Karrotat renditen në listën e perimeve të pëlqyera nga konsumatorët dhe shumë pak njerëz mund të mos tërhiqen nga ato. Vlerat shëndetësore dhe ushqimore të saj janë të njohura, por karrota ka edhe disa surpriza që AgroWeb i zbulon për ju.

Në Shqipëri, zonat ku karrotat kultivohen më shumë janë Divjaka, Korça dhe Vau i Dejës. Çmimi aktual për karrotat e vendit është 20-40 Lekë për kilogram.

Karrotat janë shumëngjyrëshe. Harroje ngjyrën portokalli. Karrotat mund t’i gjesh në ngjyrat e saj natyrale: të bardhë, të verdhë dhe ngjyrë vjollcë e errët. Karrotat e para të zbuluara në botë kanë qenë në ngjyrë të bardhë si rrepat ose vjollcë.

Karrotat ngjyrë portokalli që njohim sot, janë rezultat i një ndryshimi gjenetik që ktheu lëkurën ngjyrë vjollcë të karrotës në një portokalli të ndezur. Në botë numërohen 20 lloje karrotash, ndaj nuk është çudi që ato t’i gjejmë në ngjyra të ndryshme.

Karrotat vjollcë kultivohen edhe në Shqipëri në sipërfaqe toke dhe serra të veçanta të cilat e eksportojnë të gjithë prodhimin e tyre në Suedi dhe në vendet e tjera të Skandinavisë. Karrotat vjollcë përveç beta karotenit që përmbahet nga të gjitha karrotat, ofron edhe antioksidantin antocianinë duke i rritur vlerat kësaj perimeje. Nëse përballesh me karrotat vjollcë në treg, mos u mendo dy herë, por bliji menjëherë.

Karrotat mund t’i lësh nëntokë gjithë dimrin. Ekzistojnë disa perime të cilat nuk rezistojnë gjatë nën tokë. Por jo karrota. Karrotën mund ta lësh nëntokë gjithë dimrin, dhe nuk e gjen gjë, mjafton që bima të mbulohet me një lloj plehu që e mbron atë nga ngrica. Në këtë rast fermerët gjenden përpara dy zgjedhjeve: të presin të vijë pranvera, ose të nxjerrin karrotat në dimër. Nëse zgjedhin këtë të fundit, përqendrimi i sheqerit tek karrota është më i lartë dhe ato bëhen më të ëmbla.

Karrotat e dimrit janë më të ëmblat prandaj AgroWeb.org këshillon konsumatorët që të mos i ndajnë nga tryezat e tyre këto perime super të pasura në vlera mirëbërëse.

Karrotat përbëhen nga 88 përqind ujë. Është e vërtetë. Shumë njerëz përtypin karrota në përpjekje për të ngrënë shëndetshëm dhe për të shuar urinë. Në të vërtetë po shuajnë edhe etjen. Kjo nuk është një gjë e keqe, sidomos po të krahasosh faktin që trupi i njeriut përbëhet nga 60% ujë.

Karrotat e gatuara janë më të mira se ato të gjalla. Procesi i gatimit të karrotës ndihmon në çlirimin e një sasie më të madhe të beta karotenit. Nëse ha karrotën të gjallë atëherë merr vetëm 3% të kësaj substance të domosdoshme, por kur karrota është e gatuar dhe e ngrohtë, merr 40% të beta karotenit.

Për kuzhinierët, karrotat janë një bekim por edhe një mallkim. Karrotat janë të pabindshme. Ato mund ta ëmbëlsojnë ose hidhërojnë së tepërmi një pjatë dhe mund t’i ndryshojnë shijen siç ndodh edhe me limonin. Karrotat mund t’i përdorësh si për gatimet me kripë ashtu edhe ato të ëmbla, me një rezultat fantastik!

Karrotat kanë burimin më të pasur të beta karotenit. Beta karoteni është një element i nevojshëm që u jep frutave dhe perimeve atë pigmentin e verdhë dhe portokalli që më pas transformohet në vitaminën A që është shumë e nevojshme. Beta karoteni ndoshta nuk të ndihmon të shohësh shkëlqyeshëm në errësirë, por ndihmon me shikimin, forcon sistemin imunitar dhe përmirëson shëndetin e lëkurës.

Karrotat janë të pasura me sheqer natyral. Nëse kishe vendosur që të hiqje dorë nga sheqeri duke ngrënë perime të shëndetshme siç është edhe karrota, mirë bën por duhet të dish që karrota përmban katër lloj sheqernash - sukroza, glukoza, ksyloza dhe fruktoza. Për fat të mirë, ëmbëlsia e karrotës nuk rrit nivelin e karbohidratit në të, ndaj mund ta shijosh më së miri. Sepse përveç sheqernave, merr një dozë të mirë me vitamin A, C, K, B6, si dhe magnez, kalcium, fibër dhe kalium.

Vlerat e karrotës. Vlerat shëndetësore dhe ushqimore të karrotës janë fantastike duke nisur që nga ulja e kolesterolit deri tek parandalimi i humbjes së kujtesës. Beta karoteni që gjendet në shumë perime të tjera, por veçanërisht tek karrotat mbron sistemin nervor.

Një studim i Universitetit të Harvardit tregoi se marrja e të paktën 50 miligramë beta karoten në ditë, vonon plakjen e trurit me 1 deri në 1.5 vjet./AgroWeb.org