas Mount Sinai School of Medicine në SHBA, këto janë 20 barnat që dihen që shkaktojnë humbje të kujtesës.

Gjithmonë konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të merrni ndonjë ilaç, veçanërisht këto lloje të barnave. Para se të vendosni t’i përdorni ato, përpiquni t’i trajtoni problemet natyrshëm me përbërës dhe mjete natyrale, të keni aktivitet të rregullt fizik dhe të ndryshoni stilin e jetës./AgroWeb.org

Nëse doni t’ia tregoni këtë lajm edhe të tjerëve, mund ta shpërndani nga ky link AgroWeb në Facebook.

Kultivimi i Aloe Verës në Shqipëri – Një Biznes Fitimprurës

Kultivimi i Aloe Verës në Shqipëri po shndërrohet në një biznes vërtet fitimprurës, duke premtuar një prespektivë të shkëlqyer për të apasionuarit e bimës së mrekullueshme. Falë përfitimeve dhe përdorimeve të panumërta, sot Aloe Vera po kultivohet gjërësisht në mbarë botën.

Edhe në Shqipëri, prej disa vitesh, disa fermerë nga zonat e jugut të vendit kanë nisur kultivimin e kësaj bime mrekullibërëse, jo vetëm për vlerat kurative të saj por edhe për kërkesën në rritje në treg.

Teksa fusha të tëra shqiptare kanë nisur të mbushen me Aloe Vera, e ardhmja premton kultivimin masiv të saj dhe forcimin e një biznesi të ri në këtë drejtim. Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se Aloe Vera është një bimë që mund të kultivohet dhe përshtatet në pothuajse të gjitha klimat. Ndonëse është një bimë që kërkon kryesisht klimë të nxehtë dhe të thatë, ajo mund të rritet edhe në një vend me reshje nën mesataren e rajonit.

Disa prej kultivuesve të Aloe Verës i thanë AgroWeb.org se rritja e saj mund të bëhet gjatë gjithë vitit ndërsa shprehen entuziast për fitimet e para prej saj.

“Avantazhi i kultivimit të Aloe Verës qëndron në faktin se ajo nuk ka nevojë për shumë ujë dhe mirëmbajtje. Rritet lehtë ashtu si dhe kushtet që ajo kërkon janë minimale. Ndërkohë, kostot e prodhimit janë të pakëta dhe përfitimet të shumëfishta. Si fillim eksperimentova me kultivimin e Aloes në vetëm një parcelë. Duke parë se rritja e saj ishte e mbarë vendosa ta kultivoja në sipërfaqe më të mëdha. Aktualisht jam në vitin e tretë të kultivimit të Aloes dhe jam shumë i kënaqur me ecurinë e shitjes së saj. Mund të them se kam gjetur atë që synoja në kapjen e tregut megjithëse ishte pak vështirë si fillim dhe aktualisht jam duke planifikuar zgjerimin e mëtejshëm të kultivimit të saj” thotë Sokrat Hima për AgroWeb.org.

Përfitimet që vijnë nga biznesi i kultivimit të Aloe Verës janë rritur ndjeshëm falë kërkesës së lartë për këtë produkt nga industria farmaceutike, kozmetike dhe bimore.  Vlerat e larta mjekësore të Aloe Verës dhe popullariteti në rritje i kësaj bime i kanë dhënë asaj rolin e dhuratës më të mirë që nëna natyrë i ka dhënë njeriut.

Kjo bimë ka me mijëra përfitime mjekësore për njeriun. Ajo është efikase si antibiotik dhe është e pasur me vitamina dhe minerale.  Kjo bimë e mrekullueshme është fort e mikluar në kozmetikë. Ajo përdoret në përgatitjen e shampove, kremërave të fytyrës dhe të trupit, por edhe në industrinë e shëndetit. Aloe Vera gjen përdorim edhe në kurat medicinale kundër shumë sëmundjeve./AgroWeb.org

Sonte Hëna Surprizë – Sërish Ndodh Pas 28 Vitesh

Sonte në darkë Hëna fillon një vallëzim kozmik me tre planete dhe një yll. Do të duket gjithçka.

Një lojë kozmike kukafshehti do të jetë e dukshme sonte në darkë. Hëna do të rreshtohet në të njëjtën vijë shikimi me tre planete të sistemi tonë diellor si dhe me një nga yjet më të ndritshme të dukshme nga Toka.

Hëna, sateliti natyror orbital i planetit tonë do të bllokojë Venusin, Marsin, Mërkurin dhe yllin Regulus, në konstelacionin e Luanit, për një periudhë kohore 24 orëshe.

Lëvizja kozmike në sistemin tonë diellor shpesh e sheh lidhjen e hënës me trupat e tjerë qiellorë, por kjo errësim kozmik ndodh vetëm një herë në 28 vjet.

Errësimi kozmik është një ngjarje që ndodh kur një objekt është i fshehur nga një objekt tjetër që kalon mes tij dhe vëzhguesit.

Eklipset e Venusit janë të rralla dhe ndodhin vetëm kur Toka, Hëna dhe Venusi janë në një linjë me njëri-tjetrin. Një shembull i famshëm ishte eklipsi total i diellit. gjatë Gushtit të kaluar.

Gjatë një eklipsi diellor total, hëna bllokon plotësisht fytyrën e diellit. Kjo zbulon ‘vellon e bardhë’ të kurorës së Diellit, e cila është e padukshme për syrin e lirë në çdo kohë tjetër.

Për këtë fenomen, hëna dhe dielli duhet të përputhen në mënyrë të përkryer, duke lejuar që hëna të shfaqet sikur të jetë në madhësinë e saktë të diellit.

Hera e ardhshme kur ky fenomen do të ndodhë, do të jetë në vitin 2036, sipas raportimeve të medias New York Times.

Agjensia hapësinore NASA e cilëson ngjarjen e sotme si një vallëzim kozmik në qiell. Hëna tashmë e ka kaluar Venusin dhe Regulus gjatë orëve të hershme të këtij mëngjesi.

Shikuesit në hemisferën veriore ku ndodhet edhe Shqipëria duhet të jenë në gjendje të shohin errësimin e Marsit këtë mbrëmje rreth orës 20.45, ndërsa errësimi i Mërkurit do të ndodhë në orën 00:21./AgroWeb.org

Nëse doni t’ia tregoni këtë fenomen edhe të tjerëve, mund ta shpërndani nga ky link AgroWeb në Facebook.

Frutat Ideale Për Muskuj të Shëndetshëm

Nëse po përpiqeni të rrisni masën muskulare ose të shëroni muskujt, frutat janë të vetmet që nuk ju vijnë ndërmend. Por gaboheni. Frutat janë po aq të rëndësishme sa çdo ushqim tjetër. Kaliumi që ato përmbajnë ndihmon muskujt, karbohidratet parandalojnë djegien e muskujve dhe antioksidantët i mbrojnë ato nga dëmet e oksidimit.

Kaliumi për muskujt
Kaliumi është një mineral që promovon ekuilibrin e elektroliteve, por ai bën më suhmë se kaq. Ju keni nevojë për kalium të mjaftueshëm për të rritur nivelin e proteinave dhe masës muskulare. Çdo frut mund të plotësojë nevojën ditore për kalium por pjepri, banania, portokalli, kivi, kumbullat dhe kajsitë e thara janë veçanërisht të mira.

Karbohidrate dhe proteina
Karbohidratet i japin organizmit energji, por nëse nuk merrni mjaftueshëm atëherë trupi do të djegë muskujt për të marrë energji. Studimet tregojnë se nëse stërviteni dy herë në javë, atëherë të paktën gjysma e kalorive tuaja duhet të burojë nga karbohidratet që janë ushqyesit makro në çdo frut dhe rrjedhimisht janë një zgjedhje e shëndetshme për muskujt. Zgjidhni rrushin, dardhën, qershitë, ananasin dhe hurmat e Arabisë.

Antioksidantët mbrojnë muskujt
Stërvitja agresive shkakton reagime kimike që dëmtojnë qelizat, ndaj sigurohuni të merrni shumë antioksidantë dhe kryesisht nga ushqimi. Frutat janë më të pasurat me antioksidantë, përfshirë vitaminën C, karotenoidët dhe flavonoidët. Furnizohuni me antioksidantë që të mbroni muskujt duke konsumuar më shumë mango, qitro, mollë dhe fruta pylli.

Më shumë fruta
Mënyrat se t’i përfshini frutat në stilin tuaj të ushqyerjes janë të panumërta. Në fund të çdo vakti mund të ëmbëlsoheni me një frut. Frutat janë një zgjedhje fantastike edhe pas aktivitetit fizik. Përzijeni frutin e preferuar me kos ose pluhur proteinash dhe merrni ushqyesit për të cilat trupi ka nevojë për të ardhur në formë dhe për t’u ndjerë më i gjallëruar./AgroWeb.org

Vaji Esencial i Portokallit Që Rikthen Humorin

E mbani mend aromën që shpërthen ndërsa qëroni një portokall? Kjo agrume plot vlera, njihet për aftësinë që ka në rikthimin e humorit, stimulimin e sistemit imunitar, luftimin e baktereve dhe në pastrimin e gjithë organizmit. Por vaji esencial i portokallit bën më shumë se kaq!

Me një vend të bekuar nga prodhimi i agrumeve nga më cilësoret, portokallet nuk janë aspak një produkt luksi, por një frut që ofron vlera jo vetëm në ngrënie, por edhe si vaj esencial që mund të përgatitet lehtë në shtëpi.

