Si përherë, në prag të festave edhe shpenzimet e familjeve shqiptare rriten për produktet ushqimore. Por dilema qëndron gjithmonë e njëjtë, nëse duhet t’i besojmë produkteve shqiptare apo atyre të huaja.

Në këtë fazë të vitit, në muajin dhjetor, janë të shumta zonat e Shqipërisë që ofrojnë fruta-perime me çmime shumë më të leverdisshme se ato të importit. Por në këtë pikë, jo vetëm çmimi, por mbi të gjitha është cilësia ajo që ka rëndësi.

Produktet shqiptare vijnë me parimin e “kilometrazhit zero”. Kjo do të thotë se janë prodhime vendi dhe duke mos pasur nevojën e eksportit në një tjetër shtet, vijnë në tregjet e qyteteve të mëdha shumë më të freskëta.

Nga vëzhgimet e AgroWeb.org dhe të dhënat e çmimeve me shumicë të Tregut AgroUshqimor të Tiranës, rezulton se prodhimet e Lushnjës, Korçës, Dibrës dhe Sarandës vijnë me çmime konkuruese për tryezat e shqiptarëve.

Nga Lushnja vijnë mashurkat me një çmim nga 150 deri në 200 lekë për kilogram, panxhari i kuq me 20-40 lekë/kg, fasulja e bardhë me 150 lekë/kg, lakra e kuqe me 30 lekë/kg, limoni me 50 lekë/kg apo brokoli me 220 deri në 230 lekë për kilogram.

Frutat në këtë kohë vijnë nga Saranda dhe Korça, ku mollët e kësaj të fundit mund t’i gjeni me 40 deri në 60 lekë për kilogram ndërsa agrumet e Sarandës si portokalli dhe mandarina janë në treg me çmimin e 50 lekëve për kilogram.

Arrat e Dibrës vijnë me 350 lekë/kg ndërsa patatet nga Kukësi, Lushnja dhe Korça kanë një çmim që nuk i kalon 50 lekë për kilogram. E nëse për shumë receta do t’ju duhen domatinat, ato mund t’i merni të Lushnjes ose Beratit për 250 lekë/kg.

Nga ana tjetër, përsa i përket produkteve të importit, Greqia është furnizuesi për shumë artikuj, ndërsa nuk mbeten prapa edhe Italia dhe Egjipti. Ekuadori na furnizon me bananet për çmimin 150 lekë/kg.

Shumica e frutave ekzotike vijnë nga Greqia si për shembull ananasi me një çmim 200 lekë/kg, avokado 350 lekë/kg, kivi 130 lekë/kg dhe mango 370 lekë/kg. Ndërsa për portokallet që vijnë nga ky shtet vihet re se çmimi i tyre varion nga 55 deri ne 80 lekë, ose ndryshe 10 deri në 60% më shtrenjtë.

Rrushi i bardhë vjen nga Italia për 140-160 lekë/kg, ndërsa fasulja e bardhë dhe ajo e kuqe vijnë nga Egjipti për çmimet respektive 180 dhe 200 lekë/kg./AgroWeb.org