Nuk ka mish?! Nuk quhet ushqim. Mund ta dëgjoni këtë nga pothuajse çdo shqiptar, veçanërisht ata me një moshë të thyer, besnikë të sloganeve të tilla si ‘Mjerë ai mish që nuk ushqehet me mish’. Mund të jetë për shkak të kujtimeve të së kaluarës, kur mishi ishte ‘produkt luksi’, ose për shkak se ushqimi i pëditshëm në Shqipëri bazohet shumë te mishi, veçanërisht qengji dhe viçi.

Studimet vërejnë se shqiptarët e gatuajnë mishin në një stil tipik të Lindjes së Mesme dhe sipas tyre, kjo është arsyeja pse konsumi vjetor i mishit dhe prodhimi i tij ende nuk ka asnjë rënie që nga viti 2012 me një konsum të lartë prej 38 000 ton në vit.

Sipas një publikimi të ‘Bota e mishit’, gatimet më mish janë shumë të përdorura e të përhapura në kuzhinën shqiptare, për shkak se konsiderohen ushqim i mirëfilltë. Mishrat të cilët përdoren gjerësisht variojnë që nga mishi i lopës e viçit, deri tek shpendët dhe peshku. Megjithatë, vërehet se konsumi i mishit në Shqipëri është më i vogël se në vende si Kanadaja apo Gjermania dhe Britania e Madhe.

Konsumi i mishit në Shqipëri , sipas statistikave është rreth 44.1 kg për frymë, shifër kjo më e lartë krahasuar me Maqedoninë 40.8 kg për frymë, por më e ulët se Mali i Zi me 57 kg për frymë.

Përsa i përket rajonit, ndër katër tipet e prodhimit të mishit, mishi i derrit zë vendin e parë në Serbi me 59% të totalit dhe në Maqedoni me 47 % të totalit, ndërsa vendin e parë për gjedhin e mban Shqipëria me 45% dhe Mali i Zi me 51%, për shpendët Turqia me 66% ashtu si Bosnja dhe Hercegovina me 58%.

Por le të ndalemi pak.

Mishi, a nuk është i tmerrshëm për shëndetin dhe mjedisin?

Besojeni ose jo, sipas Washington Post-it, po, mishi është i tmerrshëm.

Vërtet mund të jetë shumë i shijshëm, shkruhet në artikull, por faktet tregojnë se mishi, veçanërisht i kuqi është shkatërrues për mjedisin, dhe jo kaq i mirë edhe për shëndetin e njerëzve njëkohësisht.

Bujqësia sot është përgjegjëse për emetimin e një të tretës së sasisë globale të gazeve serrë, duke përbërë kështu sfidën më të madhe për vendet që dëshpërimisht po përpiqen të ulin kurbën e emetimeve. Dhe pothuajse gjysma e këtyre emetimeve vijnë nga fermat dhe industria e gjedhëve, e cila prodhon një sasi të madhe metani, nje gaz me efekt serrë, shumë i fortë.

Impakti i industrisë së mishit në mjedis është arsyeja kryesore pse përfaqësues të panelit të Kombeve të Bashkuara, së fundmi i kanë kërkuar Asamblesë së Mjedisit të konsiderojnë rekomandimin e një takse shtesë për prodhuesit dhe tregëtuesit e mishit. Rritja e kostos së mishit, argumentojnë ata, do të ulte kërkesën dhe po ashtu edhe prodhimin e tij.

Po Shqipëria?

Znj. Merita Uruçi, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Qumështit dhe Mishit, ADAMA tha për AgroWeb se ende nuk ka një diskutim të gjerë në Shqipëri, të paktën në dijeninë e saj, në lidhje me ndonjë politikë për të reduktuar konsumin e mishit për ruajtjen e mjedisit, e as për çështje shëndetësore.

"Konsumi i mishit në Shqipëri është rritur gjatë viteve të fundit, thotë zonja Uruçi për AgroWeb, duke shtuar se, në qoftë se ka pasur ndonjë rënie, ajo mund të ketë qenë vetëm për arsye ekonomike."

‘Fermerët që prodhojnë mish janë të orientuar drejt tregut të mishit të freskët, ndërkohë që industria e përpunimit të mishit përdor kryesisht mish të importuar në formën e ngrirjes së thellë’, thotë znj Uruçi.

