Shqipëria është kthyer në radarin e kompanive kineze, të cilat kanë marrë kontrollin e disa prej kompanive më të mëdha në vend; që nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza, Bankers Petroleum, Rruga e Arbrit, ndërkohë që kanë shfaqur interes edhe për bujqësinë e turizmin.

Në Dhjetor të vitit 2014, ndërtimi i një prej segmenteve më të rëndësishme të Rrugës së Arbrit, pikërisht ai nga Ura e Vashës deri në dalje të tunelit të Murrizit iu akordua pikërisht kompanisë kineze “China State Company”.

Në Mars të këtij viti, Kanadezja Banker's Petroleum, që operon në Shqipëri bëri të ditur shitjen e të drejtave të nxjerrjes dhe prodhimit të naftës tek kompania China's Geo-Jade Petroleum për 384.6 million Euro.

Në 26 Prill, China Everbright dhe Friedmann Pacific Asset Management bënë të ditur blerjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, aeroporti i vetëm funksional në vend. Grupi do ta marrë drejtimin e aeroportit deri në vitin 2025, me një shtyrje deri në vitin 2027 pas miratimin nga qeveria shqiptare.

Ndërkohë që sektorë të tjerë të rëndësishëm, si turizmi dhe bujqësia kanë shfaqur interes për kinezët. Së fundmi qeveria kineze ka dhënë një grant prej 10 million RMB ose (1.524.088.21 Dollarë Amerikanë) për makineri bujqësore.

Deri para disa vitesh, Shqipëria ishte prekur vetëm pak nga investimet kineze. Interesi ka qenë në rritje edhe për shkak të strategjisë së kompanive kineze për t’u hapur ndaj tregjeve të reja.
Gjatë muajit mars të këtij viti, Kina ka rezultuar të jetë partneri i dytë tregëtar më i rëndësishëm i Shqipërisë, duke përbërë 7.7% të gjithë tregëtisë ndërkombëtare të vendit, duke lënë pas vende si Greqia dhe Turqia. Kina gjithashtu qëndron në top listën e vendeve eksportuese të Shqipërisë, duke mbajtur vendin e tretë me 130 milionë dollarë, pas Italisë (1.15 miliardë USD) dhe Spanjës (168 milionë USD).

Në dekadën e fundit investimet kineze janë rritur në të gjithë botën, nga 5.5 miliardë dollarë në vitin 2004, në 2008 arritën në 42 miliardë dollarë. Çka tregon etjen e vendit për të investuar jashtë, përfshi edhe vendin tonë.

“Kina e ka rritur në mënyrë të ndjeshme pozicionin e saj tregtar me Shqipërinë, gjithsesi, unë mendoj se sërish niveli tregtar është ende shumë i ulët po të krahasohet me potencialin që kanë të dy vendet. Shqipëria është gati që ta rrisë bashkëpunimin e saj me Kinën në fushën e ekonomisë, bujqësisë, infrastrukturës, ndërtimit dhe edukimit. Ne i mirëpresim investitorët nga Kina që të investojnë në vendin tonë”, është shprehur Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi gjatë një takimi me homologun e saj në Ningbo të Kinës ku u prezantuar një sërë produktesh “Made in Albania”.

Për minstren Ekonomi kjo është një mënyrë e mirë për të rritur tregtinë mes dy vendeve, por dhe për të promovuar avantazhet e të bërit biznes në Shqipëri si dhe turizmin.
Ndërkohë që për homologun kinez, Ministrin Gao Hucheng, Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe tregtia mes të dy vendeve është rritur, por Kina sheh akoma mundësi për të bashkëpunuar.

“Ne vlerësojmë potencialet e Shqipërisë në fushat si: fasoneria, industria minerale, infrastruktura dhe energjetika, si pika ku Kina ka vendosur hapat e para të bashkëpunimit. Ndërkohë, hapat e ardhshëm dhe synimi për bashkëpunim janë bujqësia. Gjithashtu, Kina shikon një potencial të madh për investimet në Shqipëri në fushën e turizmit” , u shpreh Huchang.

Çka do të thotë që më shumë produkte bujqësore do të eskportohen nga Shqipëria dhe më shumë turistë do të vijnë nga Kina. Shqipëria duke një partner i rëndësishëm ekonomik në rajon, mund t’iu shërbejë kompanive kineze që ta zgjerojnë aktivitetin e tyre jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin, që është akoma një terren i pashkelur për kinezët./AgroWeb.org/