Vlerat e vajit esencial të portokallit (Citrus sinensis) janë provuar prej kohësh, ndoshta prej mijëra vitesh. Portokallet janë përdorur kundër kollës dhe të ftohtit, por edhe gjatë ritualeve të ndryshme të pastrimit të organizmit. Studimet e AgroWeb.org tregojnë se ky vaj esencial është përdorur edhe për të përmirësuar tretjen, zgjidhur problemet e lëkurës, largimin e depresionit, madje ka shërbyer edhe si afrodiziak.

Fitokimikati më i pranishëm tek portokalli është d-limonena që gjendet në sasinë e 80-96 përqind. Kjo substancë ka qenë subjekt studimi prej shumë kohësh, sidomos roli i saj kundër kancerit. Portokalli përmban gjithashtu myrcene, alpha-pinene, citronellal, geranial, linalool, dhe neral.

Vlerat shëndetsore të vajit esencial të portokallit:

Forcon imunitetin
Vaji i portokallit i vjen në ndihmë sistemit imunitar falë antioksidantëve që luftojnë radikalet e lira të cilat e kanosin shëndetin e njeriut në disa nivele. Portokalli ndihmon në përthithjen e vitaminës C dhe ndihmon në shumë procese të detoksifikimit rrjedhimisht duke e bërë sistemin imunitar më të fortë.

Lufton bakteret
Një sërë studimesh provojnë natyrën fuqiplotë kundër baktereve të këtij vaji dhe aftësinë e tij për të luftuar një sërë infeksionesh. Në vitin 1996, shkencëtarët studiuan efektet e dhjetë vajrave esencialë (përfshirë atë të portokallit) dhe vetitë e tyre kundër 22 llojeve të baktereve. Vaji esencial i portokallit ishte efikas kundër të gjithë baktereve në studim.

Ndihmon tretjen
Portokalli ka aftësinë të qetësojë muskujt. Kjo ndihmon qarkullimin, përmirëson tretjen dhe lehtëson simptomat e konstipacionit. Nga ana tjetër, portokalli shërben si diuretic, duke stimuluar sistemin limfatik dhe duke nxjerrë të gjitha toksinat jashtë organizmit.
Këshillë: Kombinojeni vajin esencial të portokallit me vajin esencial të mendrës ose mentes dhe një vaj tjetër bartës për të fërkuar dhe qetësuar stomakun.

Pastron lëkurën dhe parandalon plakjen
Duke qenë se vaji i portokallit është një antioksidant dhe antibakterial i jashtëzakonshëm, ai është fantastik edhe për lëkurën. Ai mund të përdoret nga të miturit që kanë probleme me aknet, por edhe të rriturit që kanë lëkurë të thatë. Vaji i portokallit ndihmon në zhdukjen e baktereve, stimulon kolagjenin, zvogëlon rrudhat dhe mbron kundër dëmeve të rrezatimit ultravjollcë.
Këshillë: Përziejeni një pikë vaj portokalli me xhel aloe vera dhe vendoseni mbi puçra, njolla dhe rrudha. Shmangni përdorimin e këtij lëngu në zonën e syve.

Ul tensionin e gjakut dhe mbron zemrën
Studimet Japoneze të vitit 1986, nxorrën në pah vlerat e flavonoidëve tek lëkura e portokallit kundër tensionit të gjakut. Studiuesit që bënë kërkimet mbi ndikimin e këtyre përbërësve në laborator, zbuluan që substancat e lartpërmendura që gjenden edhe tek vaji i portokallit ulnin tensionin e gjakut.

Si të përgatisni vajin esencial të portokallit

Ju nevojiten:

• Portokalle
• Fare pak alkool
• Kavanoz qelqi

Udhëzimet:

Hapi i parë në përgatitjen e vajit esencial të portokallit është ta qëroni atë. Pastrojeni mirë së brendshmi dhe së jashtmi. Sa më shumë lëkura portokalli të përdorni aq më i përqëndruar do të jetë vaji esencial. Si çdo vaj esencial, vlerat përftohen vetëm në një tretësirë alkooli. Ju mund të përdorni pak raki, por edhe çdo pije alkoolike pa ngjyrë. Ata që nuk përdorin alkool, mund ta përgatisin pa këtë përbërës, por esenca do të jetë më e zbutur.

Merrni një kavanoz qelqi me kapak. Hidhini lëkurat e portokallit në kavanoz dhe shtoni alkool deri sa të mbulohen tërësisht. Mbylleni kapakun dhe tundeni kavanozin me vrull për disa sekonda. Më pas vendoseni kavanozin në një vend të errët e të freskët. Lëkurat e portokalleve duhet të marinohen në pak alkool për të paktën një javë. Gjatë këtyre ditëve, duhet ta tundni për disa sekonda që të përftoni sasinë më të madhe të mundshme të vajit esencial.

Pas një jave, kullojeni lëngun dhe hiqni lëkurat e portokalleve dhe mbetjet e tjera. Lëngun hidheni në një enë të pastër dhe vendoseni në një vend të ajrosur mirë që të avullojë alkooli.

Pas disa ditësh do të vini re që lëngu nuk mban më erë alkooli dhe kështu keni përftuar vajin esencial të portokallit. Hidheni në një kavanoz ose shishe dhe mbajeni në një vend të errët, duke ndihmuar në ruajtjen e të gjitha vlerave të tij./AgroWeb.org

Degëzat e Bredhit – Lëngu i Veçantë i Natyrës

Halat e freskëta të bredhit lëshojnë një lëng të lehtë me shije të ngjashme me atë të limonit, ndërsa ato të bredhit të vjetër do të lëshojnë një lëng më të fortë, paksa më të hidhur dhe të plotë. AgroWeb.org këshillon që zgjedhja më e mirë është ajo e mbledhjes së halave sa më të gjelbra të mundshme, pasi ato janë më të freskëtat.

Gjethet halore të bredhit përmbajnë shumë vitaminë C, minerale dhe beta karoten. Halat e freskëta, sythat e boçeve dhe degët e bredhit të bardhë ose atij të zi, të dy të gjendur në Shqipëri, së bashku kanë funksione bimore, madje përdorimet e tyre arrijnë deri aty sa të përdoren edhe në fermentimin e birrave artizanale.

Gonxhet e freskëta të halave të bredhit kanë ngjyrën më të bukur. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, ato kanë një nivele të jashtëzakonshme të përmbajtjes së vitaminës C. Nëse i thani ose i ruani në ngrirje, këto gjethe halore do t’ju japin vitaminën e nevojshme dhe do të luftojnë inflamacionet në organizëm.

Gjethet halore përmbajnë karotenoidë dhe janë të pasur me minerale si kaliumi dhe magnezi. Që në kohërat e lashta, këto maja të mprehta të gjelbra janë përdorur për largimin e kollës dhe shërimin e fytit, sidomos gjatë periudhës së dimrit.

Gjilpërat e gjelbra kanë shumë klorofil që ndihmon në shërimin e plagëve, mbajnë nën kontroll oreksin, dhe transporton oksigjenin në qeliza. Klorofili neutralizon radikalet e lira, mban sheqerin në gjak nën kontroll, përshpejton shërimin e plagëve dhe izolon metalet helmuese në organizëm.

Si të përgatisësh çajin nga haloret e bredhit

Merrni disa degëza nga bredhat, nga ato të rejat dhe të sapoçelurat ose nga degët më të vjetra nëse doni, shkëputini halat dhe lajini mirë me ujë të rrjedhshëm. Më pas gjethet halore nga pjesa e majës së degëzimeve, që është edhe pjesa më e mirë për t’u përdorur në përgatitjen e çajit.

Këto gjethe halore – copëtojini dhe shtypini mirë. Shtypja jo vetëm që do të aktivizojë vlerat e thella të bredhit, por edhe do ta lehtësojë përthithjen e substancave mirëbërëse. Më pas masën e përftuar e ndani dhe e vendosni nëpër filxhanë.

Shtoni nëpër filxhanë ujin e valuar nga çajniku dhe çaji me gjethet halore të bredhit do të jetë gati. AgroWeb.org këshillon të shtoni mjaltë të mirë dhe disa pika limon që ta ktheni shijen e çajit të bredhit më afër çajrave, të cilat i konsumoni rregullisht.

Përdorime të tjera:

Halat e bredhit, njëlloj si në rastin e rozmarinës mund të përdoren në lëngje frutash dhe sallatash.

Ato mund të lihen në enë me ujë të pijshëm për një orë dhe do të lëshojnë të gjitha vlerat dhe ushqyesit. Këtë ujë mund ta pini më pas njëlloj si ujin me limon.

Haloret e bredhit mund të përdoren në supë, sallatë, perime të zgarës dhe gatime të ziera.

Ato shkojnë shumë me drithërat dhe bishtajore, pasi shumëfishojnë përthithjen e mineraleve.

Mund të përdoren për përgatitjen e salcave, majave dhe funksionojnë edhe si pasurues të mirë të vajit ekstra të virgjër të ullirit./AgroWeb.org

Ëmbëlsia Unike e Fiqve të Thatë Shqiptarë

Fiqtë vërtet kanë origjinë orientale, por shtëpia e tyre natyrale gjendet në vendet e Detit Mesdhe dhe me krenari edhe në Shqipëri. Që nga lashtësia, koncepti i shqiptarëve për këtë frut dhe për pemën e tij, ka qenë ai i pemës së kënaqësisë, kjo prej ëmbëlsisë dhe mirësive të fiqve.

