Tani që i kemi thënë lamtumirë ditëve me temperatura të larta, mund të gjejmë ngushëllim tek vera e ngrohtë, pija që dalëngadalë ngroh jo vetëm trupin, por edhe shpirtin. Po, është e vërtetë që nuk duhet të abuzojmë me alkolin, por vera e nxehtë nuk mund të përfshihet në këtë kategori… plotësisht.

Ajo që duhet të dini është që përgatitja e verës së ngrohtë, lejon avullimin e gjithë alkolit. Vlerat e verës së kuqe janë trumbetuar prej vitesh. Shumë shkencëtarë bien dakord që kur pihet pa e tepruar, ajo mund të mbrojë zemrën, parandalojë mpiksjen e gjakut, isheminë dhe të mbajë larg një sërë sëmundjesh.

Një gotë me verë të kuqe përmban sasi të larta antioksidantësh, veçanërisht resveratroli, i cili mbron rininë në paraqitjen tuaj. Këta antioksidantë jo vetëm që ndihmojnë në luftën kundër dëmeve të shkaktuara prej radikaleve të lira, por edhe rrisin nivelet e kolesterolit të mirë. Radikalet e lira ndikojnë në proçesin e plakjes dhe sëmundjeve që kanë të bëjnë me moshën siç AgroWeb jua ka bërë me dije në shkrimet e veta.

Studimet kanë treguar që vera e kuqe forcon trurin, veçanërisht tek femrat në moshë. Megjithatë, mos harroni mjekun e mban larg një ose dy gota verë, por jo një shishe e tërë. Tani që vjeshta ka nisur të zbërthejë magjinë e saj, ia vlen të shijoni një gotë të shijshme me verë të ngrohtë. Mund të shtoni kanellë, karafil, glikanxo (erëza ylli anice) dhe të rrisni kështu nivelin e antioksidantëve.

Përbërësit:

Receta e mëposhtme është standarde, megjithatë AgroWeb ju rekomandon të shtoni në verën tuaj të preferuar erëza të tjera si vanilje ose cardamom.
• 2 portokallë organikë, (ose të larë e të fërkuar mirë)
• Lëkura e një limoni (organik, ose të pastruar mirë)
• 100g sheqer pluhur
• Pak arrëmyshk të freskët
• 3 shkopinj kanelle
• 6 karafilë, madje pak më tepër për zbukurim
• 2 gjethe të freskëta dafine
• 2 shishe me verë të kuqe, frutash organike, jo domosdoshmërisht të shtrenjtë
• 500 ml ujë.
• 5 glikanxo

Metoda:

Qëroni dhe shtrydhni një portokall në një tenxhere, së bashku me lëkurën e limonit, sheqerit dhe të gjitha erëzat përveç glikanxosë. Shtoni ujë ose pak verë mjaftueshëm sa të mbulojë sheqerin dhe më pas përzijeni deri sa sheqeri të tretet. Lëreni të ziejë për disa minuta sa erëzat të shkrihen me njëra tjetrën dhe të formohet një shurup i mirëfilltë. Më pas shtoni shishet e verës dhe glikanzonë dhe përzijeni deri sa të ngrohen. Mos e lejoni verën të ziejë, ose alkoli së bashku me vlerat e mira shëndetësore të verës do të shkatërrohen. Verën e ngrohtë hidheni në gota, me feta portokalli dhe karafil. Nëse dëshironi të keni një version më pak alkolik të kësaj pijeje shtoni më shumë lëng portokalli dhe ujë. Nëse nuk e pini alkolin, atëherë AgroWeb ju këshillon ta zëvëndësoni verën e kuqe me lëng boronice të kuqe.

Kanella, një prej përbërësve kryesorë të verës së ngrohtë, përmban antioksidantë që luftojnë inflamacionin. Arrëmyshku nga ana tjetër shërben si një tonik që përmirëson shëndetin e përgjithshëm të organizmit – pastron mëlçinë dhe veshkat nga toksinat e alkolit, ndotja ose ushqimi./AgroWeb.org