Një ditë, e gjeta veten duke mbajtur një qese plot me kunguj të njomë, por nga ana tjetër nuk ia kisha aspak idenë se si t’i gatuaja përpara se të vyshkeshin. Nisa të kërkoj dhe u befasova. A keni dëgjuar ndonjëherë për makarona me kunguj të njomë? Po për bukë me kunguj, ose kunguj turshi? Kjo perime verore në dukje e mërzitshme ju lejon të eksperimentoni dhe të pasuroni menunë tuaj verore.

A e dinit që kungujt e njomë, të cilët e kanë origjinën në kontinentin Amerikan, janë në të vërtetë një frut botanik, ndonëse ato konsiderohen si një perime në mbarë botën. Kungujt e njomë i përkasin varitetetit Cucurbita pepo, që përfshin edhe kungujt edhe trangujt.

Lulet e kungullit të njomë janë të ngrënshme. Në kulinarinë Franceze dhe atë Italiane do të gjeni një sërë recetash që përfshijnë këto lule. Mbani mend që as lulet as kungujt e njomë nuk mund të ruhen për shumë kohë, vetëm nëse zgjidhni t’i ruani në ngrirje në qese me vakum.

Vlerat e Kungujve të njomë 

1. Ndihmon në mbajtjen nën kontroll të peshës

Kungujt e njomë kanë pak kalori. Ato janë një zëvëndësues i mirë për ushqimet e pasura me kalori. Për më tepër, kombinimi i fibrës dhe ujit (95%) që gjenden tek kungujt e njomë mbajnë nën kontroll oreksin tuaj, ju ndihmojnë të digjni kalori dhe ju japin shumë energji. Për më tepër, kjo perime është e pasur me antioksidantë, vitaminë A dhe C.

2. Përmirëson shëndetin e syve

Kungujt e njomë ju ndihmojnë me qeskat poshtë syve. Kanë të njëjtin funksion si trangujt për shkak të nivelit të lartë të beta karotenit dhe vitaminës A dhe C si edhe zinkut. Këto elementë ndihmojnë në zhvillimin aktiv të qelizave të syrit, duke forcuar shikimin dhe parandaluar problemet me sytë që kanë lidhje me moshën.
3. Ul kolesterolin

Kungujt e njomë janë të pasur me fibër dhe rrjedhimisht ndihmojnë në uljen e kolesterolit. Nivelet e larta të vitaminës A dhe vitaminës C vonojnë zhvillimin e arterosklerozës duke parandaluar oksidizimin e kolesterolit në enët e gjakut. Për më tepër, kungujt e njomë largojnë toksinat e tepërta nga organizmi.

4. Përmirëson shëndetin kardiovaskular dhe ul tensionin e gjakut

Falë përmbajtjes së lartë të magnezit, kungujt e njumë ulin rrezikun e atakut në zemër dhe ishemisë. Kungujt e njomë përmbajnë acid folik që është thelbësor në shkatërrimin e amino acideve të dëmshme që shkaktojnë atak në zemër dhe trombozë. Kaliumi dhe magnezi që gjendet tek kungujt e njomë ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe në largimin e stresit.

5. Parandalon inflamacionin

Kyçet dhe gjymtyrët e njeriut preken nga inflamacioni i shkaktuar nga acidi urik në organizëm. Kungujt e njomë janë një burim i pasur me acide yndyrore Omega-3 dhe karotenoidë anti-inflamator që kundërshtojnë efektet e acidit të tepërt urik.

6. Mbron kundër azmës, forcon dhëmbët dhe kockat

Vitamina C luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sistemit imunitar dhe zgjidhjen e problemeve respiratore. Kungujt e njomë përmbajnë kalcium që ndihmon sistemin nervor të funksionojë më mirë dhe i jep forcë kockave dhe dhëmbëve.

7. Vlerë e shtuar për trajtimet e diabetit

Kompleksi i vitaminave B dhe prania e zinkut dhe kaliumit ndihmojnë në shpërbërjen e sheqerit në trup. Fibra dhe pektina janë thelbësore në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak. Kombinimi i vitaminës B, folatit dhe fibrës luan një rol të rëndësishëm në mbajtjen larg të diabetit të tipit 2.

 Kungujt e njomë e kanë origjinën në kontinentin Amerikan, janë në të vërtetë një frut botanik, ndonëse ato konsiderohen si një perime në mbarë botën. Foto: WebLibrary

Receta argëtuese me kunguj të njomë

1. Kunguj turshi

Përzjeni një filxhan me uthull të bardhë, 1/3 filxhan me sheqer, 3 lugë gjelle kripë. Shtoni pak kopër të njomë, ¼ filxhan me qepë të kuqe të prerë hollë për një kungull të njomë mesatar. Mbylleni kapakun e enës dhe pas gjashtë orësh do të keni një kungull turshi mjaft të shijshëm. Mund të zgjidhni të prisni 3 ditë që të arrini sasinë e duhur të të ëmblës dhe të thartës.

2. Gjalp me kungull

Merrni pak vaj ulliri ose gjalpë (ose të dyja). Hidhni qepë dhe/ose hudhër dhe trazojini. Hidhni kungujt e grirë dhe përzjejini deri sa të transformohen në një masë të butë si ajo e gjalpit. Përdoreni për të lyer paninet ose si garniturë.

3. Bukë ose ëmbëlsira me kunguj

Përzieni 2 filxhanë sheqer, 1 filxhan vaj, 3 vezë, 3 gota me miell, ¼ lugë gjelle sodë buke, 1 lugë gjelle me kripë, 2 filxhanë me kunguj të grirë, arra, vanilje dhe kanellë. Futeni në furrë për 50 minuta dhe piqeni në 180 gradë.

4. Kunguj të pjekur

Kombinoni djathin parmixhan (ose kaçkavall), thërrimet e bukës dhe të bardhat e vezës. Hidhni në të copat e prera hollë të kungujve dhe piqni për 15 minuta në furrë të cilën e keni ngrohur më parë.

5. Makarona me kunguj

Prisni copa të gjata e të holla të kungujve të njomë pa arritur tek pjesa e farave. Skuqini ato në vaj të nxehtë për disa minuta. Përdorini si zëvëndësues të të gjitha recetave me makarona.

Shijoni kungujt e shijshëm dhe plot vlera, dhe na tregoni më shumë për recetën tuaj të preferuar./AgroWeb.org

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.