Turqia zë vendin e parë në botë për prodhimin e fiqve, ndërsa Shqipëria raportohet të renditet si vendi i tetë në botë për prodhimin e këtij fruti. Përmeti, Berati, Elbasani, por edhe Tirana dhe mjaft zona të tjera të Shqipërisë, sidomos asaj jugore, janë prodhuesit dhe kultivuesit kryesorë të fiqve shqiptarë, ndërkohë që një pjesë e mirë e fiqve vendas përpunohet për reçel, marmelatë, apo thahet për t’u përdorur gjatë muajve të tjerë të vitit. Një nga specialitetet vendase është edhe bukëfiqja që përbën një nga kuriozitetet më të mëdha të turistëve të huaj në Shqipëri.

Fiqtë e thatë të Përmetit dhe Beratit janë me emër të padiskutueshëm falë cilësisë së tyre dhe vargjet e fiqve të vendit përbëjnë një nga ëmbëlsirat natyrale më të konsumuara në vend.

Fiqtë e thatë konsiderohen si një ndër frutat që kanë më tepër ndikim pozitiv në shëndetin e njeriut. Të shijshëm dhe të ushqyeshëm, ata janë një zgjidhje e mrekullueshme për shkak të vetive të tyre, të cilat AgroWeb po i liston në vijim.

1. Fiqtë e thatë kanë veti tretëse të shkëlqyera, për shkak të enzimave të cilat bëjnë të mundur asimilimin e ushqimeve dhe substancave si kalciumi, hekuri, kaliumi, magnezi dhe vitaminat A, B1, B2, B6, PP dhe C. Ata konsiderohen një aleat i mirë i aparatit tretës.

2. Janë anti imflamatorë. Ndihmojnë në rastet e enjtjeve dhe infeksioneve. Fiqtë luftojnë inflamacionet e mushkërive dhe ato të rrugëve urinare, por edhe kolitin e gastritin.

3. Ruajnë shëndetin e syve, lëkurës, kockave dhe dhëmbëve, kjo falë substancave ushqyese që kanë në përbërjen e tyre.

4. Fiqtë janë të këshillueshëm madje edhe për ata që kujdesen për peshën, pasi vërtet përmbajnë kalori, por konsumimi i tyre krijon shumë shpejt ndjesinë e ngopjes, duke ndihmuar kështu ata që nuk duan ta teprojnë me ushqimin.

5. Fiqtë zëvendësojnë produktet e qumështit. Nëse s’i toleroni produktet e qumështit, fiqtë ju ndihmojnë. Janë të pasur me kalcium ndaj janë alternativë e shkëlqyer për ata që s’mund të pinë qumësht ose kos.

6. Fiqtë largojnë pagjumësinë. Tritofani në fiq ndihmon në shërimin e pagjumësisë dhe çrregullimit të gjumit. Përbërja minerale ndikon mirë te sistemi nervor.

Fiku është një nga frutat më të pasura me kalium. Vetëm tre kokrra fiq përmbajnë sasinë e plotë të kaliumit që mjafton për gjithë ditën. Kaliumi është i domosdoshëm për arteriet e zemrës./AgroWeb.org

Valeriana e gjelbër – Një thesar vitaminash dhe mineralesh

Sallata valeriana është një bimë që rritet gjatë gjithë vitit dhe bën pjesë në familjen botanike Valerianaceae. Ajo rritet kryesisht si perime gjethore dhe në Shqipëri njihet edhe si sallata e misrit, sallata e fushës apo marulja e qingjit.

Kjo marule rritet në tokë kryesisht të thatë dhe me pak lagështirë. Bima rritet nga 15 deri në 30 centimetra. Gjethet janë në ngjyrë jeshile të errët dhe kanë një shije karakteristike, të ëmbël dhe pak arrore. Lulet kanë pesë petale të bardha që formojnë figurën e hinkës 1.5-2 milimetra të gjatë. Frutat rrumbullake të valerianës janë me ngjyrë të verdhë.

Vlerat ushqyese

Në 56 gramë të kësaj sallate gjenden 12 kalori, 1.12 gramë proteina, 0.22 gramë yndyrna të plota dhe 2.02 gramë karbohidrate. Në të njëjtën sasi të kësaj sallate gjenden 21.4 mg Vitaminë C, 1.22 mg hekur, 0.153 mg Vitaminë B6, 0.201 mg mangan, 0.075 mg bakër dhe 257 mg kalium.

Sallata valeriane ndihmon në uljen e nivelit të triglicerideve, inflamacionit, rreziqeve të zemrës, kancerit dhe përmirëson nivelin e kolesterolit të mirë dhe trejtjen. Ajo përmban 30% më shumë hekur në krahasim me spinaqin. Ndihmon në zbutjenne stresit, depresionit dhe lodhjes. Gatuhet me avull dhe shtohet në sallata të ndryshme. Lexoni më poshtë vlerat shëndetësore të sallatës valeriane renditur nga  AgroWeb.org.

1. Trajton hipertensionin

Pacientët që vuajnë nga tensioni i lartë kanë shanse të larta për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare. Përfitimi i vitaminës C tek sallata valeriane ndihmon në uljen e tensionit të gjakut.

2. Rrit imunitetin

Vitamina A tek sallata valeriane zgjeron funksionet e sistemit imunitar dhe e mbron atë kundër infeksioneve duke aktivizuar kundërpërgjigjet limfatike ndaj antigeneve. Për më tepër, ajo promovon funksionet e qelizave të bardha të gjakut dhe parandalon hyrjen e baktereve në organizëm duke u transformuar në një mburojë të dyfishtë.

3. Ndihmon me shtatzaninë
Mungesa e hekurit rrit shanset për lindje të parakohshme dhe lindje nënpeshë të fëmijës. Marrja e hekurit që gjendet tek sallata valeriane ndihmon në uljen e shanseve për lindjen e parakohshme me 10.2 përqind.

4. Përshpejton metabolizmin
Vitamian B6 ka aftësinë të metabolizojë të gjithë ushqyesit dhe të përthithë prej tyre energjinë që i nevojitet trupit. Kjo vitaminë është shumë e dobishme për të gjithë procesin e metabolizmit të vitaminave, yndyrnave, karbohidrateve dhe amino acideve.

5. Forcon shëndetin e trurit
Vitamina B6 që gjendet tek marulja e qingjit ndihmon funksionet dhe zhvillimin e trurit. Studimet kanë treguar që pamjaftueshmëria e vitaminës B6 kontribuon në sëmundjen e Alzheimerit, sklerozës dhe problemeve me zhvillimin dhe funksionet e trurit. Vitamina B6 ka një ndikim të jashtëzakonshëm në të gjitha këto funksione, kryesisht duke mbajtur nën kontroll nivelin e homocisteinës, që është një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës dhe dëmtimeve të neuroneve.

6. Kuron diabetin
Sallata valeriane është e pasur me mangan, një mineral i domosdoshëm për formimin e enzimave të tretjes, të cilat transformojnë amino acidet e proteinave në sheqer dhe ekuilibrojnë nivelin e sheqerit në gjak. Mangani ndihmon në parandalimin e rritjes së nivelit të sheqerit në gjak që në vetvete shkakton diabet.

Si mund ta konsumoni sallatën valeriane 

• Sallata valeriane ose marulja e qingjit konsumohet e gjallë duke e shtuar në sallatë.
• Ajo mund të gatuhet me avull si perimet dhe zarzavatet e tjera.
• Mund të përdoret në supa, omletë, oriz ose për mbushje.
• Marulja e qingjit mund të përdoret në përgatitjen e panineve.
• Mund të përzihet me zarzavate të tjera, siç është lulerradhiqja apo çikoret.
• Gatuhet si spinaqi, ose përdoret si zëvëndësues i tij apo sallatave të tjera.
• Mund të spërkatet me vaj bajamesh dhe uthull.

Të dhëna të tjera
Gjethet e kësaj bime janë një burim i shkëlqyer i vitaminave C, E, A, B9, B6, kaliumit dhe hekurit.  Marulja e qingjit mban këtë emërtim, për shkak se forma dhe përmasa e gjetheve i ngjan gjuhës së qingjit./AgroWeb.org

Kanella – Vlerat, Llojet dhe Përfitimet e Mëdha

Kanella është një erëz që shpalos shumë shije dhe aroma. Vlerat shëndetësore të saj janë befasuese. Kanella kushton pak dhe gjendet kudo. Shumica e njerëzve nuk janë në dijeni për ekzistencën e dy llojeve kryesore të kësaj erëze.

Të dyja janë të shëndetshme, por njëra prej tyre përmban një toksinë që është shumë e dëmshme nëse konsumohet me tepricë. Ky artikull i AgroWeb.org do t’ju shpjegojë për ndryshimet mes kanellave Cejlon (Ceylon) dhe Kasia (Cassia).

Kanella është një erëz që merret nga pjesa e brendshme e pemës Cinnamomum. Shirita të pjesës së brendshme të lëvores së pemës thahen deri sa të rrumbullakosen në formën e shkopinjve që gjenden në treg. Më pas, shiritat mund të shtypen dhe të bëhen pluhur ose të nxjerrin esencën e tyre. Vlerat unike vijnë nga vajrat esencialë që gjenden në kanellë.

Varieteti Kasia i kanellës vjen nga pema Cinnamomum cassia që ndryshe mban emrin “Cinnamomum aromaticum” ose Kanella Kineze. Kanella Kasia konsiderohet si një erëz me një cilësi të ulët. Ajo kushton pak dhe konsumohet në mbarë botën. Pothuajse e gjithë kanella që shitet në treg është e varietetit Kasia. Rreth 95% e vajit të erëzës është lloji cinnamaldehyde, që i jep kasias një aromë të fortë dhe pikante.

