Xhenxhefili po transformohet në një pjesë të rëndësishme të ushqyerjes së përditshme edhe në Shqipëri. Përdorimi më i zakontë i xhenxhefilit është si çaj i ngrohtë ose i ftohtë në varësi të stinës. Por a e dinit se me xhenxhefil pluhur ju mund të përgatisni nga biskotat deri tek supat shumë të shijshme për shembull? AgroWeb ju sjell recetën e përgatitjes së xhenxhefilit pluhur dhe përdorimit të tij.

Pluhuri i thatë i xhenxhefilit organik ka një aromë shumë të mirë dhe shije të mprehtë që nuk mund të krahasohet me pluhurin e xhenxhefilit të zakontë që shitet i paketuar.

Pluhurin mund ta ruani në një enë të izoluar mirë që mban aromën. Gjatë përgatitjes së pluhurit, shumë njerëz e heqin lëkurën nga erëza, por zakonisht pluhuri bëhet nga xhenxhefili i plotë pa lëkurë.

Përgatitja e pluhurit të xhenxhefilit kërkon xhenxhefil të freskët që duhet zhytur në ujë për disa minuta dhe më pas të lahet me ujë të bollshëm. AgroWeb.org ju tregon se sekreti qëndron tek prerja e xhenxhefilit në copa shumë të vogla. Ai thahet në diell ose në furrë. Nëse tharja nuk është e plotë, atëherë xhenxhefili duhet futur në ngrirje dhe më pas të bëhet pluhur.

Si të përzgjidhni xhenxhefilin për përgatitjen e pluhurit të tij

Blini xhenxhefil të freskët. AgroWeb.org ju sjell mënyrën më të thjeshtë që të siguroheni që të blini produktin e duhur. Që të provoni cilësinë, provoni të këpusni një pjesë të rrënjës. Nëse ndahet lehtësisht pa fijet e fibrave ndërmjet, atëherë është i mirë. Nëse xhenxhefili ka shumë fije fibrash, atëherë nuk do të kthehet lehtësisht në pluhur.

Pluhur xhenxhefili në kushtet e shtëpisë

1. Xhenxhefilin futeni në ujë për 3 deri në 4 minuta, lajeni mirë me ujë të bollshëm për të larguar papastërtitë.

2. Prijeni në copa të vogla me një thikë të mprehtë. Sa më të vogla copat e tij, aq më mirë do të thahet ai.

3. Shpërndajini copat e xhenxhefilit në një pjatë dhe vendoseni në diell ose në furrë.

4. Kur të jetë plotësisht i thatë dhe copat janë krokante, futeni në mikser dhe grijeni.

5. Hidheni në sitë dhe lëreni të qëndrojë i freskët në temperaturën e dhomës përpara se ta fusni në kutinë përkatëse.

Ide për përdorimin e pluhurit të xhenxhefilit

Pluhur xhenxhefili në çaj:

Përgatitja ditore e bukës apo biskotave me xhenxhefil është e pamundur, ndaj më mirë fokusohuni tek çaji, të cilin mund ta pini çdo ditë. AgroWeb.org ju këshillon se për përgatitjen e këtij çaji kërkohen çerek luge gjelle me pluhur dhe ujë i nxehtë. Mund të shtoni mjaltë sipas dëshirës. Këtë pluhur ju mund ta hidhni edhe në qumësht.

Pomadë me pluhur xhenxhefili:

Pomada me pluhur xhenxhefili është përdorur prej vitesh për të trajtuar artritin. Xhenxhefili ka veti anti-inflamatore kundër dhimbjeve. Përzijeni pluhurin me pak ujë deri sa të bëhet një pomadë me të cilën mund të lyeni zonat e prekura. Fillimisht do të ndieni një djegie të lehtë, por më pas pomada do të trashet. Kur ajo të thahet, mund ta lani zonën e lyer.

Tonik me xhenxhefil:

Nëse dëshironi të përshpejtoni tretjen, AgroWeb.org ju rekomandon të përdorni pluhurin e xhenxhefilit. Merrni një gotë me vodka të pastër ose edhe raki apo çdo pije tjetër alkoolike pa ngjyrë dhe përzijeni me gjysmë luge çaji me pluhur. Hidheni tretësirën në një shishe qelqi me ngjyrë dhe lëreni për 45 ditë në një vend të errët. Më pas kullojeni dhe ruajeni në një shishe të re. Të rriturit duhet të konsumojnë 10 pika të tretësirës me mjaltë për të rregulluar tretjen./AgroWeb.org