Tufat e gjelbra të trumzës të rreshtuara mes barishteve të tjera janë nga më tërheqëset për syrin, por mbi të gjitha vlerësohen si magnet natyral i vlerave mirëbërëse për organizmin e njeriut. E freskët apo e thatë, trumza mbetet një nga dhuratat më të spikatura të natyrës dhe AgroWeb po hedh dritë më tepër mbi vlerat e kësaj barishteje të përsosur.

Të lashtët e konsideronin atë si simbol të kurajos dhe sakrificës, por trumza është më tepër se kaq. Kjo bimë shumëvjeçare, gjysmëshkurre me kërcell të gjatë me rrënjë të shtrirë ka efekte të jashtëzakonshme në luftën kundër mërzitjes, trishtimit dhe stresit, ndihmon fort në sistemin riprodhues dhe përmirësimin e tretjes.

Trumza rekomandohet gjithashtu si një kurë ndaj simptomave të një nate të kaluar nën shoqërinë e tepruar të alkoolit.

Barishtja është e pasur me vitamina dhe minerale që janë të domosdoshme për mirëqenien e njeriut. Trumza e ka vendlindjen në Evropën Jugore dhe në Mesdhe, duke e bërë Shqipërinë një vendet më natyralisht të pasura me këtë bimë. Lulet e saj janë të vogla në ngjyrë të bardhë ose vjollcë e çelur dhe shumë aromatike. Trumza (e thatë ose e freskët) përdoret shumë në kuzhinat shqiptare.

Vlerat e trumzës

1. Trumza ka përbërës aktivë të njohur për aftësitë në parandalimin e sëmundjeve dhe përmirësimin e shëndetit.

2. Trumza përmban thymol, një nga vajrat më të dobishëm esencialë. Ky vaj është antiseptik dhe lufton mykun.

3. Trumza përban antioksidantë të shumtë si zeaksanthin, lutein, pigenin, naringenin, luteolin dhe thimonin. Barishtja kur është e freskët ka një prej niveleve më të lartë të antioksidantëve mes barishteve.

4. Trumza është plot me minerale dhe vitamina. Është një nga burimet më të pasura të potasiumit, hekurit, kalciumit, manganit, magnezit dhe seleniumit. Potasiumi është një përbërës i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve trupore që mbajnë nën kontroll rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut. Mangani përdoret në trup si një fakto ndërveprues për enzimat antioksidante. Hekuri nga ana tjetër është i nevojshëm për formimin e qelizave të kuqe të gjakut.

5. Kjo barishte është e pasur me vitaminat B, beta karoten, vitaminën A, vitaminën K, vitaminën E, vitaminën C dhe acidin folik. Trumza plotëson 27% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës B6 e cila mban lart nivelet e neurotransmetuesve në tru që luajnë një rol në zvogëlimin e stresit.

6. Vitamina C ndihmon trupin e njeriut të krijojë rezistencë ndaj infeksioneve dhe radikaleve të lira që shkaktojnë inflamacion.

7. Vitamina A, një antioksidant i mirëfilltë që nevojitet për të mbajtur lëkurën dhe sytë të shëndetshme gjendet tek trumza. Konsumimi i ushqimeve natyrale që janë të pasura me flavonoidë si vitamina A dhe beta karoteni mbrojnë nga kanceri i mushkërive.

Si të zgjedhim dhe ruajmë trumzën

Trumza e njomë ose e thatë gjendet në treg. AgroWeb ku këshillon që sa herë që të keni mundësi duhet të bleni trumzë të njomë sepse është superior për nga aroma dhe përbërësit e shëndetshëm. Gjethet e trumzës së freskët duhet të jenë në një ngjyrë të gjelbër të çelët dhe pa njolla të zeza ose të verdha.

Trumza e freskët duhet ruajtur në frigorifer e mbështjellë në një letër kuzhine pakëz të njomë. Trumza e thatë duhet mbajtur në një enë qelqi të izoluar mirë. Duhet ruajtur në një vend të thatë, të errët dhe të freskët ku mund të zgjasë për deri 6 muaj.

Përdorimet mjekësore të trumzës

Trumza përmban shumë vajra të rëndësishëm esencialë që kanë veti anti-septike.

Përdorimi i ujit të trumzës ose çaji me trumzë ndihmon me kollën, fytin e acaruar dhe simtomat e bronkitit.

Në farmaci mund të gjeni disa produkte me trumzë si larës goje që ndihmojnë në trajtimin e karieve dhe gurëzave të dhëmbëve./AgroWeb.org