Cejloni, ose “kanella e vërtetë,” ka vendlindjen në Sri Lanka dhe në pjesët jugore të Indisë. Kjo kanellë përgatitet nga pjesa e brendshme e lëvores së pemës Cinnamomum verum.

Cejloni ka një ngjyrë kafe të ndezur me shkopinj me shtresa të buta, dhe cilësi superiore. Kanella cejlon është më pak e zakontë dhe shpesh është përdorur si erëz gatimi. Ajo është shumë herë më e shtrenjtë se variaetit Kasia.

Kjo kanellë përshkruhet si një erëz me aromë të ëmbël delikate, e mrekullueshme për ëmbëlsira. Rreth 50-63% e vajit të saj esencial është e llojit cinnamaldehyde, një sasi shumë e ulët në krahasim me varietetin Kasia.

Kanella Cejlon dhe ajo Kasia janë të dyja të mira për diabetikët
Për breza të tërë, kanellës i janë thurur lavde për vlerat shëndetësore. Në veçanti, kjo erëz është vlerësuar për aftësinë që ka në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak, që është shumë e rëndësishme për njerëzit që vuajnë nga diabeti. Studimet kanë treguar se kanella ul shpërthimet e sheqerit në gjak, rrit ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe përmirëson aspektet e metabolizmit që kanë lidhje me rezistencën ndaj insulinës.

Doza standarde e kanellës Kasia duhet të jetë nga 1 deri në 6 gramë në ditë. Nëse konsumohet në këto proporcione, atëherë nuk ka efekte anësore. Të dyja varietetet kanë ndikim në uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe kundër diabetit. Por varieti Cejlon ka shumë më pak mundësi të shkaktojë dëme edhe nëse konsumohet në sasi më të mëdha. Varieteti Kasia përmban shumë kumarinë, që është toksike nëse merret në sasi të mëdha.

Kanella përmban shumë antioksidantë
Kanella përmban antioksidantë të fuqishëm siç është polifenoli. Një studim i kohëve të fundit që krahasonte aktivitetin e antioksidantëve të 26 erëzave shpalli fituese kanellën, e cila ia kalonte edhe të ashtuquajturave ‘super ushqime’ si hudhra apo rigoni.

Kanella lufton inflamacionin
Inflamacioni në organizëm ka një rol të dëmshëm. Kanella ndihmon në shmangien e tij, luftimin e infeksioneve si dhe në riparimin e dëmeve në qeliza./AgroWeb.org

Fuqia Kurative e Nenexhikut të Egër

Nenexhiku i egër është një nga erëzat më të preferuarat të stinës, jo vetëm për vlerat mjekësore, por edhe për shijen dhe aromën që përcjell. Gjethet e nenexhikut të egër janë përdorur që në lashtësi dhe aroma e tyre gjithnjë ka simbolizuar mikpritjen në shumë kultura. Kërkimet shkencore të kohëve moderne vazhdojnë të provojnë atë që tashmë dihet në mbarë botën: nenexhiku i egër është një nga kurat bimore më të çmura të natyrës.

Ndryshimi kryesor mes nenexhikut të egër dhe atij të kultivuar qëndron në faktin se ndryshe nga nenexhiku i butë i vazove apo oborreve, nenexhiku i egër gjendet i rritur vetë në natyrë duke i mbijetuar vetë kushteve atmosferike dhe elementëve natyrorë. Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë bimë mjekësore dhe nenexhiku i egër gjendet shpesh nëpër pyje dhe kullota.

Pesë vlerat shëndetësore të çajit të nenexhikut të egër

1. Largon stresin

Çaji i nenexhikut të egër është aleat shumë i fuqishëm kundër stresit dhe ankthit. Mentoli që gjendet në këtë barishte, qetëson muskujt, një aspekt fizik që përkthehet në një trup dhe mendje të qetë dhe pa ankth. Përpiquni të shijoni çajin e nenexhikut të egër, dëgjoni këngët tuaja të preferuara, jepini vetes një pushim të shkurtër dhe do të përfitoni qetësinë e munguar.

2. Sjell gjumin e munguar

Nëse pini çaj nenexhiku përpara se të shkoni në shtrat, atëherë do të bëni një gjumë të qetë. E gjithë kjo aftësi e këtij çaji, vjen nga përmbajtja e mentolit tek nenexhiku. Jo vetëm që ai qetëson muskujt, por edhe ju ndihmon të keni ëndrra të bukura. Përpiquni të lexoni një libër teksa pini çaj nenexhiku. Qëndroni larg televizorit, tabletëve apo telefonave. Leximi është një proçes që e vë imagjinatën në punë dhe ju qetëson duke ju transportuar drejt pushimit të ëndrrave.

3. Rrit përqendrimin

Keni vështirësi të përqendroheni? Zgjidhja qëndron tek çaji i nenexhikut të egër. Një studim i publikuar në Revistën Ndërkombëtare të Neuroshkencës zbuloi që çaji i nenexhikut të egër rrit përqendrimin dhe vigjilencën. Një studim tjetër i Universitetit të Sinsinatit në SHBA zbuloi se aroma e nenexhikut ishte më e rëndësishme se konsumimi i vetë çajit. Kjo aromë arrin të rrisë vigjilencën dhe përqendrimin, madje stimulon kujtesën. Hidhni gjethet e nenexhikut në një enë me ujë të valuar dhe mbulojeni me kapak deri sa të ziejë. Mbajeni çajnikun në dhomën e ndenjes, hapeni kapakun dhe lëreni aromën të pushtojë shtëpinë tuaj. Do të ndieni ndryshimin menjëherë.

4. Kuron sinozitin

Konsumi i lëngjeve të ngrohta si çaji me mjaltë mund të ndihmojë me zhbllokimet në rrugët e frymëmarrjes, por çaji i nenexhikut të egër është më special, falë mentolit, që është një zhbllokues natyral sidomos ndaj sinozitit, të ftohtit, kollës dhe alergjive. Lëngu i ngrohtë i nenexhikut gjithashtu kuron fytin e lënduar, një nga simptomat më frekuente të virozave dhe të ftohtit. Nëse vuani nga hundët e bllokuara ose fyti i lënduar, kombinoni çajin e nenexhikut me limon dhe mjaltë.

5. Zgjidh problemet me stomakun

Çaji i nenexhikut është një kurë natyrale për disa probleme me stomakun, siç janë fryrjet, gazrat dhe konstipacioni. Arkeologët kanë zbuluar që nenexhiku është përdorur në mjekësinë popullore për mbi 10,000 vjet.

Madje edhe sot, vaji i nenexhikut përdoret nga ekspertët për të kuruar problemet me stomakun dhe zorrët. Çaji i nenexhikut lehtëson kalimin e gazrave në organizëm, largon të vjellat, zgjidh problemet me diarenë dhe konstipacionin. Sugjerohet që nëse vuani nga këto simptoma ta pini çajin përpara se të shtriheni për të fjetur.

Pavarësisht këtyre vlerave të mira, nuk duhet harruar që çaji i nenexhikut të egër mund të ketë disa efekte anësore. Disa njerëz janë alergjikë ndaj mentolit, ndaj duhet pasur kujdes. Femrat shtatzënë duhet të dinë gjithashtu që çaji i nenexhikut relakson uterusin dhe mund të rrisë rreziqet e abortit./AgroWeb.org

Përfitimet Unike nga Çaji i Rigonit Shqiptar

Gjethet e bimës mesdhetare të rigonit që i përket familjes botanike Oreganum vulgare përdoren të njoma dhe të thara, por mund të grihen dhe të përdoren edhe në çaj. Përveç aromës së tyre të fortë, gjethet e rigonit përmbajnë 40 përbërës aktivë mjekësorë.

Këto gjethe janë një kurë tradicionale në mjekësinë popullore, ndërkohë që shumë studime klinike kanë vërtetuar dobinë e madhe dhe rëndësinë shëndetësore të çajit të rigonit. Studiuesit kanë zbuluar se shumë prej përbërësve aktivë të rigonit i përkasin kategorisë së polifenolëve, flavonoidëve dhe anthocianinës që njihen për aftësitë e tyre antioksiduese.

Antioksidantët mbrojnë qelizat nga radikalet e lira, të cilat janë kimikate të paqëndrueshme që formohen nga tretja problematike, gjenden në lëkurë kur jeni të ekspozuar në rrezet e diellit, apo tek organet kur ekspozoheni ndaj toksinave mjedisore siç është tymi i duhanit.

Me kalimin e kohës, radikalet e lira dëmtojnë qelizat, membranat e tyre dhe ADN-në. Ato mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kronike siç janë kanceri dhe sëmundjet e zemrës.

Përgatitja e Çajit të Rigonit

Ju mund të përgatisni çaj me gjethet e njoma ose të thara të rigonit. Grirja ose shtypja e gjetheve përpara përgatitjes së çajit, ndihmon në çlirimin e shumë prej përbërësve kryesorë të rigonit në ujë.

Shtypni tre lugë çaji me gjethe rigoni ose 1 lugë çaji me gjethe të thata dhe hidhni në një filxhan me ujë të valuar. Mbajini për 5 deri në 10 minuta. Çaji i rigonit mund të jetë i hidhur, por nëse shtoni mjaltë, shija e tij do të ëmbëlsohet.

Vlerat dhe vetitë e Çajit të Rigonit

Kuron virozat dhe gripin

Rigoni lufton virozat dhe shkurton kohëzgjatjen e gripit, që ka simptoma si: temperaturë e lartë, kollë, dhimbje koke, të vjella, mungesë oreksi, dhimbje trupi etj.

