Rusët dhe shqiptarët janë njerëz që e dashurojnë mishin e kuq. Ngado që kam shkuar jam tunduar nga mish i pjekur, paidhaqet, qoftet dhe berxollat deri në atë pikë sa më erdhi në majë të hundës. Ndaj, një vit më parë vendosa të heq dorë nga mishi i kuq. Një nga dilemat më të mëdha gjatë marrjes së vendimit ishte gjetja e alternativave më të mira. Siç mund ta imagjinoni, njerëzit lodhen shpejt duke ngrënë mish pule çdo ditë. Rrjedhimisht vendosa të bëj një kërkim mbi të mirat dhe të këqijat e mishit të shpendëve të ndryshëm. Nëse edhe ju jeni në kërkim të një diete të larmishme, lexoni më poshtë mbi alternativat e shijshme dhe të ushqyeshme të mishit.

Gjatë një udhëtimi në Rusi, kërkimi për shije të reja më çoi në një fermë struci. Ndonëse mishi i strucit është mish shpendësh, në të vërtetë nuk është aq i bardhë sa mishi i shpendëve të tjerë, ndërkohë që struci mendohet të jetë “mishi më i shëndetshëm i kuq në botë”. Praktikisht unë shkela fjalën e dhënë, por nuk i shmangesha dot kësaj alternative ekzotike. Nuk mund të them plotësisht që më pëlqeu mishi i strucit, por vlerat e tij janë me të vërtetë të mrekullueshme. Jo vetëm që ky mish ka nivel të ulët kolesteroli dhe yndyrnash të ngopura në krahasim me pulën ose gjelin, por ai është jashtëzakonisht i pasur me hekur, kalium, fosfor dhe keratinë natyrale. Ajo që është me të vërtetë befasuese është fakti që mishi i strucit ka balancën ideale të pehashit. Për më tepër, ky mish i kuq nuk tërheq bakteret e dëmshme si E-coli ose salmonella, siç ndodh në rastin e pulës dhe mishrave të tjerë. Tani le t’i hedhim një sy alternativave konvencionale të shpendëve dhe vlerave të tyre.

Mishi i pulës dhe gjelit

Mishi i pulës është me nivel të ulët yndyrnash, burim proteinash dhe fosfori që ndihmojnë kockat. Së dyti, falë nivelit të lartë të amino acideve që quajtura tryptophan, mishi i pulës është një anti-depresant natyral (e mbani mend atë ndjesinë e mirë pasi hani një pjatë me supë pule?). Mishi i pulës rrit nivelet e serotoninës, dhe si rrjedhojë përmirëson humorin. Ai është i pasur me selenium, vitamina të kompleksit B dhe zink, përmirëson performancën e metabolizmit dhe i mban enët e gjakut të shëndetshme dhe nivelin e energjisë të lartë. Nga ana tjetër, mish i pulës dhe shpendëve të tjerë është i ndjeshëm ndaj baktereve. Pulat shpesh ushqehen me antibiotikë dhe kanë po aq kolesterol sa mishi i kuq. Mishi i gjelit ka të njëjtat vlera si ai i pulës, por ndryshimi i vetëm është që ka më pak kalori, më pak yndyrna dhe më pak kolesterol.

Mishi i pulës rrit nivelet e serotoninës, dhe si rrjedhojë përmirëson humorin. Foto: Flickr

Mishi i rosës

Mishi i rosës njihet për shijen e tij të veçantë dhe është shumë popullor kryesisht në kuzhinën Aziatike. Mishi i rosës është i pasur me proteina dhe minerale siç është seleniumi, fosfori, zinku, hekuri, bakri dhe sodium. Vitaminat, riboflavin, niacin, thiamina, acidi pantotenik, vitaminë B16 dhe vitamina B12 janë me tepricë. Më shumë se gjysma e yndyrnave të pranishme tek mishi i rosës jantë yndyrna mono-të-pangopura dhe polio-të-pangopura mjaft të shëndetshme. Gjysma tjetër është kryesisht e përqendruar tek pjesa e lëkurës, ndaj sugjerojmë që ta largoni atë para ngrënies.

Pata

Mishi i patës është i pasur me proteina, pak yndyrna, kolesterol të ulët dhe kryesisht konsiderohet si një ushqim i shëndetshëm. Ky mish përmban një sërë amino acidesh thelbësorë për rritjen dhe zhvillimin e trupit të njeriut. Më shumë se 60% e yndyrnave janë të pangopura dhe lehtësisht të tretshme. Mishi i patës ka nivel më të lartë acidi linolenik në krahasim me mishërat e tjerë. Mishi i patës është ideal për ata që vuajnë nga diabeti, mungesa e oreksit, bronshiti dhe azma.

Thëllëza

Mishi i thëllëzës është i ëmbël dhe delikat. Është mish i bardhë me nivel tepër të ulët të yndyrës në pjesën e lëkurës dhe me nivel të ulët kolesteroli. Është i pasur me mikronutrientë dhe shumë vitamina si E, K, C, hekur, bakër, folat e të tjerë, tepër të rëndësishëm për energjinë.

Fazani

Fazani përmban një nivel të lartë magnezi, thelbësor për mbajtjen nën kontroll të stresit. Ky mish përmban nivel të lartë hekuri, proteinash, vitaminë B16 dhe selenium që ndihmojnë në parandalimin e qelizave nga dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira.

Palloi

Një tjetër shpend ekzotik është ai i palloit. Përmbajtja e yndyrës tek mishi i palloit është shumë e ulët (rreth 1%) ndërkohë që niveli i proteinave, vitaminave, kalciumit dhe mikro elementët e tjerë është i lartë. Mishi i palloit ndihmon në eliminimin e toksinave nga organizmi që është e rëndësishme për njerëzit që vuajnë nga konstipacioni dhe problemet me tretjen.

Siç mund ta shikoni, ka shumë alternativa që mund të zgjidhni në dietën tuaj, ndonëse disa prej tyre janë të vështirë për t’u gjetur. Gjëja më e rëndësishme është që cilindo nga këto alternative të zgjidhni, mos hani lëkurën dhe mundohuni që mishin ta hani të pjekur ose të zjerë. Ju bëftë mirë! /AgroWeb.org


*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.