Luleshtrydhja e egër ka emrin botanik të Fragaria Vesca. Popuj të ndryshëm e njohin atë si luleshtrydhja alpine, luleshtrydhja e maleve, luleshtrydhja e egër, luleshtrydhja e druve apo e pyjeve.

Në Shqipëri rritet në zonën e dushkut e të ahut, në toka të kultivuara. Në Pukë gjendet më me shumicë në Tërbun, Livadh-Hamëz, Krrabë, Munellë, Lakithi, Kunor-Dardhë, etj.

Luleshtrydhja e egër, dikur njihej si një barishte terapeutike. AgroWeb.org ju tregon se të gjitha pjesët e kësaj bime, përfshirë gjethet, rrënjët, kërcelli dhe fruta përdoren për të kuruar disa çrregullime. Rrënjët e bimës së luleshtrydhes së egër janë përdorur kundër diaresë, ndërkohë që kërcelli për të shëruar plagët. Në anën tjetër, frutat përdoreshin për qetësim.

Luleshtrydhja e egër është një bimë përherë në rritje. Ndonëse shtatvogël në trup, kjo bimë ia arrin të durojë edhe ngricat.

Ia vlen të përmendim se gjatë verës, alpinistët që i ngjiten lartësive gjejnë tek luleshtrydhet e egra, pushimin e merituar. Aroma e tyre i ngjan trëndafilave. Botanikët e shekullit të 17-të, shpreheshin se luleshtrydhet kishin një efekt qetësues për mëlçinë, shpretkën dhe gjakun, madje edhe stomakun e lënduar. Në të njëjtën kohë, frutat shuajnë edhe etjen.

Në shekullin e 20-të, çaji i luleshtrydhes së egër përdorej si tonik, kundër diaresë por edhe për gargare për fytin e acaruar. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, shumë përdorues të mjekësisë popullore sugjeronin konsumimin e frutave të egra për të stimuluar lëvizjen dhe funksionimin e mirë të zorrëve.

Vlerat shëndetësore të luleshtrydhes së egër

Edhe pse përdorimi i luleshtrydhes së egër është i pakët ditët e sotme, ka akoma njerëz që e përdorin këtë bimë terapeutike kundër diaresë dhe dizenterisë. Gjethet zjehen në ujë dhe përdoren si gargarë për fytin e acaruar. Ato përdoren edhe në kremëra që përgatiten për të trajtuar të djegurat dhe gërvishtjet e lëkurës.

Shumë botanistë në Evropë akoma përdorin gjethet e bimës së luleshtrydhes së egër për të nxitur urinimin, por edhe për të trajtuar çrregullime dhe simtpomat e tuberkulozës, reumatizmës, etj.

Frutat e bimës konsumohen të freskëta. Ato kanë një shije të shkëlqyer. Në të vërtetë, këto fruta janë shumë delikate në krahasim me luleshtrydhen e freskët.

Frutat e egra të luleshtrydhes janë plot me antioksidantë dhe sipas burimeve të AgroWeb.org, ndihmojnë në nxjerrjen e radikaleve të lira nga organizmi.

Përdorimi i luleshtrydhes së egër ndihmon në parandalimin dhe zbutjen e simptomave të diabetit, kolesterolit të lartë dhe arterosklerozës. Lëngu i nxjerrë nga luleshtrydhja e egër përmban vlera terapeutike kundër gastritit. Duke qenë se fruti ka vlera anti bakteriale, dikur lëngu i frutave përdorej për të trajtuar tiroidet.

Lëngu i luleshtrydhes së egër rekomandohet kundër sëmundjeve të mëlçisë si hepatiti dhe cirroza. Lëngu duhet konsumuar me stomakun bosh. Duhet të pini tri gota në ditë dhe të stimuloni aktivitetin e mëlçisë duke përmirësuar qelizat e saj.

Në të shkuarën, gjethet e bimës së egër përdoreshin për përgatitjen e çajrave bimorë që rekomandoheshin kundër diaresë dhe për të shtuar oreksin. Gjethet ndjellin urinë dhe kanë vitaminë C. Por nga ana tjetër, këto gjethe kanë efekt natyror zbardhues.

Lëngu i marrë nga gjethet i bën dhëmbët më të bardhë dhe nëse e aplikoni edhe në lëkurë, e zbardh atë. Luleshtrydhja e egër përfaqëson një eliksir për lëkurën, sepse parandalon rrudhat dhe e bën lëkurën më të freskët.

Frutat mund t’i shtypni dhe të bëni një maskë ushqyese dhe plot të mira për lëkurën tuaj./AgroWeb.org