A ka ndonjë aromë të cilën menjëherë e lidhni me Shqipërinë? Një aromë tradicionale, kur ndieni të cilën mbyllni sytë dhe kujtoni rrugën, mëhallën, sokakun, pjatën e preferuar të nënës, peisazhet magjepsëse apo bimët karakteristike shqiptare? 

Mos ndoshta aroma e trëndelinës, së cilës i janë kënduar këngë e thurur vargje? Aroma e lehtë dhe e këndshme e dafinës? Aroma e ngrohtë dhe qetësuese e kamomilit? Aroma e fortë e çajit të malit? Aroma shpuese e sherebelës? Aroma e ëmbël por gjithashtu djegëse e rigonit? Aroma e veçantë e dëllinjës?

Ndoshta të gjitha. Të gjitha këto aroma të sjellin ndër mend Shqipërinë, veçanërisht atëherë kur jeton larg saj.

Po sikur t’ju pyesnim se ç’ju sjell ndër mend aroma e lavandës? Cili do të ishte vendi i parë që do të shqiptonit? Franca? Fusha të gjera të mbuluara nga një petk i ndezur lejla që shtrihen nën diell, e kundërmojnë që larg aromë të freskët e të pastër lavandë.

Po ndonjë alternativë tjetër do t’ju vinte ndër mend? Po sikur t’ju thonim, Shqipëria? Po po, e ardhmja e Shqipërisë mund të “kundërmojë aromë lavande”, ashtu si dhe fitimet e vendit nga kjo bimë, tejet e kërkuar kudo.

Lavanda - Potenciali fantastik i Shqipërisë

Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri, bimët mjekësore dhe aromatike kryesojnë listën e eksporteve bujqësore. Malësia e Madhe është rajoni me numrin më të madh të eksporteve, me rreth 5000 ton bimë mjekësore dhe aromatike të eksportuara drejt tregjeve amerikane, turke dhe gjermane vetëm gjatë një viti.

Lavanda, e njohur edhe si livando me emrin botanik, Lavandula officinalis, është një bimë shumëvjeçare, e zonës së Mesdheut që rritet më së miri në kushte klimatike jo shumë të nxehta dhe të lagështa. Rritet në toka të mirë-drenazhuara, jo shumë të pasura në humus dhe pak alkaline. Lavanda rritet më së miri në diell dhe kërkon plehërim të rrallë. E mesa duket, livando mund të rritet mrekullisht edhe në Shqipëri.

Z. Peter Furth, President i FFF Associates Incorporation, konsulent amerikan mbi tregtinë ndërkombëtare dhe marketingun në një intervistë ekskluzive për AgroWe.borg është shprehur se beson që lavanda shqiptare mund të ketë një të ardhme të suksesshme dhe rritje të tregut të saj të shitjes. “Mund të këtë prodhimtari të lartë, cilësi të mirë dhe gjithashtu avantazhin e çmimit,” tha Z. Furth për AgroWeb.

Ai theksoi se kushtet klimatike dhe të tokës nuk janë faktorët e vetëm që ndikojnë në suksesin e kultivimit dhe eksporteve. Informacioni dhe njohuritë mbi veprimtaritë e lidhura me kultivimin, çertifikimet, njohja e mirë e kërkesës dhe tregjeve të huaja, investimet e vazhdueshme dhe mbështetja financiare janë thelbësore për rritjen e mëtejshme të kësaj kulture me potenciale të mëdha.

Z. Furth tha se puna e përbashket mes fermerëve, agrobizneseve, donatorëve, organizatave dhe qeverisë është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e prodhimtarisë, rritjen e sasisë së prodhuar dhe gjithashtu për të ndihmuar bizneset të marrin vendime të mirëmenduara.

Lavanda - Një kulturë unike për Shqipërinë

Rritja e lavandës është një proces që kërkon kujdes dhe punë të vazhdueshme. Xheladin Zeka është një prodhues bimësh medicinale dhe aromatike dhe pronar i një qendre magazinimi në Koplik, Malësi e Madhe.

Ai është një ndër kultivuesit shqiptarë të lavandës, që e eksporton atë edhe jashtë. Përveç sherebelës, edhe lavanda përbën biznesin kryesor veçanërisht në Malësinë së Madhe dhe zonat përreth. Z. Zeka punëson punonjës sezonalë nga fshatrat përreth, gjatë kohës së vjeljes, të cilët grumbullojnë bimën dhe ndajnë lulen nga kërcelli. Është pikërisht lulja përbërësi kryesor që përdoret në kozmetikë, parfume, qirinj aromatikë etj.

Në vitin 2014, Z. Zeka dhe kultivues të tjerë të këtyre bimëve krijuan grupin prodhues ‘Lujz’. Të bashkuar ata prodhojnë në një vit 10 tonë sherebelë dhe 1 ton lavandë, të cilat shiten tek grumbulluesit dhe eksportohen.

USAID dhe AAC-Lushnja, një projekt lokal i financuar nga USAID kanë ndihmuar Z. Zeka dhe të tjerë kultivues në komunitet me trainime rreth teknikave të vjeljes dhe të pasvjeljes. Kjo u lejon atyre të rrisin cilësinë e prodhimit, që do të rrisë gjithashtu kërkesën dhe çmimin e rrjedhimisht dhe fitimet për fermerët dhe bizneset lokale.

Në kërkim të shijeve të reja – Mjaltë Lavande

Përveç produkteve kozmetike dhe vajit, lavanda është shumë e njohur edhe për mjaltin, që shquhet për vlerat ushqyese. Shumë entuziastë të mjaltit e konsiderojnë këtë lloj mjalti si një ndër më të mirët në botë. Me aromën delikate të lules dhe shijen e veçantë të lavandës, ky mjaltë është i kërkuar në shumë tregje në mbarë botën.

Përveç përdorimit të tij në kulinari, ky lloj mjalti gjen edhe përdorim mjekësor, pasi është i pasur në përbërës që rrisin imunitetin dhe kanë efekt pozitiv në organizëm.

Tregu botëror i lavandës ndoshta do të mirëpresë një furnizues të ri, Shqipërinë, që po krijon bazat e fitimeve nga kjo kulturë. Ndoshta një ditë kur të mbyllni sytë dhe të ndjeni aromën e livandos, përveç Francës, do t’ju kujtohen edhe fushat lejla, plot e përplot me lavandë, pikërisht në Shqipëri./AgroWeb.org