Nëse një ekonomi punon si motorr, mund të pyesni se pse shumë nga këta motorrë punojnë me shpejtësi të përgjysmuar? Përgjigjia është shumë e thjeshtë. Shumë nga ekonomitë në zhvillim nuk i njohin mirë aftësitë dhe potencialin e gjysmës së punonjësve të vet. Pikërisht atë të grave.

Gratë krijojnë më shumë vende pune, rrisin ekonominë dhe bëjnë të mundur që shoqëria jonë të jetë më e shëndetshme dhe e lumtur. Nuk ka asgjë feministe në këtë mes, është thjesht çështje barazie.

Edhe pse jemi akoma larg së kënduari “Women Run the World” (Gratë drejtojnë botën) të Beyonce, në Shqipëri mund të themi që gratë po drejtojnë bizneset.
Bizneset e vogla përbëjnë rreth 70% të PBB-së së vendit dhe përbëjnë më shumë se gjysmën e vende të punës me tekstilet si sektori më i rëndësishëm, ku punojnë dhe drejtojnë pjesa më e madhe e grave shqiptare.

Por shpesh gratë nuk kanë qasje në financim dhe përballen me shumë sfida. Nëse kërkon të hapësh një sipërmarrje të re ose të rritësh biznesin ekzistues, të gjesh financimin e duhur është gati një mission i pamundur.

Pikërisht për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka akorduar 2 milion euro përmes Bankës Intesa Sanpaolo Albania.
Kjo hua jepet në kuadrin e programit prej 20 milion eurosh të BERZH për “Gratë në Biznes” në Ballkanin Perëndimor – për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) të drejtuara nga gratë në Shqipëri.

“Programi ynë për gratë në biznes ndihmon në adresimin e sfidave me të cilat përballen gratë sipërmarrëse në drejtimin e një biznesi si aksesi në financime apo ekspertiza teknike. Gratë sipërmarrëse janë një potencial i rëndësishëm për rritjen e aktivitetit të biznesit dhe fuqizimi i grave ndihmon në ngritjen e një shoqërie gjithpërfshirëse, i cili është çelësi për një rritje të qëndrueshme ekonomike”, ka deklaruar Christoph Denk, Drejtor i BERZH në Shqipëri gjatë një seminari mbi prezantimin e programit.

Programi “Gratë në Biznes” i BERZH fokusohet në përmirësimin e mundësive të financimit dhe këshillimit për NVM-të e drejtuara nga gratë. Linjat e kreditimit u akordohen bankave partnere me qëllim kreditimin direkt të këtyre bizneseve. Shërbimet këshillimore ofrohen së bashku me trainim dhe mbështetje afatgjatë për t’iu ofruar grave sipërmarrëse njohuritë për të ndërmarrë me besim hapa të mëtejshëm.

“Gratë janë një faktor pozitiv gjithnjë në rritje për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke menaxhuar me sukses role të shumëfishta në shoqërinë tonë. Kjo është arsyeja që së bashku me BERZH, ne krijuam këtë paketë të veçantë për të Financuar dhe Këshilluar këto gra të jashtëzakonshme që të vijojnë në rrugën e tyre drejt suksesit tashmë me një mik në krah,” u shpreh Silvio Pedrazzi, Drejtori Ekzekutiv i Intesa San Paolo Bank Albania.

Dhjetorin e shkuar, BERZH prezantoi programin e saj të Grave në Biznes në Shqipëri dhe ISBA ishte banka e parë në vend që ju bashkua programit, të cilës ju akordua një hua prej 2 milionë euro. Nën këtë platformë, bankat partnere do të financojnë direkt bizneset e vogla dhe të mesme (NMV) të themeluara apo të drejtuara nga gra përmes kreditimit. Krahas kësaj, programi ofron këshillim, trainim dhe mbështetje afatgjatë për t’i ndihmuar gratë sipërmarrëse të kenë akses në njohuritë të cilat janë faktor kyç për rritjen.

Në seminarin e parë të kësaj serie seminaresh që do të mbahen në gjithë Shqipërinë në muajt në vijim, morën pjesë më shumë se 100 gra sipërmarrëse dhe partnerë kyç dhe organizatave të ndryshme që mbështesin bizneset e drejtuara nga gra. Seminari fokusohet në rëndësinë e menaxhimit të financave në rritjen e biznesit dhe prezantimin e “Lentes së Biznesit”, portali online vetë-diagnostikues i BERZH për gratë sipërmarrëse i cili i ndihmon ato të identifikojnë avantazhet e bizneseve të tyre dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm.

Sepse gratë janë të afta që të sjellin zhvillim dhe të jenë një mekanizmë kyç i motorrit që çon përpara ekonominë shqiptare./Agroweb.org/