Nuk ka gjë më të keqe se kur shikoni insektet që vërshojnë në kopsht apo ballkon tuaja duke shkatërruar bimët dhe lulet a thua se janë të tyret. Prandaj kemi nevojë për një aplikim të përqendruar dhe të kufizuar të pesticideve natyralë.

Pesticidet e duhura natyrale janë një kombinim i dy faktorëve. Së pari, pesticidet duhet të prodhohen me lehtësi nga materiale të gatshme. Së dyti, por më e rëndësishmja është që pesticidet duhet të jenë të sigurta për familjen tuaj dhe të garantojnë një sistem ekologjik të balancuar në kopshtin apo ballkonin tuaj.

Para se të nisni aplikimin në bahçe, kopsht, apo ballkon, ju duhet të merrni në konsideratë informacionet e mëposhtme: Shumë prej ekstrakteve të bimëve mund të shkaktojnë irritim të lëkurës. Sigurohuni që të mbani doreza dhe të mbroni sytë kur të përzieni, përdorni dhe spërkatni bimët. Këto materiale duhen mbajtur larg fëmijëve dhe kafshëve.

AgroWeb.org bën fjalë për produkte natyrale dhe si rrjedhojë duhen aplikuar disa herë më shumë se pesticidet komerciale, madje edhe pas shirave. Këto pesticide natyrale nuk janë efikase nëse ju ujisni bimët tuaja me tepricë.

Një sërë prej alternativave natyrale të pesticideve kërkojnë detergjentë natyralë. Këto detergjentë nuk duhet të përmbajnë bojëra apo agjentë anti-bakterialë të shtuar që mund të dëmtojnë bimët. Nëse preferoni solucionet e bëra në shtëpi, atëherë mund t’i përdorni në përgatitjen e pesticideve natyrale.

1. Specat djegës.

Funksionojnë më së miri kundër morrave të bimëve, karkalecave të fushës dhe insekteve të tjerë të mëdhenj që ju ngacmojnë dhe dëmtojnë bimët. Merrni tre ose katër speca djegës të ndarë në gjysmë, qepë të prerë dhe një thelb hudhër. Hidhini në një përzjerës ushqimi apo frutash.

Shtoni gjysëm gote ujë dhe përzijeni deri sa të keni një masë kompakte të cilën mund ta hidhni në një enë me tre litra ujë të ngrohtë. Pas 24 orësh mund ta përdorni lëngun që nuk përmban kimikate të rrezikshme, por i cili mund të përdoret si pesticid pa shkaktuar dëme tek bimët. Zonat që kanë më shumë nevojë për spërkatje kërkojnë të njëjtën ndërhyrje, por kësaj here e gjithë masa duhet të përzihet në formën e puresë dhe të hidhet në tokën që rrethon bimën e dëmtuar pa e holluar shumë me ujë.

2. Borziloku

Kandrrat dhe insektet si morri i bimëve janë krijesa shumë acaruese. Borziloku shërben si pesticid natyral kundër tyre. Zieni tre gota ujë. Shtoni një filxhan me borzilok të freskët. Pas zierjes lëreni të ftohet dhe kullojeni. Shtoni një lugë detergjent enësh natyral dhe me të spërkatni bimët e prekura nga insektet.

3. Duhani

Nikotina është e dëmshme për njeriun. Por ajo shërben edhe për të larguar insektet në mënyrë natyrale. Morrat e bimëve, vemjet dhe insekte të tjera i qëndrojnë larg. Hidhni një filxhan me duhan në një enë me tre litra ujë. Pas 24 orësh, mund ta përdorni lëngun tek bimët e dëmtuara. Ky lëng duhani nuk duhet përdorur tek produktet si domatet, patëllxhanët, specat apo patatet sepse nikotina i shkatërron këto bimë.

4. Krizantemat

Kopshtarët dhe fermerët organikë përdorin një insekticid natyral të njohur si pyrethrum. Ai është shumë efikas kundër morrave të bimëve, merimangave dhe krimbave. Lulet e krizantemës janë një bimë e rëndësishme për t’u mbjellë krah brokolit, lulelakrës dhe lakrës. Nëse doni të pregatisni një pesticid natyral hidhni disa gramë lule të thata krizanteme në ujë. Kullojeni dhe lejojeni të ftohet. Përdoreni si spray në bimët e dëmtuara.

5. Rrepat e gjata

Merrni disa gjethe mente, dy rrënjë rrepash të gjata me gjithë bishtat dhe disa qepë të njoma. Pritini në copa të vogla dhe mbulojini me ujë. Të nesërmen kullojeni lëngun dhe shtoni një lugë piper djegës dhe dy lugë me detergjent enësh natural. Lëngun mund ta përdorni si spray sa herë të keni nevojë. Insektet janë një pjesë natyrale e kopshteve dhe lëndinave./AgroWeb.org

A keni edhe ju një zgjidhje tuajën natyrale kundër infektimit të bimëve? Ndajeni me ne në AgroWeb.org