Agro-ekologjia është gurthemeli i një bujqësie të qëndrueshme. Bëhet fjalë për shkencën dhe praktikën e aplikimit të koncepteve, principeve dhe njohurive ekologjike për planifikimin dhe administrimin e fermave të qëndrueshme. Agro-ekologjia ofron një gamë të gjerë zgjidhjesh për sulmet dhe presionet mjedisore dhe ekonomike me të cilat bujqësia haset ditët e sotme.

Shkurt, agro-ekologjia është mënyra më e mirë për të ecur përpara drejt misionit të të ushqyerit të botës dhe një praktikë e qëndrueshme edhe për bujqësinë shqiptare. Analiza më e plotë dhe më e përditësuar e bujqësisë në botë ka nxjerrë në pah se metodat e ofruara nga agro-ekologjia janë shpresa më e mirë për të ushqyer njerëzimin.

Nuk është e vështirë për t’u kuptuar që agro-ekologjia është një qasje që funksionon. Praktikat me bazë biologjike janë të përfshira në: rikthimin e funksioneve të ekosistemit; ruajtjen e biodiversitetit; zvogëlimit të erozionit të tokës; mbrojtjes së shëndetit publik; prodhimit të një sasie të lartë ushqimesh të shëndetshme dhe mbajtjes dhe forcimit të komuniteteve rurale dhe ekonomive rajonale të ushqimit.

Po çfarë ndodh në praktikë? Më poshtë do të gjeni disa shembuj që vijnë nga fermerët që e aplikojnë dhe që nënvizojnë fuqinë dhe prodhimtarinë e lartë të agro-ekologjisë.

Rotacioni i mbjelljes së luleshtrydheve pa kimikate

Kultivues të luleshtrydhes organike që kanë eksperiencë 30 vjeçare në këtë fushë kanë zgjedhur të aplikojnë agro-ekologjinë. Në vend të përdorimit të pesticideve të rrezikshme siç është kloropikrina, e cila pranohet të shkaktojë disa sëmundjesh përfshirë kancerin - ose kimikate të tjera për spërkatjen e tokës si brometileni, këta fermerë rrisin produktet duke zbatuar principet dhe metodat agro-ekologjike.

Një nga kërcënimet më të mëdha që i kanosen luleshtrydhes është kërpudha Verticillium dahlia. Ky patogjen mund të qëndrojë në tokë për mbi 10 vjet dhe arrin të vyshkë bimët. Fermerët zakonisht përdorin pesticide për të shkatërruar këtë kërpudhë të rrezikshme, bashkë me organizma të tjerë të dëmshëm që rriten në tokë.

Fermerët organikë nga ana tjetër kanë gjetur një qasje më të sigurt: rotacionin e të mbjellave të frutave dhe perimeve. Mbjellja e brokolit jashtë sezonit mban larg sëmundjet e shkaktuara nga kjo kërpudhë dhe ndihmon fermerët e luleshtrydhes organike të ruajnë epërsinë e tyre, por edhe të ruajnë shëndetin e komuniteteve rurale dhe mjedisin duke parandaluar përdorimin e elementëve të dëmshëm.

Një program mbjelljesh me rotacion siç është ai që nis me mbjelljen e brokolit në dimër, parandalon përhapjen e kërpudhës Verticillium dahliae gjatë gjithë vitit. Dhe kur stina e luleshtrydheve të vijë, atëherë rrënjët e brokolit shkulen dhe përgatiten të vendosen në zonë tjetër për të mundësuar plehërizimin organik të parcelës tjetër.

Përfitimet e kultivimit pa pesticide

Fermerë të tjerë tregojnë se kanë rritur misër organik kohë më parë se të kishte një treg të mirëfilltë për këto produkte. Si fillim u frymëzuan nga dëshira për t’i qëndruar larg pesticideve kimike. Më pas qëllimi ishte të provonin që fushat organike të kishin të njëjtën prodhimtari dhe të gjeneronin të njëjtat përfitime si ato të fermave të bujqësisë tradicionale. Kjo iniciativë pati sukses.

Për të arritur prodhimtarinë afatgjatë që këta fermerë synonin, ata zbatuan disa strategji agroekologjike siç janë: rotacioni i të mbjellave për të përmirësuar pjellorinë e tokës, mbulimi i të mbjellave, por edhe shumëfishimi i tyre. Ndërkohë çmimi i bimëve plehëruese organike të tokës, si lini dhe jonxha, ka pësuar rritje shumë më të madhe se sa të njëjta kultura bujqësore të rritura me metoda të zakonshme.

Brezat ndarës dhe habitati i bletëve pjalmuese

Një tjetër shembull që duhet ndjekur e gjejmë tek vitikultura. Fermerët kanë mbjellë përmes vreshtave, breza me lule që përbëhen prej mijëra kultivarësh dhe varietetesh të përzgjedhura që të lulëzojnë përgjatë gjithë vitit dhe të tërheqin bletët dhe pjalmuesit e tjerë pranë tokave të tyre.

Këta janë shembuj suksesi që vijnë nga disa fermerë për të cilët metoda organike është kthyer në një stil jetese që ka frymëzuar edhe vetë konsumatorët. Shumë fermerë shqiptarë duhet të frymëzohen për të prodhuar produkte organike sepse kërkesa për to nuk ka qenë kurrë kaq e lartë sa në kohët që po jetojmë./AgroWeb.org