Së bashku me pemët e ndriçuara qendrave të qyteteve, pushimet e shkollave, lejet e punës dhe planet me shoqërinë, festat e fundvitit po fillojnë të mbahen mend edhe për një tjetër traditë: rritjen e çmimeve të produkteve të përditshme. Tregtarët ndjekin rritjen e sigurt të kërkesës së konsumatorëve për produktet ushqimore, pijet, fruta-perimet dhe shërbimet, duke rritur çmimet lirisht, në kulmin e festës së Vitit të Ri.

Por rritja e çmimeve për fruta-perimet dhe pijet (si mallrat më të konsumueshëm të shportës) nuk është një aksion i unifikuar nga të gjithë tregtarët e pakicës në të gjitha tregjet. Ky fenomen ndodh në mënyrë të decentralizuar, jo në të njëjtën kohë dhe ashtu si shprehen vetë tregtarët e pakicës: “të nxitur më tepër nga ndryshimet e çmimit që imponojnë importuesit dhe tregtarët e shumicës.”

Bujqësia ka patur prodhim të bollshëm këtë vit (një pjesë e madhe ka shkuar për eksport, por pjesa tjetër e ka tejmbushur tregun) prandaj, tregtarët nuk do të kishin arsye për t’i rritur çmimet nëse grosistët nuk do ta bënin atë. Bujqësia është sektori me rritjen më të lartë në ekonominë e vendit për vitin 2016. Sipas disa të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, eksportet bujqësore në përgjithësi dhe ato të fruta-perimeve në veçanti, janë rritur ndjeshëm, e madje në disa qarqe, prodhimet janë dyfishuar (përshembull në Berat, në Lushnje dhe në Sarandë). Kjo, po sipas Ministrisë, sidomos për prodhimet e mandarinës, domates, perimeve në përgjithësi. Por ky është rasti kur logjika të tradhëton, pasi në fundvit sasia nuk e ul çmimin dhe as nuk e ndikon atë.

Tregtarë shprehen për AgroWeb se një kategori e pasur e popullsisë, ndikohet nga çmimi i lartë për të përcaktuar cilësinë e mirë. Në kushtet kur motorri i qarkullimit të parasë dhe fitimit në periudhat me konsum të lartë, janë pikërisht ata që kanë më shumë para për të shpenzuar, këta shitës e shikojnë më me risk të mbajnë çmime të ulëta duke rrezikuar largimin e “parasë së madhe”.

Agjensia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka deklaruar se nuk do të lejojë më çmime abuzive për festat duke ushtruar kontrolle të rrepta në të gjitha tregjet. 

Në shportën e qytetarit shqiptar që prej vitit 2007, futen 272 artikuj, të ndarë në 12 grupe kryesore. Nga këto grupe, dy të parat më të konsumueshme janë: 1)Ushqimet dhe pijet joalkoolike, 2)Duhani dhe pijet alkoolike. Sipas Indeksit të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2016, të publikuar nga INSTAT, në krahasim vjetor me nëntorin e vitit 2015, rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur për grupin e parë të artikujve të shportës. 

Sipas INSTAT në këtë periudhë, krahasuar me muajin Nëntor 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 %, pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,7 %, grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë lëndë djegëse dhe energji” secili me nga 1,5 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 10,1 %, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 5,9 %, “qumësht, djathë e vezë” me 4,9 %, “peshk” me 3,7 %, “zarzavate përfshirë patatet“me 2,7 %, etj. 

Jo vetëm që ka ndodhur rritja vjetore e çmimeve për disa ushqime të shportës sipas INSTAT, por gjithashtu ka ndodhur edhe rritja e çmimeve nga muaji nëntor 2016 në dhjetor 2016. Tregjet Agro-Ushqimore theksojnë se çmimet e importit janë në pjesën më të madhe të produkteve më të larta se ato të prodhimit të brendshëm. Por ajo që ndikon më tepër në xhepin e konsumatorit shqiptar është rritja e çmimeve të produkteve të brendshme, pasi ato zënë pjesën më të madhe të tregut (nga 57 produkte të nxjerra në pasqyrën e tregjeve Agro-Ushqimore, vetëm 15 syresh janë import) dhe janë më të konsumueshmet në pregatitjen e ushqimeve tradicionale apo festive. /AgroWeb.org