Vjeshta është koha e vjeljes së ullirit dhe e përpunimit të vajit të mrekullueshëm të florinjtë që del prej kokrrave të gjelbra. Të gjendur mes dhjetra alternativash dhe markash në markete, shqiptarët që duan një vaj cilësor, ose zgjedhin më të shtrenjtin ose më së shumti e blejnë direkt nga prodhuesi i besuar.

Po ç’thonë vetë prodhuesit? Për AgroWeb.org pyetëm Kryetaren e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA, Silvana Pinari dhe një prej prodhuesve të mirënjohur të vajit në Elbasan, zotin Fatmir Skilja.

‘Vaji i ullirit është produkt i domosdoshëm për çdo familje dhe përzgjedhja e tij është shumë e rëndësishme për shëndetin e familjes’, thotë për AgroWeb.org, Kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA, Silvana Pinari.

Jemi me fat që në vendin tonë kemi ullinj shumë të mirë dhe prodhues cilësorë të vajit të ullirit, vijon zonja Pinari duke sugjeruar, që nëse munden, konsumatorët mund t’i drejtohen fabrikës më të afërt bashkë më fëmijët, për të blerë Vaj Ekstra të Virgjër Ulliri.

Në fakt, i të njëjtit mendim është edhe zoti Skilja. ‘Për mua është viti i katërt i prodhimit dhe pothuajse të gjithë vajin e shes me paketim 5 litërsh te konsumatorët që më njohin, dhe jo në treg” thotë ai për AgroWeb.org.

‘Paketimi ka në kosto shumë të lartë, prej 100 lekë të reja për shishe, gjë që i rrit koston tregëtimit, ndërkohë sasia që ne prodhojmë nuk është aq e madhe sa të përballojë këtë kosto. Kosto e paketimit është një prej arsyeve kryesore, që bën që prodhuesit e vajit të preferojnë shitjen në fabrikë.

Një tjetër problem është kosto e lartë e ullinjve. Një kg ullinj në Shqipëri kushton rreth 100 lekë, ndërkohë që në vende të tjera si Itali apo më tej shkon rreth 20-30 lekë për kg’, thotë zoti Skilja.

‘Shpesh, tregon ai për AgroWeb.org, unë u rekomandoj miqve t’i blejnë vetë ullinjtë e sapovjelë e të vijnë në fabrikë e të bëjnë vajin e tyre. Për një litër vaj ulliri duhen rreth 6-7 kg ullinj. Kosto pra është rreth 700 lekë për litër, shto këtu paketimin prej rreth 100 lekë, do të thotë që ështe vështirë që një vaj që shitet nën këtë çmim në market, të jetë Ekstra i Virgjër."

Duhet të kemi parasysh edhe koston e përpunimit që shkon rreth 120 lekë për kilogram dhe marzhin e fitimit të marketit. 

Koston e ullinjve e rrit edhe pagesa për punonjësit që vjelin ullinjtë, pagesë që shkon rreth 20 lekë për kg. Ndërkohë që në vendet e tjera teknologjia e përparuar bën që kosto e mbledhjes së ullinjve të jetë më e vogël.

Megjithatë sipas zonjës Pinari, kryetare e shoqatës AOA, ‘sektori i ullishtarisë dhe i vajit të ullirit në Shqipëri është në rritje. Prodhuesit e vajit të ullirit kanë gjetur hapësira të reja tregtimi brenda vendit dhe jashtë tij, duke u fokusuar në përmirësimin e teknologjisë, trajnimin e personelit, zbatimin e praktikave te mira të higjenës, rritjen e kapaciteteve etj.’

Eksperti i mirënjohur amerikan i vajit Paul Vossen në një intervistë për AgroWeb.org gjatë një vizite trajnuese në Shqipëri tha se nga vëzhgimet e fundit në Shtetet e Bashkuara 70% e vajrave që shiten si Ekstra të Virgjër, nuk janë të tillë. Në Australi kjo sasi është 56% dhe në Spanjë 50%. Sigurisht edhe në Shqipëri kjo përqindje është e lartë dhe për zotin Vossen, u takon autoriteteve shqiptare të monitorimit të bëjnë verifikimet e duhura në treg.

Për zonjën Pinari, fakti që si në botë ashtu edhe në Shqipëri ka në përqindje shumë të lartë vajrash që shiten si Ektra të Virgjër tregon që është shumë e vështirë të heqim nga tregu vajin fallco. Ajo që të paktën duhet të bëjmë thotë ajo është edukimi i konsumatorit.

‘Ullinjtë janë fruta dhe vaji i ullirit është lëngu i tyre. Mendoni çfarë frutash shtrydhni për të përftuar një lëng: gjithmone të freskëta. Kështu duhet të jenë dhe ullinjtë: të freskët dhe të padëmtuar. 20 % e cilësisë varet nga përpunimi, i cili duhet te kryhet brenda 48 orëve nga vjelja e frutave, në temperatura deri 30 gradë.

Zonja Pinari thotë se konsumatorit, duke blerë vaj jo cilësor në treg mund t’i ndryshojë shija dhe priret të pëlqejë një vaj jo cilësor. Konsumatorit i duhen dy vjet të mësohet me shijen e një vaji cilësor.

Ajo sugjeron që, pasi të blini vajin nga fabrika apo një vaj që jeni të sigurt që është Ekstra i Virgjër, ruajeni në një enë qelqi ose inoksi, larg dritës dhe nxehtësisë. Do të vëreni që ky vaj do të ketë qartësi, ngjyrë, densitet, aromë, hidhësi e djegësi të ndryshme çdo muaj që kalon

Dhe këto, thotë zonja Pinari për AgroWeb.org, janë dy komponente thelbësore tek vaji i ullirit cilësor: të jetë ekstra i virgjër dhe të jetë prodhim i atij viti. Kjo është mënyra më e mirë për të përzgjedhur një vaj të mirë, të freskët me të gjitha vlerat e jashtëzakonshme që i ka falur natyra./AgroWeb.org