Rreth nesh

Bujqësia është në qendër të rritjes ekonomike të Shqipërisë, si një sektor që punëson 50% të popullsisë. Megjithatë, ajo nuk është në qendër të informacionit mediatik, i përqëndruar pothuajse tërësisht në politikë apo lajme rozë. Agroweb.org synon ta sjellë bujqësinë pranë lexuesit në një tjetër këndvështrim, duke e pozicionuar atë si shtyllën kryesore të ekonomisë, me një rol të rëndësishëm në jetën e gjithsecilit prej nesh. Agroweb.org vjen tek ju nga AgroKapital, një program mbi bujqësinë i financuar nga USAID dhe i zbatuar prej CBS, me synim rritjen ekonomike të sektorit të bujqësisë.

 

Pse një portal për bujqësinë? Sepse bujqësia është sektori i vetëm me rritje të qëndrueshme. Prandaj sot ekziston një nevojë urgjente për krijimin e një burimi të qendërzuar informacioni mbi bujqësinë.

Puna jonë në portal drejtohet nga një Kod Etike rigoroz. Ne nuk do të jemi thjesht përcjellës por burim informacioni dhe ekspertize bujqësore. Agroweb.org do të funksionojë si një portal lehtësisht i përdorueshëm, që përmban informacion të përmbledhur dhe të strukturuar mbi sektorin e bujqësisë. Informacioni do të variojë në bazë të fushave të ndryshme të interesit brenda këtij sektori, si prodhimtaria, peshkimi, hortikultura, makineritë bujqësore dhe kërkimi i tregut.

Do të gjeni gjithashtu informacion të detajuar mbi politikat e qeverisë në lidhje me bujqësinë, skemat kombëtare të mbështetjes, kreditë bujqësore, çmimet e tregut, grantet, standardizimet bio dhe gjithashtu zhvillimet e fundit në këtë sektor. Ne do të grumbullojmë të dhëna nga fermerët, qeveria dhe kërkesa e tregut në mënyrë të përmbledhur, në një portal të vetëm, lehtësisht të përdorshëm nga të gjithë.

Kategoritë kryesore Lajme, Udhëzues, Financë, Agro Investime, Zona Bio, Efiçenca e Energjisë, Gratë në Biznes dhe Çështje Sociale përmbajnë nënkategori të përqëndruara në fusha të ndryshme të interesit për fermerët, fermerët e rinj apo ata me potencial, furnizuesit e produkteve bujqësore, profesionistët e industries si dhe bankat e institucionet financiare.

Një vend i veçantë i kushtohet grave në biznes, fermerëve të rinj e të suksesshëm dhe lajmeve mbi fermat e së ardhmes.

Po kërkoni financime alternative? Përdoruesit do të udhëzohen mbi kriteret që do t’u duhet të plotësojnë, mbi rrugët që duhet të ndjekin për të nisur një biznes të ri, mbi mënyrën se si duhet të shkruajnë një plan biznesi, si të regjistrohen dhe të marrin licencat e duhura për të ushtruar aktivitetin, si të përfitojnë financime alternative apo kredi bankare si dhe çfarë dokumentacioni të përgatisin për secilin rast. Shembujt do të përfshijnë udhëzime dhe adresat e nevojshme në Internet për IPARD-like, fondet e Bizneseve të vogla e të mesme, skemat e mbështetjes kombëtare etj.

Ju mungojnë lidhjet e tregut? Informacioni i duhur për eventet lokale apo rajonale do të pasqyrohet në mënyrë të vazhdueshme, duke shërbyer si një hapësirë bashkëpunimi për projekte të tjera të zhvillimit të bujqësisë. 

Në agroweb do të gjeni të gjithë informacionin e nevojshëm për projekte zhvillimi, programe të financuara nga Bashkimi Evropian apo projekte të tjera bujqësore në Kosovë apo vende të tjera të rajonit.

Informacion i komplikuar mbi produktet BIO? Kjo kategori e dedikuar do t’ju japë informacionin e duhur mbi çertifikimin, përputhshmërinë me rregulloret, sit ë përftoni standardet vendase dhe ato Evropiane, HACCP, GMP, BIO apo të tjerë të ngjashëm.

Informacioni do të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme me oferta e produkte te rinj dhe me kërkesat standard. Ne portal do të gjeni gjithashtu edhe artikuj të dobishëm mbi produktet bio, cilat mund të quajmë produkte bio dhe cilat jo, si ndikojnë faktorët kimatikë në bujqësi dhe çfarë është eficenca energjitike.

Të jesh një fermer i suksesshëm në ditët e sotme kërkon njohuri teknologjike të avancuara dhe aftësi në fushën e bzinesit. Megjithatë një pjesë e mirë e fermerëve nuk kanë ende akses në internet, kompjutera apo telefona smartphone. Por duke qenë se ritmet e zhvillimit të zonave rurale në vend janë të shpejta, fermerët e rinj po e përdorin gjithmonë e më shumë internetin dhe rrjetet sociale, si burim informacioni dhe mundësi afrimi me njëri tjetrin.

Portali u konceptua dhe u krijua në mënyrë të atillë që t’i përgjigjet njohurive dhe aftësive të përdoruesëve të ndryshëm me një dizajn të thjeshtë, të adaptueshëm për kompjutera, laptopë dhe telefona smartphone. Duke patur parasysh rolin e rëndësishëm të rrjeteve sociale në shoqërinë e ditëve të sotme, lajmet e portalit do të ndahen me të gjithë ndjekësit e Agroweb në rrjetet Facebook, Twitter, LinkedIn. Na ndiqni dhe bashkohuni me ne në misionin tonë duke u bërë ndjekës aktivë e jo thjesht lexues pasivë. 

 

Vizioni ynë

Të jemi faqja kryesore e bujqësisë në Shqipëri, ajo tek e cila lexuesit do të drejtohen për të gjetur “paketën e plotë bujqësore.”

Të jemi qendra e vetme që përmbledh informacion të strukturuar, të besueshëm dhe profesional mbi sektorin e bujqësisë dhe atë të mjedisit.

Të jemi epiqendra e informacionit bujqësor, që sjell vlerë për lexuesit dhe dallon lehtësisht nga konkurrenca për saktësinë, vërtetësinë dhe analizën e thellë të ekspertizës profesionale dhe teknike.

Të flasim në gjuhë profesionale, por lehtësisht të kuptueshme për bujqësinë.

 

Misioni ynë

Të nxisim një mënyrë të re të të menduarit mbi bujqësinë, duke informuar, udhëzuar dhe frymëzuar lexuesit nëpërmjet informacionit të saktë, të vërtetë, të përditësuar e profesional.

Të promovojmë rritjen ekonomike të sektorit bujqësor, duke nxitur zhvillimin e një tregu të strukturuar dhe modernizimin e proceseve të agropërpunimit.

 

Vlerat tona

  • Integritet – Vërtetësia dhe saktësia janë më të rëndësishme se shpejtësia dhe sensacioni
  • Inovacion – Paraqitje, përmbajtje, trajtim i ri per median shqiptare, në linjë me gazetarinë bashkëkohore
  • Flasim Thjeshtë – Bujqësia, mjedisi, financimi lehtësisht të kuptueshme nga kushdo

*SHËNIM. Këndvështrimi i artikujve të publikuar në AgroWeb jo domosdoshmërisht reflekton këndvështrimin e Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) apo të Shteteve të Bashkuara.