Bujqësia në Shqipëri? Një nga sektorët më fitimprurës për investim. Toka? Jashtëzakonisht frytdhënëse. Klima? Tepër e favorshme. Çfarë i pengon atëherë prodhimet shqiptare që të jenë më të mirat jo vetëm në tregun vendas, por edhe evropian e ndërkombëtar? Sa është e mundur që të gjithë prodhimet shqiptare të konsiderohen tërësisht të sigurta për konsumatorët shqiptarë, por edhe për të arritur në tregjet globale? Ekziston një ‘Shkop magjik”; Çertifikimi sipas standardeve ndërkombëtare dhe atyre evropiane.

Është e qartë se çertifikimi përbën një sfidë për disa prodhues, por nuk mund të jetë një sfidë për të gjithë. Shtatëmbëdhjetë agrobiznese shqiptare konsiderohen një histori suksesi që shemb dyshimet e të gjithë skeptikëve dhe që gjallërojnë në stendat e rrjeteve të supermarketeve shqiptare.

Nga Shtatori 2015, për këta biznese nisi një kapitull i ri. Ata u bënë pjesë e e Projektit Rajonal të USAID për Rritjen Ekonomike, “Mbështetje për Përmbushjen e Çertifikimeve dhe Standardeve Kryesore në Bujqësi”, një projekt i zbatuar në vendin tonë nga Creative Business Solutions, CBS.

Një vit më vonë, pas zbatimit të të gjitha kërkesave dhe përkujdesjes së vazhdueshme, të shtatëmbëdhjetë agrobizneset shqiptare po korrin frutet e suksesit të tyre, duke përmbyllur me sukses kapitullin e çertifikimit.
Fuqizim i Tregtisë për Agrobizneset e Çertifikuara

USAID Albania së bashku me Creative Business Solutions, CBS dhe AgBiz organizuan një aktivitet biznes-me-biznes me temë “ Fuqizim i Tregtisë për Agrobizneset e Çertifikuara” në të cilin morrën pjesë përfaqësues të 17 agrobizneset e çertifikuara dhe të disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve që operojnë në Shqipëri.

Dr.Catherine Johnson, Drejtore e Misionit të USAID/Albania, duke i dhënë Kompanisë Treg Tur Korça çertifikatën GlobalG.A.P, një kërkesë e domosdoshme për penetrim në tregjet globale. Foto: AgroWeb

Në këtë aktivitet përshëndetën edhe Drejtoresha e Misionit të USAID/Albania, Catherine Johnson dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

‘Jam e nderuar që jam këtu për të folur për diçka që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne: cilësia, siguria dhe besueshmëria e produkteve në Shqipëri dhe në mbarë botën.” tha zj. Johnson.

Duke folur për disa problematika të fundit të sigurisë ushqimore në SHBA, Zj Johnson theksoi se: "Këto janë ngjarje që ndodhin kur siguria jonë ushqimore është në rrezik. Këto ngjarje ndodhin kudo. Kjo ndodhi në SHBA me mishin, me luleshtrydhet etj, por të gjitha frutat dhe perimet e freskëta janë të rrezikuara nga lëndë të dëmshme dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të ketë çertifikime të veçanta për produktet, në mënyrë që puna e mirë që është bërë për t’i rritur e prodhuar të mos rrezikohet.

E përgëzoj Shqipërinë për ecjen përpara në shumë fusha në vitet e fundit dhe kjo përpjekje e veçantë sot me çertifikimet është një tjetër rrugë që e çon Shqipërinë përpara. Frutat dhe perimet e mrekullueshme që ju kultivoni këtu dhe produktet po aq të mrekullueshme të bulmetit e bëjnë Shqipërinë një vend fantastik për bujqësinë dhe unë e di se ju do të jeni në gjendje, që këtë përpjekje ta çoni edhe më përpara në të ardhmen, duke e bërë bujqësinë edhe më të fortë me çertifikimet e duhura.’ shtoi drejtoresha e Misionit të USAID/Albania, Catherine Johnson.

“Ky aktivitet bzines-me-biznes që bashkoi kompani, agrobiznese të çertifikuara dhe përfaqësuesit e rrjeteve kryesore të supermarketeve në Shqipëri, është shumë i rëndësishëm sepse këto çertifikime çelin mundësinë e hyrjes së produkteve të markës shqiptare jo vetëm në rrjetet e supermarketeve shqiptare, por edhe në tregje të reja. Qëllimi ynë është që të pakësojmë importin e produkteve bujqësore dhe të promovojnë prodhimet vendase,” nënvizoi Ministri Edmond Panariti.

