Kur Lufta e Dytë Botërore shkatërroi çdo gjë, vreshtarët francezë, të dëshpëruar në maksimum, rrëmonin në tokat e përcëlluara për të gjetur një fidan rrushi që mund të kishte shpëtuar pa djegur. Kjo skenë dashurie e nevojë për vreshtin, m’u kujtua teksa nisa rrugëtimin tim në prodhuesit e liçensuar të verës në Shqipërinë e Mesme.

Agjencia e Zhvillimit Rajonal 2, drejtoi guidën e rrugës së verës, një eksperiencë e veçantë që s’duhet lënë pa e provuar. Ndalesa e parë nga Tirana ishte në Marikaj, në një kodër të butë e cila ishte harmonizuar pafund nga vreshtat me rrush shqiptar, shesh i bardhë, kabërnet, merlot e mavrut. Eltjan Miçi është inxhinieri kimist i kësaj kantine, pjesa më e veçantë e së cilës ishte tuneli, aty ku ruheshin verërat e vjetëruara.

Ai na shpjegon se kantina u ndërtua në vitin 2000 dhe në vitin 2004 filloi të merrej prodhimi i parë. Ai shpjegon se janë të shumë vizitorët që vijnë në kantinë dhe duan të kalojnë një pasdite duke shijuar verën shqiptare, duke shtuar se kjo verë shitet krysisht në lokale por edhe në subjekte të tjera kombëtare. “Në vit marrim 400-450 kuintal rush e rreth 50% e prodhimit përkthehet në verë”, tregon Eltjani për AgroWeb.

Pasi shijojmë verën e Kantinës Bardhi nisemi për në vreshtat më të mëdha në Shqipërinë e mesme por edhe në gjithë Shqipërinë, në vreshtat e fshatit Arapaj, pronë e vëllezërve Koka që posejdojnë Kantinën “Skënderbeu” në Shkozet të Durrësit. Kjo sipërfaqe prej 50 hektarësh, ku 35 hektarë janë vreshta e të tjerat rrugë kalimi, duken më shumë si të pikturuara se sa të vërteta, e fundin e tyre nuk e shohim dot.

Në këtë tokë janë mbjellë varietete të huaja si Chardonay, Montepulciano, Negro Amaro dhe në vit merren 5 mijë kuintal rrush, përkthyer në 500 mijë shishe vere. Kantina e Verës dhe e pijeve të tjera aloklike “Skënderbeu” është ndërtuar në kohën e komunizmit dhe me privatizimin e saj, investimet e kanë tjetërsuar. Megjithatë, pjesa më e pazakontë e kantinës nga na drejton Indriti, ishin vaskat e ruajtjes së alkoolit. Ato ishin gjigande, me lartësi rreth 6 metra e sipërfaqe rreth 20-25 metra katror. “Skënderbeu” është ndër të paktat marka shqiptare për pijet në botë dhe janë të shumtë turistët e huaj që vizitojnë kantinën.

Vreshtat e Shqipërisë së Mesme

Udhëtimi i rradhës është në Belbë të Kavajës. Kisha dëgjuar për këtë verë më parë dhe një miku im më pati thënë që, vreshtat i ka fantastike madje ai nuk tregtonte asnjë lloj vere në lokalin e tij përveç Belba-s. Belba ishte shumë pranë fshatit Golem, por ishte aq rrugë e mundishme për të shkuar aty sa s’bëhet. Investimet në infrastrukturë zero. Megjithatë, pas tronditjes nga gropat e rrugës, çdo gjë u harrua me pamjen fantastike të kodrinave mbushur me vreshta. Nga njëra anë Belba kufizohej me Pezën, ndërsa në anën tjetër dukej deti. Pikërisht, në një ndër këto anë dy vëllezërit kishin ndërtuar një vend me dru në formë rrethore për të pushuar. Ishte shumë fresk dhe Fatbardh Belba, që kishte jetuar në Montepulciano ia dinte shumë mirë shijimit të verës me djathra, krudo e salçiçe. Vera Shesh i kantinës Belba ishte fantastike, më e mirë se shumë verëra që kemi provuar rëndom, një shije dhe aromë. E shijshme gjithashtu ishte dhe kabërneti ndërsa chardonay ishte e hatashëm. E ulur në mes të askundit, duke parë 15 mijë hektarë me vreshta e punën fantastike të vëllezërve kuptova se kjo punë do shumë dashuri.

Ky ishte një vend që s’duhet lënë pa u parë e pa shijuar mrekullinë e verës shqiptare. Aty takuam Maksin, një inxhinier ndërtimi që punonte në Bashkinë e Kavajës, por që prej 30 vjetësh kishte studiuar në Torino. “Ka dokumente të vjetër që botanistë të njohur kanë thënë se toskana e sotshme e ka bazën nga fidanët që janë sjellë nga Gjiri i durrësit. Një prej tyre është Columella e në fakt kjo zonë është e artë për vreshtari”, thotë Maksi për AgroWeb.

Nëse shkoni te vreshtat e Belbës s’do ju bëhet të ikni prej andej, por drejtuesit e agjensicë së zhvillimit rajonal që merren me promovimin e vlerave shqiptare do të na shoqëronin në një tjetër vend fantastik, në kantinën Kokomani, pak kilometra larg Shijakut.

Kantina Kokomani funksionon si agrobiznes. Zakonisht nuk është i hapur gjithmonë e funksionon vetëm nëpërmjet prenotimit, ku përveç shijimit të verës vendase do të shijosh dhe ushqime karakteristike shqiptare dhe mishin e qengjit në furrë. Visi, që punon në Bashkinë e Shijakut si këshilltar na tregon se vetëm në zonën e tij ka katër kantina vere të licensuara e plot prodhues të vegjël. Kantina Kokomani ka një pajme super. Detin përballë e shumë gjelbërim. Një djalë na tregon që kur pronari i saj kishte nisur të bënte këtë investim, njerëzit e përflisnin ndërsa sot të gjithë e shohin me zili për mendimin afatgjatë dhe të suksesshëm të tij. Pas shijimit të verërave shqiptare, të gjitha të mira e cilësore, u kthyem në Tiranë.

Dhe rruga e verës nuk është vetëm kjo, sepse ka kantina të tjera në Shqipërinë e Mesme, si Duka, Erda e të tjera, të cilat kanë po kaq vlerë dhe padiskutim duhen njohur e vlerësuar fillimisht nga vetë ne, shqiptarët.

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.