Hurmat farëbardha janë një frut i veçantë dhe që jo gjithmonë përmbush të gjitha shijet e një konsumatori të zakonshëm të mësuar me shijen perfekte të hurmave farëzeza. Në Shqipëri, pemët e hurmave janë nga më të përhapurat në oborret e shtëpive, por gjenden edhe plot pemishte hurmash farëbardha dhe farëzeza, duke e kthyer frutin e tyre në një nga më të dashurit për konsumatorët vendas.

Deri në pjekjen e tyre përfundimtare, hurmat farëbardha mund të konsiderohen “të vështira”, sepse shija e tyre është e çuditshme dhe të tkurr qiellzën. Nuk po flasim këtu për të mrekullueshmet hurma lluqe, ëmbëlsia e të cilave është shumë thjesht e dallueshme me sy.

Por fjalën e kemi tek ajo fazë para pjekjes përfundimtare kur hurmat farëbardha nuk janë ende në formën e tyre përfundimtare dhe përmbajnë një element që quhet taninë dhe që është përgjegjësi kryesor i shijes së çuditshme.

Megjithatë, kur piqen plotësisht, hurmat janë të ëmbla, të shijshme dhe të buta, aq sa me to mund të kënaqësh veten duke i ngrënë menjëherë, por edhe mund të bësh ëmbëlsira dhe reçel të jashtëzakonshëm.

Vetë pjekja e hurmave është një proçes tekanjoz, sepse rezultati mund të jetë një hurmë më e butë, por sërish e ashpër në shije.

Pjekja e hurmave mund të përshpejtohet duke i vendosur ato në të njëjtin paketim letre ose qese me mollët. Gazi natyral etilen që çliron molla, i bën hurmat e këputura nga pema të piqen dhe të zbuten mjaftueshëm dhe të jenë gati për t'u konsumuar.

Paketimin ose qesen prej letre mund ta mbani në temperaturën e dhomës dhe pjekja do të jetë e shpejtë. Por nëse zgjidhni hurma të forta, proçesi i zbutjes dhe ëmbëlsimit do të jetë më i ngadaltë dhe mund të zgjasë për disa javë. Ndaj AgroWeb.org ju sugjeron metodat e mëposhtme, të cilat përdoren gjërësisht nga profesionistët e industrisë ushqimore.

Parimet bazë të pjekjes së hurmave në shtëpi

Kur hurmat përballen me një sasi të kufizuar oksigjeni, ato prodhojnë aldehide, disa substanca që kundërveprojnë me hidhtësinë e çliruar nga tanina. Kur hurmat vendosen në praninë e alkolit, ato prodhojnë vetë gazin etilen dhe nuk do të keni nevojë të sakrifikoni mollët tuaja për të pjekur hurmat.

Këto parime mund të përshtaten lehtësisht në kuzhinën tuaj. Vendosini frutat në qese plastike. Spërkatini kurorat e tyre, pra gjethet në pjesën e sipërme të hurmave me alkool farmacie, qoftë të plotë ose edhe të holluar. Mund të përdorni edhe raki në rast se nuk keni alkool. Më pas lidheni grykën e qese dhe izolojeni mirë atë.

Qesen e izoluar mund ta vendosni edhe tek pjesa e ngrirjes gjë që do të kufizojë edhe më tepër proçesin e zbutjes dhe pjekjes së hurmave tuaja deri në më pak se një javë. Hurmat do të humbasin hidhtësinë e tyre dhe do të zbuten, ndaj nuk do të keni mundësi t’i prisni në feta. Më tepër se thika, do t'ju nevojitet një lugë për ta dërguar hurmën e pjekur në destinacioni e fundit, në stomakun tuaj./AgroWeb.org

Po ju njihni ndonjë teknikë tjetër për pjekjen e këtij fruti interesant? Nëse po, ndajeni me AgroWeb.org