Fasulet janë më të preferuarat këtë sezon, ndërsa konsiderohen ndër bishtajoret më me supervlera dhe Shqipëria është me fat që është ndër vendet e pasura me këtë produkt. Por çfarë i bën ato kaq super?

Fasulet nga njëra anë janë shumë të pasura me proteina dhe nga ana tjetër kanë shumë pak kolesterol. Fasulet janë plot me fibra dhe magnez, ndërkohë që sipas AgroWeb.org, studimet tregojnë se bishtajoret mund të ulin nivelin e kolesterolit dhe të zvogëlojnë rrezikun e disa llojeve të problemeve.

Fasulet janë gjithashtu dhe një burim shumë i mirë hekuri, por disa tipe kanë më shumë hekur se disa të tjera. Si përshembull një studim tregon se fasulet e bardha kanë shumë më shumë se hekur se ato të kuqe apo të zeza, ndërkohë që të tjerë mbështesin faktin se të gjitha varietetet janë njësoj të pasura me hekur.

Nga ana tjetër fasulet nuk sigurojnë të gjithë aminoacidet, por pa problem pasi ka një zgjidhje. Fasulet dhe orizi janë një kombinim perfekt, duke qenë se orizi plotëson boshllëqet e aminoacideve.

Ndërsa përsa i përket kalorive, është një leverdi pasi për vetëm 28 gramë merren 33 kalori. Fasulet kanë shumë pak yndyrma dhe pak kolesterol, çka shumë produkte të mishit nuk e kanë.

Të bardhat apo të zezat? Lexoni më poshtë listën e përfitimeve shëndetësore të secilës, të renditura nga AgroWeb.org

Vlerat e fasuleve të bardha
Fasulet e bardha në formë veshke, janë një nga ushqimet më të mira, që duhen konsumuar nëse dëshironi të bini në peshë. Ato janë të pasura me fibër, që do të thotë se ju do të ndiheni të ngopur për shumë kohë. Fasulet e bardha janë të pasura me minerale, vitamina dhe proteina.

Të pasura në fibër

Fasulet e bardha si çdo bimë tjetër bishtajore përmbajnë fibër të tretshme dhe të patretshme. Një filxhan me fasule të bardha të gatuara përmbush 45% të dozës së rekomanduar ditore të fibrës. Sapo fibra e tretshme futet në organizëm ajo arrin të largojë acidet biliare nga trupi. Në këtë mënyrë këto acide nuk përthithen nga mëlçia dhe nuk shkaktojnë kolesterolin e dëmshëm. Fibra e patretshme parandalon konstipacionin dhe promovon lëvizjen e shëndetshme të zorrëve. Një gjë e tillë parandalon komplikacionet e sistemit tretës.

Mbajnë zemrën të shëndetshme

Fasulet e bardha janë të pasura me vitaminë B9- që njihet ndryshe si folat ose acid folik- dhe kanë pak yndyrna. Ato i bëjnë shumë mirë zemrës. Folati ul nivelin e amino acideve homocistetine në qarkullimin e gjakut. Kur janë në nivele të larta, këto acide rrisin rrezikun e atakut në zemër dhe goditjeve në tru. Një filxhan me fasule të bardha plotëson 50 përqind të dozës së rekomanduar ditore të folatit.

Përmirëson funksionet e trurit

Fasulet e bardha janë të pasura me vitaminë B1, ose thiamine, që është e domosdoshme për formimin dhe funksionin e qelizave të trurit. Thiamina është një substancë e nevojshme që ndihmon në funksionimin e duhur të kujtesës. Nëse konsumoni një filxhan me fasule të bardha çdo ditë, do të përmirësoni dhe përkujdeseni për funksionet thelbësore të trurit.

Vlerat e fasuleve të zeza

Në Shqipëri, zona që kultivon më shumë fasule të zeza është Korça edhe pse jo shumë njerëz i njohin vlerat e fasules së zezë. Cilat janë vlerat e fasuleve të zeza?
Ndihmojnë në traktin tretës

Sasia e lartë e proteinave dhe fibrave tek fasulet e zeza ndihmojnë që ushqimi të kalojë shpejt në stomak me një ritëm më të shëndetshëm. Kjo bën të mundur që trakti tretës të mos punojë shumë duke bërë të mundur që të krijojë një balancë të shëndetshme mes kimikateve dhe mikrorganizmave që ndihmojnë për një sistem të shëndetshëm.

Rregullojnë sheqerin në gjak

Lëvizja e qendrueshme e proteinave dhe fibrave në sistemin tretës bën që sheqeri të shpërndahet në mënyrë të kontrolluar. Disa ushqime e rrisin nivelin e sheqerit në gjak, duke krijuar probleme, por ky nuk është rasti i fasuleve të zeza. Sasia e fibrave dhe proteinave tek fasulet e zeza bëjnë që niveli i sheqerit në gjak të mbahet nën kontroll.

Ulin kolesterolin

Fasulet e zeza janë të pasura me fibra të tretshme, të cilat janë shumë të dobishme në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak. Ato gjithashtu ulin rrezikun e sëmundjeve koronare dhe atakut kardiak. Fasulet e zeza përmbajnë gjithashtu vlera anti oksiduese dhe anti inflamatore, që sulmojnë sëmundjet kardiovaskolare. Ato janë të pasura me folat dhe magnez, ushqyes që ndihmojnë në parandalimin e shëndetit kardiovaskular dhe mineralet antioksiduese zink dhe manganez.

Ndihmojnë sistemin nervor

Folati ose vitamina B6, është me shumë bollëk tek fasulet e zeza. Sistemi nervor ka nevojë për folat për të prodhuar amino acidet. Tek gratë shtatëzëna, mungesa e folatit mund të shkaktojë defiçencë në zhvillimin e trurit të fetusit dhe shtyllës kurrizore. Përmbajtja e lartë me hekur është shumë e këshillueshme për gratë shtatëzëna./AgroWeb.org