Stikat e pishave konsiderohen si një nga tipet më të çmuara të frutave të thatë me lëvozhgë. Ato përdoren në përgatitjen e ëmbëlsirave, sallatave dhe salcave të famshme. Stikat e pishës kanë qenë një burim vlerash dhe ushqim i preferuar që nga lashtësia.

Grekët dhe Romakët e lashtë zakonisht i përzienin stikat e pishës me mjaltë, sepse njihnin vlerat e tyre. AgroWeb.org ju sugjeron t'i përdorni këto stika të freskëta me mjaltë, rreth një grusht me stika në një filxhan çaji plot mjaltë të mirë dhe do të provoni që edhe ne ditët e sotme, kjo formulë mbetet e pavdekshme pasi garanton imunitet të lartë, humor të mirë dhe mbrojtje nga problemet e stinës.

Me një përmbajtje të lartë vajore, stikat e pishës konsiderohen si diçka e veçantë në shumë vende të botës. Në botë stikat e pishës përbëjnë një treg me vlerë qindra e qindra milionë dollarësh në vit. Ato janë shumë popullore në vendet e Mesdheut, ku përdoren gjërësisht në gatimet e ndryshme tradicionale.

Shqipëria është e bekuar me pyje pishash pafund në mbarë territorin e saj, ndërkohë që pjesa më e madhe e stikave të pishës importohet me çmime shumë të larta. Çuditërisht, stikat e pishave mbeten të nënvlerësuara dhe shumë rrallë mund të gjesh persona që merren me mbledhjen e boçeve të pishave, nxjerrjen e stikave, përpunimin dhe tregtimin e tyre në vend.

Mjafton t'ju themi se stikat e importuara në Shqipëri kushtojnë 500 lekë të reja për 100 gramë dhe do të kuptoni se pse ka vlerë mbledhja dhe përpunimi i stikave të pishave shqiptare.

Në botë, stikat e pishës shiten edhe në rrugë të pjekura mirë dhe të paketuara në letër. Stikat e pishës zakonisht konsumohen të pjekura. Ato kanë një shije të ëmbël dhe krokante që i bën perfekte si ushqim mes vaktesh, por edhe gatime apo salca. Provojini të pjekura në shtëpi dhe do të kuptoni se janë një ushqim i shpejtë dhe thjesht i shkëlqyer.

Stikat e pishave përmbajnë proteina, fibra, minerale dhe vitamina. AgroWeb.org ka identifikuar listën me përfitimet kryesore prej këtyre frutave natyralisht të freskëta.

1. Stikat ndihmojnë në rënien në peshë

Stikat e pishës janë një burim i pasur acidi pinoleik që në vetvete është një acid yndyror. Sipas studimeve shkencore ky lloj acidi shërben për të ndrydhur urinë duke çliruar një sërë hormonesh që të bëjnë të ndihesh i/e ngopur.

2. Mbrojnë zemrën

Stikat e pishës janë një burim i shkëlqyer i yndyrnave të pangopura që kanë një funksion të rëndësishëm në uljen e kolesterolit në gjak. Një gjë e tillë ul rrezikun ndaj atakut në zemër dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Stikat e pishës kanë sasi të larta të vitaminës E, vitaminës K, bakrit, hekurit dhe manganit që i japin zemrës shëndet të mirë.

3. Stikat e pishës janë të pasura me hekur

Stikat e pishës janë të pasura me hekur. Organizmi e përdor hekurin për shumë proçese thelbësore siç është rregullimi i sistemit qendror nervor dhe qarkullimit të gjakut. Bakri që është natyralisht i pranishëm në stikat e pishës ndihmon në përthithjen e hekurit nga trupi dhe parandalon plakjen.

4. Speciale kundër moshës

Një tjetër vlerë e shtuar e stikave të pishës është fakti që ato munden të ngadalësojnë proçesin e plakjes. Kjo arrihet falë përmbajtjes së lartë të antioksidantëve që mbrojnë trupin ndaj dëmeve të shkaktuara nga radikalet e lira. Këto të fundit janë molekula që prodhohen kur trupi shpërbën ushqimin ose kur jemi të ekspozuar ndaj ndotjes siç janë pluhurat ose tymi i cigares. 

5. Shëndeti i syve

Stikat e pishave përmbajnë luteinë që ndihmon sytë në filtrimin e rrezeve UV dhe parandalon dëmtimet e retinës dhe shikimit në përgjithësi. Shikimi ynë përkeqësohet me kalimin e moshës dhe luteina është shumë e rëndësishme për sytë. Stikat e pishës kanë edhe beta karoten të cilin organizmi ynë e kthen në vitaminë A, që në vetvete është shumë e mirë për shëndetin e përgjithshëm të syve.

6. Japin energji

Stikat e pishës janë fantastike për të na dhënë energji. Ato janë të pasura me proteina të cilat organizmi ynë i përdor për të rregulluar indet e dëmtuar. Stikat e pishës sjellin energji edhe më shumë se pijet energjike dhe ndihmojnë të jemi energjikë për më shumë kohë. Magnezi tek stikat e pishës përmirëson përdorimin e oksigjenit në favor të djegies së kalorive dhe rrit nivelet e energjisë./AgroWeb.org/