Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka kërkuar mbështetjen e fermerëve, ekspertëve, organizatave por edhe institucioneve të BE-së, për hartimin e politikave më të mira për zhvillimin e këtij sektori.

Për zhvillimin e këtij sektori është mbajtur në Tiranë forumi i politikave bujqësore për mbështetjen dhe zhvillimin e politikave në Europën Jug-Lindore, i organizuar nga Komisioni Europian dhe Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Gjatë fjalës së tij, ministri Panariti deklaroi se ‘politikat bujqësore duhet të mbështesin sektorin në rritjen e aftësisë konkurruese të saj, por, theksoi ai, ajo do të arrijë vetëm atë funksion në qoftë se është reale dhe e bazuar në fakte e nevojave reale’, shkruan ATSH.

Panariti kërkoi mbështetjen e fermerëve, ekspertëve, organizatave por edhe institucioneve të BE-së, për hartimin e politikave më të mira për zhvillimin e këtij sektori.

“Kjo është një mundësi shumë e veçantë, kur më shumë se 100 përfaqësues përkatës nga ministritë, institutet kërkimore, bizneset, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe fermerë nga e gjithë Evropa Juglindore, por edhe nga vendet anëtare të BE dhe KE të punojnë së bashku për të dalë me rekomandime për politikat më të mira në rajon në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”, vlerësoi Panariti.

Në hapjen e forumit, ishte e pranishme edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, e cila deklaroi se, qeveritë janë përgjegjëse për sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve. “Bujqësia është një sektor me rëndësi dhe ndihmon tregun e punës. Ky sektor kontribon 20 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 50% të punësimit në Shqipëri. Buxheti i BE për periudhën 2016-2020 është 71 milion euro dhe bujqësia duhet të jetë sektor motor për rritjen e ekonomike”, ka deklaruar Vlahutin.