Përmirëson shëndetin e zemrës

Kjo bimë aromatike është një burim i shkëlqyer i kaliumit, një përbërës i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve trupore që mban nën kontroll ritmin e zemrës dhe tensionin e gjakut kur organizmi përballet me sasi të larta të sodiumit. Antioksidantët që gjenden tek rigoni ndihmojnë në parandalimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stresi oksidues dhe sëmundjet e zemrës.

Për më tepër, rigoni është një burim natyral i acideve yndyrore të Omega-3, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Pini një filxhan me çaj rigoni në ditë dhe do të përmirësoni shëndetin e zemrës.

Lufton radikalet e lira

Një studim i publikuar në Revistën “Journal of Pharmacy and Pharmacology” zbuloi që ekstraktet e rigonit përmirësonin dhe rimëkëmbin organizmin nga dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira.

Lufton mikroorganizmat e dëmshëm

Çaji i rigonit ndihmon në parandalimin dhe ngadalësimin e rritjes së mikroorganizmave të dëmshëm. Një studim i publikuar në revistën “Journal of Food Science” zbuloi që përbërësit e gjetheve të rigonit kishin vlera të rëndësishme dhe luftonin ashpër rritjen e infeksioneve dhe përhapjen e inflamacionit.

Trajton dhimbjet muskulare

Rigoni njihet për aftësinë e çlirimit nga dhimbjet dhe spazmave muskulare. Nëse vuani nga probleme të tilla, pini çaj rigoni dhe dhimbja do të pushojë për pak minuta. Femrat shtatzënë ose nënat lehonë duhet të konsultohen me një mjek profesionisht mbi përdorimin e rigonit./AgroWeb.org

Pse domatet shqiptare nuk kanë shijen e dikurshme

Është e pamundur të gjesh një shqiptar që ka jetuar para 90-tës, e që s’ka bërë një herë në jetë pyetjen: Po si ka mundësi që domatet nuk kanë më atë shijen e mrekullueshme të dikurshme? Është absurde të mendosh që një sistem që mezi ia dilte të ushqente popullsinë përmes racionimit, të ofronte domate më të shijshme sesa një sistem që siç thuhet “I ka të gjitha të mirat, edhe qumësht dallëndysheje”.

AgroWeb.org është pëpjekur të gjejë përgjigjet e pyetjes 1 milion dollarëshe: Pse domatja nuk ka shije domateje? Në artikullin e mëposhtëm shpresojmë të sjellim qartë shpjegimet e specialistëve.

Cilat janë varietet e domates që mbillej para 90’ dhe a mbillen ende?
Jo, nuk mbillen më, së paku jo për tregëtim. Kjo përgjigje mund të sqaronte gjithçka por s’është kështu. Specialistët thonë për AgroWeb.org se varietetet e domateve që mbilleshin në atë kohë janë të ndryshme si Tirana, Zemërkau, Agimi, Sanjollas, Sërrëke etj. Çështja është se këto domate nuk japin shumë rendiment. Mbjellja e tyre para 90-tës plotësonte nevojat e vendit vetëm për një sezon, pra jo gjatë gjithë vitit, siç është kërkesa e tregut sot. Së dyti, asokohe mbilleshin edhe hibride të tjera, pra fara hibride domatesh në serra, por kryesisht shkonin për eksport. Specialistët thonë për AgroWeb.org se shija e tyre e mirë nuk vinte vetëm prej llojit të farës, por më së shumti prej kujdesit, plehërimit sipas parametrave të kontrolluar dhe mos teprimit me kimikate.

Megjithatë ka ende fermerë që i ruajnë këto fara që përmendëm, por më së shumti për përdorim të vogël familjar pasi, siç thamë, nuk kanë shumë rendiment për treg. Tashmë në Shqipëri mbillen hibride të importuara nga Izraeli, Hollanda etj, që janë shumë të mira, nëse tregohet kujdesi i duhur gjatë procesit të prodhimit.

Pse kemi tani domate gjatë gjithë vitit?
Të pyetur nga AgroWeb.org, specialistët thonë se është krejt normale të pasurit e domates gjatë gjithë vitit. Më poshtë ju paraqesim shkurtimisht kalendarin e mbjelljes dhe vjeljes.

Në Janar nis mbjellja e farave të domates në serra. Serrat japin prodhim në periudhën Prill-Shtator. Në periudh&eumeuml;n Prill-Qershor kemi domate nga Serrat e Lushnjes, Fierit Beratit. Në Gusht-Shtator kemi kryesisht domatet e Korçës.

Në Mars nis mbjellja e domateve në fushë, që japin prodhim në periudhën Qershor-Gusht.

Gjatë muajit Korrik kemi një mbjellje të sezonit të dytë në serra. Këto domate japin prodhim në periudhën Tetor-Shkurt.

Specialistët sigurojnë se, nëse plehërimi dhe spërkatja bëhen sipas parametrave të duhur, shija dhe vlerat e domates janë të një niveli shumë të lartë, falë edhe kushteve klimaterike relativisht të ngrohta në Shqipëri.

Çfarë e dëmton atëherë domaten?


Kujdesi ndaj bimës është art më vete, pohojnë specialistët për AgroWeb.org. Së pari pjalmimi. Domatet e mbjella në serra në Janarin e ftohtë nuk arrijnë dot të pjalmohen me bletë, ndaj fermerët bëjnë një pjalmim me acid acetik për të çarë qeset pjalmuese, gje që zakonisht e bën bleta në mënyrë naturale. Pra fermeri zëvendëson bletën, duke shkuar lule më lule. Kjo metodë nuk përbën rrezik, por gjithsesi është jo natyrale. Për këtë shkak gjithmonë e më shumë, së fundmi edhe në Shqipëri, po përdoret pjalmimi me bletë pjalmuese. Bleta pjalmuese në krahasim me bletën e mjaltit, është më aktive në mjedise të mbrojtura, në ditë me erë dhe me re, si dhe kryen një pjalmim më të mirë të luleve, pasi është më e madhe.

Së dyti spërkatja. Spërkatja e domateve, si e çdo bime, është e domososhme për të ruajtur bimën nga sëmundjet. Por çdo gjë me masë dhe në kohën e duhur. Në asnjë mënyrë nuk mund të spërkasësh bimët pak ditë përpara vjeljes, pasi mbetjet e pesticideve duan kohën e tyre të zhduken nga bima. Jo të gjithë fermerët e zbatojnë këtë, ca nga panjohuria e ca nga etja për t’i vjelë shpejt e për t’i nxjerrë produktet në treg, përpara të tjerëve. Në botë aplikohet edhe ashtuquajtura ‘lufta biologjike’ pra në vend të spërkatjes, në serra futen insekte që hanë insektet që dëmtojnë bimët. Në Shqipëri, kjo metodologji nuk njihet shumë.

ë fundmi, por jo nga rëndësia, plehërimi. Plehërimi i mirë është thelbësor. Plehu duhet të jetë sa më organik dhe jo me përmbajte azotike si ure etj, sepse le mbetje në produkt.

Legjendat dhe të vërtet e hormoneve
Të gjithë kemi dëgjuar për metodat e skuqjes artificale të domates. Për të nxitur pjekjen e shpejtë të frutit disa fermerë, por sigurisht jo të gjithë, përdorin një lloj etanoli të quajtur Ethrel, që është i ndaluar në vendet e BE-së. Me këtë kimikat lyhet pjesa e poshtme e frutit që lidhet me kërcellin, gjë që përshpejton pjekjen e frutit në mënyrë jo natyrale. Ka specialistë që pohojnë se ky etanol nuk është i dëmshëm për njeriun, por të tjerë thonë se ka shumë pasoja në organizëm. Fermerët mund edhe ta teprojnë me përdorimin e tij dhe fruti nuk arrin ta përthithë siç duhet, duke prishur shijen dhe strukturën. Specialistët janë të mendimit që ajo që shkakton problem është jo thjesht Ethreli por mbi të gjitha, sasia e tepërt që ndonjëherë përdorin fermerët nga etja për fitim të shpejtë.
Gjithsesi ekspertët këshillojnë konsumatorët të zgjedhin domate që kanë frut të plotë brenda e jo me zgavra, të jenë njëtrajtshëm të pjekura si brenda edhe jashtë, edhe pse këto nuk mjaftojnë për të qenë 100% të sigurt.

Çertifikimi
‘I kam domatet e bahçes’ nuk është çertifikatë. Konsumatori shqiptar ka ardhur koha të mos lerë gjithçka në ndërgjegjen e fermerit. Një konsumator që kujdeset, duhet të kërkojë origjinën e produktit, çertifikimin e tij, apo të lexojë me kujdes etiketën, nëse i blen të paketuara në supermarket. Është e drejtë themelore e konsumatorit dhe çdo tregtar ka detyrimin t’ua mundësojë informimin. Sigurisht institucionet përkatëse duhet të bëjnë kontrolle të detajuara, por gjithsesi, ndërgjegjësimi nis nga konsumatori. Konsumatori duhet të kujdeset të blejë një produkt që, vërtet mund të jetë pak më i shtrenjtë, por kurrë më i shtrenjtë se kosto e shëndetit./AgroWeb.org

Si të përgatisni xhenxhefilin pluhur në shtëpi

Xhenxhefili po transformohet në një pjesë të rëndësishme të ushqyerjes së përditshme edhe në Shqipëri. Përdorimi më i zakontë i xhenxhefilit është si çaj i ngrohtë ose i ftohtë në varësi të stinës. Por a e dinit se me xhenxhefil pluhur ju mund të përgatisni nga biskotat deri tek supat shumë të shijshme për shembull? AgroWeb ju sjell recetën e përgatitjes së xhenxhefilit pluhur dhe përdorimit të tij.