E ndërsa transporti krijon çlirim të CO2, blegtoria është përgjegjëse për prodhimin e metanit, lëndë 23 herë më e fuqishme kur është fjala për ngrohjen e planetit. Foto: WebLibrary

Pothuajse 90% e mishit të përpunuar në Shqipëri importohet. Prodhimi i mishit është i përqëndruar në qarqet e Fierit (16%), Elbasanit (15%), Tiranës (10%) dhe Korçës (9%), të cilat së bashku përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimit të përgjithshëm.

Sipas të dhënave të Programit të Zhvillimit Rural 2014-2020, në vitin 2012 prodhimi total i mishit në Shqipëri ishte 150,000 ton. Pyetja është:

Si e dëmton mjedisin konsumi i mishit?

Për një kilogram mishit të kuq, konsumohet një sasi shumë herë më e lartë uji se sa për një kilogram produkt bujqësor.

Kur një fermë përdoret për të rritur kafshët në vend të produkteve bujqësore, humbet një sasi shumë e madhe e ujit dhe e tokës, pemët priten për të bërë kullota ose fabrika të përpunimit të mishit, dhe mbetjet e patrajtuara të kafshëve ndotin lumenjtë dhe ujrat përreth.

Në fakt industria e mishit ka një efekt shkatërrues në të gjitha aspektet e mjedisit aq sa një Organizatë e mirënjohur shkencëtarësh e liston konsumin e mishit si rrezikun e dytë më të madh mjedisor për Tokën, ndërkohë që karburantet e automjeteve janë numri një. Sipas një raporti të publikuar nga Instituti Worldwatch, 51 për qind ose më shumë e emetimeve globale shkaktohen nga blegtoria. Nuk është çudi, nëse konsideroni faktet si këto më poshtë:

1.Lopët konsumojnë rreth 7 kg bimë për gjysëm kg mish. Për të prodhuar një kg mish duhen rreth 10 mijë litra ujë (për konsum nga kafshët) ndërkohë që duhen vetëm 100 litra ujë për të prodhuar një kg grurë.

2.Për të prodhuar një qofte hamburgeri, industria e përpunimit të mishit harxhon aq lëndë djegëse sa të ecësh me një makinë të vogël për 32 kilometra.

3.Një fabrikë tipike e përpunimit të mishit të derrit gjeneron të njëjtën sasi mbetjesh, si një qytet prej 12.000 banorësh. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit, rritja e kafshëve për ushqim është burimi numër një i ndotjes së ujit.

4.Një përqindje e madhe e misrit dhe tërshërës prodhohet vetëm për të rritur bagëtitë. Kafshët në botë konsumojnë një sasi e ushqimit të barabartë me nevojat për kalori të 8.7 miliardë njerëzve, më shumë se e gjithë popullsia në Tokë.

Çfarë e dëmton më shumë mjedisin, mishi apo makinat?

Mund të duket absurde kjo pyetje, veçanërisht në Shqipëri, por emetimet në blegtori në rang botëror përbëjnë 14-18 % të emetimeve totale të gazeve serrë. Sektori i transportit është përgjegjës për 14% të emetimeve. Duke pasur parasysh vetëm këto dy shifra, industria e mishit është jashtëzakonisht e dëmshme. E ndërsa transporti krijon çlirim të CO2, blegtoria është përgjegjëse për prodhimin e metanit, lëndë 23 herë më e fuqishme kur është fjala për ngrohjen e planetit.

Është vështirë në fakt që njeriu të bindet pasi, mund të shihni emetimet që vijnë nga makina por nuk mund të shihni emetimet që vijnë nga bifteku.

Megjithatë, njërzimi mbase nuk do të ndalojë dot kurrë plotësisht konsumimin e mishit, Shqipëria aq më pak. Por, duhet të kthehet në prioritet ulja e konsumit, për shëndetin por edhe për planetin. Qartësisht, veçanërisht në Shqipëri ajo që na duhet është një ndryshim madhor në mendësi për ta shdërrruar sloganin e lartpërmendur në “mjerë ai mish që ha mish”. /AgroWeb.org