Tiganisja e lehtë ose zgara është një proçes që e shumëfishon shijen e perimeve të preferuara dhe largon lëngjet e tepërta. Konsumimi i produkteve të zgarës e bën shijen e tyre të parezistueshme.

Kush i ka provuar limonat shqiptarë të zgarës e di, që këto agrume janë të ëmbël mjaftueshëm duke qenë se në nxehtësi e sipër kanë tendencën të karamelizohen. Në përgjithësi, nxehtësia arrin të nxjerrë ëmbëlsinë e perimeve dhe agrumeve, që bëhen aq të mira sa të mbesin gjatë në mendje.

Proçesi i zgarës nëse bëhet mirë, nuk prek vlerat e përgjithshme e të mrekullueshme të limonave dhe as nuk rrezikon përmbajtjen e lartë të vitaminave dhe ushqyesve të tjerë.

Limonët e zgarës janë tejet të shijshëm kur vendosen në zgarë krah perimeve, mishit të pulës apo fasuleve. E keni vënë re që sa herë hamë produkte zgare, tendenca kryesore është të marrim limonin e ta shtrydhim sipër tyre. Atëherë përse të mos e hedhim limonin direkt në zgarë?

Pjekja në grill apo zgarë. Ngroheni zgarën në një temperaturë mesatarisht të lartë. Që të provoni temperaturën, duhet të vendosni dorën mbi zgarë dhe nëse ndieni nxehtësinë nga larg, vendosini limonët dhe mbajini aty për 3 deri në 4 sekonda.

Pjekja ose skuqja. Vendosni tavën ose tiganin në një temperaturë mesatarisht të lartë. Pastrojini limonët. Nëse do të përdorni lëkurën e tyre, atëherë fërkojini mirë me sapun. Thajini nga uji dhe nëse doni që të çlirojnë më shumë lëng, vendosini në një sipërfaqe të fortë dhe ushtroni presion duke i rrotulluar. Një veprim i tillë e bën limonin më të butë që të nxjerrë më shumë lëng.

Prejeni limonin në copa dhe hiqni farat që dallohen lehtë në sipërfaqe. Përdorni majën e thikës që të nxirrni farat në thellësi. Në këtë mënyrë do të shmangni sikletin e të kafshuarit pa dashje të ndonjë fare që e prish shijen e këndshme të limonëve të zgarës.

Përdorni një furçë ëmbëlsirash ose letër guzhine për të lyer lëkurën e limonit me pak vaj ulliri ekstra të virgjër. Nëse dëshironi, mund t’i spërkasni me pak kripë dhe piper të kuq për t’i dhënë limonit të zgarës nuanca të një shijeje të jashtëzakonshme.

Limoni duhet të kavërdiset në tavë për rreth tre minuta duke e kthyer nga të gjitha anët, në mënyrë që limoni të jetë i pjekur në mënyrë të njëtrajtshme.

Një nga kombinimet më të mira të limonëve të zgarës është me barbunjat apo bishtajat. Shija e tyre është aq e fortë, sa do ta kujtosh për shumë kohë./AgroWeb.org