Pluhuri i thatë i xhenxhefilit organik ka një aromë shumë të mirë dhe shije të mprehtë që nuk mund të krahasohet me pluhurin e xhenxhefilit të zakontë që shitet i paketuar.

Pluhurin mund ta ruani në një enë të izoluar mirë që mban aromën. Gjatë përgatitjes së pluhurit, shumë njerëz e heqin lëkurën nga erëza, por zakonisht pluhuri bëhet nga xhenxhefili i plotë pa lëkurë.

Përgatitja e pluhurit të xhenxhefilit kërkon xhenxhefil të freskët që duhet zhytur në ujë për disa minuta dhe më pas të lahet me ujë të bollshëm. AgroWeb.org ju tregon se sekreti qëndron tek prerja e xhenxhefilit në copa shumë të vogla. Ai thahet në diell ose në furrë. Nëse tharja nuk është e plotë, atëherë xhenxhefili duhet futur në ngrirje dhe më pas të bëhet pluhur.

Si të përzgjidhni xhenxhefilin për përgatitjen e pluhurit të tij

Blini xhenxhefil të freskët. AgroWeb.org ju sjell mënyrën më të thjeshtë që të siguroheni që të blini produktin e duhur. Që të provoni cilësinë, provoni të këpusni një pjesë të rrënjës. Nëse ndahet lehtësisht pa fijet e fibrave ndërmjet, atëherë është i mirë. Nëse xhenxhefili ka shumë fije fibrash, atëherë nuk do të kthehet lehtësisht në pluhur.

Pluhur xhenxhefili në kushtet e shtëpisë

1. Xhenxhefilin futeni në ujë për 3 deri në 4 minuta, lajeni mirë me ujë të bollshëm për të larguar papastërtitë.

2. Prijeni në copa të vogla me një thikë të mprehtë. Sa më të vogla copat e tij, aq më mirë do të thahet ai.

3. Shpërndajini copat e xhenxhefilit në një pjatë dhe vendoseni në diell ose në furrë.

4. Kur të jetë plotësisht i thatë dhe copat janë krokante, futeni në mikser dhe grijeni.

5. Hidheni në sitë dhe lëreni të qëndrojë i freskët në temperaturën e dhomës përpara se ta fusni në kutinë përkatëse.

 

Ide për përdorimin e pluhurit të xhenxhefilit

Pluhur xhenxhefili në çaj:

Përgatitja ditore e bukës apo biskotave me xhenxhefil është e pamundur, ndaj më mirë fokusohuni tek çaji, të cilin mund ta pini çdo ditë. AgroWeb.org ju këshillon se për përgatitjen e këtij çaji kërkohen çerek luge gjelle me pluhur dhe ujë i nxehtë. Mund të shtoni mjaltë sipas dëshirës. Këtë pluhur ju mund ta hidhni edhe në qumësht.

Pomadë me pluhur xhenxhefili:

Pomada me pluhur xhenxhefili është përdorur prej vitesh për të trajtuar artritin. Xhenxhefili ka veti anti-inflamatore kundër dhimbjeve. Përzijeni pluhurin me pak ujë deri sa të bëhet një pomadë me të cilën mund të lyeni zonat e prekura. Fillimisht do të ndieni një djegie të lehtë, por më pas pomada do të trashet. Kur ajo të thahet, mund ta lani zonën e lyer.

Tonik me xhenxhefil:

Nëse dëshironi të përshpejtoni tretjen, AgroWeb.org ju rekomandon të përdorni pluhurin e xhenxhefilit. Merrni një gotë me vodka të pastër ose edhe raki apo çdo pije tjetër alkoolike pa ngjyrë dhe përzijeni me gjysmë luge çaji me pluhur. Hidheni tretësirën në një shishe qelqi me ngjyrë dhe lëreni për 45 ditë në një vend të errët. Më pas kullojeni dhe ruajeni në një shishe të re. Të rriturit duhet të konsumojnë 10 pika të tretësirës me mjaltë për të rregulluar tretjen./AgroWeb.org

Shtimi i Rasteve me Anemi – Çfarë Duhet të Përdorni

Anemia është sëmundja që lidhet me uljen e numrit të rruazave të kuqe të gjakut dhe pakësimin e përqindjes së hemoglobinës.

Së fundmi është kthyer në një nga problemet shëndetësore kryesore të shqiptarëve bazuar në të dhënat e mbledhura nga AgroWeb.org dhe kontaktet me mjekët e specializuar në qendrat e kujdesit shëndetësor të vendit.

Të prekurit nga anemia kanë lëkurë dhe mukoza të zbehura, lodhen shpejt, ndjejnë këputje dhe apati, nuk kanë oreks dhe shfaqin ulje të presionit arterial. Ata që vuajnë nga anemia kanë edhe rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymemarrje, dhimbje koke, marrje mendsh dhe shikim të turbullt.

Anemia sjell uljen e përqendrimit të oksigjenit në gjak dhe në inde, duke lehtësuar zhvillimin e infeksioneve të ndryshme.

Specialistët e Shëndetit Publik tregojnë për AgroWeb.org se shtimi i rasteve të anemisë së fundmi ka lidhje me problemet në ushqim. Një faktor kryesor është mosmarrja prej organizmit e lëndeve të nevojshme ushqimore, të vitaminave dhe mineraleve, sidomos të hekurit.

Gjendja anemike përcaktohet saktë vetëm nga analiza laboratorike e gjakut, që tregon numrin e rruazave të kuqe. Në forma të lehta dhe mesatare nuk ka nevojë për regjim shtrati, por duhet patur duhet kufizuar aktiviteti fizik. Për format më të rënda duhet patjetër regjim shtrati ose trajtim mjekësor.

Të ushqyerit kundër Anemisë

Ushqimet duhet të jenë të pasura me vitamina, minerale dhe sidomos me proteina. Anemikët duhet të konsumojnë vezë, peshk, qumësht, gjalp të freskët, lakra të freskëta, spinaq, karota, brokoli, panxhar dhe shumë fruta.

Trajtimet me produkte të Natyrës

Mjekësia tradicionale përdor disa bimë që përmirësojnë aneminë dhe rruazat e kuqe të gjakut.

1. Merrni 1-2 lugë kafeje prej bimës së bluar të pelinit. Hidheni në një gotë ujë dhe zijeni për 15min. Përdoreni 3 herë në ditë nga 1 lugë gjelle, gjysëm ore para buke. Kura vazhdon 1-2 muaj rrjesht, deri në përmirësimin e plotë.

2. Merrni 1 lugë gjelle nga fletet e grimcuara të thata të hithrës. I zieni në një gotë me ujë për 15min. Pasi ta filtroni, ëmbëlsojeni me pak mjaltë. Pijeni 3 herë në ditë nga 1 gotë për 1 muaj rrjesht.

3. Rrënjët e Sanzës (Gentiana Lutea) shërbëjnë për aneminë. Merrni 10 gr me bimë të bluar. Zijeni në 1 litër uje për 15min. Kullohet dhe pijeni 2-3 filxhana në ditë para buke./AgroWeb.org

Ekstra i Virgjër për të huajt, shqiptarët ngopen me ullinj tavoline

Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha për kultivimin e ullirit, për vetë kushtet klimatiko – tokësore shumë të përshtatshme. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, pavarësisht rritjes së investimeve si në shtimin e sipërfaqeve të mbjella dhe në industrinë përpunuese, ritmet e zhvillimit janë akoma shumë larg potencialeve të mundshme.

Kështu vendi ynë, krahasuar me vendet e tjera të Pellgut të Mesdheut, ka numrin më të vogël të ullinjve për frymë të popullsisë, si dhe normën më të ulët të konsumit të vajit në rajon. AgroWeb.org raporton se vitet e fundit Shqipëria ka një prodhim mesatar vjetor rreth 35-55000 ton ullinj, ose rreth 7.000 ton vaj, rreth 2.5 litra për banor.

Duke llogaritur importet, konsumi i vajit te ullirit është rreth 3.5 litra/banorë, kjo sasi e ulët në krahasim me vendet e tjera prodhues vaj ulliri, si Italia 16 litra/banor, Greqia 21 litra/banor.
Por shqiptarët renditen si konsumatorët më të mëdhenj të ullirit të tavolinës. Këshilli Ndërkombëtar i Ullirit, organizata që përmbledh të gjitha vendet prodhuese dhe konsumuese të ullirit në botë ka publikuar shifrat më të fundit. Sipas këtij burimi të konsultuar nga AgroWeb.org, Shqipëria klasifikohet në vend të parë me konsumin vjetor prej 10 kilogram ullinj tavoline për frymë me konsum vjetor gjithsej 29 mijë ton në rang vendi.

Spanja, e cila është ndër furnizueset kryesore të Europës, konsumon 3,5 kg/frymë. Italianët konsumojnë 2 kilogram ullinj tavoline në vit, ndërsa Grekët edhe më pak, rreth 1,3 kilogram në vit për frymë.

Fakti surprizë tregon se vendet që prodhojnë më shumë ullinj, konsumojnë më shumë vajin e ullirit. Ky fakt tregon se vendet e bekuara me prodhimtari të madhe të ullirit e kanë shumë të zhvilluar industrinë e përpunimit të vajit të ullirit dhe kryesojnë eksportet në botë.

Spanja, Italia dhe Greqia së bashku plotësojnë 98% të kërkesave të tregut europian për vaj ulliri, ndërsa konsumi i vajit të ullirit në Itali është 16 litra për banorë dhe në Greqi 21 litra për banorë. Shqipëria konsumin vjetor të vajit të ullirit e ka 3,5 litra/banorë, ku vetëm 2,5 litra i prodhon vetë.

