Gjethet e kungullit janë të ngrënshme madje shumë të shijshme. Në shumë vende të botës, gjethet e kungullit janë pjesë e dietës së përditshme. Shija e tyre është e ngjashme me shpargun, brokolin dhe spinaqin.
Duke qenë se këto gjethe janë një burim i mirë ushqimor, ato konsumohen gjërësisht në Itali, Britani e Madhe dhe vende të tjera të Evropës dhe botës. Kjo barishte ka filluar të shfaqet gjithmonë e më tepër në tezgat e tregjeve të fshatarëve, aty ku e ndeshi AgroWeb.org dhe po e sjell në vëmendjen tuaj, pasi padyshim i keni kaluar para shumë herë dhe nuk keni ditur se për çfarë barishte bëhet fjalë.
Gjethja e kungullit është një barishte me ngjyrë të gjelbër të errët, e pasur me ujë, kalcium, kalium, fosfor, hekur, magnez, vitaminat A, K, C dhe folat.
Gjethet e kungullit janë të shëndetshme dhe të shijshme dhe të pasura veçanërisht me hekur dhe magnez, dy minerale jetësore për mirëqenien e organizmit. Për më tepër kalciumi dhe vitamina C, vitamina A dhe vitaminat e kompleksit B bashkë me mineralet e lartpërmendura janë thelbësore për organizmin dhe ofrojnë shumë vlera të cilat AgroWeb.org po i sjell në vijim.
Mbrojnë shëndetin e zemrës
Gjethet e kungullit përmbajnë shumë fibër të tretshme, e cila ul përthithjen e kolesterolit dhe acidit biliar nga zorrët, rrjedhimisht duke ulur nivelin e kolesterolit të keq në gjak.
Mbrojnë sistemin imunitar
Hekuri që gjendet me tepricë në gjethet e kungullit luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sistemit imunitar në organizmin e njeriut.
Zbusin dhe ushqejnë lëkurën
Gjethet e kungullit përmbajnë 38 µg vitaminë A, ose s 5.43% të vlerës së rekomanduar ditore. Ato ndihmojnë në zbutjen dhe ushqimin e lëkurës, duke parandaluar tharjen dhe simptoma si ajo e psoriozës.
Forcojnë kockat
Gjethet e kungullit përmbajnë sasi të mëdha kalciumi dhe fosfori që janë thelbësore për shëndetin e kockave dhe dhëmbëve.
Sigurojnë shëndet të mirë dentar
Siç e kemi thënë dhe më parë, fosfori është tepër i rëndësishëm për kockat por edhe për shëndetin e dhëmbëve dhe mishrave. Sipas burimeve të AgroWeb.org, kalciumi, vitamina D dhe fosfori luajnë së bashku një rol jetësor për formimin dhe mirëmbajtjen e shëndetit dentar.
Parandalojnë plakjen e parakohshme
Bakri që gjendet tek gjethet e kungullit është një antioksidant i fuqishëm që funksionon më mirë në prezencën e një enzime të caktuar (superoxide dismutase) e cila mbron membranën e qelizave nga radikalet e lira. Nëse në dietën tuaj ditore keni sasi të mjaftueshme të bakrit, atëherë ju do të keni një pamje më rinore për një kohë më të gjatë.
Si të konsumoni gjethet e kungullit?
Gjethet e kungullit mund t’i konsumoni së bashku me spinaqin për vlera të dyfishta, ose veçmas në të njëjtin stil gatimi. Gjethet e kungullit mund të përfshihen në sallata, gatime me brumë, lakra të egra e shumë të tjera që ofrojnë kombinime natyralisht të fuqishme për mirëqenien tuaj./AgroWeb.org