Të qënit të mprehtë dhe syhapur, janë shpesh virtyte të nevojshme për çdo konsumator sidomos në kohët e sotme kur përballesh me një mori produktesh të pavërteta apo falso.

Të gjithë e kanë të thjeshtë ta kapin mashtrimin në raste si ato të çantave “firmato” që shpalosen trotuareve të Tiranës dhe shiten për 2000 Lek.

Por çantat janë sprova më e thjeshtë për një konsumator të mprehtë. Çfarë ndodh nëse në market gjen mjaltë të paketuar mjeshtërisht bukur, që duket sikur është i cilësisë më të lartë, por që në të vërtetë është thjesht një mjaltë industrial dmth thjesht një shurup glukoze misri.

Mirësevini në botën e mashtrimit të ushqimeve, ku të qenit të mprehtë ndonjëherë nuk mjafton. AgroWeb do t'i dedikojë një rubrikë të veçantë dhe një seri shkrimesh dhe analizash fenomenit të mashtrimit me produktet ushqimore.

Lëngu i Portokallit

A ka gjë më të thjeshtë se lëngu i portokallit? Është një lëng që përftohet nga portokalli i shtrydhur, apo jo. Përgjigjia e AgroWeb është Jo!

Në dyqane gjejmë produkte të lëngshme që shiten si lëng portokalli të paketuar gjithë merak në kuti kartoni me imazhe portokajsh të mrekullueshëm aq sa e ke të pamundur të mos e blesh.

Por në të vërtetë në atë lëng ka gjithçka tjetër, përveç portokallit të shtrydhur. Lëngu i portokallit i paketuar që shihet në dyqan është një nga produktet më mashtrues në botë, sepse në të gjenden shumë përbërës të dyshimtë dhe aspak natyralë.

Ky lëng i paketuar në karton është në fakt një përzierje mes panxharit të sheqerit, shurupit të misrit, acid askorbik, sulfat kaliumi, monosodium glutamate, koncentrat tuli portokalli e qitroje dhe nënprodukte të sistemit të distilimit të ujit.

Të gjithë përbërësit e mësipërm janë marrë nga një karton lëng portokalli njëlitërsh të tregtuar në marketet e çdo qyteti të vendit.

Ekspertët e ushqimeve janë kundër lëngut industrial të portokallit edhe për një arsye tjetër. Ky lëng plot sheqerna, kalori dhe karbohidrate shkakton të njëjtin dëm si lëngjet e sheqerosura ose ato me gaz, ndërsa konsumatori kujton se po bën zgjedhje më të kujdesshme.

Rregulli numër 1 për konsumatorët në këto raste është që të kontrollojnë etiketat për përqindjen e lëngut të frutit. Nëse në etiketë ka emra të cilët nuk di si t'i shqiptosh atëherë, ky nuk është një produkt i duhur për shëndetin tënd, pasi substancat kimike të përdorura nuk garantojnë një lëng portokalli apo fruti të shëndetshëm./AgroWeb.org