AgroWeb.org sjell krahasimin me vendet fqinje, Italia konsumon 8 herë më shumë vajin e ullirit se sa ullirin kokërr, ndërsa Greqia 16 herë më shumë. Në këtë rast, në Shqipëri ka një përmbysje të raporteve.

A është kjo se shqiptarët nuk i dinë vlerat e vajit të ullirit, apo ndoshta industria përpunuese nuk i plotëson nevojat? Fakti që shqiptarët janë të detyruar të importojnë edhe 1 litër për frymë me qëllim plotësimin e nevojave të konsumit, tregon qartë se industria e vajit të ullirit është akoma një potencial i madh zhvillimi ekonomik.

Vetëm rritja e sipërfaqeve të mbjella dhe të sasisë së ullinjve të prodhuar dhe nga ana tjetër një rritja e industrisë prodhuese dhe përmirësimi i teknologjisë së ekstraktimit do të sjellë kualifikimin e Shqipërisë në eksportet botërore të vajit të ullirit që dominohen, nga Spanja, Italia dhe Greqia që së bashku kontribuojnë me 78% të prodhimit botëror dhe 98% të atij Evropian.

Konsumi i ulët i vajit të ullirit në Shqipëri tregon nivelin e ulët të mirëshqimit pasi tregon se konsumi vendas dominohet nga vajrat e lirë vegjetalë, në shumë raste të dëmshëm për konsumatorët.

Sipas burimeve të AgroWeb.org, sot në Shqipëri rezultojnë rreth 150 përpunues të ullirit, por vetëm 18 prej tyre tregtojnë vajin e ullirit në treg, ndërsa pjesa tjetër ofrojnë vetëm shërbim ndaj kultivuesve duke prodhuar sasi të vogla për përdorim shtëpiak./AgroWeb.org

Të Mirat e Panjohura të Mjaltit Puro

Mjalti është një produkt mjaft i ëmbël dhe i veçantë, saqë shpesh e ruajmë dhe e ndajmë me më të shtrenjtit tanë. Kur na duhet të përzgjedhim mjaltin e duhur për ta shtuar në çaj, ëmbëlsira, apo për të zbutur fytin, përballemi me një mori zgjedhjesh.

Mbledhja e mjaltit nga bletët është vetëm fillimi i një udhe të gjatë që ky produkt bën të arrijë deri tek konsumatori. Si në rastin e ushqimeve të tjera të kohëve moderne, mjalti mund t’i nënshtrohet një sërë përpunimesh që i japin formë shijes, pamjes dhe ruajtjes së mjaltit.

Në fakt rreth 70 përqind të produkteve që gjenden në raftet e marketeve në botë, është thjesht mjaltë i përpunuar ose i përzier me shurup misri dhe aditivë të tjerë.

Ka disa arsye përse tregëtarët shesin produkte të tilla. Së pari, mjalti puro dhe i pakulluar ka një ngjashmëri me qumështin e papërpunuar. Në të shpesh gjenden copëza dhe grimca të polenit të bletëve. Ndonëse këto mbetje janë jashtëzakonisht me vlera, në ditët e sotme, pamja e jashtme është e rëndësishme.

Rrjedhimisht, kavanozët e marketit janë të mbushur me mjaltë që ka dalë nga një proçes pasterizimi dhe nxehtësimi. Ky i fundit ngadalëson kristalizimin, e forcon lëngun dhe e bën më të trashë. Për këtë arsye, shumë konsumatorë mendojnë se ky mjaltë është i pastër dhe më i thjeshtë për t’u përdorur.

Cilësia varet jo vetëm nga marka, por edhe nga bleta dhe ushqimi i saj. Lulet luajnë një rol të rëndësishëm në produktin përfundimtar dhe shijen e tij. Duhet të dini që 500 gramë mjaltë prodhohet nga nektari i mbi 2 milionë luleve.

Mjalti puro i papërpunuar

Mjalti puro është forma më e pastër e këtij lëngu magjik që prodhohet nga bletët. Ai vjen direkt nga kosheret e kalohet në kavanoz.

Zakonisht merret direkt nga burimi, përpunohet në nivele minimale – që do të thotë pastrohet nga mbetjet e bletëve – dhe është gati për konsum. Nuk i nënshtrohet asnjë proçesi tjetër filtrimi, nxehtësie apo pasterizimi.

Në këtë mënyrë, mjalti në formën e tij më të përqendruar ruan shijen, vlerat, pjalmin dhe propolisin, një substancë ngjitëse që bletët e përdorin në koshere dhe që mund të përtypet si çamçakëz.

Pjalmi përdoret për të ushqyer bletët e reja. Është i mbushur me ushqyes, vitamina, proteina, amino acide, acid folik, karotenoidë, bioflavonoidë etj. Pjalmi ka përfituar statusin e superushqimit, duke qenë se shumë studime kanë pranuar dhe njohur vlerat shëndetësore në luftimin e mykut, mikrobeve, viruseve, kancerit, dhe inflamacionit.

Propolisi gjithashtu përmban vlera kundër tumoreve, ndërkohë që substancat që gjenden në të ndihmojnë në shërimin e plagëve dhe zbrapsjen e baktereve.

Në mjaltin puro gjenden edhe përbërës të tjerë siç janë:

Amylase, një enzimë që ndihmon në tretjen e ushqimeve me bazë niseshte. Kjo do të thotë që nëse lyeni një fetë bukë me mjaltë, do të garantoni një tretje më të shpejtë të saj.

Antioksidantë, në veçanti polifenolë që luftojnë sëmundjet dhe plakjen e përshpejtuar duke ofruar mbrojtje nga dëmet e radikaleve të lira.

Vitamina dhe ushqyes të tjerë, siç janë vitamina C, kompleksi i vitaminave B, kalcium, hekur, magnez, kalium, zink, kopër, mangan dhe selen./AgroWeb.org

Lulja e Blirit – Arma Më e Fortë Bimore

Lulet e blirit që prej lashtësisë njiheshin si lulet ku fshihen rrezet e diellit. Gjethet e kësaj peme lulëzojnë prej fillimit të pranverës e deri në vjeshtë. Rritet në pyje, shkurre dhe sidomos në zonat e dushkut dhe të ahut. Në Shqipëri, aromën dehëse të blirit do ta ndjeni edhe në rrugët e qyteteve kryesisht në Peshkopi, Elbasan, Përmet apo Tiranë.

Kjo pemë kërkon toka të pasura dhe të thella. Rritet dhe e kultivuar pothuajse kudo. Blirit i përdoren lulet së bashku me gjethet. Vjelja bëhet me dorë ose me gërshërë dhe duhet të të kihet parasysh të mos hiqen më shumë se 60-70 % e luleve. Lulet mblidhen së bashku me gjethet në fillim të lulëzimit, gjatë kohës me diell sidomos në këto ditë qershori.

Vlerat shëndetësore të lules së blirit përfshijnë aftësinë për të përmirësuar sistemin imunitar, ajo parandalon disa qeliza të dëmshme, qetëson organizmin, heq ankthet dhe ul tensionin e gjakut. Lulja e blirit është përdorur në mjekësinë tradicionale popullore të shumë vendeve në botë.

Lulja e blirit në versionin e saj të thatë mund të bëhet çaj, i shijshëm dhe me aromë të fortë. AgroWeb.org ju tregon se lëngu dhe lulja vetë kanë një nivel të lartë përbërësish të çmuar, flavonoidë dhe substanca të tjera që e bëjnë blirin si një bimë shumë të besueshme në treg.

Cilat janë vlerat e lules së blirit?

Lufton ankthin: Një nga përdorimet më të gjera të çajit të lules së blirit është kundër ankthit. Ky çaj ka aftësi qetësuese kundër stresit mendor. Nëse vuani nga luhatjet e humorit ose stresi kronik, një filxhan me çaj bliri është zgjidhja më e zgjuar që mund të bëni për të përmirësuar shëndetin mendor.

Neutralizon qelizat e dëmshme:

Antioksidantët që gjenden tek bliri shërbejnë si luftëtarë kundër radikaleve të lira, duke i larguar ato dhe përmirësuar shëndetin tonë të përgjithshëm. E gjithë kjo parandalon sëmundjet kronike.

Pastron organizmin: Përbërësit dhe acidet që gjenden tek bliri çlirohen menjëherë në çaj duke nxitur djersitjen. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të larguar toksinat nga trupi, së bashku me kripërat e tepërta, yndyrnat, ujin dhe substancat e huaja. Këto cilësi e bëjnë blirin shumë të çmuar në rastet e sëmundjeve me temperaturë të lartë, pasi e ul atë.

Lufton të ftohtin dhe gripin: Përveç nxitjes së djersitjes dhe uljes së temperaturës, lulja e blirit jep një kontribut të veçantë në luftimin e simptomave të të ftohtit, gripin, inflamacionit në gojë dhe traktin respirator. Çaji i lules së blirit të ndihmon edhe me kollën dhe fytin e trazuar, duke i dhënë fuqi sistemit imunitar.

Lufton dhimbjet: Ata që vuajnë nga dhimbjet e kokës, të shkaktuara nga tensioni dhe simptoma të tjera të inflamacionit duhet të konsumojnë çaj bliri dhe të eleminojnë dhimbjet nga artriti apo simptoma të tjera. Siç largon problemet nga rrugët e frymëmarrjes, ashtu ul tensionin e gjakut duke parandaluar një sërë problemesh përfshirë dhimbjet e kokës.