“Çertifikimet janë të një rëndësie themelore për agrobizneset shqiptare që të plotësojnë kërkesat e rrjeteve të supermarketeve evropiane për të cilat çertifikimi është kusht kryesor,” shtoi ai.

Në fjalën e tij, Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i CBS, përmendi rëndësinë e përmbushjes së standarteve dhe çertifikimit, si një zgjidhje për zvogëlimin e ndasive mes komunitetit të agrobiznesit, tregjeve vendase dhe të huaja.

Goran Damovski nga AgroBiz Maqedoni, gjithashtu nënvizoi potencialin e agrobizneseve shqiptare për t’u rritur më tej nëpërmjet ndërmarrjes së hapave të domosdoshëm për një çertifikim të suksesshëm.

“Këto shtatëmbëdhjetë kompani duhen parë si grupi i parë i agrobizneseve të çertifikuara shqiptare. Kompani të tjera shqiptare janë të përfshira në proçesin e çertifikimit, duke i hapur derën prodhuesve shqiptarë që duan të rrisin volumin e eksportit të produkteve të tyre,”theksoi ai.

Shtatëmbëdhjetë prodhues shqiptarë të ushqimit dhe disa kompani kosovare dhe maqedonase u takuan me përfaqësues dhe administratorë të disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në Shqipëri, me synimin për të lidhur kontrata dhe lehtësuar rritjen e tregëtisë mes tyre në të ardhmen.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti duke i dhënë çertifikatën GlobalG.A.P Kompanisë Elite AE shpk, theksoi se qëllimi ynë është që të pakësojmë importin e produkteve bujqësore dhe të promovojnë prodhimet vendase. Foto: AgroWeb

Çertifikimi – Pasaporta ndërkombëtare për prodhimet bujqësore shqiptare

Shumë produkte shqiptare vazhdojnë akoma ta kenë të pamundur për të shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme që ofrojnë tregjet e Bashkimit Evropian, për shkak të rreziqeve shëndetësore dhe të sigurisë.
Siguria ushqimore është objektivi thelbësor për të gjitha çertifikatat që iu dhanë 17 agrobizneseve shqiptare nga Global Gap, HACCP dhe ISO 22000.

Shtylla kryesore e proçesit të çertifikimit është pa dyshim siguria ushqimore. Përmbajtja ndaj standardeve të Bashkimit Evropian është e një rëndësie jetike për bujqësinë dhe përbën një burim jashtëzakonisht të rëndësishëm të ardhurash për Shqipërinë.

Projekti i USAID ka ofruar mbështetje për agrobizneset e mëdha të prodhimit të mollëve, perimeve, serave dhe ullinjve për zbatimin dhe përfitimin e çertifikimit të Global G.A.P. HACCP është një tjetër çertifikatë e rëndësishme që fermerët shqiptarë kanë përfituar për t’u përmbajtur standardeve kryesore kombëtare të cilësisë së ushqimit dhe për tu zgjeruar në tregjet rajonale.

Ndërkohë ISO 22000 është një çertifikatë tjetër pjesë e këtij programi, që është një kusht kryesor për shumë prej rrjeteve të dyqaneve dhe supermarketeve ndërkombëtare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri siç janë Conad dhe Spar apo edhe kompanitë vendase të shitjes me pakicë siç është Big Market i përhapur në të gjithë vendin.

Për fermerët, Global GAP është njësoj si karta e identitetit që paraqet në kufi. GlobalG.A.P është pasaporta ndërkombëtare për produktet bujqësore dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme për eksportet në vendet e Bashkimit Evropian.

Një mini-panair me produkte të çertifikuara shqiptare i organizuar në Event. Foto: AgroWeb

Kërkesa në rritje për çertifikimin e sigurisë ushqimore

Rrjetet Evropiane të supermarketeve kanë një kërkesë në rritje që furnitorët e tyre të jenë të çertifikuar dhe të përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.

Në tregjet ndërkombëtare, prodhuesit e ushqimeve dhe fermerët shqiptarë do të jenë vazhdimisht të detyruar të marrin çertifikatën e sigurisë ushqimore. Kjo ndodh sepse vendi ynë tashmë ka nisur rrugën integrimit në tregjet e Bashkimit Evropian.

Për më tepër, tregjet e Bashkimit Evropian paguajnë shumë herë më mirë për çdo njësi prodhimi në krahasim me tregjet rajonale.

Kjo arsye është e mjaftueshme për fermerët shqiptarë që të pajisen me çertifikatat e sigurisë ushqimore dhe të konkurojnë në tregjet e Bashkimit Evropian. Shqipëria ka prodhime të jashtëzakonshme, dhe është koha që këto prodhime të marrin me krenari vulën e “Made in Albania.”/AgroWeb.org