A e dinit që kopra përmban fibra thelbësorë, që jo vetëm ulin nivelin e kolesterolit, por edhe ndihmon në largimin e toksinave nga sistemi tretës. Kopra, kjo barishte e çmuar ka origjinën nga Mesdheu dhe Evropa Jugore. Shqipëria është një truall natyral për rritjen e koprës duke qenë një vend mesdhetar, por ende nuk dime gjithçka mbi këtë bime të mrekullueshme që na ka falur natyra.

Vetëm në Shqipëri e gjejmë me çmimin 20 lekë për tufë sipas listës së çmimeve të Tregut Agro-Ushqimor të Tiranës. Në vende të tjera, çmimi i koprës është goxha më i shtrenjtë. Asnjë amvisë shqiptare nuk e imagjinon dot të fillojë një gatim pa kopër dhe majdanoz, ndërsa AgroWeb.org po ju sjell fakte mbi gjithçka të mirë rreth koprës.

Shija dhe aroma e saj janë shumë të veçanta dhe të ndryshme nga çdo barishte tjetër. Degët, farat dhe kërcelli i koprës janë përdorur që në mjekësinë e lashtë kineze për të trajtuar problemet të shumta shëndetësore. Që në lashtësi kopra është përdorur për të rritur oreksin dhe për të shtuar qumështin e gjirit tek nënat lehonë.

Vaji i koprës është përdorur për të shuar dhimbjet e stomakut, ndërkohë që çaji i përgatitur nga farat e koprës bën mirë kundër pickimit të insekteve, helmimeve nga ushqimi dhe dhimbjeve të fytit.

Vlerat shëndetësore të koprës shkojnë më tej. Ajo ofron çlirim nga simptomat e anemisë, mungesës së tretjes, konstipacionit, diaresë, çregullimet respiratore, çregullimet menstruale dhe ndihmon me shikimin. Esenca e koprës përdoret gjërësisht në shpëlarësat e gojës, pastat e dhëmbëve, ëmbëlsirat, etj.

Kopra është e pasur me hekur dhe amino acide që ndihmojnë me trajtimin e anemisë. Këto amino acide stimulojnë prodhimin e hemoglobinës dhe në formimin e një sërë përbërësve të tjerë të gjakut.

Në Indi, njerëzit e kanë traditë të përtypin fara kopre pas çdo vakti për të lehtësuar tretjen dhe eliminuar erën e keqe të gojës. Përbërësit që gjenden në vajin e koprës stimulojnë sekrecionin e lëngjeve të tretjes dhe gastritit, zvogëlojnë inflamacionin në stomak dhe në zorrë dhe përshpejtojnë përthithjen e duhur të përbërësve të nevojshëm në gjak. Kopra arrin të mbrojë organizmin nga shumë shqetësime të zorrëve.

Kopra është mjaft popullore kundër gazrave në stomak. Ekstraktet e koprës mund të përdoren që nga fëmijët deri të moshuarit për të hequr gazrat e tepërt në stomak dhe reduktuar fryrjet.

Farat e koprës, sidomos varianti pluhur i saj kanë veti laksative. Ato pastrojnë zorrët dhe i vënë ato në lëvizje duke shëruar nga konstipacioni. Koprën e gjejmë në shumë ilaçe për dhimbjet e barkut, diaresë, dhe sëmundje të zorrëve.

Siç e thamë edhe më lart, kopra është një burim i jashtëzakonshëm i fibrës dhe mban kolesterolin në gjak në nivele të kënaqshme. Në këtë mënyrë ajo ruan zemrën nga shumë sëmundje. Falë përmbajtjes së pasur të një sërë flavonoidësh, kopra ofron mbrojtje kundër efekteve të rrezikshme të radiacionit gjatë trajtimeve të kemioterapisë. Farat e koprës mendohet të kenë efekt parandalues ndaj një sërë tumoresh të gjirit dhe të mëlçisë.

Kopra është një burim i pasur i kaliumit që është shumë i nevojshëm për një sërë proçesesh të organizmit. Ky element ul tensionin në enët e gjakut. Tensioni i lartë është fajtor për sëmundjet e zemrës dhe arterosklerozën. Pacientët, që vuajnë nga diabeti, janë të rrezikuar nga tensioni i lartë i gjakut, sepse ai bën menaxhimin e niveleve të glukozës dhe insulinës mjaft të vështirë duke shkaktuar kështu komplikacione vdekjeprurëse. Pak kopër në ditë dhe organizmi juaj do të ketë një dozë të mirë kaliumi me gjithë përfitimet që vijnë prej tij, që përfshin edhe furnizimin e pasur me oksigjen të trurit.

Një filxhan me kopër përmban 20% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C që përmirëson sistemin imunitar, rregullon problemet e lëkurës, ndihmon në formimin e kolagjenit dhe mbron nga efektet e dëmshme të radikaleve të lira që çojnë në sëmundjet e zëmrës.

Kopra është dhe duhet të jetë një barishte shumë e dashur për femrat. Ajo rregullon dhe lehtëson simptomat e menstruacioneve dhe hormonet në trupin e femrës. Kopra mund të përdoret për të çliruar nga simptomat e menopauzës. Përdorimi i koprës në dietën tuaj, mbron sytë nga inflamacioni dhe nga çrregullime që kanë të bëjnë me moshën. Siç e thamë, kopra është e pasur me antioksidantë dhe amino acide që rinojnë indet, por edhe me elementë që kanë funksion detoksifikues. Këto elementë përfshirë mineralet e çmuara gjenden me bollëk tek vaji esencial i koprës. Lëngu nga gjethet e koprës mund të përdoret direkt në sy për të shëruar nga irritimet dhe lodhjet e syrit.

Kopra përdoret gjërësisht edhe për problemet respiratore përfshirë broikitin dhe kollën. Farat e koprës shpërbëjnë sekrecionet dhe largojnë toksinat nga fyti dhe hunda duke bërë shërimin më të shpejtë.

E fundit por jo nga rëndësia, flavonoidët që gjenden tek farat e koprës rrisin sasinë e estrogjenit në trup dhe shërbejnë si stimulantë dhe tonikë. Sipas studiuesve, farat e koprës rrisin masën e gjoksit tek femrat sepse rrisin formimin e qelizave të reja dhe indeve në pjesën e gjoksit. /AgroWeb.org/