Përmirëson tretjen: Nëse keni stomak të lënduar, fryrje apo shtrëngime, atëherë mos i kurseni vetes një filxhan me çaj bliri sepse do të ndiheni mirë menjëherë. AgroWeb.org ju tregon se përbërësit biologjikë të lules së blirit do të shuajnë shqetësimet gastrointenstinale dhe nxisin një tretje më të mirë të ushqimit.

Kujdes: Doza maksimale e këtij çaji është tre filxhanë në ditë. Gratë shtatzëna nuk duhet të konsumojnë çaj bliri sepse përbërësit e lules mund të ndërveprojnë negativisht me barrën e tyre./AgroWeb.org

Shega e Egër, Fruti Organik i Shqipërisë

Shega ose siç njihet ndryshe “molla me fara”, është një frut simbol i legjendave dhe traditave mbarë shekullore. Ky frut  mban kurorën e frutave dhe është simbol i pjellorisë, ambicies, begatisë, fatit të mirë dhe bollëkut.

Shega e egër, ka një lëkurë në ngjyrë jeshile të çelët e deri në të kuqe me fara të bardha që janë të tharta. Ajo përdoret për të përmirësuar tretjen. Në mbarë botën, shega e egër përdoret për t’i dhënë shije salcave, supave, për të marinuar, për të zbukuar sallatat, perimet apo edhe për t’u bërë reçel.

Shega e egër gjendet shumë e përhapur në veriun e Shqipërisë në vende ku ato rriten në mënyrë natyrale. Banorët e këtyre zonave nxjerrin prej tyre një lëng të shijshëm dhe të mrekullueshëm, një nga lëngjet më unikë dhe më të shëndetshëm që mund të pini ndonjëherë. Këto lëngje gjenden kryesisht në restorantet me produkte organike të mirënjohura pranë Lezhës dhe Shkodrës.

Lëngu i shegës së egër është i pasur me polifenolë, antioksidantë, vitamina B5, B6, C dhe kalium. Ai lufton mikrobet dhe bakteret. Nëse jeni të interesuar të përftoni vetëm lëngun, atëherë prijeni frutin në dy pjesë dhe shtrydheni si në rastin e portokallit. Një tjetër metodë është ta shtypni frutin e rrumbullaktë në një sipërfaqe të fortë, dhe më pas ta shponi pjesën fundore dhe ta shtrydhni në një gotë. Farat kanë ngjyra që variojnë nga e kuqja, roza e ndezur dhe roza e çelët.

Përbërja kimike e frutit

64 përqind e frutit të plotë është e ngrënshme.

Vlerat mjekësore

Lëngu i gjetheve të freskëta dhe kokrrave të kësaj bime të egër rekomandohen për ata që vuajnë nga problemet me stomakun. Lëkura bëhet pluhur dhe përdoret për problemet me mëlçinë. Lulet dhe kokrrat e pabëra forcojnë mishrat e dhëmbëve. Shegët e pjekura pasurojnë gjakun, shërojnë lëndimet e fytit, syrit dhe problemet me kraharorin./AgroWeb.org

Glikoja e Arrës, Sekreti i Ëmbëlsisë Unike

Glikoja është një nga thesaret e panumërta të kuzhinës shqiptare. Ajo përgatitet nga fruta dhe perime të ndryshme të rritura në vend. Glikoja e arrës e cila përgatitet nga arrat e plota të njoma jeshile, është një nga më populloret, dhe ndiqet nga glikotë e qershisë së bardhë, patëllxhanit, fikut të egër, kumbullës dhe kajsisë.

Glikoja është një ëmbëlsirë që zakonisht shoqërohet me lëngje dhe pije të lehtë. Glikoja e arrës përgatitet nga arrat e njoma ose siç njihen ndryshe kaçka të cilat duhen mbledhur në momentin e duhur.

Ato nuk duhet të jenë shumë të buta, por as shumë të forta dhe të kenë kaluar fazën e pjekurisë. Nëse dëshironi të dini kohën e duhur për mbledhjen e arrave, atëherë përdorni një gjilpërë të cilën mund ta fusni dhe hiqni lehtë nga arra. Kjo tregon që arra është gati për tu bërë gliko.

Pasi keni mbledhur arrat (1kg), ndajini në dysh që të bëhen të depërtueshme dhe vendosini në një tenxhere. Ziejini për tre deri në katër minuta që shtresa e tyre e jashtme të zbutet dhe të përthithin lëngjet më shpejt. Më pas arrat mbajini në ujë të ftohtë për disa ditë, duke e ndërruar ujin disa herë për të hequr hidhësinë e tyre.

Më pas qërojini dhe vendosini në një enë të mbushur me ujë dhe limon jeshil. Pas dy orësh, shpëlajini mirë me ujë të ftohtë. Në këtë mënyrë, arrat do të ruajnë formën e tyre.

Hapi i rradhës është zierja tjetër për 3 deri në 4 minuta dhe shpëlarja me ujë të ftohtë. Nëse do të përdorni një kilogram arra, atëherë do ju nevojitet një kilogram sheqer dhe 700 ml ujë për përgatitjen e shërbetit që duhet përzier me lëngun e lëshuar nga arrat gjatë zierjes.

Në lëngun e glikosë do të shtoni edhe acid citrik dhe lule barbarosa. Në secilën arrë do të fusni një bajame të qëruar dhe të gjitha së bashku do të zihen sërish. Pas ftohjes, glikoja futet në kavanozë qelqi që mbyllen mirë.

Glikoja e arrës është një produkt tipik i Përmetit në jug të Shqipërisë. Megjithatë, të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se kjo gliko është e mirënjohur edhe në zonën e Korçës dhe në juglindje të vendit. Glikoja shërbehet në festa familjare, fejesa, dasma, apo festa ditëlindjesh.

Ajo serviret edhe gjatë vizitave familjare. Glikoja serviret pas ushqimit dhe shoqërohet me një gotë ujë dhe kafe. Kjo gliko prodhohet për shitje, por edhe për konsum shtëpiak.

Megjithatë, glikoja e arrës është një traditë e rrezikuar duke qenë se brezat e rinj nuk kanë interes në ruajtjen e vazhdimësisë së saj.

Nga ana tjetër, duke qenë se arrat rriten në natyrë, mbledhja e sasive të mëdha për prodhim glikoje është e vështirë. Numri i njerëzve që prodhojnë gliko në shtëpitë e tyre po pakësohet. Në vend ka vetëm një kompani të vogël që prodhon sasi të kufizuara glikoje për tregun e zonës dhe atë kombëtar./AgroWeb.org

Bajamet e Njoma, Shija e Kujtimeve të Fëmijërisë

Shqipëria është një vend i bekuar me një prodhimtari të lartë të bajameve që arrijnë të plotësojnë kërkesat e tregut vendas. Banorët e zonave ku rriten këto arrorë, e njohin mirë shijen dhe aromën fantastike të bajameve të njoma.

Koha kur mund të përfitoni prej bajameve të njoma është e kufizuar. Shtresa e jashtme e tyre është e gjelbër e butë dhe xhelatinoze ndërsa pjesa e brendshme e bardhë dhe e lëngshme.

Është pikërisht kjo e fundit që piqet dhe forcohet duke u kthyer në bajamen që ne njohim. E gjithë bajamja e gjelbër e njomë mund të konsumohet nga njeriu. Shija e lëngshme, krokante dhe pak e thartë të sjell ndërmend një shartim mes mollës jeshile dhe rrushit.

Bajamet e njoma forcohen me kalimin e kohës. Në fillim ato kanë një lëkurë të tejdukshme, dhe një formë që të kujton rrushin. Më vonë ato marrin një pamje më kremoze dhe zbuten në kafshimin e parë.

Bajamen e njomë mund ta prini në dysh nëpërmjet një thike. Bërthama e vogël dhe e zbehtë është e butë dhe e mbushur me një substancë xhelatinoze. Kur e kafshon të duket sikur po provon lëkurën e shalqinit.

Bajamja e njomë ofron të njëjta përfitime ushqimore si bajamja e thatë duke përfshirë, vitaminën C, E, hekurin, kalciumin, magnezin, riboflavinën dhe l-karnitinën. Bajamja e njomë ofron proteinë dhe fibër dhe ka një tregues të ulët glicemie. Bajamja e njomë është e rrallë dhe e dobishme për shëndetin.

Ajo është e mbushur me antioksidantë të cilat largojnë toksinat nga organizmi. Ushqyesit tek bajamja e njomë forcojnë aktivitetin e sistemit imunitar dhe mund të shmangin një sërë sëmundjesh dhe infeksionesh.

Bajamja e njomës është shumë e mirë për rënien në peshë sepse përmban yndyrna të shëndetshme të cilat shpërbëjnë depozitat e yndyrnave të këqija dhe ju ndihmojnë të humbisni në peshë.

Bajamja e njomë është e mirë për stomakun sepse përmban shumë fibër që e përmirëson tretjen dhe trajton konstipacionin kronik.

Konsumi i bajameve të njoma i bën mirë flokëve. Bajamet e njoma janë të pasura me vitamina, minerale dhe substanca të tjera që ushqejnë rrënjët dhe majat e flokëve. Ajo ndihmon edhe kundër rënies së flokëve.

Bajamja e njomë është shumë e shijshme dhe mund të konsumohet si një ushqim i shpejtë. Spërkateni me kripë deti dhe shijojeni. Bajamen e njomë mund ta përfshini edhe në sallata. Ajo kombinohet mjaft mirë me dardhat ose sallatën jeshile./AgroWeb.org